Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 GUSHT 2013
Po të
shikosh me vëmendje gjithë procesin e shitjes së PTK-së, e kupton se në çdo hap
të transakcionit, prej idesë e deri të përmbyllja e tij, ka pasur bërje të
dy-trefishtë të aktiviteteve. Pra për çdo punë të paraparë është bërë një gabim
dhe një përsëritje; eventualisht edhe një ri-përsëritje. Këto gabime natyrshëm
kanë një kosto. E kostoja e gjithmbarshme për Kosovën është se ne kemi mbetur
me një aset në zhvlerësim e sipër dhe me një investitor “më pak të keq” nga të
mbeturit “e ligshtë”, që oferton pa konkurrencë dhe që negocion më pas çmimin e
vet-ofertuar
Nuk e di cili do të ishte përkthimi më adekuat i
thënies në anglisht “from bad to worse”, me siguri diçka si “nga keq në
mosvet”; gjithsesi me një thënie si kjo do të rrumbullakoja gjithë procesin e
privatizimit të PTK-së. I ideuar mbrapshtë, i ekzekutuar mbrapshtë, në tendencë
përfundimi edhe më të mbrapshtë, shitja e asetit publik të telekomunikacionit
duket se po bëhet një ankth ekonomik. Një proces regresiv në vazhdimësi, aq
regresiv sa që çfarëdo alternative e tanishme do të prodhonte një output të ri
edhe më regresiv, gjithsesi më të mundimshëm e të pasigurt në skajshmëri.
Po të shikosh me vëmendje gjithë procesin e shitjes
së PTK-së, e kupton se në çdo hap të transakcionit, prej idesë e deri të përmbyllja
e tij, ka pasur bërje të dy-trefishtë të aktiviteteve. Pra për çdo punë të
paraparë është bërë një gabim dhe një përsëritje; eventualisht edhe një ri-përsëritje.
Kujtoj se PTK është shitur (nëse mund të konsiderohet së paku si e tillë
transferimi i asetit) vetëm pas përpjekjes së dytë; në të parën investitorët si
“Deutsche Telekom” ishin tërhequr për shkak, siç thonin vet ata, aferave
korruptive brenda asetit. E përpjekja e dytë, si në çdo punë tjetër serioze,
domosdoshmërish sjellë rezultate më pak serioze, rrjedhimisht investitorë më
pak serioz. Përpjekja e dytë na solli biznese e fonde anonime; na solli një
konkurrencë të ligshtë për një aset multimilionësh. Pra përderisa në herën e
parë ne mund të zgjidhnim më të mirin prej më të mirëve, në të dytin u dashtë
të zgjidhim më pak të keqin nga këta të mbeturit.
Ri-përsëritje pat edhe në afatet e ofertimit. Kujtoj
se dorëzimi i ofertave, të procesit të dytë, u bë vetëm në përpjekjen e tretë
pas dy shtyrjeve të panevojshme (gjithsesi natyrale kur ke të interesuar si “të
mbetur”). Në të dy herët paraprake investitorët gjithnjë më pak serioz në një proces
joserioz nuk kishin arritur të ndërtonin një ofertë serioze me premtime po aq
serioze. Pra në përsëritje të afatave për dorëzim ne jo vetëm se kemi dërguar
mesazhe tolerance e joseriozitetit, pra kemi treguar haptazi se mund të pranojmë
çfarëdo që na vjen, por ne kemi rrezikuar seriozisht edhe filtrimin e konkurrencës
në mes të investitorëve (ani pse joseriozë të gjithë), proces ky që në parimet
e ekonomisë së tregut (çfarë na e promovojnë anti-tregtarët e sotshëm) do të
sillte investitorin më kredibil dhe më të qëndrueshëm për asetin.
Dhe tani në fund të procesit fare, pasi kemi
zgjedhur pas herës së tretë të procesit të dytë një investitor anonim, pa
eksperiencë e jokredibil, kemi ri-përsëritje të afateve të nënshkrimit dhe
rrjedhimisht marrjes së parave të premtuara. Shtyrja e afatit për shitje, pas
dy datave paraprake, tregon se sa i komplikuar është bërë një proces që në çdo
rrethanë normale mund të përfundonte thjeshtë dhe mirë.
Në një rrumbullakim të procesit, pra pas përsëritjes
së privatizimit, tri afateve të dorëzimit dhe tri afateve tjera të nënshkrimit,
ne praktikisht kemi mbetur me një investitor më pak të keq nga të mbeturit e ligshtë
(pra “të fortit” ishin larguar qysh në procesin e parë), që oferton pa
konkurrencë (prandaj dhe çmimi i ulët) dhe që negocion më pas çmimin e
vet-ofertuar meqë e di se pozicioni ynë pas gjithë kësaj katrahure është thjeshtë
i ngurtësuar. Ky investitor joserioz bën lojë joserioze vetëm pse e di se
ngatërrimi i procesit të privatizimit nuk lë shumë vend për ç’ngatërrim dhe se
çdo situatë e re, për ne është bukur më e vështirë, më e rëndë dhe
potencialisht më e pasigurt. Në fund të fundit privatizimi i një aseti nuk
është lojë që mund ta përsëritësh e ri-përsëritësh sa herë që diçka shkon
mbrapshtë me të; është punë të rriturish jo fëmijësh. Paramendoni një proces të
tretë privatizmi, pas dy herëve të dështuara, tri shtyrjeve për ofertime e dy
tjerave për nënshkrime. Pramendoni kredibilitetin e Kosovës për negociata dhe
nxjerrje të çmimit të ri më të mirë në një rrethanë të tillë me një raund të ri
“të mbeturish” edhe më të ligë.
Në të vërtetë, siç edhe do të argumentojë më vonë,
një skenar i tillë mund edhe të duket më mirë se me çfarë kemi mbetur tani;
gjithsesi me një pauzë rikonstruktive në mes të “së tretës të vërtetës” dhe ndërprerjes
së të tanishmes.
***
Në ndërkohë, përderisa procesi përsëritej e
ri-përsëritej, PTK është vënë shtrënguar aq fortë sa që çdo zhvillim i saj ka
qenë thjeshtë i pamundur. Të ndodhur në frymën e transferit të pronës PTK jo
vetëm që ka ndaluar çdo investim serioz, për shembull invesitmet në “3G”,
televizion kabllor, e shërbime tjera të internetit, por ka treguar edhe nivelin
e zhvatjes tipike kosovare të pronës publike – së shpejti për tu bërë private –
mu si kjo kontrata e fundit kur një objekti privat i parapaguhet qiraja për 3
vitet e ardhshme; e gjitha në avans. Në të njëjtën frymë janë menaxhuar edhe
sportelet, shitjet, rritjet, brendimet, reklamat, dhënia e fuqisë operatorëve
virtual e punësimi i stafit të ri. Anarki totale në një institucion ashtu
kështu anarkik edhe para procesit të privatizimit.
E në rrethana si këto edhe çmimi i tanishëm i
paranegociuar mund të duket si luks (assesi pse është i tillë). Dhe kjo jo sepse
disa naivë ose të ditur mbrapshtë besojnë se “Viber” apo thirrjet falas të
internetit i humbin vlerën kompanive të telekomunikimt. Po të ishte ashtu
kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit si “British Telecom” e “Deutche
Telecom” nuk do të kishin rritje enorme e rekorde të vlerës, përkundrazi do të
shuheshin. Po të ishte kështu Carlos Slim, pronari i kompanive të telekomit si
“Telmex” e “Aamerica Movil”, nuk do të ishte njeriu më i pasur i botës që nga
viti 2010.
Të tillët që besojnë se kompanitë e telekomit,
sikurse PTK, janë vetëm për telefonata dhe se ofrimi i një programi
“smartphone” si “Viber” do të falimentojë atë, tregojnë më shumë mosdijen rreth
operimit modern të kompanive të telekomunikimit e të cilat qe tash e sa vite
ofrimet e komunikimit telefonik i kanë ashtu kështu falas, madje ofrojnë edhe
pajisje telefonike falas. Pra për kompanitë e tilla të hyrat nga thirrjet mund
dhe të jenë zero; as një as dy as treqind milionë dollarë e euro – janë zero.
Pasuria e vërtetë e kompanive të telekomunikimit është mu në ofrimin e
internetit e pakove televizive kabllore. Mjafton të shikoni operatorin tjetër
privat në Kosovë “Ipko” për të kuptuar se nga vijnë të ardhurat e vërteta të
një kompanie të telekomunikimit. Investime si këto jo që nuk janë bërë
asnjëherë në PTK, por me ose pa qëllim as që janë menduar të bëhen ndonjëherë.
Prandaj, jo, çmimi dhe vlera e telekomunikacionit nuk është në rënie; është në rritje po u bënë investimet si duhet. Rrjedhimisht, po, ka një alternativë nga dalja prej procesit të tanishëm. E dhimbshme, e vështirë, e pasigurt gjithsesi, por që vlen çdo moment të bëhet.
***
Alternativa e një situate ku një investitor i PTK-së, si i mbeturi nga një garë pa konkurrencë me një çmim simbolik dhe me tendencë të negocimit të po këtij çmimi simbolik, pra alternativa e gjithë kësaj, kërkon kthimin në pikën zero - nga ku kemi filluar gjithçka. Kërkon pas kthimit edhe rikonsolidimin e asetit në tërësi, sidomos në profilimizim e tij për fushën e telekomunikimit, e nga këtu procesimi me një privatizim me prag minimal e me negocim “një me një” edhe me investitorë serioz që kanë fonde, kanë emër dhe më e rëndësishmja, kanë eksperiencë (më shumë se ne) për të menaxhuar një sektor kaq vital për vendin.
Në esencë në do të bënim të njëjtën gjë çfarë
pretendon ta bëjë ky fond investiv në 4-5 vitet e ardhshme. Kujtoj se fondi i
tanishëm investiv, përtej faktit që është anonim e pa përvojë në telekomunikim,
ka një qëllim të vetëm, të bëjë atë çfarë rezymeja e fondit tregon vet: të
marrë qëndrim refugjati në një aset të zhvlerësuar por me potencial, ta
vlerësoj atë lehtësisht, të kthejë invesitmet në ndërkohë e të shesë asetin për
një vlerë neto edhe më të bollshme.
Në një rrethanë të tillë ne në vazhdimësi të një
joserioziteti të treguar nga një investitorë serioz i cili kërkon të ulë çmimin
e na vë madje edhe kushte, mund të ndërprejmë të gjithë procesin pa konsekuencë
ligjore; përkundrazi penalizojmë joseriozittin e ofertuesit. Më pas ne do të
kontraktonim, pse jo, një kompani të huaj menaxhuese që pastron mbarë e mirë të
gjitha elementet nepotike, korruptive e politike (kryesisht të stilit “SHIK”),
investon në fushat moderne të telekomunikimit nga ku edhe normalisht gjenerohen
sot të hyrat kryesore të ndërmarrjeve të ngjashme dhe e përgatite asetin për
transfer (gjithsesi për një shumë bukur më të majme financiare) për privatizim
të ri. Në gjithë këtë kohë ne kemi marrë dividentën e tanishme aq sa çmimi i
tanishëm i ofruar - madje për 4-5 vitet e ardhshme edhe e tejkalojmë atë.
Alternativa e gjithë kësaj është vazhdimi i një rruge
të mbrapshtë e pa vizion, me teke të vazhdueshme nga fonde anonime e të
pasigurta, për një përfundim edhe më anonim e më të pa sigurt. Alternativa e
një interesi nacional është një interes i pakuptueshëm, me siguri individual,
bukur i pagueshëm por tejet i dëmshëm për vendin; mu si gjithçka tjetër që
shkon e vjen në Kosovë sot.
No comments:
Post a Comment