Friday, 30 August 2013

DY ANËT E KOSOVËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 GUSHT 2013

Tregimi mbi të mirën e të keqen, mbi të drejtën e të gabuarën, e mbi alternativën e anti-alternativën


Kosova din të bëj mirë e mbarë. Pas përmbylljes së “Dokufest” e pas fitores simpatike - gjithsesi brilante - të Majlinda Kelmendit në Rio të Brazilit, Kosova provoj se mund të prodhoj diçka të bukur, diçka botërore. Në të vërtetë, që të dy ngjarjet janë shembuj të një performance jashta-institucionale në vend, ngjarje që i rezistojnë anomalive e ngufatjeve socio-politike e që gufojnë në triumf pavarësisht refuzimit ndaj tyre. E janë mu ngjarjet e sukseset si këto që na theksojnë e ritheksojnë në vazhdimësi se mbarësia e mirësia mund të vijë me e pa shtet.

Përderisa “Dokufesti” tashmë na shpërfaqet rregullisht si një ngjarje që duhet të ndezë mbarë e mirë, suksesi i Majlindës ishe më pak publik. Në të vërtetë, ishte vetëm fitorja e saj që e vuri vëmendjen e publikut kosovar drejt saj; ndoshta sa për të përshkruar kështu edhe trendin e interesimit që ne shfaqim përballë ecjeve e arritjeve individuale të kosovarëve. Gjithsesi, fitorja e Majlindës është shumë më tepër se sa një triumf individual në një tournament të një sporti më pak të popullarizuar se “luajtja me top”. Është po ashtu shumë më tepër se sa një lajm i radhës e një gëzim “i platosë së Boro e Ramizit”, siç edhe janë këto trofe-ngritjet e sportistëve të getoizuar (fatkeqësisht) kosovarë. Shpërfaqja e fitores së saj në pothuajse të gjitha gazetat e portalet sportive botërore, mu për shkak të asaj që Majlinda përfaqësonte, pra Kosovën dhe arritjen simpatike të Kosovës, është dhurata më e mirë që një individ mund ti bëj promovimit të vendit. Në Majlindën këta reporterë sportiv japin gjithashtu edhe tregimin e shtetit më të ri kosovar, përpjekjet për të kaluar të gjitha barrierat politike, e për të përfunduar kështu në triumf përkundër të gjitha gjasave.

Në kundërpeshë të këtij promovimi, gjithsesi, janë këto anomalitë e zakonshme në vend që burojnë me hajni, plaçkitje, haraç, kërcënim, korrupsion e frikësim të gjithçkaje të mirë në vend. Në kundërpeshë të një “Dokufesti” e një “Majlinde” individuale, janë me mijëra individ zaptues, të pa ngirë e të paturp që na prodhojnë politikë të gërditshme, pa kurriz, e skajshmërish klanore.   

***

Një pjesë më pak e dëmshme e anomalive turbo-tranzitore të Kosovës, është edhe pjesa e alternativë-dhënies qeveritare. Më pak e dëmshme jo për shkak të efekteve që bartin, por për shkak të natyrës komike të vet ideizimit të tyre. Në këtë frymë hyn edhe propozimi i fundit i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që, besoni ose jo, ndërton një “Strategji” për punësimin e kosovarëve në Katar.

Të mundohem ti jap një ton serioziteti këtij alamet propozimi. Pra, një dikaster i tërë qeveritar është i angazhuar që të zgjidhë problemin e 30.000 të papunëve (të rinj çdo vit), 400.000 tjerëve të papunë në vazhdimësi, e kush e di sa të tjerëve në vitet në vijim, pra provon ti jap zgjidhje bërthamës së telasheve tona ekonomike, nëpërmjet hartimit të një dokumenti - që e quajnë si rëndom strategji - e që parasheh dërgimin e disa (edhe në rastin më të mirë) qindra kosovarëve në një vend të Lindjes për punë.

Profecia e zëvendës-kryeministrit të tanishëm, i cili gjatë fushatës zgjedhore premtonte punësime të ngjashme - në Kazakistan - si duket po përmbushet. Këtë herë, megjithatë, nuk është një pallavër elektorale e odave e kafehaneve të Marevcit, por është një dokument nacional i promovuar e ndërtuar nga një Qeveri. Është një program qeveritar që problemin më të rëndësishëm ekonomik e trajton me tallje.

Gjithsesi, përderisa politikat qeveritare, kryesisht të udhëhequra mu nga premtuesit e Kazakistanit “e 80.000 vendeve të punës në mandat”, e që tashti na filtrohen nëpër zgjedhje komunale thuajse e kanë bërë namin në vend, kanë ngufatur çdo shpresë për të krijuar punë në vend. Tashti përtej shpresës nuk na mbetet tjetër veçse të bëjmë gjueti nëpër tregje të Kararit e Burmës, Xhibutit e Sibirit. Po të kishin pak seriozitet këta alamet propozues e ideatorë, sikur Qeveria me parinë e saj të kishte vetëm pak ide ekonomike, privatizimet do të bëheshin me më shumë seriozitet, kontratat me më pak korrupsion, rritjet me më shumë kapital privat e rrjedhimisht zhvillimi me më shumë mend.
***

Fatkeqësisht aspak më serioze nuk na jepen alternativat opozitare. Ndonëse LDK e AAK ka kohë që nuk mërziten të ofrojnë as edhe një ide të vetme konkrete për të zhbërë gjithë këtë ngërç ekonomik, pra kanë ngecur e janë ngufatur në prodhim fjalësh gjenerale, “Vetëvendosje” këtë javë publikoj një dokument përmbledhës të quajtur alternativë qeverisëse. Dokumenti, ndër të tjerash (dhe këtu fokusohem unë këtë herë) provon të jep një rrugëdalje ekonomike - pra jep një alternativë përballë ofertës qeveritare për punësim në Katar.

Dokumenti, pjesa ekonomike, ndonëse ka një sërë orientimesh gjenerale mjaft të pëlqyeshme, fatkeqësisht jep dy premisa të rrezikshme ekonomike, e të cilat po u provuan - apo edhe më keq, po u ekstrapoluan më tutje - na dërgojnë të gjithëve në Katar e përtej Katarit. Do të provoj shkurtimisht të flas përse.     

Propozimi i parë ndërlidhet me progeresivitetin e taksave dhe marrjen e një të tretës së pasurisë për gjithkënd që qeveria e ardhshme e sheh si tepër të pasur. Pra në radhë të parë kjo alternativë na jep një rend të ri rregulluesish që duhet ti tregojnë kosovarëve se çfarë është shumë e çfarë pak. Provoj ti parafytyrojë njerëzit që do të bëjnë një rregullim të tillë; a thua si duken? Si duket dikush që një punëtori të lodhshëm, inovativ, të vyeshëm e të ndershëm i tregon se sa mund të marr e fitoj, se çfarë është shumë e çfarë pak për të dhe familjen e tij – apo në fjalë të alternativës, çfarë është e mirë e domosdoshme dhe e panevojshme; si e përcaktojnë vallë të panevojshmen këta; kush ua jep atë të drejtë? Tatimimi kaq i rreptë më duket më tepër një instucionalizim i haraçit, ku puna dekurajohet e dembelia inkurajohet. Në fund të gjithë do të jemi të barabartë - na thotë alternativa. Alternativa na thotë se - për dallim prej gjithë Evropës - këtu nuk bën askush të bëj më shumë se 500 euro në javë meqë për çdo euro shtesë një e treta do ti merret. Çfarë motivimi për zhvillim; thuajse zhvillimi është mëkat e punëtori është mëkatar.

Fatkeqësisht, alternativa nuk kupton - ose nuk do të kuptojë - se çdo taksë progresive në të ardhura, do të rrisë kostot e biznesit të cilët ashtu kështu kanë një mijë e një probleme sot. Alternativa nuk kupton se një taksë e tillë ose do të mbysë bizneset ose do të përkthehet në çmime më të larta, inflacion më të lartë e rrjedhimisht varfëri më të tepërt. Alternativa nuk kupton se në një ekonomi të tharë prej keshit, siç është kjo e Kosovës, rritja e taksave është goditje e dyfishtë për thatësim të mëtutjeshëm. Në vend të “tërheqjeve” siç janë taksat, qeveritë normale në raste të tilla e stimulojnë qarkullimin e parasë, me “prurje”. Alternativa nuk e kupton as katastrofën potenciale (nëse ka mbetur vend për katastrofë pas kësaj qeverisje) në relacion me investitorët e jashtëm po aplikuam trefishin e taksave (në fitim) me vendet e rajonit. Me çfarë mendojnë të zhvillohen këta? Me përralla të popullarizimit e vrullit të adoleshentëve “facebookian” anti neo-liberalë që na plasën me konstatime fajësuese  për kapitalizmin. Tmerrohem të parafytyrojë një Kosovë të tillë; sinqerisht. Dhe kjo nuk ka lidhje me bindje ekonomike, as filozofike - ka të bëjë me një pragmatizëm ekonomik.         
      
Propozimi i dytë, dhe ky është më tepër i rrezikshëm, ofron një lloj nacionalizimi të pronave strategjike të Kosovës. Pra, nga ajo çfarë mund të kuptohet, alternativa e re ofron një qasje “chaveziane” ku prona private nacionalizohet - për më tepër, kur shërbimet publike të reja krijohen nga kapitali publik. Pavarësisht se sa i dëmshëm është procesi i tanishëm privatizues në vend - e kam fjalën për ndërmarrjet publike – ai nuk mund të jetë i kthyeshëm. E tëra çfarë një qeveri e ardhshme mund të bëjë është hetimi dhe mbajtja përgjegjës e njerëzve nëse një transaksion ka pasur afera korruptive në të. Por në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë një parti a lëvizje serioze nuk duhet të mendojë një goditje ekstreme si nacionalizimi i privates. Një hap i tillë jo vetëm se do të shkatërronte reputacionin e Kosovës jashtë, dhe kjo ka rëndësi, por do të na vinte në një vijë me Putinin e Chavezin, me Rusinë e Venezuelën përballë trajtimit të investimeve private (të brendshme a të jashtme) - për të na dhënë kështu izolimin e rrënimin e fundit ekonomik.

Natyrisht se nuk mund të lakmoj asnjë propozim të majtë e më origjinë marksiste, siç është progresiviteti i taksave (i majtë) e nacionalizimi i pronës (marksist). Në të vërtetë ndjej keqardhje e dëshpërim njëkohësisht se pas gjithë evidencës e ecjes së “nacionalizimit” gjatë Jugosllavisë së Titos e Shqipërisë së Xhaxhit, ende ka kosovarë - të rinj madje - që mendojnë në kthimin e saj.

Fatkeqësisht me “alternativa” të tilla kosovarët do të vazhdojnë të mbesin pa alternativë. Një opozitë ose inekzistente ose me propozime ekstreme nuk është alternativë as e hajgareve për Katar. Rrjedhimisht hajgaret e tipit Katar, për fatkeqësinë tonë të madhe, do të vazhdojnë të jenë këndej për shumë gjatë.


No comments: