Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 MARS 2013
Kërkimi i dorëheqjes
e shkarkimit si alternativë e pa kompromis
Këtë javë e vura veten në mes të një diskutimi rreth
Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, më saktësisht rreth punës së ministrit
Beqaj. Në një opinion të bërë publik provova që me dhjetë pika të prek disa nga
fushat në të cilat për mendimin tim qeverisja ekonomike në kuadër të ministrisë
në fjalë jo vetëm që nuk ka bërë asgjë por ka denigruar rrënjësisht pothuajse të
gjitha proceset në të cilat ka pasur dorë vendimmarrëse. Madje do të më duhej një
kohë e gjatë mendimesh për të kujtuar një rast të vetëm që është bërë mbarë e
mirë.
Me qëllim të ri-përmbledhjes e jo bërjes së monotonisë po i grumbulloj të njëjtat pika edhe këtu, por në pak rreshta. Fillimisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik e udhëhequr nga zoti Beqaj nuk ka arritur as për së afërmi të arsyetoj emrin që bartë në vete. Në këto pak vite ekzistencë e njëjta ka arritur të falë gjithë rrjetin e Distribucionit të Kosovës për vetëm 26.3 milionë euro; ka arritur të shpenzojë miliona (më saktësisht 8 milionë, apo 100 mijë pensione) në këshilltarë të transaksionit të proceseve denigruese e zhvlerësuese, siç është rasti i faljes së PTK-së në stil të njëjtë me të Distribucionit; ka dështuar tërësisht në dhënien e zgjidhjeve afatgjate rreth furnizimit me energji elektrike; në kohë krize ka shpërdorur skajshmërish paranë publike në dispozicion të vetin; ka dështuar tërësisht në revitalizimin e resurseve ekonomike të vendit; dhe së fundi nuk ka ofruar as përgjegjësi menaxhuese në rastin e faturave të KEK-ut e as zgjidhje kreative rreth barrës financiare të energjisë elektrike për Kosovën.
Me qëllim të ri-përmbledhjes e jo bërjes së monotonisë po i grumbulloj të njëjtat pika edhe këtu, por në pak rreshta. Fillimisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik e udhëhequr nga zoti Beqaj nuk ka arritur as për së afërmi të arsyetoj emrin që bartë në vete. Në këto pak vite ekzistencë e njëjta ka arritur të falë gjithë rrjetin e Distribucionit të Kosovës për vetëm 26.3 milionë euro; ka arritur të shpenzojë miliona (më saktësisht 8 milionë, apo 100 mijë pensione) në këshilltarë të transaksionit të proceseve denigruese e zhvlerësuese, siç është rasti i faljes së PTK-së në stil të njëjtë me të Distribucionit; ka dështuar tërësisht në dhënien e zgjidhjeve afatgjate rreth furnizimit me energji elektrike; në kohë krize ka shpërdorur skajshmërish paranë publike në dispozicion të vetin; ka dështuar tërësisht në revitalizimin e resurseve ekonomike të vendit; dhe së fundi nuk ka ofruar as përgjegjësi menaxhuese në rastin e faturave të KEK-ut e as zgjidhje kreative rreth barrës financiare të energjisë elektrike për Kosovën.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nën menaxhimin e ministrit
aktual, ka prodhuar një proces privatizues për Distribucionin në nuanca
ofenduese për vlerën ekonomike të asetit. Tezave të krahasimit së vlerës së
asetit me vendet fqinje ministri bashkë me një kallaballëk përcjellësish që dinë
ti bëjnë vetëm rrafsh, u janë përgjegjur me informacione devijuese dhe të
pasakta; diçka si për shembull se Maqedonia, e cila për ndryshe ka shitur
distribucionin për plot 256 milionë euro, ka inkuadruar edhe gjenerimin e
hidrocentraleve. Do ti duhet secilit vetëm pak dije kërkimore për të shfletuar
të gjitha dokumentet publike të shtetit fqinj e kuptuar se 11 hidrocentralet e
përfshira në çmim nuk prodhojnë as 40 megavat energji elektrike dhe vlera e përafërt
e tyre nuk kalon asnjëherë 40-50 milionë euro. Pra në një krahasim neto në mes
të dy vendeve i bie se vendi ynë ka pranuar plot 9 here para më pak. Ky çmim nuk
zbehet as nga përllogaritja e rrjetit 110 kilovatësh; është diferencë evidente.
Në shërbim shtesë të këtij argumenti më duhet gjithsesi të përmend
edhe faktin se vetëm investime në distribucion janë bërë shumë herë më tepër se
sa vlera e shitur (madje vetëm një kompani kosovare ka investuar mbi 20 milionë
euro); pa hesapuar fare vlerën e aseteve paraprake, si ndërtesat, toka, trafostacionet
dhe së fundi edhe konfesioni i ministrit (i rastësishëm kam përshtypjen) se me
paratë e taksapaguesve qenkan paguar edhe njehsorët digjital që tash po
vendosen me ngulm para se asetin ta merr operuesi privat. Do të ishte mirë që MZHE
të bëjë publike se sa njehsorë digjital janë blerë me para të kosovarëve dhe sa
ishte kostoja për një njehsor. Kështu së paku do të kuptonim se sa e ulët është
vlera e distribucionit, sidomos nëse njehsorët kanë bërë miliona.
E për të mos mjaftuar çmimi i ulët i asetit ministri Beqaj i
ka shpërblyer kosovarët edhe më një model tipik monopol ku konsumatorët nuk do
të kenë kurrë më alternativë furnizuese. Pavarësisht liberalizimeve të pritshme
në vitin 2015, ne i kemi pamundësuar me strukturë të modelit konkurrencën
dikujt që nesër e merr lejen për furnizim kundrejt dikujt që e ka edhe
distribuimin edhe furnizimin. Paramendoni, për të pasur konkurrencë, furnzimi i
ri do të duhej të përdorte distribucionin e konkurruesit.
Problemi tjetër në fushën e energjetikës, e që ndërlidhet drejtpërsëdrejti
me pasivitetin dhe indiferencën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik zhvillohet edhe
rreth qëndrueshmërisë me furnizim elektrik në vend. Kujtoj se Kosova në këto dy
vite të menaxhimit të ministrit Beqaj ka shtyrë e nuk ka nisur asnjë zgjidhje
serioze për furnizim afatgjatë. Kjo shtyrje përveç se rrezikon ndonjë
jostbailitet energjetik në të afërmen e vitit 2017 i kushton vendit tonë trishtueshëm
edhe financiarisht. Mos të harrojmë se Kosova çdo vit importon diku rreth 60
milionë euro, madje një pjesë të madhe të importi e siguron edhe nga Serbia.
Këto 60 milionë paguhen pak nga buxheti, por kryesisht nga KEK-u i cili po mos
ti përdorte për importe do ti derdhte në buxhet; të gjitha gjithsesi janë para
të kosovarëve. Prandaj indiferenca e ministrisë dhe vet ministrit në këto dy
vjet, i kanë shkaktuar Kosovës humbje prej plot 100-120 milionë eurove në
import. Lajmi i keq megjithatë është se Kosova as që e ka idenë nga të shkoj e
si t’ia bëj me kapacitetet e reja. Do të shkojnë edhe vite të tëra nën këtë
stil mendësie qeverisëse para se të fillojë ndërtimi i kapaciteteve të reja, e
të cilat edhe po të fillojnë sot të ndërtohen do të marrin plot 5-6 vite kohë
para se të funkcionalizohen në plotni.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik bashkë me ministrin përveç
se kanë degraduar gjithë sistemin energjetik janë treguar të papërgjegjshëm
edhe në fushën e dytë të operimit, atë të telekomunikimit; sa për të mbështetur
kështu faktin se ku prekin bëjnë lëmsh. Aseti dikur i vlerësuar me qindra
miliona euro, pra PTK, sot bën jo më shumë se sa kthimi 4-5 vjeçar i fitimit
dhe e tëra rrezikon ti sjellë vendit investitorë të fare të lakmueshëm. Edhe në
rastin e PTK-së, sikurse në rastin e
Distribucionit, tendenca e procesit të privatizimit nuk është maksimizimi i të
hyrave për vendin por zhvlerësimi i aseteve dhe falja e tyre. Argumentoj me
plot bindje se shitja e asetit për vlera ofenduese dhe sjellja e investitorëve
të panjohur në këtë aset, potencialisht prapë nën ngjyrimet e kombinimeve
orientale, konsiderohet si i dështuar. Ky dështim me output ose eventualisht
edhe pa të fare (nëse me mrekulli Qeveria vendosë ta refuzojë ndonjë ofertë
potencialisht ofenduese) do ti kushtojë Kosovës disa miliona të bukur; arsye e
mjaftueshme për mbajtje të përgjegjësisë.
Në kohë të sdkandaleve të prekshme dikujt mund ti duket edhe
kërkesë luksi nevoja për revitalizim të aseteve nacionale të vendit. Si
Ministri e Zhvillimit Ekonomik e njëjta ka treguar pasivitet absolut, pothuajse
inekzistencial, në çdo temë të rëndësisë ekonomike – madje ministria e parasë
(pra e financave), ajo e biznesit (pra MTI) dhe ajo e rrugëve (pra e
infrastruktures) kanë qenë shumëherë më aktive e më të dukshme se ajo e
ekonomisë. Kujtoj se është mu kjo ministri përgjegjëse për shumicën e proceseve
ekonomike në vend, nëse ata e dinë çfarë janë ato, e se përtej privatizimit dhe
darkave e drekave kanë obligim të mendojnë e veprojnë ekonomikisht. Përveç se
nuk kanë dhënë e nuk kanë bërë ndonjë alternativë serioze, përfshirë edhe
funkcionlaizmin e Trepçës e minierave tjetra, pavarësisht kompetencë e kujt
është, kjo ministri ka lejuar trajtimin denigrues të aeroportit dhe largimin e
kompanive më serioze në vend; largim e manipulim që ndodh madje edhe derisa
shkruaj këtë shkrim.
E në fund fare, them se si Ministri e Zhvillimit Ekonomik në
kohë të a-zhvillimit do të ishte normale të jepte shembuj të kursimeve
financiare e tkurrjeve të shpenzimeve absurde brenda ministrisë por edhe tek ndërmarrjet
ndërvarëse të saj. Nëse asgjë tjetër blerja e telefonave mobil, shpenzimet e
luksit të drekave e darkave nuk është se japin ndonjë shembull fort të lakmueshëm.
***
Kohëve të fundit në një tendencë spektakulare për devijim të
gjithë muhabetit MZHE dhe ministri vazhdimisht trumbetojnë lajmin se nuk do të
ketë shtrenjtim të energjisë elektrike dhe se i gjithë paralajmërimi i bërë na
qenka njëfarë, dëgjoni me vëmendje: lloj propagande e atyre që duan një far
lloj puçi (madje në shërbim të hajgares së gjithmbarshme propagandë u
konsideruan edhe deklarimet zyrtare të vet Ministrisë). Po mos të ishte temë
serioze çështja e energjisë dhe çmimeve, një deklaratë e tillë ministrore do të
bënte komedinë e vitit.
Janë tre probleme me një deklarim të tillë. I pari ka të bëjë
me gjuhën, i dyti me oksimoronizmin dhe i treti me numrat. I pari ndërlidhet me
gjuhën ofenduese të ministrit që sa herë që del para kamerave nuk lë kënd pa
thumbuar e pa e quajtur të paditur, të paaftë e pa përvojë, thuajse ky na e ka
dijen e “Gandalfit” e përvojën e “Dumbeldorit”. Një gjuajte “free-range” ndaj
çdokujt që ka përmendur ministrinë e tij, filluar prej gazetarëve, tek shoqëria
civile e përfunduar tek bota akademike, pa përfshirë këtu opozitën e
përfaqësuesit politik, pra një stil ku “të gjithë e kanë gabim por unë jam në
rregull”, tregon më së miri për defektet substanciale të një menaxhimi
alla-provincial e të kompleksuar. Meritat nuk vishen duke i trumbetuar ato, por
duke ti veshur të tjerët.
I dyti, pra problemi i oksimoronizimit, ndërlidhet me
pranimin e faktit se qeveria po heq dorë nga fitimi i saj në tarifa në njërën
anë - prandaj nuk ka rritje të çmimeve - dhe në anën tjetër akuzimin e paralajmëruesve
të rritjes si të paditur e zhurmaxhinj. Është oksimoron meqë në njërën anë
ministri pranon se po të mos merrte këtë vendim çmimet do të rriteshin mu ashtu
siç kishin paralajmëruar të tjerët, e në anën tjetër sulmon mu këtë paralajmërues
të fjalëve të tij.
I treti, pra problemi i numrave, është edhe më i rëndësishëm
se dy të parët; dhe këtu dua të bëj dy degëzime. Fillimisht, në përcaktimin e
tarifave duhet bërë të qartë se nuk vendos vetëm Qeveria por janë një sërë
faktorësh shumë më të rëndësishëm në metodologjinë e përcaktuar nga Rregullatori.
Qeveria mund të bëjë megjithatë presion tipik politik në Rregullator sa për të
shtyrë rritjen e çmimeve, por kjo nuk do të thotë se ato nuk do të rriten
retroaktivisht në vitin 2014. Dhe kjo çështje ndërlidhet me degëzimin tim të
dytë, meqë Kosova ka marrë obligim të ndërpres ndër-subvencionimin deri në
vitin 2014. Pra deri atëherë Kosova e ka të kornizuar me ligj uljen e tarifave
për biznes dhe rritjen e atyre shtëpiake deri në masën 30%. Ne mund ta bëjmë
rritjen nga 10% për çdo vit – siç ishte paraparë më herët - ose njëtrajtësisht
30% në vitin 2014. Alternativë tjetër nuk ka.
Këtë javë gjithashtu propozova edhe disa ndryshime se si
mund të lehtësohet çmimi i energjisë elektrike; meqë në fund të fundit edhe
mbajtja e çmimeve si tani nuk është ndonjë far suksesi e gëzimi i paparë, sic
provojnë konferencat mninistrore ta paraqesin. Kujtoj se problemi i qytetarëve
nuk është vetëm me mosrritjen e mëtutjeshme të çmimeve, që eventualisht do të
ishte një rast shumë katastrofë, por edhe me mbajtjen e çmimeve në këtë nivel,
që është katastrofë. Dallimi me shumë katastrofës e katastrofës është pak i
rëndësishëm.
Hapi i parë ishte ulja e TVSH-së prej 16%, që e bën sot
energjinë elektrike më të shtrenjtë për po aq. Nëse Anglia sot ka TVSH të
përshkallëzuar për energji, pra 20% për produkte standarde e vetëm 5% për
energji, kush jemi ne të mos e bëjmë një gjë të tillë?! Hapi i dytë kishte të
bëjë me zhbërjen e taksës në thëngjill, apo tantiemës, e cila është rritur po
nga i njëjti ministër vitin që lamë pas. Me një rritje të tillë, pra me një
taksim të një ndërmarrje publike nga shteti, kostot e tëra u bartën tek
kosovarët - e gjithë kjo për të mbledhur nja 23 milionë euro në buxhet, e që
përndryshe më pas përdoren për blerjen e Mercedesave për ministra. Hapi i tretë
kishte të bëjë me tarifat e tanishme, duke filluar nga eliminimi i kostos fikse
prej 2-3 euro (varësisht nga lloji i konsumatorit) e deri tek përshtatja e
blloqeve tarifore në standarde me rajonin. Madje janë mu blloqet tarifore ato që
kanë goditur më së rëndi familjet kosovare sot.
Në fund fare, them se në çdo rrethanë normale e në çdo vend
normal, një menaxhim ekonomik i shfaqur si ky në MZHE do të zhbëhej kaherë. Nuk
do të duheshin as dhjetë e as njëqind pika përmbledhëse, por vetëm një. E meqë
në Kosovë dorëheqja është akt luksi, them se alternativa e vetme e qytetarëve është
ndjekja dhe kërkimi i përgjegjësisë deri në fund.
No comments:
Post a Comment