Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 GUSHT 2013
Gjatë dy javëve të shkuara provova të vlerësoj zbatueshmërinë e Planit të Banskos nëpërmjet krahasimit të objektivave të vëna aty në vitin 2011 me të dhënat zyrtare të sotme, pra dy vite e gjysmë më pas. Në të dy kolumnet e fundit argumentova se rritja e realizuar (në mesatare) gjatë këtyre dy-tre viteve nuk ka qenë as sa gjysma e planifikuar prej 7-8%; se papunësia nuk është ulur për nga 8-10% në vjet, siç parashihej, por se e njëjta kishte mbetur e pandryshuar gjatë gjithë kësaj kohe; se Kosova dy vite më pas nuk është ranguar e as nuk është afër objektivit rangues të Top 40-shin në të bërit biznes, është në vendin e 98; se privatizimi i aseteve publike përveçse ka humbur çdo afat kohor (nëse është dashur të ketë një të tillë) ka prodhuar rezultate dekurajuese në frymën e tërheqjes së investitorëve serioz; se planifikimet për partneritet publiko-privat në investime infrastrukturore kanë qenë zero - as edhe një; dhe se rritja e stabilitetit makrofiskal është përkthyer në improvizime të çastit e në stil kontabiliteti për të transferuar e transformuar kështu një kolaps financiar në një kolaps ekonomik.
Në shkrimin e kësaj jave, të tretin dhe të fundit për këtë temë, do të provoj të argumentoj për arritshmërinë dhe zbatueshmërinë e katër “synimeve themelore” të mbetura nga Plani. Do të provoj të vlerësoj ecjen rreth politikave fiskale, zvogëlimit të ekonomisë joformale, zhvillimit të tregjeve financiare dhe përfundimisht revitalizimit të bujqësisë – siç është paraparë të ndodhë me Planin e Banskos.
***
Plani i Banskos, në mes tjerash, parasheh – ndonëse pa dhënë shumë ide se si e çfarë – edhe ofrimin e politikave të favorshme fiskale. Në të vërtetë, në vizionin “power-point” njeriu nuk mund të gjejë as edhe një fjalë shtesë se çfarë në të vërtetë mendohet me “politika më të favorshme fiskale”. Po mendoj, gjeneralizimi i termave në strategji-bërje nuk ka vend, është i panevojshëm dhe pa mëdyshje naiv. Bën të duket një qeveri të tërë si një student që nuk di gjë prej gjëje, por megjithatë është i aftë të llomotitë dy a tri fjalë gjeneralë që sinqerisht kanë vend edhe në ekonomi, edhe në juridik e edhe në mjekësi. Në këtë frymë po ju jap një strategji që tani: “Kosova ka nevojë për politika më të mira, më të duhura, më adekuate e më të favorshme në ekonomi”. Në esencë ky rresht i ka të gjitha; ka politikat më të mira të mundshme – çfarëdo që ju bie në mend veçse e thashë; ka politikat më të duhura, më adekuate më të favorshme – pra mban perfeksionizmin në vete.
Në të vërtetë nuk ka asgjë; ka, njëjtë sikurse edhe Plani Bullgar, vetëm pallavra. E pasja e pallavrave në politikë fiskale, në mjetin më të fuqishëm ekonomik që një vend mund ta ketë, është sinqerisht ecje vetëvrasëse. Por edhe sikur “politika më të favorshme fiskale” të kishte mundësi kuantifikimi, më lejoni t’ju rikujtoj se në këto dy vite e gjysmë që nga publikimi i vizionit Qeveria nuk ka ndërmarrë as edhe një reformë serioze fiskale. Bizneset tona vazhdojnë të paguajnë TVSH-në ende në kufi duke rënduar si asnjë precedent tjetër rrjedhën e parasë; vazhdojnë të kenë kostot të lartë të “kompliancës” me taksa – deri në atë pikë sa që evazioni bëhet më i lirë; e vazhdojnë të kenë një administratë tatimore totalisht të pareformuar e të paedukuar që trajton taksapaguesit si skllevër e jo punëdhënës.
E kreativitetet tjera stimuluese si për shembull lirimet për teknologji e lëndë të parë (ndër të tjerash) as që janë menduar ndonjëherë. Të pamenduara kanë mbetur edhe stimujt atraktivë për investitorë të huaj, si lirimet e tërësishme për një periudhë të dhënë kohe – përderisa të njëjtit krijojnë punë - siç edhe ka ndodhur në të gjitha vendet e rajonit e konkurrenca e të cilëve ka bërë vendin tonë të duket një shkret fiskal. Në vend të këtyre politikave, vendi ynë ka pasur një qeverisje mekanike e cila me automatizëm, pra si një makinë, ka ditur vetëm të bëjë përllogaritjen shabllon (gjithsesi me diferencime dallaveresh) për obligimet e taksave. Në këtë proces natyrshëm një grumbull i madh biznesesh me e pa lidhje kanë prodhuar nivele alarmante të evazionit fiskal – objektivi tjetër i Planit të Banskos.
***
Për evazionin fiskal në Kosovë veçse kam shkruar mjaftë më parë; ndoshta sepse është fusha në të cilën notoj më lirshëm –sepse e studioj. Gjithsesi evazioni fiskal, siç edhe ndodh me secilin vend tjetër në transicion, përbën problemin qenësor në bërje të biznesit. Ky fakt na është shpërfaqur në të gjitha studimet e sektorit privat në vend. Dhe jo, evazioni nuk targetohet me lista të të bërit biznes apo dhe rangime të tjera patetike, objektiva e angazhime të vetme të resorëve biznesorë në vend (madje edhe pse të vetme të parealizueshme). Evazioni nuk targetohet as edhe me një rresht të vetëm të një “synimi themelor”, diçka si për shembull “kalimi nga ekonomia joformale në formale” (besoni ose jo kaq është analiza në vizion).
Rrjedhimisht, është disi e vështirë të matësh një performancë kur nuk ka numra e tregues të matshëm e të krahasueshëm. Pra me një rresht si objektiv “kalimi nga ekonomia joformale në formale” nuk mund të konkludosh se për sa duhet të jetë ky kalim, si duhet të bëhet e kur duhet të bëhet. Nëse është menduar për të gjithë ekonominë, kujtoni sa larg jemi sot. Nëse është menduar për gjysmën e saj, kujtoni sa pak kanë bërë në këtë drejtim. E nëse është thënë për pak kalim, pra për një mini-kalim, atëherë them se nuk është bërë as aq.
Pak pas hartimit e prezantimit të vizionit, UNDP në një publikim mbi sektorin privat, kishte vlerësuar nivelin e evazionit fiskal në vend rreth 39%. Pra dhënë ndryshe, në përgjithësi, pa përfshirë Veriun gjithsesi, në Kosovë rreth 39% e shitjeve nuk deklaroheshin për obligime fiskale. Këtë vit, në kuadër të Riinvestit kemi replikuar teknikën e njëjtë matëse. Rezultatet e reja jo vetëm se rikonfirmojnë gjetjet paraprake por në marzha të gabimeve standarde statistikore shërbejnë edhe seriozitetin e mbledhjes së të dhënave në dy periudha kohore si dhe trendin e dukurive. Kosova, sipas të dhënave ende të papublikuara nga ne, ka një evazion fiskal prej plot 37%, apo vetëm 2 pikë të përqindjes më pak se dy vite më parë.
Dhe kujtoj se gjatë kësaj kohe Qeveria ka instaluar (hezitoj t’i jap këtë emërtim sinqerisht) arkat fiskale, e ka vënë në kontroll pikat kufitare në Veri. Rezoni thelbësor prapa ngurtësimit në numër është mosshtrirja territoriale jashtë Prishtinës. Me qindra vendbanime e oaza biznesesh, militantë e jomilitantë vazhdojnë t’u shmangen taksave në mënyrat më kreative të mundshme. E dini se, sipas ATK-së Prishtina kontribuon me 70% të taksave të gjithëmbarshme në vend, ndërkaq Skenderaj vetëm me 0.7%? Pjesa tjetër është anarki; dhe jo, proporcioni kontribuues nuk lidhet vetëm me fuqi ekonomike të regjioneve, është sistem klientelist taksambledhës.
***
Synimi i parafundit (në trajtim) i Planit të Banskos, ka të bëjë me “zhvillimin e tregjeve financiare” në vend. Secili me pak dije bazike në fushën e tregjeve financiare mund ta ketë kuptuar dy vite më parë joseriozitetin e një objektivi të tillë, jo se është i pamundur, porse për dy-tri vite kohë, sa ka shtrirje vizionare plani, as korniza ligjore nuk do të mund të kompletohej – është një çështje tepër serioze për t’u trajtuar shkel e shko. E tëra se çfarë qeveria jonë ka bërë në këto vite është lëshimi i fletobligacioneve të para në relacion me Trustin Pensional; pra “zhvillimi” si masë matëse është hiperkonstatim në relacion me outputin e dhënë. Në këtë kohë Qeveria jonë nuk ka marrë ende as rangimin kreditor për të zgjeruar burimet e financimit. E nëse me zhvillim të tregjeve financiare është nënkuptuar edhe përmirësimi i ambientit kreditdhënës në vend, ju kujtoj se normat e interesit që nga publikimi i Planit e deri më sot vazhdojnë të mbesin të pandryshuara – ndoshta sa për të reflektuar edhe vlerësimin mbi angazhimin në këtë drejtim. Për më tepër ato mbesin ende të papërdorshme për të shpresuar në çfarëdo rigjenerimi ekonomik.
Në fund fare, dhe këtë renditje e lashë qëllimisht, është një synim që thekson “revitalizimin e bujqësisë”. Them se e lashë me qëllim për të argumentuar në favor të ecjes në këtë drejtim. Kujtoj se në shkrimin e parë të kësaj serie mbi Planin e Banskos kisha argumentuar se nga 10 synimet themelore të vëna në plan, dikush mund të argumentojë pro realizmit të njërës; dhe kjo njëra është mu ky synim. Ndoshta për shkak se diferenca në një fushë të rrënuar mund të bëhet lehtë; ndoshta sepse angazhimi i donatorëve ndërkombëtarë në bujqësi ka qenë enorm; apo ndoshta sepse thjesht është bërë punë e mbarë, them se bujqësia e Kosovës është në rrugë të mbarë (ndonëse është larg prej revitalizimit).
Këtë javë derisa po ateroja në Aeroportin e Prishtinës u mahnita për së miri me pamjet e tokave të punuara në vend. Në këto 14 vitet e fundit nuk kam arritur të shoh asnjëherë aq shumë punë bujqësore në Kosovë; zakonisht ka qenë “therra” gjithandej. Ndonëse vazhdoj të besoj se ka shumë për t’u bërë, shumë më shumë për të ngritur bujqësinë, nuk kam se si të mos shpreh admirimin tim për ecjen e deritanishme në këtë drejtim. Madje them se sikur të gjitha synimet tjera të kishin këtë trend, sot Planin e Banskos do ta vlerësoja si kryevepër të planifikimit e angazhimit.
Fatkeqësisht të njëjtin e shoh si një dështim të gjerë të qeverisë së tanishme dhe të stilit qeverisës në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë. Plani i Banksos rrumbullakon në vete më së miri gjithë ecjen, gjendjen dhe perspektivën ekonomike tonën. Joserioziteti i tij në planifikim, joserioziteti i tij në fokusim, dhe në fund joserioziteti e mbrapshtia e tij në zbatim, kanë bërë gjithë planin, rrjedhimisht gjithë ecjen tonë ekonomike, të jetë veçse një aventurë koti; gjithsesi të rrezikshme e fatkeqe për standardin e jetesës sonë.
No comments:
Post a Comment