Thursday, 31 May 2012

TRI PËRRALLA NGA ZULLULANDI


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 QERSHOR 2012

Tregimet për vdekjen e Parlamentit, largimin Evropian e diplomacinë e puthjeve


“Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, por të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni punoni. O Shqiptarë, rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni. Jo fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën” (Faik Konica, 1922).

Përralla 1: Devijimi, Gabimi dhe Zhvlerësimi

“Rekomandim do të thotë këshillë”, thoshte kryeparlamentari Krasniqi në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Republikës, sa për të përshkruar me perfeksionin më të madh agoninë në të cilën është futur institucioni tij, vota e qytetarëve të tij, e vendi i tij. “Rekomandim do të thotë këshillë” shpjegon dhe tashmë traditën e devijimit të argumentit sa herë që zihen në qoshe verbuesit e politikave totalitare në vend. Së pari, me një shpjegim kaq të panevojshëm, thuajse Kosova nuk bën dot kuptimin e fjalës “rekomandim”, institucioni i popullit mundohet të largojë gjithë diskutimin nga thelbi i argumentit, e që në esencë është se pse Parlamenti vazhdon bisedimet me Serbinë kur ka të zhdukurit që i kalben pa varre.  Dhe së dyti, me një shpjegim të tillë i bëhet me dije gjithkujt se në Kosovë ka gjithçka veçse sistem demokratik; në këtë sistem Parlamenti ka humbur gjithë rëndësinë, peshën e fuqinë që ka pasur ndonjëherë. Parlament më të lodhtë, më të pafuqishëm e më skandaloz se ky tani, Kosova nuk ka pasur asnjëherë.

Për ti shpjeguar kryeparlamentarit dhe të tjerëve, kosovarët nuk vuajnë nga mungesa e dijeve për sinonime, ndonëse për një pjesë të madhe të politikbërësve një konstatim i tillë dhe mund të mos qëndroj, por kosovarët vuajnë nga mungesa e zërit të tyre në një qeverisje që përjashton çdo agjendë e mendim ndryshe nga ai i mbretit. Nëse vendimet e Parlamentit të Republikës, institucionit të vetëm ligjvënës në Kosovë janë asgjë më shumë se sugjerime, i bie se në një përkthim të thjeshtë kosovarët kanë të drejtë të bëjnë një dëshirë, këtë dëshirë ta ngrijnë nëpërmjet votës së tyre në Parlament e më pas kjo dëshirë të përcillet tek mbreti, i cili më pas në varësi nga disponimi në mëngjes mund të vendosë për ose kundër një dëshire të tillë. E kjo nuk bën demokracinë!

Nëse Parlamenti bën rekomandime, atëherë a bëhen rekomandime dhe të gjitha ligjet që ky institucion nxjerr? Nëse fjalët e Parlamentit janë rekomandime atëherë nga sot të gjithë dy milionë e ca kosovarë mund të shpërfillin me lehtësinë më të madhe rekomandimin e Parlamentit për, le të themi, pagesën e tatimeve; nga sot neve edhe nuk na pëlqen kjo këshillë. Ide të tilla minimizuese që vijnë nga tempulli i votës bëjnë paradoksin institucional, vënien e anarkisë nga vet institucionet.

Stili i debatit, pra heqja e vëmendjes, si dhe vendimet rekomanduese, pra zhvlerësimi i Parlamentit, nuk janë risi për Kosovën. Ato veçse po bëhen të zakonshme. Kujtoni rastin e mocionit të reciprocitetit të nxjerrë në janar të këtij viti; është kopje identike e këtij të tanishmit. Edhe atëherë sikurse tani debati u devijua duke thënë se “ne nuk mundemi të rregullojmë tregtinë me Serbinë kamion për kamion” ani pse as edhe një zë nuk kërkonte një gjë të tillë. E tëra çfarë kërkohej atëherë ishte reciprocitet në dokumente e trajtim, por jo në sasi. Edhe atëherë sikurse tani, kur mocioni kaloj (ndoshta në befasi) u tha se deputetët nuk kishin ditur për çfarë kishin votuar. Kjo bën hapin e dytë të tendencës zhvlerësuese. Ndonëse nuk dyshoj se një pjesë bukur e mirë e tyre dhe nuk kanë haber se për çfarë janë aty, lëre më të japin kokërr, në esencë shkasi i mosaftësisë për të bërë dallimin në votim është veçse një mjet i parafundit në rrënimin e Parlamentit; i fundit është rekomandimi. Edhe tani sikurse në rastin e reciprocitetit, kur devijimi nuk bëri punë, kur padituria në votim nuk piu ujë, u tha se vendimet e Parlamentit janë vetëm rekomandime.

As që dua të arsyetoj e argumentoj mbi nevojën e zbardhjes së fatit të të zhdukurve si parakusht për negociata tanimë me radikalët serb, kasapët e fundit të Evropës. Me pak fije dinjitet, me pak fije fytyrë, me pak fije dhimbsuni për familjet që nuk flenë qetë tash e trembëdhjetë vjet, të vetë-shpallurit patriot të fundit të Kosovës, “heronjtë” e gjallë e “kontribuuesit” e papërsëritshëm të gjithçkaje që na rrethon, do të duhej të vënin gishtin në kokë, merrnin frymë thellë e të mendonin për pak kohë me zemër e mend. Për pak kohë të thonin atë çfarë sensi i gjithë shqiptarëve të Kosovës e përtypë mëngjes e darkë, se pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve, pa kërkim falje, pa zhbërje të tendencave shfarosëse, ne nuk kemi pse të ndajmë tavolinën me shtetin serb.


Përralla 2: Konspiracioni evropian

“BE rëndon kushtet për Kosovën” ishte titulli i ballinave kosovare javën që shkoi, sa për të shpjeguar relacionet e getos së fundit evropiane me familjen e vlerave moderne. Tashti, “BE rëndon kushtet për Kosovën” tregon dhe për katandisjen e punëve brenda. Së pari, kriteret e BE-së janë të njëjta; ato thjeshtë janë standarde që duhet përmbushur. Largimi ynë nga këto standarde, në fakt, është rëndesë e vet kushteve. Faj nuk na ka kush që zhvlerësojmë Parlamentin, faj nuk na kush që vjedhim shtëpinë, faj nuk na ka kush që krimi i organizuar e mafia na sorollaten si në bahçe të babës. Kushtet i rëndojmë vet se vjedhim vota, vjedhim pare, vjedhim ardhmërinë. Kushtet i rëndojmë vet se kontrollojmë gjyqe e polici, media e administratë, universitet e shëndetësi.

Fjala shtet është fjalë e madhe. Është më tepër se sa rahatimi i familjeve, mëhallëve e akrabave në kurriz të vlerave të drejta. Fjala shtet do të thotë vullnet për të bërë drejt, për të ndërtuar institucione që do mund të të gjykojnë edhe kur nuk e ke me vend, e jo që të ndërtosh institucione, ti kontrollosh e më pas të thirresh në rend institucional, ani pse në shumicën e rasteve as ti shqiptosh drejtë nuk di.

Por ne nuk do të jemi asnjëherë të sinqertë me kosovarët tanë. Do tu themi se “Evropa shtrigë”, ajo “plaka e vjetër” ka zili e inat ndaj nesh. Do tu themi se pesëqind e një milionë evropianë të BE-së, kanë zili e inat ndaj 2 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të jenë të fundit në Evropë që  nuk mund të marrin dot liberalizimin e vizave, ani pse prijësi i tyre vite më parë i kishte premtuar lëvizje të lirë në pak muaj, dhe në një paraqitje tjetër kishte thënë se premtimi i tij ishte realizuar (kjo bën pjesë në atë filozofinë politike devijuese si në rastin e Parlamentit). Kosovarë, ata zili nuk na kanë, as inat. Por ashtu siç jemi sot, përderisa vjedhim paranë publike, lejojmë mafiozë e giliptera të na bëjnë rregullin e rrugëve, përderisa i bëjmë gjithë të zezat e botës, ata nuk na shohin fare. Këtu, fjalët e Konicës do të jenë gjithnjë me vend (Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, por të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër) .

Dhe me të njëjtin stil na u trajtua kërkesa e sportistes tonë më me nam, Majlinda Kelmendit, e cila jo që nuk u lejua të garojë me ngjyrat e shtetit që u njoh nga plot 90 vende të Kombeve të Bashkuara, por as si e pavarur, siç dhe ishin praktikat e mëhershme në raste me konteste. Dhe ndodh kështu meqë Majlindën nuk ka kush ta mbrojë në organizime të tilla, ndodh kështu meqë shteti i saj po hahet në vete. Shteti i Majlindës ka punë më të mençur se sa përfaqësimi me dinjitet; e ka hajninë në rend të parë. Mos më keqkuptoni. Mbledhja e fundit e Komiteti Olimpik është vetëm një finale e një sërë matrapazllëqeve të bëra nëpër vite. Sikur ne të bënim shtet në këto 13 vite, e jo pasuri për politikanë tanë, sikur ne të bënim drejtësi, e jo rrënim institucional, Kosova sot do të ishte vendi më simpatik në botë. Do të merrej shembull i diplomacive ndërkombëtare se si mundi perëndimor nuk ka shkuar huq. Në vend të kësaj, sot disa nuk të presin, disa nuk duan të jenë me një foto me ty, disa të takojnë në korridoret e aeroportit, e të tjerë nuk të llogarisin fare. Siç janë gjërat tani, ne në Evropë vetëm me” fustan lartë e brekë kërkah” – kështu po se po bëhemi lajm!


Përralla 3: Diplomacia e puthjeve

“Kafene të tejmbushura në pasdite... të rinj me puthje në rrugë” thoshte paragrafi i Strategjisë së Diplomacisë Ekonomike që Ministria e Punëve të Jashtme kishte nxjerrë në përpjekje për të tërhequr investitorët potencial. Fjalët “...me puthje në rrugë” tregojnë dhe brishtësinë e qeverisjes kosovare e cila nëse asgjë tjetër është e mbushur me njerëz totalisht të paditur, pa përgjegjësi e pa fije dëshire për të bërë punë serioze për vendin. Po mund ta parafytyroj shkruesin e rreshtave si këto, një i ardhur me porosi, me lidhje familjare, e i cili për atë vend ka larguar dhjetë të tjerë; studentë të dalluar e shkolluar mirë, mu si puna e atyre marrësve të bursave të Komisionit Evropian që kishin mbetur pa punë edhe pas përfundimit të studimeve.

 Nuk di se a e dinë hartuesit e kësaj paçavure çfarë do të thonë fjalët “strategji”, “diplomaci” e “ekonomi”? A e dinë “diplomatët” tanë që mburren me stafin që kanë, se përtej një fjale që tingëllon bukur, “diplomacia” është shkencë që ka gjithçka veçse “puthje e kafene të të rinjve”. A e dinë “diplomatët” tanë se “strategji” nuk është një menu kafiterie, por një vizion e hartë; është një shtyllë? A e dinë “diplomatët” tanë që koncepti “ekonomi” nuk bën vizitën nëpër sheshe e kafene të mbushura me të rinj, por një tansi sjelljesh që... nejse. Ata nuk dinë gjë!

Problemi në esencë është se ne hartojmë e hartojmë dokumente sa për sy e faqe, përfshirë edhe diçka si ky i puthjeve, apo sikurse ai i Bullgarisë muaj më parë, por në fund të ditës i zhvlerësojmë pa fije brenge. Dhe kjo për dy arsye, një, sepse si në rastin e puthjeve e i Planit Bullgar, ne prodhojmë një dokument në nuancat e kualitetit të një hartimi të një nxënësi mesatar në fillore, dhe dy, sepse ne nuk besojmë në dokumente,e planifikime e vizione. Ne thjeshtë besojmë në intuitën e mbretit. Thënë këtë, në fund të ditës, ne besojmë në fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Në fund të ditës ne merremi me fjalorë në Parlament sa për të humbur fijen e argumentit, merremi me teori të konspiracionit për sjelljet e Evropës ndaj nesh, e merremi me puthje si atraksion i diplomacisë ekonomike.

Prandaj, “o Shqiptarë, rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni. Jo fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën”.


No comments: