Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 MAJ 2012
Paradigma e zhvillimit
ekonomik përtej barazimit të librave dhe tjetërsimit të pronës
Këtë javë misioni i UNDP-së në Kosovë
publikoj raportin e shtatë të radhës të Zhvillimit Njerëzor për Kosovën, e që
në fokus këtë herë kishte sektorin privat dhe punësimin. Raporti në fjalë bënte
një përmbledhje të figurave makroekonomike në vend, të nomenklaturës ekonomike
dhe të barrierave kryesore me të cilat ballafaqohen sot ndërmarrjet kosovare.
Përzgjedhja e sektorit privat në një
raport zhvillimor njerëzor nuk ishte e rastësishme. Së pari, të shtyrë nga një
strukturë tërësisht të paqëndrueshme ekonomike në të cilët ndodhet Kosova
nevoja për një sektor privat të qëndrueshëm është më tepër se një nevojë, është
domosdoshmëri. Them e paqëndrueshme meqë zhvillimi ynë ekonomik sot varet
tërësisht nga shpenzimet qeveritare, nga donacionet dhe nga remitencat. Të
paqëndrueshme janë remitencat meqë të njëjtat janë ne korrelacion negative me
kohën; madje Kosova sot ka problemin e gjeneratës së tretë dhe largimin e tyre
gradual me lidhjet tradicionale me vendin tonë. Të paqëndrueshme janë donacionet
meqë Kosova po kalon gradualisht nga një marrëdhënie ndihme në një marrëdhënie
kredimarrëse; gjithmonë për shkak të risive në politikat ndërkombëtare dhe ndërrimit
të fokusit nga Evropa drejt vendeve me më nevojë (siç janë shtetet e pranverës
arabe) . Dhe në fund, të paqëndrueshme janë shpenzimet qeveritare meqë nevojat
për rrugë e shkolla eventualisht do të zhbëhen; madje në frymë me planifikimet
e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2013-1017 (nëse këto planifikime qëndrojnë)
ato do të reduktohen për 11% qysh në vitin 2014. Së dyti, sektori privat do të
duhej të marr fokus studimor meqë i njëjti nuk po merr frymë fare. Kjo
frymëmarrje bëhet edhe më e rrallë sa herë që politikat qendrore bëjnë gafa e
akrobacione ekonomike. Së treti, në një ambient ku gjithçka publike
shenjtërohet e gjithçka private ngushtohet, krijimi i vendeve të reja të punës dhe
zhbërja e varfërisë është thjesht mision i pamundur. Dhe ky moskrijim i vendeve
të reja të punës është matësi më i mirë i peshores së punës së Qeverisë sonë.
Ata mund të thirren e çirren për suksese, prosperitet, stabilitet e zhvillim,
por asnjëra nuk merr peshë e ngjyrë po nuk pat vende të reja të punës, produkt
final i çdo politike.
Është thënë shpesh se për të filluar
uljen e normës së papunësisë në vend, Kosova ka nevojë për një rritje ekonomike
prej 8-10%. Për të shuar kuriozitetin e juaj, rritja ekonomike e deritanishme
në vend varion nga 4 deri në 5%, e që do të thotë se ne as për së afërmi nuk i
afrohemi objektivave të domosdoshme; ani pse i madh e i vogël renditet në
Qeveri për të lavdëruar këtë rritje. Edhe më e rëndë rritja bëhet kur kihet
parasysh fakti se e njëjta është tërësisht e koncentruar në një grup të vogël
njerëzish, pra as që është rritje proporcionale e vendit. Pavarësisht kësaj, bartësit
e vendimmarrjes në vend duhet të kuptojnë një herë e mirë se rritja e nevojshme
për Kosovën, ajo prej 8-10% nuk do të arrihet asnjëherë pa një pjesëmarrje
substanciale të sektorit privat në të. Pjesëmarrja e sektorit privat në këtë
rritje nuk do të bëhet asnjëherë pa rritjen thelbësore të investimeve private,
e rritja thelbësore e investimeve private nuk do të bëhet asnjëherë pa ndërrim
radikal të paradigmës ekonomike. Paradigma e sodit ekonomike mbështetet tërësisht
në numrat e buxhetit e balancimin e librave si dhe në procesin e famshëm “privatizim
pa liberalizim” praktikë kjo sui-generis. Them sui-generis meqë njeriu mund të
dëgjojë për një filozofi liberale ku gjithçka privatizohet dhe më pas
liberalizohet, apo edhe një filozofi të kundërt të shtetit zhvillimor ku
gjithçka mbetet në pronësi publike por prapë liberalizohet (duke mundësuar
kështu konkurrencë të barabartë si për sektorin privat dhe atë publik), por një
filozofi privatizim e joliberalizim nuk është parë asnjëherë në asnjë vend në
botë.
Sidoqoftë, një koncept i balancit të
librave dhe tjetërsimit të pronës (pa liberalizim) është i humbur qysh në
start. Madje, po dëgjuat me vëmendje daljet në publik të ekonomistëve qeveritarë,
kuptoni se sa e varfër është alternativa nga ta. Nuk gjen njeriu dot një
alternativë tjetër që kapërcen kufijtë e privatizimit të disa ndërmarrjeve
publike e që në rastin më të mirë, privatizimi i tillë (edhe po u bë
shkëlqyeshëm) nuk do të akomodojë as gjysmën e të papunëve që tregu kosovar jep
në një vit. Edhe po privatizuam të gjitha
ndërmarrjet publike, nga KEK në PTK e deri te Trepça, në rastin më të mirë
numri i vendeve të reja të punës nuk do të kalojë as 10 mijë. Numri vjetor i të
papunëve të rinj në vend është plot 25 mijë. Në vend të kësaj, Kosova ka plot
65.000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Sikur gjysma e tyre të krijojnë në
mesatare një vend pune në vjet, në dhjetë vitet e ardhshme Kosova do të kishte
normë njëshifrore të papunësisë. Dhe ky, për mendimin tim, është çelësi i
zhvillimit ekonomik.
Por pse nuk merr frymë sektori privat?
Raporti i UNDP-së jep një listë barrierash të vetëdeklaruara nga 600 ndërmarrje
kosovare, numër ky i mjaftueshëm për të derivuar konkluza për gjithë
popullacionin. Në këtë listë, për herë të parë që nga paslufta, e para renditet
“konkurrenca e padrejtë”. Në një elaborim pak më thelbësor, një ambient i
pabarabartë konkurrues në Kosovë sot krijohet nga prezenca e lartë e
informalitetit, nga niveli alarmant i korrupsionit dhe nga mosfunksionimi total
i gjykatave në relacion me bizneset. Sipas raportit të UNDP-së, Kosova ka një
evazion fiskal dhe një informalitet të fuqisë punëtore në nivel prej 40%. Një
numër kaq i tmerrshëm tregon se jo vetëm që vendi humbë pothuajse 40% të të
hyrave buxhetore çdo vit, por se ne kemi një anarki totale në treg. Në këtë
anarki që buron nga trajtimi jobarabartë i bizneseve krijohen dhe defekte në
efiçencë, defekte në kualitet e defekte në çmime. Ka një arsye edhe më të shëndoshë
se pse kjo barrierë bëhet thelbësore këtë vit. Kujtoni vitin e kaluar gjahun e
ATK-së dhe Doganve për të mbushur hendekun buxhetor. Fatkeqësisht ky gjah nuk
ishte i barabartë tek të gjithë, ai bënte selektimin e paguesve të rregullt;
rrjedhimisht të njëjtit sot reflektojnë me një rangim kaq dramatik. E për
ndërmarrjet kosovare, lajmi bëhet edhe më i zi këtë vit në mungesë të
paraqitjeve bombastike të përfaqësuesve mbledhës kosovarë që kanë harruar
konferencat për media. Kanë harruar meqë plani mbledhës i të hyrave këtë vit po
çalon dukshëm, prandaj dhe nuk kan për çfarë të dalin. Por ja që në muajt në
vijim për paguesit e rregullt vizitat, parapagimet e dënimet palidhje do të
bëhen të zakonshme. Ata kanë për të mbushur shumë! Me po kaq fuqi goditet potenciali
i sektorit privat edhe nga prezenca e korrupsionit, madje në një zbërthim të
ndërmarrjeve vërehet se ky fenomen godet sidomos sektorët që kanë një vlerë më
të shtuar e të cilët në hapin më ultim kanë mundësi për krijim të vendeve të
reja të punës.
Alarmante në gjithë këtë rangim ishte
edhe vlerësimi i lartë i “krimit të organizuar e mafias” që bënin vendin e dytë
në listën e barrierave. Si asnjëherë më parë bizneset e intervistuara kishin dhënë
shqetësimin e tyre për një fenomen të “perëndimit të egër”. Një zbërthim
individual i kësaj barriere të ofronte fotografinë e prezencës së vjedhjeve të rëndomta si dhe të
“haraçit” tipik të pasluftës në Kosovë; të dyja këto rrisnin dukshëm koston e të
bërit biznes dhe me këtë zhbënin çdo shpresë për vende të reja të punës. Pa
habi se në një vend ku policia fle “të egrit” bëjnë rregullin. Pa habi se një
vend ku politika shuan, mafia bën zotin e shtëpisë.
Grupi i tretë i barrierave ndërlidhej
me koston e financimit. Të paktën me një normë interesi prej 14 deri në 15% çdo
investim biznesor është i pamundur. Nuk besoj se ka industri legale në Kosovë që
do të mund të arrinte një margjinë profiti sa normat e interesit. Thënë shkurt,
një biznes i financuar prej bankave punon për bankat. Qasja në kredi për
bizneset e reja apo dhe për aktivitetet e reja brenda bizneseve ekzistuese
ishte thjeshtë e pamundur. Bankat thënë shkurt shfaqnin rezistencë ndaj çdo
biznesi të paprovuar. Një relacion i tillë qysh në start mbytë çdo inovacion e
ide të re biznesore. Se bizneset me bankat nuk kanë fare relacione të shëndosha
shihej edhe prej treguesit të financimit. Rreth 74% e bizneseve nuk gjenerojnë
fare kapital nga bankat por nga kapitali i vet, 10% nga miqt e familja dhe
vetëm 10% nga bankat.
Një tregues po aq shqetësues në këtë raport
ishte dhe rënia e punësimit në sektorin e prodhimtarisë, i vetmi i cili do të
duhej të kishte ngritje në vend. Rritje substanciale kishte vetëm në sektorin e
ndërtimit dhe të hotelerisë, të dy këto sektorë të paqëndrueshëm dhe për më
tepër të patregtueshëm. I pari rritej kryesisht nga investimet publike dhe nga
kërkesa e përkohshme për vendbanim në vendet urbane. Frikohem në një të ardhme
të afërt se koncentrimi kaq i madh në industrinë e ndërtimit do të krijojë një
“treg të fluskave”; por mos të ndjellim zi.
Një e dhënë po aq interesante ishte
edhe paga mesatare në sektorin privat e cila nuk kalonte më shumë se 260 euro.
Një krahasim me vendet e rajonit të jepte përshtypjen e qartë se edhe kur
krijojmë vende pune, paga e dhënë është simbolike po u krahasua me të tjerët.
Për shembull, paga mesatare në Serbi ishte 451 euro, apo gati dyfish sa e jona,
ose ajo e Maqedonisë gati 521 euro, e Malit të Zi plot 772 euro; vetëm
shqiptarët e Shqipërisë së shkretë kishin pagë mesatare më të ulët se e jona,
vetëm 250 euro. Inkurajuese ishte se paga në vend ishte në korrelacion pozitiv
të dallueshëm me nivelin akademik. Një i punësuar me studime post-diplomike, në
mesatare, paguhej rreth 600 euro, apo trefish më shumë se një me shkollë
fillore.
Në fund fare, shqetësuese ishte edhe
treguesi i kapitalit themeltar që rangonte paranë e diasporës në vetëm 5%. Mërgata
e Kosovës konsiderohet si burim serioz i investimeve në të ardhmen, por me një
ambient të tillë si ky tani zor se ne do të mund të marrim si investim ndonjë
cent prej tyre. Paratë e diasporës ne i zhbëjmë në konsum, e me një bilanc
tregtar si të vendit tonë çdo e ardhur nga jashtë kthehet poashtu jashtë, madje
këtë herë në Serbi e Maqedoni, nga ku vjen edhe importi ynë.
Për t’iu kthyer edhe njëherë nevojës
për një rritje ekonomike prej 8-10%, me një ambient të pabarabartë konkurrues,
me kosto kaq të lartë financimi e me një politikë qendrore diskriminuese numrat
e thënë janë vetëm numra dëshire; dhe do të mbesin të tillë. E përbashkëta e barrierave
në fjalë ishte fakti se pothuajse të gjitha krijoheshin nga vet prezenca e
shtetit në treg. Në pamundësi për të realizuar qëllimet e veta, një politikë
qeveritare si mbledhja e taksave ka shkaktuar pabarazi serioze; apo politika
tjetër e shpenzimit të parasë ka dhënë korrupsion e anomali enorme. Kosova ka
dy alternativa në këtë drejtim: a) të zvogëlojë prezencën e vend në treg dhe të
lë të njëjtin të vet-rregullohet, b) të ndal egon e vet të vjedhjes dhe të bëjë
shtet. Derisa e dyta është e pakontestueshme edhe po të marrim të parën, them
se e para shkurton rrugën e vuajtjes sonë ekonomike edhe po bëmë të dytën. Në
fund të fundit jo vetëm PTK e KEK janë të Kosovës, edhe ai këpucëtari në skaj
të ndërtesës është po aq i Kosovës; edhe ai krijon punë e vend pune. Por për të
bërë të dyja, pra dhe a-në dhe b-në, ne kemi nevojë për një klasë politike që
beson në sektorin privat e jo në xhepin privat. Ky pra është fillimi i
frymëmarrjes.
(Autori është kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”)
No comments:
Post a Comment