Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 MARS 2013
Tregimi mbi lëvizjen autonome qytetare si shpresë e
reagueshmërisë dhe zaptimin institucional si përgjigje ndaj mrekullisë
Marshi i
pakënaqësisë i nisur nga një grup qytetarësh përbënte befasinë e këndshme të
kësaj jave - gjithsesi pas humbjes befasuese të ekipit tim nga super ekipi
katalonas që disi ma ndërpreu dëlirin dyjavorësh dhe ngacmimin e padurueshëm që
u bëja miqve blaugran gjatë gjithë kohës. Befasia e marshit buronte jo vetëm nga
nisma vullnetare qytetare e nga kërkesat normale në një ambient jonormal por
edhe nga solidariteti qytetar dhe pjesëmarrja mbresëlënëse qytetare në këtë
shprehje të pakënaqësisë; diçka mjaft e papritur vetëm disa javë më parë. Kush
do ta mendonte një pjesëmarrje si kjo e nisur thjeshtë nga vullnetarizmi e
aktivizimi qytetar e pa fije ngjyrimi politik?! Natyrisht që pat e do të ketë
të tillë që do të provojnë ti marrin kreditë e çfarëdo nisme, pa kuptuar të
gjorët se marshimet si këto bëhen mu kundër llojit të tyre.
Pavarësisht
kësaj, pjesëmarrja apolitike në marsh shënon për mua edhe kthimin e parë të
këtij vendi në një rrugë të mbarë dhe për më tepër më kujton ecjen e shoqërisë
sonë në një kornizë kohore mjaftë të ngushtë. Kujtoj se vetëm dy vjet më parë
pas çdo paraqitje publike që kisha, reagimi i parë i miqve ishte jo mbi
përmbajtjen e ideve të shfaqura aty por mbi guximin që kisha për të thënë atë
që mendoja. Ky guxim tanimë nuk shihet si luks meqë kjo shoqëri ka kohë që
guxon. Kjo shprehje ka bërë mirë që është bartur nga rrjetet sociale në rrugë
dhe e njëjta është mirë të shërbejë jo si forcë për revolucion të kuq e ëndrra
çoroditëse të anarkisë, por si mjet i një ndryshimi evolutiv të gjithë asaj që
është ndërtuar deri më tani.
E ky
ndryshim evolutiv duhet ti prekë gjithë ata parazitë politikë që kanë humbur
çdo sens e çdo ndjenjë me nevojat bazike të qytetarëve; ata te cilët sillen e
pështillen pa fije kurrizi e pa fije dinjiteti tash e 14 vite. Trajtimi
përbuzës i qytetarëve nga çdokush që ka “fatin” e vozitjes me “targa Z” duhet
të marrë fund me elokuencë qytetare. Kemi ditur dikur kur ka qenë edhe më rëndë
e më keq, mund të dimë edhe tani.
***
E përderisa
qytetarët vazhdojnë të bëjnë hapat e parë të një vetë-konsolidimi apolitik, në
muret afër përfundimit të marshit po përgatitet edhe zaptimi i fundit ekonomik,
ai i Bankës Qendrore të Kosovës, një institucion ky i pavarur – në Kushtetutë.
Nëse zgjedhja e guvernatorit të ri të BQK-së do të ishte pjesë e ndonjë basti
sportiv, vënia e çipave mbi ish ministrin e Financave z. Hamza do të kuotohej
me 0.9; fut 1 euro merr 90 cent; kjo si dënim i vënies së bastit për diçka kaq
të sigurt!
Shqetësimi
thelbësor në gjithë këtë proces, për mendimin tim, sillet jo vetëm rreth
inskenimit të zgjedhjes së Guvernatorit por edhe rreth institucionalizimit të
një aktrimi sa amator aq edhe shkatërrues. Dorëheqja, kandidatura, zgjedhja,
propozimi, votimi parlamentar e vendimi përfundimtar janë të gjitha akte të një
skenari të parapërcaktuar partiak e që nuk bën pjesë në asgjë më shumë e asgjë
më pak se sa në një skenar të zaptimit politik. Për çudinë më të madhe, të
gjitha institucionet që kryejnë këto akte bëhen se nuk po ndodh asgjë. Kështu
ato krijojnë një vlerë të një qeverisje teatrale e të heshtjes, pra vlerën e
zaptimit, që mbijeton duke i marrë për të marrë gjithë ata që edhe pyesin
rastësisht se në çfarë derexhe kemi futur vendin. Skenari i tillë ekzekutohet e
perfeksionohet në çdo caktim tjetër quasi të pavarur, siç ishte edhe rastit i
zaptimit për shembull të AKP-së.
Pra i
gjithë procesi i zgjedhjes së Guvernatorit, i inskenuar siç është, ka shtirë në
funksion të vetin secilin institucion në secilin akt paraprak për të arritur në
fund një qëllim tipik partiak dhe kjo për mua është kostoja thelbësore e bazamentit
shtetndërtues. Është e trishtueshme të shihet se si në një vend që pretendon se
po ndërton institucione demokratike, procesit të aktrimit i futen një grumbull
vendimmarrësish intervistues në BQK, një grumbull deputetësh në Parlament, e
një grumbull militantësh partiakë në media që në fund do ta arsyetojnë procesin
si të pastër, të mirë e të drejtë. A ka në gjithë këtë proces, mes gjithë atyre
intelektualëve, patriotëve e dashamirëve kosovarë, një fije guximi e kurrizi
qytetar që i shtynë të gjithë ti bëjnë vetes vetëm një pyetje të thjeshtë:
çfarë dreqin po bëjmë?
Ish
ministri i financave mund edhe të jetë (e mos jetë) njeriu më i duhur për punën
që propozohet të bëjë, për këtë nuk do të diskutoj në këtë shkrim, por caktimi
i një partiaku të rendit të parë (nga kongresi i fundit) në një post apolitik
është sikurse caktimi i një adhuruesi ‘milianist’ si gjyqtar në ndeshjen kundër
‘barçës’.
Për gjithë
ata me dije bazike ekonomike e financiare, pavarësia e bankave qendrore është
pothuajse tema më e diskutuar ekonomike; mjafton një ‘google search’ i
zakonshëm për të kuptuar përmasat e studimeve ekonomike në këtë drejtim. Në
gjitha këto studime ka një koncencuz bukur të qartë. Ky koncensuz nuk përfshinë
pavarësinë partiake – kjo po se po se nënkuptohet në çdo shtet pak më ndryshe
se Koreja Veriore, Irani e Venezuela – por përfshinë edhe pavarësinë e
politikave ekonomike. Pra banka qendrore përveq se nënkuptohet të jetë e
pavarur partiakisht, ajo duhet të jetë e pavarur edhe në politikat ekonomike që
ndjekë. Bankat qendrore të secilit vend normal mund të kenë politika e
objektiva krejtësisht tjera prej qeverive respektive; madje ato mund të jenë
shumë më afatgjata se sa mandatet qeveritare e shpesh edhe në kundërshti me
synimet qeveritare. Mospasja e një valute tonën nuk e bën BQK-në më pak të
rëndësishme e rrjedhimisht edhe pavarësinë e saj më inferiore e më pak të
dëmshme.
Sidoqoftë, pas
AKP-së dhe futjes nën kontroll të plot 600 milionë eurove nga privatizimi, me
zaptimin e BQK-së Qeveria futë në dorë çdo rrjedhë financiare në vend, përtej
rrjedhave individuale nëpërmjet bankave komerciale, ky supervizim do të
përfshijë edhe burimin e aferave më të rënda korruptive në vend: kompanitë e
sigurimeve. Fuqi më të madhe financiare nuk ka pasur e nuk do të ketë asnjë
qeveri ndonjëherë. E lirë të bëjë çfarë të dojë!
***
E përderisa
Qeveria është e lirë të bëjë çfarë të dojë, ne edhe përfundojmë me një proces
mosvet hajgare të privatizimit të PTK-së që jo vetëm se ka filluar në hallakamë
por përkundër gjithë tërheqjeve, gjithë shtyrjeve e gjithë arnimeve duket se do
të përfundojë në trishtim meqë i njëjti nuk ndalet se nuk ndalet.
Nuk mbaj
mend të kem shfletuar nëpër ndonjë proces si ky i joni jo vetëm në rajon por as
edhe në ndonjë shtet tjetër të tranzicionit në Evropë e Azi. Është viti i dytë
i një procesi të ngatërruar për së mbrapshti, që duket se do të përfundoj
njëjtë sikurse hera e parë pra pa rezultat e me rinisje; plus një kosto
milionëshe për gjithë pagesat e këshilltarëve të transakcionit. E në gjithë
këtë kohë, pra gjatë të dy dështimeve, ne kemi arritur të shpërfaqim veten si
një vend palaço e pa tagër negocimesh duke e ulur kështu rishtazi vlerën ashtu
kështu të ulur të asetit. Privatizimi megjithatë ka një stil dhe nuk është lojë
fëmijësh që fillon e ndërpritet sipas tekeve të çastit.
Gjithsesi,
për hir të së mirës ekonomike të vendit them se ndoshta kufiri ultim i shtyrjes
së afateve mund edhe të përfundojë në ndërprerje të tërësishme të procesit. E
gjithë kjo ndërprerje jo për të shuar idenë e privatizimit e për të bërë siç
bën një krahinë diku në Bolivi, por për ta bërë privatizimin siç duhet, duke
filluar nga strukturimi e pastrimi i brendshëm, vazhduar me gjetjen e kohës së
përshtatshme e deri tek caktimi i pragut minimal të shitjes.
No comments:
Post a Comment