Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 QERSHOR 2012
Tregimet për vdekjen e Parlamentit, largimin Evropian e diplomacinë e
puthjeve
“Ta
dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na
shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq,
por të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë ju them, se u
bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni punoni. O Shqiptarë,
rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla.
Dhe përmbi të gjitha, heshtni. Jo fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo
misione, po kazmën” (Faik Konica, 1922).
Përralla 1: Devijimi, Gabimi dhe
Zhvlerësimi
“Rekomandim
do të thotë këshillë”, thoshte kryeparlamentari Krasniqi në mbledhjen e fundit
të Parlamentit të Republikës, sa për të përshkruar me perfeksionin më të madh agoninë
në të cilën është futur institucioni tij, vota e qytetarëve të tij, e vendi i
tij. “Rekomandim do të thotë këshillë” shpjegon dhe tashmë traditën e devijimit
të argumentit sa herë që zihen në qoshe verbuesit e politikave totalitare në
vend. Së pari, me një shpjegim kaq të panevojshëm, thuajse Kosova nuk bën dot
kuptimin e fjalës “rekomandim”, institucioni i popullit mundohet të largojë
gjithë diskutimin nga thelbi i argumentit, e që në esencë është se pse
Parlamenti vazhdon bisedimet me Serbinë kur ka të zhdukurit që i kalben pa
varre. Dhe së dyti, me një shpjegim të
tillë i bëhet me dije gjithkujt se në Kosovë ka gjithçka veçse sistem
demokratik; në këtë sistem Parlamenti ka humbur gjithë rëndësinë, peshën e
fuqinë që ka pasur ndonjëherë. Parlament më të lodhtë, më të pafuqishëm e më
skandaloz se ky tani, Kosova nuk ka pasur asnjëherë.
Për
ti shpjeguar kryeparlamentarit dhe të tjerëve, kosovarët nuk vuajnë nga mungesa
e dijeve për sinonime, ndonëse për një pjesë të madhe të politikbërësve një
konstatim i tillë dhe mund të mos qëndroj, por kosovarët vuajnë nga mungesa e
zërit të tyre në një qeverisje që përjashton çdo agjendë e mendim ndryshe nga
ai i mbretit. Nëse vendimet e Parlamentit të Republikës, institucionit të vetëm
ligjvënës në Kosovë janë asgjë më shumë se sugjerime, i bie se në një përkthim
të thjeshtë kosovarët kanë të drejtë të bëjnë një dëshirë, këtë dëshirë ta ngrijnë
nëpërmjet votës së tyre në Parlament e më pas kjo dëshirë të përcillet tek
mbreti, i cili më pas në varësi nga disponimi në mëngjes mund të vendosë për
ose kundër një dëshire të tillë. E kjo nuk bën demokracinë!
Nëse
Parlamenti bën rekomandime, atëherë a bëhen rekomandime dhe të gjitha ligjet që
ky institucion nxjerr? Nëse fjalët e Parlamentit janë rekomandime atëherë nga
sot të gjithë dy milionë e ca kosovarë mund të shpërfillin me lehtësinë më të
madhe rekomandimin e Parlamentit për, le të themi, pagesën e tatimeve; nga sot
neve edhe nuk na pëlqen kjo këshillë. Ide të tilla minimizuese që vijnë nga
tempulli i votës bëjnë paradoksin institucional, vënien e anarkisë nga vet
institucionet.
Stili
i debatit, pra heqja e vëmendjes, si dhe vendimet rekomanduese, pra zhvlerësimi
i Parlamentit, nuk janë risi për Kosovën. Ato veçse po bëhen të zakonshme.
Kujtoni rastin e mocionit të reciprocitetit të nxjerrë në janar të këtij viti;
është kopje identike e këtij të tanishmit. Edhe atëherë sikurse tani debati u
devijua duke thënë se “ne nuk mundemi të rregullojmë tregtinë me Serbinë kamion
për kamion” ani pse as edhe një zë nuk kërkonte një gjë të tillë. E tëra çfarë
kërkohej atëherë ishte reciprocitet në dokumente e trajtim, por jo në sasi.
Edhe atëherë sikurse tani, kur mocioni kaloj (ndoshta në befasi) u tha se
deputetët nuk kishin ditur për çfarë kishin votuar. Kjo bën hapin e dytë të
tendencës zhvlerësuese. Ndonëse nuk dyshoj se një pjesë bukur e mirë e tyre dhe
nuk kanë haber se për çfarë janë aty, lëre më të japin kokërr, në esencë shkasi
i mosaftësisë për të bërë dallimin në votim është veçse një mjet i parafundit
në rrënimin e Parlamentit; i fundit është rekomandimi. Edhe tani sikurse në
rastin e reciprocitetit, kur devijimi nuk bëri punë, kur padituria në votim nuk
piu ujë, u tha se vendimet e Parlamentit janë vetëm rekomandime.
As
që dua të arsyetoj e argumentoj mbi nevojën e zbardhjes së fatit të të
zhdukurve si parakusht për negociata tanimë me radikalët serb, kasapët e fundit
të Evropës. Me pak fije dinjitet, me pak fije fytyrë, me pak fije dhimbsuni për
familjet që nuk flenë qetë tash e trembëdhjetë vjet, të vetë-shpallurit patriot
të fundit të Kosovës, “heronjtë” e gjallë e “kontribuuesit” e papërsëritshëm të
gjithçkaje që na rrethon, do të duhej të vënin gishtin në kokë, merrnin frymë
thellë e të mendonin për pak kohë me zemër e mend. Për pak kohë të thonin atë
çfarë sensi i gjithë shqiptarëve të Kosovës e përtypë mëngjes e darkë, se pa
zbardhjen e fatit të të zhdukurve, pa kërkim falje, pa zhbërje të tendencave
shfarosëse, ne nuk kemi pse të ndajmë tavolinën me shtetin serb.
Përralla 2: Konspiracioni
evropian
“BE
rëndon kushtet për Kosovën” ishte titulli i ballinave kosovare javën që shkoi,
sa për të shpjeguar relacionet e getos së fundit evropiane me familjen e
vlerave moderne. Tashti, “BE rëndon kushtet për Kosovën” tregon dhe për
katandisjen e punëve brenda. Së pari, kriteret e BE-së janë të njëjta; ato
thjeshtë janë standarde që duhet përmbushur. Largimi ynë nga këto standarde, në
fakt, është rëndesë e vet kushteve. Faj nuk na ka kush që zhvlerësojmë
Parlamentin, faj nuk na kush që vjedhim shtëpinë, faj nuk na ka kush që krimi i
organizuar e mafia na sorollaten si në bahçe të babës. Kushtet i rëndojmë vet
se vjedhim vota, vjedhim pare, vjedhim ardhmërinë. Kushtet i rëndojmë vet se
kontrollojmë gjyqe e polici, media e administratë, universitet e shëndetësi.
Fjala
shtet është fjalë e madhe. Është më tepër se sa rahatimi i familjeve, mëhallëve
e akrabave në kurriz të vlerave të drejta. Fjala shtet do të thotë vullnet për
të bërë drejt, për të ndërtuar institucione që do mund të të gjykojnë edhe kur
nuk e ke me vend, e jo që të ndërtosh institucione, ti kontrollosh e më pas të
thirresh në rend institucional, ani pse në shumicën e rasteve as ti shqiptosh
drejtë nuk di.
Por
ne nuk do të jemi asnjëherë të sinqertë me kosovarët tanë. Do tu themi se
“Evropa shtrigë”, ajo “plaka e vjetër” ka zili e inat ndaj nesh. Do tu themi se
pesëqind e një milionë evropianë të BE-së, kanë zili e inat ndaj 2 milion
shqiptarëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të jenë të fundit në Evropë që nuk mund të marrin dot liberalizimin e
vizave, ani pse prijësi i tyre vite më parë i kishte premtuar lëvizje të lirë në
pak muaj, dhe në një paraqitje tjetër kishte thënë se premtimi i tij ishte
realizuar (kjo bën pjesë në atë filozofinë politike devijuese si në rastin e
Parlamentit). Kosovarë, ata zili nuk na kanë, as inat. Por ashtu siç jemi sot,
përderisa vjedhim paranë publike, lejojmë mafiozë e giliptera të na bëjnë
rregullin e rrugëve, përderisa i bëjmë gjithë të zezat e botës, ata nuk na
shohin fare. Këtu, fjalët e Konicës do të jenë gjithnjë me vend (Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar
jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, por të gjithë na përbuzin e na kanë për të
poshtër) .
Dhe
me të njëjtin stil na u trajtua kërkesa e sportistes tonë më me nam, Majlinda
Kelmendit, e cila jo që nuk u lejua të garojë me ngjyrat e shtetit që u njoh
nga plot 90 vende të Kombeve të Bashkuara, por as si e pavarur, siç dhe ishin
praktikat e mëhershme në raste me konteste. Dhe ndodh kështu meqë Majlindën nuk
ka kush ta mbrojë në organizime të tilla, ndodh kështu meqë shteti i saj po
hahet në vete. Shteti i Majlindës ka punë më të mençur se sa përfaqësimi me
dinjitet; e ka hajninë në rend të parë. Mos më keqkuptoni. Mbledhja e fundit e
Komiteti Olimpik është vetëm një finale e një sërë matrapazllëqeve të bëra nëpër
vite. Sikur ne të bënim shtet në këto 13 vite, e jo pasuri për politikanë tanë,
sikur ne të bënim drejtësi, e jo rrënim institucional, Kosova sot do të ishte
vendi më simpatik në botë. Do të merrej shembull i diplomacive ndërkombëtare se
si mundi perëndimor nuk ka shkuar huq. Në vend të kësaj, sot disa nuk të
presin, disa nuk duan të jenë me një foto me ty, disa të takojnë në korridoret
e aeroportit, e të tjerë nuk të llogarisin fare. Siç janë gjërat tani, ne në
Evropë vetëm me” fustan lartë e brekë kërkah” – kështu po se po bëhemi lajm!
Përralla 3: Diplomacia e
puthjeve
“Kafene
të tejmbushura në pasdite... të rinj me puthje në rrugë” thoshte paragrafi i
Strategjisë së Diplomacisë Ekonomike që Ministria e Punëve të Jashtme kishte
nxjerrë në përpjekje për të tërhequr investitorët potencial. Fjalët “...me
puthje në rrugë” tregojnë dhe brishtësinë e qeverisjes kosovare e cila nëse
asgjë tjetër është e mbushur me njerëz totalisht të paditur, pa përgjegjësi e
pa fije dëshire për të bërë punë serioze për vendin. Po mund ta parafytyroj
shkruesin e rreshtave si këto, një i ardhur me porosi, me lidhje familjare, e i
cili për atë vend ka larguar dhjetë të tjerë; studentë të dalluar e shkolluar
mirë, mu si puna e atyre marrësve të bursave të Komisionit Evropian që kishin
mbetur pa punë edhe pas përfundimit të studimeve.
Nuk di se a e dinë hartuesit e kësaj paçavure çfarë
do të thonë fjalët “strategji”, “diplomaci” e “ekonomi”? A e dinë “diplomatët”
tanë që mburren me stafin që kanë, se përtej një fjale që tingëllon bukur,
“diplomacia” është shkencë që ka gjithçka veçse “puthje e kafene të të rinjve”.
A e dinë “diplomatët” tanë se “strategji” nuk është një menu kafiterie, por një
vizion e hartë; është një shtyllë? A e dinë “diplomatët” tanë që koncepti “ekonomi”
nuk bën vizitën nëpër sheshe e kafene të mbushura me të rinj, por një tansi
sjelljesh që... nejse. Ata nuk dinë gjë!
Problemi
në esencë është se ne hartojmë e hartojmë dokumente sa për sy e faqe, përfshirë
edhe diçka si ky i puthjeve, apo sikurse ai i Bullgarisë muaj më parë, por në
fund të ditës i zhvlerësojmë pa fije brenge. Dhe kjo për dy arsye, një, sepse
si në rastin e puthjeve e i Planit Bullgar, ne prodhojmë një dokument në
nuancat e kualitetit të një hartimi të një nxënësi mesatar në fillore, dhe dy,
sepse ne nuk besojmë në dokumente,e planifikime e vizione. Ne thjeshtë besojmë
në intuitën e mbretit. Thënë këtë, në fund të ditës, ne besojmë në fjalë, fjalë
dhe vetëm fjalë. Në fund të ditës ne merremi me fjalorë në Parlament sa për të
humbur fijen e argumentit, merremi me teori të konspiracionit për sjelljet e
Evropës ndaj nesh, e merremi me puthje si atraksion i diplomacisë ekonomike.
Prandaj,
“o Shqiptarë, rrëmbeni kazmat! Puna është më e
lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni. Jo
fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën”.