Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 MAJ 2012
Institucionalizimi
kamikaz serb me zgjedhjen e radikalëve është një mundësi e artë për
Kosovën që të ndërrojë tërësisht qasjen ndaj veriut, të avancojë në
relacione ndërkombëtare e të parandalojë gjithë ata amatorizma politikë
të krijuar gjatë dialogut
Së pari, zgjedhja e Nikoliqit përballë Tadiq bën një goditje befasuese jo vetëm për çdo ndërkombëtar që me pak interes kishte përcjellë rrethanat në Ballkan, por bën dhe rrënimin e gjithë asaj politike evropiane që me çdo ngulm e mund kishte investuar në një politikan të moderuar. Së dyti, zgjedhja e radikalit është edhe një shuplakë fytyre për gjithë atë trysni të vënë drejt Kosovës për të pranuar çdo propozim serb sa për të mos zgjuar atje radikalët. Tashti kur radikalët u zgjuan pavarësisht kompromiseve kosovare, dikush në Bruksel duhet të mendojë mirë e gjatë për konsekuencat e një politike kaq naive dhe për ndërrimin rrënjësor të qasjes ndaj Serbisë; ndoshta në Serbi “karota” nuk do bëjë punë asnjëherë. Së treti, e që është më e rëndësishmja për ne, një zgjedhje si kjo tregon mentalitetin e një kombi të tërë që u kthehet vlerave radikale, nacionaliste e fashiste të viteve 90-ta. Serbët pas gjithë atyre luftërave, masakrave, krimeve njerëzore e kush e di çka tjetër, me votat e dhëna drejt Nikoliqit si trashëgimtar i Sheshelit, e Daçiq si trashëgimtar i Milosheviqit, japin një mesazh sa dëshpërues aq edhe patetik për vizionin e tyre drejt një fqinjësie potenciale. Ata jo që nuk janë penduar për sjellje çnjerëzore të bëra në vite, por shkaktarëve kryesorë politikë të kohërave të errëta u rijapin fuqi, forcë e autoritet, duke ushqyer kështu apetitet e gërditshme për dominancë ndaj të tjerëve.
Në gjithë këtë fotografi ne duhet të bëjmë politikë, jo kreative, por paraprijëse. Fillimisht ne duhet t’i heqim iluzionet se Serbia do të ketë ndonjëherë edhe tendencën më të vogël pozitive ndaj nesh. E nëse zhvishemi nga iluzionet si këto ne dhe do të kuptojmë pakuptimësinë e zhvillimit të dialogut me ta. Në fund të fundit çfarë ke për të biseduar me një shtet që të thotë se ti nuk duhet të ekzistosh?! Për më tepër, si mund të bisedojmë me fashistë e racistë që në vazhdimësi shprehin admirim për zhdukjen tënde me kreacione që edhe Hitchcock-u do i kishte lakmi; vazhdimi i dialogut me radikalët e nacionalistë është tërësisht i pakuptimtë, me ta njeriu mund të takohet vetëm në nishan. E tërheqja nga çdo hap dialogues me pretekstin e mosdëshirës për të dialoguar me radikalë është dera dalëse e vetme për Kosovën që në procesin dialogues ka hyrë pa konsensus të brendshëm, pa ndonjë garanci në përfitime e pa ndonjë ide se ka duhet të shkohet. Në fund të fundit ne dhe duhet të bëjmë politikën tonë ashtu siç na e do nevoja e mbrojtjes së interesave nacionale e jo si një diplomat i Brukselit sheh interesat rajonale; madje pas zgjedhjeve të fundit në Serbi është e qartë se diplomati brukselian nuk ka lidhje me politikë.
Së dyti, Kosova ka mundësinë e shkëlqyeshme që të fitojë poenë politikë përballë bashkësisë ndërkombëtare. Le ta themi troç, me zgjedhjen e Nikoliqit si president vendi, Serbia ka qëlluar veten në këmbë. Reagimi i mediave ndërkombëtare ishte sa befasues aq edhe ngjallës i dëshpërimit. Në çdo lajm të huaj nënvizohej preferenca pro-ruse e presidentit të ri serb si dhe dyshimet e vëna nga ai për orientimin evropian. Pra radikali serb ka një barrë e njollë (nga historia që ndërtoi ai vetë) që Kosova mund ta shfrytëzojë me mjeshtëri po deshi e diti. Mjafton që nga një shfletim i lehtë në Google të nxjerrësh gjithë ato deklarata skandaloze të bëra nga radikali serb jo vetëm për shqiptarët, por dhe për popujt tjerë të Ballkanit, e besa dhe për vlerat perëndimore. Pse mos t’ia bëjmë me dije botës se me çfarë pale kemi të bëjmë?!
Së treti, ne sot kemi një Serbi që megjithatë nuk paska ndryshuar, madje përkundër bindjeve të kryenegociatores sonë naive që në disa raste shprehte me plot zell lajmin se Serbia megjithatë nuk është ajo e vjetra; ne sot kemi një Serbi radikale të trashëgimtarëve të Sheshelit e Milosheviqit që domosdo do të rrotullojë qasjen e vendit të tyre ndaj nesh. Dhe këtë rrotullim do ta nisin nga veriu ku radikalizmi shitet dhe më shumë. Për ne kjo ka rëndësi për të definuar politikën tonë ndaj veriut meqë përderisa radikalët (tashti institucionalë) do të nxisin masat serbe në rebelim e urrejtje ne do t’u ofrojmë atyre kioska, zyra biseduese, tavolina negociuese e broçkulla si këto. Nga ky vit shpresat se dialogu dhe bisedimi si mjete të vetme për dhënien e zgjidhjes për veri janë të vdekura. Serbët atje do të marrin më shumë zemër, më shumë para e më shumë mbështetje për të protestuar, rrënuar e refuzuar çdo tendencë paqësore kosovare. Ata tani kanë një shpinë të mbuluar mirë. Në rrethana si këto Kosova duhet vetëm të reflektojë. Këtë herë me më shumë mend e edhe me më shumë forcë. Ne duhet urgjentisht të shfrytëzojmë antipatinë evropiane për radikalizmin serb duke dërguar mekanizmat e ligjit në veri. Reagimi radikal në Beograd do të jetë vetëm reagim fjalësh me një gjuhë domosdo urrejtjeje e nxitëse e dhunës, por që do të reflektonte edhe më shumë antipati ndërkombëtare. Nuk shoh asnjë qeveri evropiane të renditet në vijë me radikalët serbë. Në gjithë këtë hallakamë, po patëm mend, veriu do të vihej lehtë nën spektrin e ligjit, pas të cilit oferta jonë do të ishte e njëjta për serbët jugorë, pra Pakoja e famshme e Ahtisarit.
Çfarë unë megjithatë kam frikë të shoh është vazhdimi i amatorizmit politik nëpërmjet vazhdimit të dialogut me radikalët serbë përkundër mosrespektimit të asnjë marrëveshjeje paraprake. Kam frikë të shoh dhe zbutjen tonë përballë nacionalizmit në rritje në veri e me këtë dhe kthim mbrapa në disa vite. Dhe në fund, kam frikë të shoh paaftësinë tonë për të shndërruar këtë miniavantazh të dhënë nga vendimi kamikaz serb në një çelës të zgjidhjes sonë përballë interesave proevropiane. Në gjithë këtë fotografi do të jem mjaft kurioz të kuptoj se kush ka tagër e guxim të shtrëngojë dorë me pasardhësit e kasapëve të Ballkanit.
No comments:
Post a Comment