Friday, 4 May 2012

KTHIMI NË ZERO MINUS

LETRA NGA LIMBO
KOHA DITORE, 4 MAJ 2012


Vet ideja se Kosova është rikthyer në marrëdhënie kontraktuale me Fondin tregon se progresi është tërësisht relativ, se progres në kthim ka vetëm kur dikur ke pasur regres, prandaj dhe quhet kthim


Fondi foli prapë. Këtë herë gëzimi e glorifikimi i institucionalistëve tanë kishte marrë qiellin. Jo se duhej bërë ndryshe. Kthimi i marrëveshjes kontraktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar është lajmi më i mirë që vendi ka marrë në kohë. Të paktën me një konfirmim të tillë ne sot mund të flemë të qetë se financat publike nuk do të dridhen më shumë; tani për tani. Por mes ndjenjës glorifikuese që Ministri dha në konferencën e së dielës dhe një sërë deklaratash të dhëna nga Fondi në faqen e tyre online, njeriu kupton brishtësinë e një gëzimi të tillë; kupton dhe ironinë e dëlirit për kthim në zero. Në zero dhe ne jemi kthyer me marrëveshjen e re. Vet ideja se Kosova është rikthyer në marrëdhënie kontraktuale me Fondin tregon se progresi është tërësisht relativ, se progres në kthim ka vetëm kur dikur ke pasur regres, prandaj dhe quhet kthim. E nëse duhet gëzuar progresit pas regresit atëherë çfarë do bënim po u gëzuam progres pas progresit?! Apo dhe më e rëndësishmja, pse bëmë fillimisht regres dhe ku qëndron gëzimi margjinal në dallim prej para-regresit? Kosova më ngjason si një lojtar pokeri që gëzohet e çirret sepse pas një nate të tmerrshme ai ka kthyer një pjesë të humbjeve; për këtë ai bën festë. Unë sot do të argumentojë se kthimi në marrëdhënie kontraktuale nuk është as kthim në vitin 2010, se ne kemi humbur jo vetëm pako financiare që nuk kthehen dot por se pasojat e ndërhyrjeve kirurgjike në buxhet për të balancuar librat financiar të shtetit pas prishjes së marrëveshjes kanë dhënë defekte ekonomike serioze për të cilat Qeveria hesht e bëhet se nuk din gjë.

Sidoqoftë, para se të provoj të qartësoj dëlirin e Qeverisë, më lejoni të ju kujtoj se një marrëveshje të tillë kontraktuale Kosova ka pasur me Fondin qysh në vitin 2010, Korrik më saktësisht. Kjo marrëveshje u zhbë gjashtë muaj pas nënshkrimit të saj nga një proces premtues/blerës i votave që në esencë kishte një rritje të pagave për shërbyesit publik. Zhbërja bëri që vendi (që nga atëherë) të humbë plot 110 milionë kredi nga Fondi dhe plot 100 milionë ndihma të tjerë (në dy vite të njëpasnjëshme) nga Komisioni Evropian. Për kureshtarët e skeptikët financiarë, për të parë humbjen në fjalë duhet vetëm krahasuar tabelat buxhetore të para zgjedhjeve dhe ato pas tyre. Çdo kundërshtues i numrave të bërë publik është o injorant i paditur o mashtrues që ka qëllim kamuflimin dhe propagandën.

Dhe humbja e ndihmave financiare bën pikën e parë të argumentit tim se pse rinënshkrimi i marrëveshjes nuk është as kthim në 2010-ën, e lëre më shumë. Të humbësh plot 200 milionë euro në më pak se dy vite do të thotë mjaft për një ekonomi kaq të mjerë si e jona; do të thotë humbje e drejtpërdrejtë e parasë, do të thotë dhe stagnim në tërheqjen e investitorëve meqë për gati dy vite ti ke qenë vrimë e zezë financiare, dhe do të thotë mungesë totale e efekteve multiplikatoriale nga paratë në fjalë sikur ato të futeshin në treg dy vite më parë. Po filloj të ridëgjoj argumentin e proqeveritarëve se ndihmat megjithatë nuk janë humbur pasi që ato janë rimarrë, por, për ti mbytë këto fizkultura qysh në fillim, ju kujtoj se marrëveshja e parë (tanimë e prishur) me Fondin është paraparë të përfundojë në Dhjetor të vitit 2011. Sikur ne të mos shkatërronim marrëdhëniet kontraktuale pas zgjedhjeve, sot, mu në këtë datë të marrëveshjes së re ne do të kishim pakon e dytë të kredisë me Fondin; pra kjo do të ishte një marrëveshje e radhës me ta. Është njëjtë si të thuash se nuk kam humbur pagën e Prillit meqë kam marrë të Majit. Përveç kësaj paratë e Komisionit Evropian, plot 100 milionë euro, janë të humbura në çdo interpretim meqë ato nuk kanë mundësi rikompensimi fare; pra për to nuk ka Maj e Qershor fare, meqë në Prill ne morëm pushim.

Së dyti, kosto më e rëndë nga një aventurë regres-progres-zero, është transformimi i krizës financiare në krizë ekonomike. Për të bërë progresin pas regresit e për të kthyer kështu gjendjen në pikën zero, institucionet tona janë detyruar të bëjnë kompromise që për habinë time më të madhe nuk bënë bujë asnjëherë. Nuk bënë bujë meqë shkurtimet në fjalë ishin të qeta dhe pa shumë zë. Thënë të drejtën ato nuk morrin asnjëherë aprovimin e Parlamentit, ani pse ky institucion është i vetmi që jep izë për paranë publike. Sidoqoftë, për të rinënshkruar marrëveshjen, Kosova vitin që shkoi i shkurtoi plot 65 milionë euro dhe 25 milionë të tjera këtë vit; pra gjithsej 90 milionë. Thënë shkurt, për të rimarr kredi prej 90 milionëve nga Fondi vendi u detyrua të shkurtojë 90 milionë të tjerë. E shkurtimi i këtyre 90 milionëve bën defektin e parikuperueshëm në vend. Fillimisht, paratë e shkurtuara ishin nga investimet kapitale dhe nga subvencionet e energjisë. Në mungesë të investime jo-autostradë në vend, shkurtimi i atyre pak mjeteve për kapital ka bërë që ne sot të mos kemi as edhe një rrugë të vetme që ndërtohet nga paraja publike. Mungesa e një zhvillimi të balancuar rajonal si pasojë e mungesës proporcionale të investimeve bën që shumë qytete kosovare të mbesin në prag të varfërisë e rrënimit industrial (ani pse simbolik). Në anën tjetër, në mungesë të subvencioneve në energjetikë, çmimi i energjisë elektrike domosdo do të rritet. Këtë rritje do ta paguajnë jo gjithë kosovarët, hiç se hiç vjedhësit e rrymës, por paguesit e rregullt të saj. Rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë në rritjen e çmimeve të shportës së konsumatorit e rrjedhimisht ulje të fuqisë blerëse të tyre, pra inflacion.

Së treti, nën presionin e madh të kohës, për të rritur të hyrat e shtetit, mekanizmat mbledhës u detyruar të rrisin performancën mbledhëse. Rritja e performancës pa rritje të mekanizmave mbledhës do të thoshte mision i pamundur. I mundur u bë kur u targetuan vetëm bizneset e rregullta e jo informalistët e evazionistët e lidhur ngushtë me grupet e interesit. Në një qasje të tillë kur ti rritë barrën e paguesve të rregullt dhe lë anash të parregulltit, ti ke krijuar një treg të çrregulluar. Pa habi se në vitin 2011 për herë të parë që nga paslufta barriera kryesore e të bërit biznes është konkurrenca e padrejtë e prodhuar tërësisht nga trajtimi i pabarabartë i agjentëve ekonomikë. Ky trajtim i pabarabartë vjen mu nga nevoja e çoroditur për të mbledhë në nguti ku të mundesh sa të mundesh.

Së katërti, për të rikonfirmuar pasojat nga një aventurë e tillë, letra e parafundit e Fondit që rillogaritë rritjen ekonomike për këtë vit nga 5.1% në 3.8% është argumenti më valid për një destrukcion ekonomik. Kur ke nevojë për rritje prej 10%, planifikon vet 8%, të planifikojnë të tjerët 5% e realizon 3.8%, tregon më së miri se sa keq ke katandisur punët. Dhe jo vetëm kaq. Raporti i Progresit në vazhdimësi na tregon se rritja jonë ekonomike nuk është rritje proporcionale por rritje e pasurisë së një grupi të ngushtë njerëzisht, prandaj një përbërje e tillë e rritjes ekonomike nuk krijon vende pune e ulje të varfërisë. Përveç kësaj, me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, të sapoaprovuar, rritje të pagave në sektorin publik nuk do të ketë (së paku) deri në vitin 2015. Me ritme të tanishme të inflacionit, e që u shkaktuan kryesisht nga rritja e pagave dhe nga presioni në paguesit e rregullt, fuqia blerëse e përfituesve të rritësve në vitin 2015 do të mbetet e njëjtë si para rritjes.

Për të rikapituluar ciklin e efekteve ekonomike që nga mbajtja e zgjedhjeve, premtimi për rritje të pagave dhe ndërtimi i autostradës në një periudhë kaq të ngushtë kohore ka bërë që vendi, përpos që të humbë plot 200 milionë euro në më pak se dy vite, edhe të shkurtojë buxhet për aq sa tani merr kredi. Ky shkurtim ka obliguar mekanizmat mbledhës të mbledhin më shumë, mbledhja më shumë pa mekanizma shtesë nënkupton shtimin e presionit dhe barrës tek paguesit e rregullt si dhe ndaljen e subvencioneve, shtimi i presionit tek ta ka ndaluar trendin e krijimit të vendeve të punës ndërkaq ndalesa e subvencioneve do të shtrenjtojë çmimin e energjisë duke rezultuar përfundimisht në inflacion, e inflacioni rekord nëpër vite ka ulur dhe do ulë fuqinë blerëse të kosovare në vazhdimësi. Në përfundim të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, pra në vitin 2015, kosovarët që patën fat për paga më të larta do të kenë fuqi blerëse të njëjtë me vitin 2010, të tjerët që morën ngurtësim të pagave (kryesisht nga sektori privat) do të kenë  si të vitit 2008, e të papunët e shkretë si asnjëherë më parë. Në gjithë ketë ecje ne do të kemi humbur disa vite të mira. Një cikël i tillë shkak-pasojë kam përshtypjen se ka pasur gjasën e një topi bore në ferr që të ketë qenë ndonjëherë pjesë e analizave ekonomike financiare në vend.

Qeveria mund të gjejë argument e të thotë se ne dhe ritëm pagat dhe ndërtuam autostradën dhe rikthyem marrëdhëniet me Fondin; anipse e njëjta nuk do të përmendë humbjen e parave, rëndesën në sektorin privat, inflacionin e degradimin e rritjes ekonomike. Do të bëjë këtë meqë koncepti ekonomik i yni është i mbështetur tërësisht në numra, e aspak në ekonomi. Pra ne nuk bëjmë ekonomi por bëjmë financa. Një Qeveri me pak koncept të qartë ekonomik do ti bënte të gjitha dhe pa rikthim, pa humbje, pa inflacion e me rritje. Për të balancuar raportet me FMN-ën, qysh në vitin 2010, do të shpërndante barrën e autostradës nëpër disa vite, e jo tre. Do të rriste gradualisht pagat në sektorin publik për të mos ushqyer kështu inflacionin e shpejtë siç e kemi ushqyer e ushqejmë tani, dhe do të rriste të hyrat nga luftimi i evazionit fiskal në 40% të shitjeve e jo targetimin e të rregulltve. Kështu së paku sektori privat do ti mbijetonte presioneve të politikave qeveritare dhe do të ecte qëndrueshëm nëpër vite për të krijuar vende të reja pune e zbutje të varfërisë e për tu bërë kështu shtytës kryesor i rritjes ekonomike. Paratë e Fondit dhe Komisionit Evropian në anën tjetër nuk do të humbeshin në dy vite, sot ne do i kishim plot 200 milionë shtesë. Me ecjen e sodit ne edhe kemi humbur para, edhe kemi rënduar bizneset, edhe kemi bërë inflacion e edhe kemi rënduar fuqinë blerëse të kosovarëve shumëherë më rëndë se më parë.

Në fillim të këtij shkrimi thash se lajmi i kthimit të marrëveshjes me Fondin është i këndshëm sepse na thotë se të paktën ne kemi ndalë ecjen financiare në teposhtëze. Kjo nuk do të thotë se sot kemi kilogramë më shumë e dukemi më mirë; përkundrazi një ecje e tillë na ka lodhur fizikisht, na ka djersitur sa nuk bëhet më dhe na ka këputur këmbët për të rimarrë vetën. Prandaj rikuperimi i aventurave të tilla financiare do të jetë tejet i largët dhe tejet i rëndë.

No comments: