Friday, 1 March 2013

TRE MITE EKONOMIKE


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 MARS 2013

 
E vërteta rreth rritjes ekonomike, papunësisë e rangimeve ndërkombëtare


Kur flitet për ekonomi, Kosova ka dy grupe folësish. Të parët, janë qeveritarët dhe përkrahësit tjerë pro-politikave qeveritare, të cilët të ndodhur nën maninë e shpërfaqjes sa më të mirë e sa më të ndritur të punës së tyre, që duket se është e tëra që ka rëndësi, përfundojnë me konstatime shokuese për një nivel mesatar të inteligjencës, diçka si për shembull lavdërimi se “Kosova është e dyta në Evropë për nga rritja ekonomike”; pa hesapuar fare kontekstin në të cilën jepet ky rresht. Grupi i dytë i folësve janë partitë opozitare të cilat nën idenë se duhet dhënë patjetër alternativë në ekstremin tjetër të qeverisë (në vend të modifikimit), përfundojnë me situata që në rast të zbatimit do të rrënonin këtë pak material që kemi ndërtuar, diçka si për shembull ideja e rritjes së tatimit në fitim deri në 30%, gjithmonë nën lidhshmërinë absurde shkak-pasojë se ulja e tatimit nuk ka sjellë ndryshime – prandaj ti rrisim ato (kujdes, as edhe një student mesatar nuk bën një konkludim të tillë). Për të njëjtit them se stabiliteti ekonomik e mirëqenia sociale nuk arrihet duke i bërë të pasurit të varfër por duke i bërë të varfrit të pasur.
 
Meqenëse këta të fundit kanë shumë punë për të qartësuar fillimisht idetë e veta, po provoj ti thyej tre mite ekonomike të ndërtuara nga grupi i parë. Jo pse nuk meritojnë të fundit trajtim të njëjtë, por se janë qeveritarët dhe mitet e tyre ekonomike që kanë sot më tepër rëndësi. Sa më herët që thyhen ato aq më mirë për vendin. Thyerja e tyre në fund të fundit do të prodhonte një diagnozë të re të gjendjes ekonomike; e diagnoza e re nënkupton edhe nevojën e gjetjes se alternativës së re ekonomike.

 

Miti i parë: Rritja ekonomike

E keni tashmë të njohur rreshtin e famshëm se Kosova, përkundër një kataklizmi ekonomik evropian, përkundër një apokalipsi financiar që shkundi themelet edhe të shteteve më të fuqishme evropiane, vazhdon jo vetëm të jetë stabile ekonomikisht por se, besoni ose jo, shënon rritjen e dytë më të madhe në gjithë kontinentin. Në nuancën që ky mit thuhet, percepcioni i parë për dikë që ka pak dije e bazament ekonomik është se ky vend po e bejka namin me ecjen e vet ekonomike. As Gjermani, as Angli, po ja që as Francë e Itali nuk na e paskan fati tonë të çmuar, dijen tonë unike, e kreativitetin tonë magjepssh.  
 
Hajde të bëhemi pak serioz. Kosova ka një rritje ekonomike që sipas institucioneve tona është 3.8%, por sipas FMN-ës, institucion që përndryshe i ka mësuar institucionet tona se si të maten gjërat ekonomike në vend (përfshirë edhe rritjen), ajo është vetëm 2.7%. Diskrepanca në numra dhe tendenca qeveritare për të manipuluar me shifra është brengë në veti e e cila në të ardhmen, sa më shumë që do të na rëndohet gjendja, do të përkeqësohet edhe më shumë. Për këtë do të jap mendim ndonjëherë tjetër.
 
