Friday, 29 March 2013

ME PARE NË DORË


Letra nga limbo
Lumir Abdixhiku
ME PARE NË DORË
Tregimi për ekonominë e borxhit dhe këmbimit mall me mall


“Si mund të mbijetojë kjo ekonomi pa kesh?” ishte pyetja e mikeshës sime Flaka drejtuar për mua disa net më parë në një bashkëbisedim “viberian” të çastit. Ndonëse pandeha vetën si të gatshëm të jap përgjigje të shpejtë, edhe më shpejtë kuptova se tendencat e ngutisë sime ishin të kota, se pas heshtjes dhe qeshjes sa për të blerë kohë fatkeqësisht nuk kishte ndonjë përgjigje të qëndrueshme e bindëse. Një pyetje si kjo ka peshë shumë më të rëndë se sa veçse një kuriozitet i rëndomtë e i çastit dhe nga këtu definitivisht ajo kërkon edhe përgjigje më të komplikuar se sa një që kthehet me “viber”. Ndonëse pjesën tjetër të natës e kalova në kërkim të përgjigjes për “Si-në” e bërë, përderisa dija për të qenë “ekonomi pa kesh” dhe si të dhënë “të mbijetojë”, ekuacioni me një të panjohur më solli e pështolli nga fillet e tregtisë së parë, tek blerjet Rothschildiane, e deri tek fletorja e borxheve në shitoren e lagjes. T’iu tregoj përse.

***

Peter Watson, një hulumtues i gazetarisë britanike, datonte tregtinë mes kulturave të ndryshme apo tregtinë në distancë të gjatë, qysh para 150.000 vjetëve. Asokohe fiset shkëmbenin produkt me produkt; jepnin ushqim e merrnin veshmbathje për shembull. I thonë “barter” në literaturën ekonomike, “tramp” në gjuhën e pazarit tonë, “mall me mall” në atë si do të duhej shqip. Këmbimi primitiv si ky detyrimisht ishte i kushtueshëm, me shumë humbje neto dhe pa mundësi të madhe zgjedhjeje. Prandaj zhvillimi gradual i tregtisë detyroj natyrshëm krijimin edhe të ndërmjetësuesve më të përshtatshëm shkëmbyes – pra paranë. Fillimisht u përdorën metalet e çmuara por përdorimi i tyre kishte dy defekte. I pari, gjatë shkëmbimit të jashtëm humbiste jo vetëm poseduesi i saj por i gjithë entitetit, ndërkaq i dyti sepse njerëzit filluan gradualisht gdhendjen e monedhave të çmuara derisa forma e rrumbullakët deformohej në skajshmëri, duke humbur kështu sensin e krahasueshmërisë e këmbimit – për çka edhe ishte krijuar në rend të parë.

Diku nga viti 2000 para erës sonë në Mesopotami e Egjipt filloj një trend i ri; një trend që shpejtë do të bëhej esenca ekonomike e gjithçkaje që njohim sot. Faturat e lëshuara si dëshmi për grumbullimin e drithërave filluan të përdoren, pa paramendim, si mjete këmbimi. Asokohe depozituesit e pasurisë merrnin një notë premtimi që dëshmonte pasjen e kësaj depozite. Notat premtuese kishin të shkruar vetëm një fjali e cila thoshte se lëshuesi i saj premton dhënien e sasisë së depozituar (në këtë rast drithërave) kurdo që pronari i saj e kërkon atë. Madje elementet e notave premtuese sot njeriu i gjenë në shumë monedha moderne. Po patët funtën angleze afër, 20-shin për shembull, hidhjani një sy rreshtit të shkruar me shkronja të vogla: “I promise to pay the bearer on demand the sum of twenty pounds” (shqip: Premtoj ti paguaj bartësit në kërkesë shumën prej njëzetë funta). Madje edhe dollari amerikan deri në fund të viteve 20-ta kishte të shkruar të drejtën e kurdohershme në këmbim për ari; rezoni prapa heqjes së këtij mbishkrimi tejkalon përmasat e kësaj kolumne, prandaj kufizoj veten në këtë diskutim. Lëshuesit e parë të notave premtuese njihen edhe si ndërtuesit e parë të ofertës monetare e të sistemit bankar. Ata duke kuptuar se kërkesa për tërheqjen e drithërave nuk vjen nga të gjithë në të njëjtën kohë filluan lëshimin me pagesë edhe të notave tjera premtuese. Një ide kaq e thjeshtë por tepër brilante u përhapë dhe u perfekcionua shpejtë nëpër vite. Në shekullin e 7, Dinastija Song në Kinë transformoj për herë të parë notat premtuese në kartëmonedha. Vite më vonë, udhëtimet e Marko Pollos sollën praktikat e kineze edhe në Evropë. Rrjedhimisht diku në shekullin e 17 u shtyp kartëmonedha e parë nga Stokholm Banco. Pjesa tjetër e historisë është pak a shumë e njëjtë.

Pasja e monedhës si mjet këmbimi është pa fije diskutimi një ndër inovacionet më të rëndësishme ekonomike të ndodhura ndonjëherë. Prezenca e saj megjithatë ka shkaktuar gjithçka, prej hiperngritjeve ekonomike e deri tek rëniet drastike e inflacioniste. Shpesh për shkak të pamaturisë politike shtypja e tepruar e monedhave ka përfunduar në inflacione galopante e me monedha deri në 25 zero. Në raste tjera zotërimi me dredhi i saj ka bërë ngritjen e perandorive ekonomike. Legjenda thotë se një ndër bankierët më të famshëm të të gjitha kohërave, Mayer Amschell Rothschild, themeluesi i dinastisë së familjes bankiere Rothschild, një herë kishte thënë: “Më jepni vetëm kontrollin mbi ofertën monetare të kombeve dhe nuk brengosem kurrë se kush i bën ligjet”. Në të vërtetë legjenda po ashtu thotë se M.A.Rothschild në një aventurë të tillë kontrolluese kishte bërë ndoshta trikun më të madh ekonomik të të gjitha kohërave. Me çdo para e hekur në dizpozicion të tij ai kishte blerë tokën e feudalëve të kohës. Kishte blerë aq shumë tokë sa që të gjithë shitësit përfunduan me shumë para; ishin gjithë të pasur. Ishin të pasur derisa banka qendrore, e kontrolluar gjithsesi nga ai, nuk filloj të shtypë masivisht kartëmonedha, për të zhvlerësuar kështu paranë e të gjithëve e vlerësuar tokën e tij.

***

Në lagjen time është një shitore, ku nuk shesin karamele, po ku shesin me fletore të borxhit. Është traditë bukur e vjetër kosovare shënimi në fletore, sa për të treguar ndoshta edhe nivelin e krizës ekonomike që na ka shoqëruar në vazhdimësi. E shitorja në fjalë ka borxh po ashtu tek fletorja e furnitorit të saj. E furnitori i saj ka po aq borxh tek fletorja e përfaqësuesve tregtar, e përfaqësuesit tregtarë kanë po aq borxh tek prodhuesit në rend të parë. Në të vërtetë cikli i borxhit është aq i gjatë sa që sot në mungesë të parasë së gatshme, zbulimit pothuajse më të rëndësishëm ekonomik, kosovarët janë kthyer në rendin e parë primitiv të ekonomi-bërjes, pra këmbimit mall me mall apo “barterizëm”.

Sot është plotësisht e zakonshme që kur dikush shet apo blenë një banesë të ofron apo pranojë një veturë. Sot është plotësisht e zakonshme që kur dikush ndërton një pallat të tërë apartamentesh ta bëjë pa fije keshi – banesë për armaturë, banesë për çimento, banesë për instalim elektrik e banesë për qeramikë. Sot është plotësisht e zakonshme të bësh mrekulli me, siç thonë, "pare në dorë”. Pra mungesa e “parasë në dorë” sjell dy outpute: a) këmbimin mall me mall- mu siç kanë bërë të parët e tregtisë; ose në rast të mungesës së mallit, b) këmbimi me borxh. Nw Kosovw ndodhin tw dyjat.

Kosova nuk ka valutë të vetën, prandaj thatësinë në treg nuk e kontrollon dot me shtypje të saj. Jashtë temës, më besoni se jemi shumë fatlumë që nuk kemi një monedhë tonën në të kundërtën shtypjet e parasë para zgjedhjeve, në kohë deficiti apo thjeshtë për teke partiake do të ishin “biznes i zakonshëm”. E meqenëse Kosova nuk ka valutën e sajë atëherë kontrollimi i ofertës monetare apo sasisë së parasë në treg, është pothuajse i pamundur. Në mungesë të një politike të tillë mbijetesa jonë dhe e bizneseve tona bëhet vetëm falë rrymës së parasë që kalon nga jashtë nëpër Kosovë e prapë jashtë.

Në esencë, me një deficit të lartë tregtar, ku paraja nuk qëndron por është pjesë e një rrymimi të dhënë është pak e pritshme që vendi të ketë mjaftueshëm likuiditet. Siç kishte argumentuar edhe kolegu im Alban Hashani kohë më parë, dëmet nga një nomenklaturë të tillë reflektohen edhe në sistem bankar. Me fjalë të tjera, siç argumentonte Albani, në Angli sikur i bëre një përcjellje monedhës së dhënë e të sapo lëshuar si kredi, do të vëresh se e njëjta, gjithmonë për shkak të strukturës ekonomike, sillet disa herë nëpër tregun anglez, del jashtë e kthehet sërish brenda, madje e njëjta kthehet e përdoret prapë si depozitë në ndonjë bankë tjetër komerciale. Në fund të fundit një kredi për një konsumator sot, që blen një veturë nesër, është një depozitë kursimi pasnesër e një kredi e re një ditë pas pasnesërmes. Pra një bankë komerciale angleze mund të përdorë disa herë për kredi të njëjtën monedhë; gjë që nuk mund ta bëjë asnjëherë ndonjë bankë kosovare. Në gjasën më të madhe një para e sapo lëshuar si kredi përfundon në import e jashtë. Pra bankat kosovare punojnë në vazhdimësi me para të reja.

Ky fakt natyrshëm bën njërën prej shumë kostove që rrisin çmimin përfundimtar të parasë, pra normën e interesit. E është mu norma e lartë e interesit në vend që ka shkaktuar thatësinë e tregut. Përderisa çmimi i pasjes së parasë është kaq enorm e teknikisht i papërballueshëm për pasje të sajë, është logjikisht e papritshme të kemi para në treg. Është mu çmimi i lirë i parasë, pra norma e ulët e interesit, që rritë prezencën financiare në vend. Këtë ka kohë që nuk e kemi.

***

Problemi me paranë kesh në Kosovë më kujton një anekdotë rreth borxhit që pata dëgjuar shumë kohë më parë. Anekdota duket pak a shumë kështu.

Është ditë e ngadalshme në një qytet me rrugë të thata e boshatisura. Është periudhe e vështirë, secili ndodhet në borxhe dhe secili jeton me borxhe. Papritmas në qytet kalon një turist i pasur. Ai hyn në të vetmin hotel të hapur dhe pyet recepsionistin për dhomë të lirë; nëse ka ndonjë. Recepsionisti i lumtur për vizitën e rrallë në shumë kohë pohon me kokë e tregon me gisht drejt katit sipër. Turisti vendos 100 euro në banak e ngjitet lartë sa për ti parë dhomat. E përderisa turisti u hedh sy dhomave, recepsionisti me plot nguti i merr 100 eurot e lëna në banak dhe vrapon të paguajë borxhin e tij tek mishtorja e afërt. Shitësi i mishit merr të njëjta para dhe vrapon te paguaje borxhin që kishte tek fermeri i lopëve. Fermeri i gëzuar merr 100 eurot që pothuajse i kishte harruar se ja kishin borxh, e vrapon të paguajë borxhin e tij tek shitësi i naftës. Ky i naftës paguan borxhin tek vozitësi i maunës së naftës. Vozitësi i maunës takon prostitutën e famshme lokale, e cila përndryshe në këto kohë të vështira po i kryente "shërbimet" edhe me borxh. Prostituta merr paratë dhe paguan borxhin tek recepsionisti i hotelit të vetëm në qytet. E recepsionisti vendosë paratë sërish mbi banak; në po të njëjtin vend ku edhe i kishte marrë. Në atë moment turisti zbret shkallëve poshtë, i pakënaqur me atë çfarë kishte parë në dhoma merr paratë e lëna e largohet nga qyteti; këtë herë nëpër rrugë të mbushura plot e nëpër një qytet pa borxh.

Kosova natyrisht se nuk mund ti japë zgjidhej problemit të borxheve biznesore me një input të një turisti; problemi është shumë më i komplikuar. Por vendi realisht sot ndodhet buzë një zinxhiri rrënues për një cikël biznesesh. Do të mjaftonte falimentimi i disa bizneseve kyçe për të nisur një cikël të tërë falimentimesh. Në të vërtetë, mbijetesa e bizneseve kosovare, dhe këtë e dinë mirë secili njeri që ka lidhje me biznese, është e bazuar tërësisht në vonesën e  pagesave. Pra thënë ndryshe, një biznes siguron likuiditet e rrjedhë normale të parasë vetëm duke vonuar pagesat e borxhit për palën tjetër. Pala tjetër bën të njëjtën gjë për një biznes tjetër, e ky i fundit replikon njëtrajtësisht me tjetrin. Problemi me një relacion të tillë është se palët po zgjerojnë gjithnjë e më shumë kohën e pagesës; pra nëse dikur vonesat kanë ndodhur për një apo dy muaj – kohë standarde, sot ato mund të ndodhin edhe për një periudhë gjashtë mujore. E kohëzgjatja e borxhit është në korrelacion pozitiv me moskthimin e tij fare (borxh i keq).

Për më tepër të dhënat e fundit tona tregojnë se kontribuues i madh në sistemin e borxheve sot është edhe Qeveria e Kosovës, si punëdhënësi kryesor për shumicën e bizneseve (dhe zinxhirit të tyre). Si duket vështirësitë e caktuara në mbledhjen e të hyrave, e që ndërlidhen me vet performancën buxhetore, kanë bërë që institucionet tona të vonojnë njëtrajtësisht kryerjen e obligimeve financiare ndaj bizneseve. Kjo shtyrje në kthim më pas rëndon edhe më shumë performancën e bizneseve, qarkullimin e tyre e në fund prapë kontributin tatimor në buxhet – duke shkaktuar kështu një cikël bukur destruktiv. Prandaj për të kuptuar shkallën e një rreziku të tillë, në një anketë me biznese që do ta zhvillojmë në kuadër të Riinvestit këtë vit, si pyetje të veçante kemi futur edhe çështjen e borxhit; do të marrim definitivisht konstatime më serioze rreth një problemi të tillë.

Për të ribërë likuiditetin e Kosovës do të duhej shumë më shumë mend e shumë më shumë kohë se sa një kolumne (sado e tejzgjatur) si kjo. Por përtej praktikave tanimë të thënë e stërthëna për nevojën e uljes së normave të interesit – e që domosdoshmërish do të nisin një cikël të tërë zhvillimesh pozitive, pra përtej uljes së çmimit të parasë, përtej e përmirësimit të strukturës tregtare të Kosovës që do të zhbënte balancin disproporcional në mes të importeve dhe eksporteve, përtej kthimit të mjeteve të diasporës nga konsumi në investim – alternativa këto që përndryshe bëjnë nëntë të dhjetën e problemit, them se një alternativë e shpejtë dhe e mjaftueshme për të nisur zgjidhjen për një të dhjetën e problemit është edhe funksionalizimi i shpejtë i fondeve të bllokuara të Kosovës, me theks të veçante i parave të privatizimit. Natyrisht se përdorimi i tyre duhet të shërbejë në stimulimin e krijimit vendor, në të kundërtën derdhja e këtyre parave në rrjedhën e tanishme të importeve përveç djegies së shpejtë të mundësisë nuk do të shërbejë për asgjë tjetër.


No comments: