Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 MARS 2013
KOHA DITORE, 8 MARS 2013
Në një 8 Mars me ngjyrime ekonomike, diferencat gjinore në Kosovë
shpërfaqen qartësisht. Në një relacion 1 me 9 femrat kosovare vazhdojnë të jenë
të nënpërfaqësuara në pronësitë bizneseve, por jo vetëm aq. Bizneset e femrave
kanë më pak punëtorë e operojnë në sektorë me vlerë shumë herë më të ulët se sa
meshkujt.
Një vit më parë gjersa po bënim një
studim mbi sektorin privat në Kosovë një e dhënë doli disi më interesante: pronësia
e bizneseve sipas gjinisë. Relacioni meshkuj versus femra tregonte se në Kosovë
vetëm çdo i nënti biznes është në pronësi të grave. Them “vetëm” meqë po
krahasuam të njëjtin relacion me treguesit e vendeve tjera kuptojmë edhe
deficitet tona në këtë drejtim. Sipas shënimeve të OECD-së mesatarja e vendeve
në zhvillim, ku edhe besohet të bjerë Kosova, frekuenton në relacionin 1 me 5. Pra
në një vend me tipare ekonomike si Kosova çdo i pesti biznes është në pronësi të
femrave. Relacioni i tanishëm pronësor që realizon vetëm gjysmën e një mesatareje
për një vend tipik si ne, ndonëse mund të jetë deficitar e i pamjaftueshëm,
megjithatë performon më mirë se një vend si për shembull Rusia ku çdo i 20
biznes gjindet në pronësi të gruas. Gjithsesi edhe Kosova edhe vendet e OECD-së
bien shumë herë nën relacionin e Kinës, atje ku çdo i treti biznes është në
pronësi të gruas; kjo mesiguri për shkak të diferencave strukturiale të ekonomive
dhe dallimeve kulturore.
Në Kosovë diferencat gjinore vërehen
edhe nga numri mesatar i të punësuarve. Përderisa një biznes nën pronësi të
meshkujve punëson në mesatare 5.5 punëtorë, një biznes në pronësinë e femrës
punëson jo më shumë se 3. Një relacion si ky tregon se bizneset e grave janë gati
dyfish më të vogla se të burrave dhe se të njëjtat kanë vështirësi serioze në rritje dhe
stabilitet biznesor. Madje për të kuptuar këtë impotencë duhet shikuar edhe në
sektorët operues të biznesve gra, të cilat dalin të jenë shumë më pak impresive
edhe se numri i të punësuarve edhe se përqindja e grave pronare. Bizneset e
femrave kosovare sot janë kryesisht të drejtuara nga sektorët e patregtueshëm,
pa potencial të madh rritës dhe pa shumë vlerë të shtuar. Për shembull deri sa
10% e bizneseve nën pronësinë e meshkujve bëjnë pjesë në sektorin e prodhimit,
femrat janë të përfaqësuara me vetëm 3.1% nga totali i tyre në këtë sektor.
Numër dallues i pjesëmarrjes së tyre shihet vetëm në sektorët e lidhur me punë
sociale, shëndetësi apo dhe shitje – të gjitha me vlerë të ulët të shtuar. Në
sektorët si ndërtimtaria, miniera, energjetika, institucione financiare apo dhe
transporti, pra në sektorë me vlerë më të lartë të shtuar, dominimi i meshkujve
është evident e pjesëmarrja e ndërmarrësve femra është pothuajse zero. Një
ndarje e tillë lë shumë vend dhe nevojë për ndryshime strukturore në të
ardhmen.
Ka një shpejgim racional prapa një
diference kaq serioze në numra edhe në pronësi edhe në punësim e edhe në sektorët
operues mes gjinive; ka një logjikë pse gratë kosovare sa herë që bëhet fjala për
biznes janë thjeshtë prapa meshkujve. Ky shpjegim derivohet po shikuam
barrierat e të bërit biznes në Kosovë dhe po u ndanë ato sipas percepcioneve të
gjinive. Dallimi i parë nga kjo ndarje buron në relacionin e gjinive me
sigurimin e fondeve financuese për bizneset e veta. Përderisa për meshkujt
qasja në kredi bankare është e rëndë, për femrat ajo bëhet hiper e rëndë. Kjo për
dy e arsye; e para sepse kredidhënësit kanë thjeshtë më pak besim në një grua
ndërmarrëse dhe e dyta sepse gratë kredikërkuese kanë shumë pak kapital të
trashëguar nga familja, për të mos thënë fare. E në mungesë të kapitalit të
trashëguar garanacitë bankare bëhen shumë të komplikuara. Një ndihmesë e lehtë
në zbutjen e kësaj barriere është treguar nga kreditë e institucioneve
mikrofinanciare të cilat për shkak të shumës së ulët financiare që bartin në
vete kanë qenë më të prekshme edhe për ndërmarrëset femra.
Dallimi i dytë buron në relacionin e
gjinive me barrierën kryesore të bizneseve në vend, konkurencën jo fer. Kjo
konkurrencë lindë nga informaliteti, korrupsioni e gjygjësori, të tri këto fusha
që në çdo supozim minimalisht të logjikshëm vendosin gruan në pozicion të
izoluar dhe pa aftësi kooperuse. Në cdo rrethanë normale është pak e pritshme
që një femër të jetë më shumë e gatshme të vë bast në aktivitete të paligjshme
se sa një mashkull. Rrjedhimisht mosaftësia e tyre për të kooperauar në një
ambient kaq të rëndë biznesor krijon çdo parakusht për trajtim jo të barabartë
konkurrues.
Dallimi i tretë, dhe më i rëndësishmi
është në vetë-iniciativën e femrës për të bërë biznes. Janë të rralla rastet e nismave
autonome femërore për tu angazhuar në aktivitete ekonomike ndonëse rezultatet
inkurajuese për të ardhmen mund të vijnë po shikuam moshën e bizneseve nën pronësinë e grave
kosovare. Në Kosovë rreth 50% e bizneseve të tanishme nën pronësinë e gruas
kosovare kanë filluar aktivitetet e tyre në periudhën 2007-2012, pra krejt së
fundi, përkundër 34% në periudhën 2000-2006. Pjesa e mbetur prej 16% daton që
nga paralufta. Për më tepër, mosha mesatare e ndërmarrësve femra në Kosovë
është dukshëm më e ulët se e atyre meshkuj. Kjo strukturë e moshës së bizneseve
në pronësi të grave nënvizon trendin pozitiv të tyre dhe jep një lloj shprese
se pjesëmarrja e tyre në kontributin ekonomik do të vazhdojë të jetë në rritje.
Në këtë diskutim qëllimisht nuk përfshiva
trajtimin e femrës si fuqi punëtore; jo pse nuk meriton e njëjta vëmendje, por
se problemet aty janë edhe më të renda se sa tek pronësia. Këto probleme
fillojnë që në rekrutimin gjinor, vazhdojnë në përfaqësimin menaxherial e
përfudnojnë në paradoksin e trajtimit ligjor të femrës, sidomos të pushimit të
lindjes – paradoks ky i ushqyer paraodksalisht nga vet institucionet tona. I
njëjti në vend se të stimulojë e nxisë angazhimin e gruas në punësim ka bërë mu
të kundërtën, ka larguar atë nga punësimi i barabartë. Sektori privat në
pamundësi të kompenzimit marramendës ta paraparë me ligj, ka vendosur pritshëm të
mos marrë në punë femra fare; kush ka luksin e dhënies së pagave për gjysmë
viti në çdo pushim të lindjes? Disa vendime kërkojnë shumë më tepër sens
ekonomik se sa listë dëshirash sociale.
Në fund fare, them se femra kosovare ka
shumë për ti dhënë ekonomisë së Kosovës. Të shumtë janë sektorët, nga ku dalloj
tekstilin dhe procedimin e ushqimit, ku femra kosovare mund ti japë vendit jo
vetëm potencial të brendshëm por dhe përparësi krahasuese në rajon; përparësi
kjo që në fund mund të zhbëjë disbalancin e tanishëm tregtar. Them se Kosova ka
nevojë të ndërtojë mbi këto përparësi.
No comments:
Post a Comment