Letra nga limbo
Lumir Abdixhiku
ME PARE NË DORË
Tregimi për
ekonominë e borxhit dhe këmbimit mall me mall
“Si mund të mbijetojë kjo ekonomi pa kesh?” ishte pyetja e
mikeshës sime Flaka drejtuar për mua disa net më parë në një bashkëbisedim
“viberian” të çastit. Ndonëse pandeha vetën si të gatshëm të jap përgjigje të
shpejtë, edhe më shpejtë kuptova se tendencat e ngutisë sime ishin të kota, se
pas heshtjes dhe qeshjes sa për të blerë kohë fatkeqësisht nuk kishte ndonjë përgjigje
të qëndrueshme e bindëse. Një pyetje si kjo ka peshë shumë më të rëndë se sa
veçse një kuriozitet i rëndomtë e i çastit dhe nga këtu definitivisht ajo kërkon
edhe përgjigje më të komplikuar se sa një që kthehet me “viber”. Ndonëse pjesën
tjetër të natës e kalova në kërkim të përgjigjes për “Si-në” e bërë, përderisa
dija për të qenë “ekonomi pa kesh” dhe si të dhënë “të mbijetojë”, ekuacioni me
një të panjohur më solli e pështolli nga fillet e tregtisë së parë, tek blerjet
Rothschildiane, e deri tek fletorja e borxheve në shitoren e lagjes. T’iu
tregoj përse.
***
Peter Watson, një hulumtues i gazetarisë britanike, datonte
tregtinë mes kulturave të ndryshme apo tregtinë në distancë të gjatë, qysh para
150.000 vjetëve. Asokohe fiset shkëmbenin produkt me produkt; jepnin ushqim e
merrnin veshmbathje për shembull. I thonë “barter” në literaturën ekonomike,
“tramp” në gjuhën e pazarit tonë, “mall me mall” në atë si do të duhej shqip. Këmbimi
primitiv si ky detyrimisht ishte i kushtueshëm, me shumë humbje neto dhe pa
mundësi të madhe zgjedhjeje. Prandaj zhvillimi gradual i tregtisë detyroj
natyrshëm krijimin edhe të ndërmjetësuesve më të përshtatshëm shkëmbyes – pra
paranë. Fillimisht u përdorën metalet e çmuara por përdorimi i tyre kishte dy
defekte. I pari, gjatë shkëmbimit të jashtëm humbiste jo vetëm poseduesi i saj
por i gjithë entitetit, ndërkaq i dyti sepse njerëzit filluan gradualisht
gdhendjen e monedhave të çmuara derisa forma e rrumbullakët deformohej në
skajshmëri, duke humbur kështu sensin e krahasueshmërisë e këmbimit – për çka
edhe ishte krijuar në rend të parë.
Diku nga viti 2000 para erës sonë në Mesopotami e Egjipt
filloj një trend i ri; një trend që shpejtë do të bëhej esenca ekonomike e
gjithçkaje që njohim sot. Faturat e lëshuara si dëshmi për grumbullimin e
drithërave filluan të përdoren, pa paramendim, si mjete këmbimi. Asokohe
depozituesit e pasurisë merrnin një notë premtimi që dëshmonte pasjen e kësaj depozite.
Notat premtuese kishin të shkruar vetëm një fjali e cila thoshte se lëshuesi i
saj premton dhënien e sasisë së depozituar (në këtë rast drithërave) kurdo që
pronari i saj e kërkon atë. Madje elementet e notave premtuese sot njeriu i
gjenë në shumë monedha moderne. Po patët funtën angleze afër, 20-shin për
shembull, hidhjani një sy rreshtit të shkruar me shkronja të vogla: “I promise
to pay the bearer on demand the sum of twenty pounds” (shqip: Premtoj ti paguaj
bartësit në kërkesë shumën prej njëzetë funta). Madje edhe dollari amerikan
deri në fund të viteve 20-ta kishte të shkruar të drejtën e kurdohershme në
këmbim për ari; rezoni prapa heqjes së këtij mbishkrimi tejkalon përmasat e
kësaj kolumne, prandaj kufizoj veten në këtë diskutim. Lëshuesit e parë të
notave premtuese njihen edhe si ndërtuesit e parë të ofertës monetare e të
sistemit bankar. Ata duke kuptuar se kërkesa për tërheqjen e drithërave nuk vjen
nga të gjithë në të njëjtën kohë filluan lëshimin me pagesë edhe të notave
tjera premtuese. Një ide kaq e thjeshtë por tepër brilante u përhapë dhe u
perfekcionua shpejtë nëpër vite. Në shekullin e 7, Dinastija Song në Kinë
transformoj për herë të parë notat premtuese në kartëmonedha. Vite më vonë, udhëtimet
e Marko Pollos sollën praktikat e kineze edhe në Evropë. Rrjedhimisht diku në shekullin
e 17 u shtyp kartëmonedha e parë nga Stokholm Banco. Pjesa tjetër e historisë
është pak a shumë e njëjtë.
Pasja e monedhës si mjet këmbimi është pa fije diskutimi një
ndër inovacionet më të rëndësishme ekonomike të ndodhura ndonjëherë. Prezenca e
saj megjithatë ka shkaktuar gjithçka, prej hiperngritjeve ekonomike e deri tek
rëniet drastike e inflacioniste. Shpesh për shkak të pamaturisë politike
shtypja e tepruar e monedhave ka përfunduar në inflacione galopante e me
monedha deri në 25 zero. Në raste tjera zotërimi me dredhi i saj ka bërë
ngritjen e perandorive ekonomike. Legjenda thotë se një ndër bankierët më të
famshëm të të gjitha kohërave, Mayer Amschell Rothschild, themeluesi i dinastisë
së familjes bankiere Rothschild, një herë kishte thënë: “Më jepni vetëm
kontrollin mbi ofertën monetare të kombeve dhe nuk brengosem kurrë se kush i bën
ligjet”. Në të vërtetë legjenda po ashtu thotë se M.A.Rothschild në një aventurë
të tillë kontrolluese kishte bërë ndoshta trikun më të madh ekonomik të të
gjitha kohërave. Me çdo para e hekur në dizpozicion të tij ai kishte blerë tokën
e feudalëve të kohës. Kishte blerë aq shumë tokë sa që të gjithë shitësit
përfunduan me shumë para; ishin gjithë të pasur. Ishin të pasur derisa banka
qendrore, e kontrolluar gjithsesi nga ai, nuk filloj të shtypë masivisht
kartëmonedha, për të zhvlerësuar kështu paranë e të gjithëve e vlerësuar tokën
e tij.
***
Në lagjen time është një shitore, ku nuk shesin karamele, po
ku shesin me fletore të borxhit. Është traditë bukur e vjetër kosovare shënimi
në fletore, sa për të treguar ndoshta edhe nivelin e krizës ekonomike që na ka
shoqëruar në vazhdimësi. E shitorja në fjalë ka borxh po ashtu tek fletorja e
furnitorit të saj. E furnitori i saj ka po aq borxh tek fletorja e përfaqësuesve
tregtar, e përfaqësuesit tregtarë kanë po aq borxh tek prodhuesit në rend të
parë. Në të vërtetë cikli i borxhit është aq i gjatë sa që sot në mungesë të parasë
së gatshme, zbulimit pothuajse më të rëndësishëm ekonomik, kosovarët janë
kthyer në rendin e parë primitiv të ekonomi-bërjes, pra këmbimit mall me mall
apo “barterizëm”.
Sot është plotësisht e zakonshme që kur dikush shet apo
blenë një banesë të ofron apo pranojë një veturë. Sot është plotësisht e
zakonshme që kur dikush ndërton një pallat të tërë apartamentesh ta bëjë pa
fije keshi – banesë për armaturë, banesë për çimento, banesë për instalim
elektrik e banesë për qeramikë. Sot është plotësisht e zakonshme të bësh
mrekulli me, siç thonë, "pare në dorë”. Pra mungesa e “parasë në dorë”
sjell dy outpute: a) këmbimin mall me mall- mu siç kanë bërë të parët e
tregtisë; ose në rast të mungesës së mallit, b) këmbimi me borxh. Nw Kosovw
ndodhin tw dyjat.
Kosova nuk ka valutë të vetën, prandaj thatësinë në treg nuk
e kontrollon dot me shtypje të saj. Jashtë temës, më besoni se jemi shumë
fatlumë që nuk kemi një monedhë tonën në të kundërtën shtypjet e parasë para
zgjedhjeve, në kohë deficiti apo thjeshtë për teke partiake do të ishin “biznes
i zakonshëm”. E meqenëse Kosova nuk ka valutën e sajë atëherë kontrollimi i
ofertës monetare apo sasisë së parasë në treg, është pothuajse i pamundur. Në
mungesë të një politike të tillë mbijetesa jonë dhe e bizneseve tona bëhet vetëm
falë rrymës së parasë që kalon nga jashtë nëpër Kosovë e prapë jashtë.
Në esencë, me një deficit të lartë tregtar, ku paraja nuk qëndron
por është pjesë e një rrymimi të dhënë është pak e pritshme që vendi të ketë
mjaftueshëm likuiditet. Siç kishte argumentuar edhe kolegu im Alban Hashani kohë
më parë, dëmet nga një nomenklaturë të tillë reflektohen edhe në sistem bankar.
Me fjalë të tjera, siç argumentonte Albani, në Angli sikur i bëre një përcjellje
monedhës së dhënë e të sapo lëshuar si kredi, do të vëresh se e njëjta,
gjithmonë për shkak të strukturës ekonomike, sillet disa herë nëpër tregun
anglez, del jashtë e kthehet sërish brenda, madje e njëjta kthehet e përdoret
prapë si depozitë në ndonjë bankë tjetër komerciale. Në fund të fundit një
kredi për një konsumator sot, që blen një veturë nesër, është një depozitë kursimi
pasnesër e një kredi e re një ditë pas pasnesërmes. Pra një bankë komerciale
angleze mund të përdorë disa herë për kredi të njëjtën monedhë; gjë që nuk mund
ta bëjë asnjëherë ndonjë bankë kosovare. Në gjasën më të madhe një para e sapo lëshuar
si kredi përfundon në import e jashtë. Pra bankat kosovare punojnë në vazhdimësi
me para të reja.
Ky fakt natyrshëm bën njërën prej shumë kostove që rrisin
çmimin përfundimtar të parasë, pra normën e interesit. E është mu norma e lartë
e interesit në vend që ka shkaktuar thatësinë e tregut. Përderisa çmimi i
pasjes së parasë është kaq enorm e teknikisht i papërballueshëm për pasje të
sajë, është logjikisht e papritshme të kemi para në treg. Është mu çmimi i lirë
i parasë, pra norma e ulët e interesit, që rritë prezencën financiare në vend.
Këtë ka kohë që nuk e kemi.
***
Problemi me paranë kesh në Kosovë më kujton një anekdotë
rreth borxhit që pata dëgjuar shumë kohë më parë. Anekdota duket pak a shumë kështu.
Është ditë e ngadalshme në një qytet me rrugë të thata e
boshatisura. Është periudhe e vështirë, secili ndodhet në borxhe dhe secili
jeton me borxhe. Papritmas në qytet kalon një turist i pasur. Ai hyn në të
vetmin hotel të hapur dhe pyet recepsionistin për dhomë të lirë; nëse ka
ndonjë. Recepsionisti i lumtur për vizitën e rrallë në shumë kohë pohon me kokë
e tregon me gisht drejt katit sipër. Turisti vendos 100 euro në banak e ngjitet
lartë sa për ti parë dhomat. E përderisa turisti u hedh sy dhomave, recepsionisti
me plot nguti i merr 100 eurot e lëna në banak dhe vrapon të paguajë borxhin e
tij tek mishtorja e afërt. Shitësi i mishit merr të njëjta para dhe vrapon
te paguaje borxhin që kishte tek fermeri i lopëve. Fermeri i gëzuar merr
100 eurot që pothuajse i kishte harruar se ja kishin borxh, e vrapon të
paguajë borxhin e tij tek shitësi i naftës. Ky i naftës paguan borxhin tek vozitësi
i maunës së naftës. Vozitësi i maunës takon prostitutën e famshme lokale, e
cila përndryshe në këto kohë të vështira po i kryente "shërbimet" edhe
me borxh. Prostituta merr paratë dhe paguan borxhin tek recepsionisti i hotelit
të vetëm në qytet. E recepsionisti vendosë paratë sërish mbi banak; në po të
njëjtin vend ku edhe i kishte marrë. Në atë moment turisti zbret shkallëve
poshtë, i pakënaqur me atë çfarë kishte parë në dhoma merr paratë e lëna e
largohet nga qyteti; këtë herë nëpër rrugë të mbushura plot e nëpër një qytet
pa borxh.
Kosova natyrisht se nuk mund ti japë zgjidhej problemit të
borxheve biznesore me një input të një turisti; problemi është shumë më i
komplikuar. Por vendi realisht sot ndodhet buzë një zinxhiri rrënues për një
cikël biznesesh. Do të mjaftonte falimentimi i disa bizneseve kyçe për të nisur
një cikël të tërë falimentimesh. Në të vërtetë, mbijetesa e bizneseve kosovare,
dhe këtë e dinë mirë secili njeri që ka lidhje me biznese, është e bazuar tërësisht
në vonesën e pagesave. Pra thënë
ndryshe, një biznes siguron likuiditet e rrjedhë normale të parasë vetëm duke
vonuar pagesat e borxhit për palën tjetër. Pala tjetër bën të njëjtën gjë për
një biznes tjetër, e ky i fundit replikon njëtrajtësisht me tjetrin. Problemi
me një relacion të tillë është se palët po zgjerojnë gjithnjë e më shumë kohën
e pagesës; pra nëse dikur vonesat kanë ndodhur për një apo dy muaj – kohë standarde,
sot ato mund të ndodhin edhe për një periudhë gjashtë mujore. E kohëzgjatja e
borxhit është në korrelacion pozitiv me moskthimin e tij fare (borxh i keq).
Për më tepër të dhënat e fundit tona tregojnë se kontribuues
i madh në sistemin e borxheve sot është edhe Qeveria e Kosovës, si punëdhënësi
kryesor për shumicën e bizneseve (dhe zinxhirit të tyre). Si duket vështirësitë
e caktuara në mbledhjen e të hyrave, e që ndërlidhen me vet performancën buxhetore,
kanë bërë që institucionet tona të vonojnë njëtrajtësisht kryerjen e obligimeve
financiare ndaj bizneseve. Kjo shtyrje në kthim më pas rëndon edhe më shumë
performancën e bizneseve, qarkullimin e tyre e në fund prapë kontributin
tatimor në buxhet – duke shkaktuar kështu një cikël bukur destruktiv. Prandaj për
të kuptuar shkallën e një rreziku të tillë, në një anketë me biznese që do ta
zhvillojmë në kuadër të Riinvestit këtë vit, si pyetje të veçante kemi futur
edhe çështjen e borxhit; do të marrim definitivisht konstatime më serioze rreth
një problemi të tillë.
Për të ribërë likuiditetin e Kosovës do të duhej shumë më
shumë mend e shumë më shumë kohë se sa një kolumne (sado e tejzgjatur) si kjo.
Por përtej praktikave tanimë të thënë e stërthëna për nevojën e uljes së
normave të interesit – e që domosdoshmërish do të nisin një cikël të tërë
zhvillimesh pozitive, pra përtej uljes së çmimit të parasë, përtej e përmirësimit
të strukturës tregtare të Kosovës që do të zhbënte balancin disproporcional në
mes të importeve dhe eksporteve, përtej kthimit të mjeteve të diasporës nga
konsumi në investim – alternativa këto që përndryshe bëjnë nëntë të dhjetën e
problemit, them se një alternativë e shpejtë dhe e mjaftueshme për të nisur zgjidhjen
për një të dhjetën e problemit është edhe funksionalizimi i shpejtë i fondeve të
bllokuara të Kosovës, me theks të veçante i parave të privatizimit. Natyrisht
se përdorimi i tyre duhet të shërbejë në stimulimin e krijimit vendor, në të
kundërtën derdhja e këtyre parave në rrjedhën e tanishme të importeve përveç djegies
së shpejtë të mundësisë nuk do të shërbejë për asgjë tjetër.