Prapë për gjithkënd me dije bazike rreth terminologjisë ekonomike, më lejoni që shkurtimisht e me shumë shpresë edhe qartësisht, të shpjegojë këto terme. Rritja ekonomike matë vlerën reale (kujdes, vlerën reale, jo nominale) të Bruto Produktit Vendor, apo siç shpesh e kemi dëgjuar tanimë të GDP-së. Bruto Produkti Vendor në anën tjetër matë vlerën e të gjitha produkteve e shërbimeve në një ekonomi brenda një viti; pra thënë ndryshe GDP e Kosovës matë vlerën e gjithçka që prodhohet (shërbime e produkte) në Kosovë brenda një viti. Në vitin 2012 vlera në euro e të gjitha produkteve e shërbimeve të dhëna në vendin tonë ishte rreth 5 miliardë euro. Kur themi se gjatë një viti kemi pasur rritje ekonomike në terma nominal prej 10%, atëherë i bie se GDP e jona është rritur nga 5 miliardë në 5.5 miliardë euro. Por meqenëse është fjala për rritje nominale, që nënkupton se në të është përfshirë edhe rritja e çmimeve, ne duhet të përllogarisim vetëm vlerën reale. E bëjmë këtë për të kuptuar se GDP nuk është rritur sepse janë rritur çmimet e produkteve dhe shërbimeve, pro se është rritur sasia reale e tyre. Përfundimisht, kur heqim inflacionin ne mbesim me një vlerë neto të rritjes ekonomike.
 
Kjo rritje ekonomike e Kosovës në fjalorin politik të qeveritarëve tanë përmendet si argument i një hipersuksesi. Ka dy probleme me këtë konstatim. Problemi i parë, e për mendimin tim më i rëndësishmi, është se rritja ekonomike nuk paraqet domosdoshmërish zhvillim ekonomik. Ajo fare lehtë mund të paraqesë pasurimin apo rritjen e vlerës për një grup të vogël interesi. Nëse një individ nesër në Kosovë do të prodhonte “diçka” në vlerë prej 1 miliardë euro dhe vendosë që gjithë benefitin ta mbajë për veti, i bie se GDP e Kosovës është rritur për një vit nga 5 në 6 miliardë, përkatësisht rritja jonë ekonomike do të ishte plot 20%. Impresive; por ja që benefitet e tilla nuk paraqesin zhvillim ekonomik meqë vlera për 1.7 milionë banorë të tjerë kosovarë mbetet në stad po aq të njëjtë si një vit më parë. Kjo natyrisht se ka qenë edhe komenti i pothuajse të gjitha raporteve ndërkombëtare kur analizohej nomenklatura e ecjes sonë ekonomike – se Kosova përveç se ka rritje shumë modeste e tejet të pamjaftueshme, ajo ka edhe rritje të kufizuar që nuk prodhon zhvillim ekonomik.
 
Problemi i dytë, e për mendimin tim më i arsyeshmi, është se rritja ekonomike në një vend me bazë të varfër mund fare lehtë të dalë si numër më i lartë se sa në një vend mesatarisht të zhvilluar. Le të krahasojmë Kosovën jo me një vend shumë të zhvilluar evropian, por me një fqinj tonin; ta marrim Kroacinë për shembull. Kroatët shënojnë çdo vit një GDP prej mbi 60 miliardë euro, gati dymbëdhjetë herë më shumë se ne. Nëse Kosova ka rritje ekonomike prej 10% (në 5 miliardë GDP), e Kroacia vetëm 1% (por në 60 miliardë), a do të thotë kjo se ne kemi performuar më mirë se sa kroatët? Në numra të thjeshtë 10% ynë i përkthyer në euro është 500 milionë; 1% i kroatëve është 600 milionë. Pra edhe po të shënonim 10% rritje ekonomike, rekord mbi rekorde, gjë që nuk e kemi bërë asnjëherë, ne prapë nuk mund të thirremi se kemi bërë më mirë se të tjerët vetëm pse krahasuam përqindjet. Përqindja në baza të ndryshme nuk jep sens të madh krahasues.

 

Miti i dytë: Papunësia
 
Nuk e kuptoj ende se a e bëjnë për mosdije apo për kamuflim, sidoqoftë, arsyetimet në numrat qeveritarë rreth nivelit të papunësisë janë edhe më të tmerrshme se ato të rritjes ekonomike. Ka të tillë që nga percepcioni i frekuentimit të kafeneve në rrugën më qendrore të qendrës së kryeqendrës së Kosovës, përfundojnë me numra që sjellin vendin tonë në nivel me dikë si Spanja, papunësi rreth 25-30%. Janë dy mendime mitike prapa përfundimit të tyre epik. I pari, i thënë e stërthënë shpesh fillimisht nga njëri prej ministrave e më pas nga gjithë të tjerët, papunësia në Kosovë është aq e ulët, e jo aq e lartë sa thonë raporte të huaja e vendore, regjistrime e anketa, percepcione e përfundime logjike, sepse, dhe këtu vjen pjesa më e mirë “...ne kemi vetëm 250 mijë të papunë të paraqitur në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”.
 
Po të mos ishte Kosovë ministri i njëjtë për shkak të mosdijes do të përfundonte në objekt tallje publike. Por ja që është Kosovë e deklarata e argumente të tilla, si duket në mungesë të argumenteve të tërësi (logjika minimale brenda tyre është luks), shpërndahen aq shpejtë sa që përfundojnë dikur edhe në televizione publike, propaganda mediatike e fjalime parlamentare. Nuk ka vend në botë, nuk ka pasur asnjëherë e nuk do të ketë kurrë, që bën matjen e nivelit të papunësisë në bazë të vullnetarëve të paraqitur për punë në një Ministri. Nëse asgjë tjetër numri i të paraqiturve është shumëfish më i ulët se sa i atyre që dinë se ekziston një zyre e tillë; pra ka më shumë të atillë që nuk dinë fare për zyren se sa të regjistruar aty.
 
Argumenti i dytë, disi më i sofistikuar se ky i mëparshmi, provon të bën një lidhje me informalitet, GDP e rritje ekonomike, jo për të dhënë një përfundim logjik por për të kënaqur një presupozim të ndërtuar më herët. Esenca e këtij argumentimi është se të dhënat e proklamuara nuk përfshijnë informalët (gjë që nuk qëndron) dhe se (më e rëndësishmja) rrjedha ekonomike e Kosovës e shfaqur me rritjen ekonomike nuk lë hapësirë për interpretim ndryshe përveç atij se papunësia ka shënuar rënie drastike nga pragu i famshëm 45%; sipas tyre ajo thjeshtë nuk mund të qëndrojë aty përgjithmonë. Për të mbështetur këtë argument të njëjtit përdorin rritjen e GDP-së për kokë banori. Pra thonë se në këto 5 vite, GDP për kokë banori (GDP totale e një vendi, pra ai 5 miliardësh, pjesëtuar me numrin e  banorëve, pra me 1.7 milionë) është dyfishuar – rrjedhimisht papunësia është përgjysmuar.
 
Ka disa defekte serioze në vërtetësinë e një argumentimi të tillë. I pari, se GDP për kokë banori nuk është dyfishuar në pesë vite. Për të ndodhë një gjë e tillë Kosova do të duhej të kishte në 5 vitet e fundit rritje ekonomike reale (pra pa inflacion) prej plot 100% (dyfishimi), e rrjedhimisht rritje ekonomike vjetore prej 20%. Kosova rritjen më të madhe ekonomike në këto 5 vitet e fundit e ka pasur pak mbi 5%, e zakonisht ka përfunduar në mesatare prej 3%. Për të qenë më të saktë në vitin 2008 GDP e jona ka qenë 3.9 miliardë euro, sot është 5 miliardë, pra në vlerë nominale rritja jonë ekonomike është diku rreth 30%. Kur heq inflacionin për këtë periudhë kupton dhe vlerën reale të rritjes. Për hir të argumentimit, rritja e GDP për kokë banori ka ndodhë vetëm në një llogaritje të gabuar matematikore, kur në 2008 besohej se Kosova ka plot 2.2 milionë banorë. Sipas dijeve matematikore të klasës së dytë, kur pjesëton një numër me 2.2 milionë dhe të njëjtin me 1.7 milionë, rezultati i dytë gjithmonë është më i madh se sa i pari. Prandaj për të përllogaritur rritjen e GDP-së për kokë banori, numri i banorëve duhet të jetë i njëjtë në të dyja rastet.


Defekti i dytë është se, për të filluar zvogëlimin e papunësisë vendi ynë do të duhej të ketë rritje ekonomike çdo vit prej 8-10%, gjithmonë për shkak të fuqisë së re punëtore që kemi. Pra me rritje ekonomike prej 3 apo 4 apo 5 e besa edhe 6% (që nuk e kemi mbërri asnjëherë), e tëra çfarë mund të bëjmë është të akomodojmë përafërsisht aq kosovarë sa edhe futen për herë të parë në tregun e punës. Prandaj nëse ne asnjëherë nuk kemi arritur të shënojmë rritje ekonomike prej 8-10% do të thotë se ne asnjëherë nuk kemi filluar të zvogëlojmë nivelin e papunësisë; në rastin më të mirë e kemi mbajtur atë në nivel të njëjtë pra 40-45%.

 

Miti i tretë: Rangimet
 
Së fundmi në kohë debatesh televizive, sa herë që flitet për ecurinë e zhvillimit tonë ekonomik, nuk gjen dot politikan pro-qeveritarë që nuk përmend përmirësimin në një rangim. Në rrethana si këto njeriu kupton se i gjithë angazhimi ekonomik i këtij vendi është sa për të përmirësuar një pozitë të dhënë ranguese nga një institucion kredibil e jokredibil. Sado që mund të duket mbresëlënëse për përmirësimin e imazhit të vendit në botë, meqë në fund të fundit, askush nuk impresionohet kur sheh Kosovën në rang me Iranin e Afganistanin, koncentrimi solo në rangime dhe më pas trumbetimi i suksesit ekonomik është mit tipik alla-kosovar. Kjo për dy arsye.

E para, dhe më e rëndësishmja, rangimet nuk paraqesin domosdoshmërish problemet thelbësore të një vendi. Ta marrim për shembull rangimin e famshëm e  “Të bërit biznes” nga Banka Botërore, që zë gojën e pro-qeveritarëve tanë. I njëjti bën matjen e procedurave teknike të regjistrimit, operimit e mbylljes së një biznesi. Po të dinin kosovarët se i njëjti rangim nuk matë as korrupsionin, as informalitetin, as evazionin fiskal, as krimin e organizuar, as tenderomaninë, as shantazhin, as haraçin e hiç se hiç normat e interesit, kualitetitn e politikave tatimore e lehtësimet tjera, pra në thelb nuk merr as edhe njërin prej top problemeve biznesore në vend, pra po të dinin këtë kosovarët, besoj se pallavrat televizive vetë-lavdëruese do të ishin edhe më të pakta.
 
Arsyeja e dytë, dhe më e logjikshmja, rangimet edhe po të bëjnë matjen e problemeve kryesore, nuk shfaqin bazë të shëndoshë për mburrje. Ritmi i ecjes së Kosovës në lista të tilla jo vetëm se ka qenë i ngadalshëm por po të ekstrapolohej në të ardhmen do të humbiste secilën shpresë për rimëkëmbje të shpejtë. Me trendin e tanishëm vendit tonë do ti duheshin plot 50 vite për të arritur një mesatare evropiane.

Në fund fare, nuk ka fare turp nga pranimi i diagnozës së rëndë. Turp është injorimi i diagnozës së rëndë e medikimi me receta të gabuara. Konstatimet ekonomike nuk duhet të bëhen sa për të treguar se kush ja qëlloj më shumë e më pak por për të kuptuar mirë rëndesën ekonomike në një kohë të dhënë. Sa më herët që e pranojmë këtë rëndesë dhe pranojmë se politikat e tanishme ekonomike vetëm se rëndojnë rëndesën, aq më herët fillojmë ti japim zgjidhje një mijë e një problemeve tona ekonomike. Lulimi e kamuflimi nuk bën punë; nuk ka bërë asnjëherë.   

No comments: