Lumir Abdixhiku
KOHA PËR GRUAN
8 MARS 2012
8 MARS 2012
Femra kosovare mund ti jep vendit jo vetëm potencial të brendshëm zhvillimor por dhe përparësi krahasuese në rajon po pati mundësi të barabartë në zhvillim e krijim
Të shumta janë rastet kur një grua kosovare sot bën shembullin e një kontributi esencial në një institucion privat apo publik, madje në raste specifike ajo tregohet shumëherë më kreative, shumëherë më vizionare e shumëherë më e inovative se meshkujt. Një ecje e tillë të bën të kuptosh se potencialet e gruas kosovare janë po aq të njëjta sa të meshkujve dhe në një ambient të barabartë konkurrues suksesi i tyre do të ishte lehtësisht evident. Megjithatë, në stadin e tanishëm të zhvillimit ekonomik, ku anomalitë biznesore bëjnë përditshmërinë, jo shpesh mund të mburremi me hapësirën, trajtimin apo dhe besimin që shoqëria kosovare ka ndaj rrolit të gruas në ekonomi. Ndoshta normat tona shoqërore dhe sjelljet patriarkale në familje, shoqëri e punë bëjnë pengesat e gruas kosovare sot, apo dhe ndoshta hezitimi i vet gruas për të marrë iniciativë hendikepon dhe më shumë pjesëmarrjen e saj në fushë konkurruese. Por, në parim, pavarësisht barrierave suksesive gruaja kosovare po morri mbështetjen dhe barazinë mund lehtësisht të ecë drejt një participimi më thelbësor në ekonominë e nesërme të Kosovës.
Gratë kosovare janë konsideruar në vazhdimësi si potenciale të pashfrytëzuara të talentit biznesor nga një numër i konsiderueshëm i organizatave vendore e ndërkombëtare. Megjithatë, shfrytëzimi i këtij potenciali ka mbetur larg niveleve të pritshmërisë. Të dhënat tona zyrtare mbi strukturën e bizneseve tregojnë se dallimet mes pronësisë në gjini janë signifikante dhe evidente. Femra kosovare sot në përgjithësi ka tendencë që të jetë pronare e bizneseve më të vogla në madhësi, të operojë me kapital shumëherë më të ulët se meshkujt, të themelojë e funkcionalizojë biznese në sektorë me vlerë kryesisht të vogël dhe të kenë barriera më të mëdha sociale, kulturore dhe ambientale.
Të dhënat nga regjistri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë japin pasqyrën e qartë të këtyre karakteristikave. Këto të dhëna tregojnë se nga gjithsej 65 mijë biznese aktive në vend, vetëm 11% janë nën pronësinë e gjinisë femërore. Ky 11 përqindësh flet shumë po u vë në një krahasim regjional dhe më gjerë. Sipas raporteve të OECD-së, mesatarja e vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara është rreth 20%; pra një e pesta e biznesve në vendet në zhvillim dhe atyre të zhvilluara është nën pronësinë e grave. Kosova dukshëm ka arritur pak më shumë se gjysmën e objektivit të një vendi në zhvillim. Për më tepër, rreth 99.9% e bizneseve nën pronësi të grave kosovare janë biznese mikro, apo me 1 deri në 9 punëtorë. Vetëm 0.01% të tjera kanë madhësi të vogël e të mesme; asnjë të madhe. Diferencat gjinore në karakteristikat e bizneseve vërehen edhe nga numri mesatar i të punësuarve. Përderisa një biznes nën pronësi të meshkujve punëson në mesatare 5.27 punëtorë, një biznes në pronësinë e femrës punëson jo më shumë se 3.07 punëtorë. Një strukturë e tillë në madhësi tregon se ndërmarësia e grave ballafaqohet me pengesa e barriera serioze në rritjen e tyre dhe për më tepër këto barriera janë dukshëm më evidente kur bëhet fjalë për gratë. Pothuajse të gjitha këto biznese nuk arrijnë dot të rriten në madhësi, në punësim apo dhe qarkullim dhe kjo në vete është hendikepuese për perspektivën afatgjate të tyre.
Të dhënat e fundit në Riinvest japin një qartësim më të thuktë ne barrierat e rritjes dhe zhvillimit të këtyre bizneseve. Për dallim nga meshkujt, qasja në financa është pengesë që vlerësohet dukshëm më lartë nga gratë ndërmarrëse. E njëjta rrezikohet kryesisht nga restrikcionet e bankave që kanë ndaj besueshmërisë së grave për të bërë biznes. Për më tepër, mbajtja e patundshmërive kryesisht nën pronësinë e meshkujve dëmton dukshëm mundësinë e gruas kosovare për të pasur një qasje dhe garanci më të lehtë financiare. Aspak më lehtësuese nuk bëhet trashëgimia e pabarabartë gjinore në Kosovë, duke e lënë kështu femrën kosovare qysh në fillim në disavantazh dhe pa shumë kapital e mundësi për të bërë biznes. Një ndihmesë e lehtë në zbutjen e kësaj barriere është treguar nga kreditë e institucioneve mikrofinanciare, të cilat për shkak të shumës së ulët financiare që bartin në vete kanë qenë më të prekshme edhe për ndërmarrëset femra. Barrierë po aq e rëndësishme bëhet dhe konkurrenca jo fer e prodhuar kryesisht nga nivelet e informalitetit, korrupsionit dhe forcimit të kontratave, madje për gratë prezenca e trajtimit të jobarabartë bëhet dhe më e rëndë. Ato në përgjithësi kanë tendencë të jenë më të mbyllura dhe më refuzuese ndaj burokracisë dhe rregullave të ndyta të tregut informal.
Diferencat gjinore bëhen të dukshme edhe në sektorët ekonomik. Femrat kosovare kryesisht janë të orientuara në sektorët e patregtueshëm, pa potencial të madh rritës dhe pa shumë vlerë të shtuar. Për shembull, deri sa 10% e bizneseve nën pronësinë e meshkujve bëjnë pjesë në sektorin e prodhimit, femrat janë të përfaqësuara me vetëm 3.1% nga totali i tyre në këtë sektor. Numër impresiv i pjesëmarrjes së tyre shihet në sektorët lidhur me punë sociale, shëndetësi apo dhe shitje. Në sektorët si ndërtimtaria, miniera, energjetika, institucione financiare apo dhe transport, pra në sektorë me vlerë më të lartë, pjesëmarrja e ndërmarrësve femra është zero. Një ndarje e tillë lë shumë vend dhe nevojë për ndryshime strukturore në të ardhmen.
Pavarësisht barrierave, rezultate inkurajuese vijnë nga mosha e bizneseve nën pronësinë e grave kosovare. Për t’iu kthyer sërish të dhënave zyrtare, rreth 50% e bizneseve të tanishme nën pronësinë e gruas kosovare kanë filluar aktivitetet e tyre në periudhën 2007-2012, përkund 34% në periudhën 2000-2006. Pjesa e mbetur prej 16% daton që nga paralufta. Për më tepër, mosha mesatare e ndërmarrësve femra në Kosovë është dukshëm më e ulët se e atyre meshkuj. Kjo strukturë e moshës së bizneseve në pronësi të grave kosovare nënvizon trendin pozitiv të tyre dhe jep një lloj shprese se pjesëmarrja e gruas në kontributin ekonomik do të vazhdojë të jetë në rritje. Padyshim se hapja e shoqërisë kosovare dhe rritja e tolerancës ndaj gruas ka ngritur pjesëmarrjen saj në biznes. Në të njëjtën frymë, aftësitë menaxheriale dhe operative të femrës kanë prodhuar shpeshherë shembuj suksesi. Kontributi i gruas nuk kufizohet asnjëherë vetëm në pronësi. Ky kontribut nëpërmjet punësimit dhe zotërimit të niveleve menaxheriale e operacionale ka bërë kontributin e vet biznesit dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.
Për të rritur pjesëmarrjen e gruas në biznes, për të ndryshuar nomenklaturën e tanishme gjinore të bizneseve them se një qasje shumëdimensioanle është domosdoshmëri e sodit. Kjo qasje shumëdimensionale kërkon përfshirjen intensive të institucioneve, agjensioneve e asociacioneve biznesore. Një qasje e tillë kërkon një ambient më të favorshëm dhe miqësor biznesor, një qasje më të lehtë në kapital dhe një trajtim më fer shoqëror. Për më tepër, ndryshimi i sjelljeve tona ndaj gruas nëpërmjet rritjes së besimit, dhënies së mundësisë madje dhe mbrojtjes së iniciativës femërore për ndërmarrësi është parakusht për një ambient që krijon vlerë. Femra kosovare ka shumë për ti dhënë ekonomisë së Kosovës. Të shumtë janë sektorët (nga ku dalloj tekstilin dhe procedimin e ushqimit) ku femra kosovare i jep vendit jo vetëm potencial të brendshëm por dhe përparësi krahasuese në rajon. Kosova ka nevojë të ndërtojë mbi këto përparësi. Femra kosovare ka shumë për ti dhënë Kosovës.
No comments:
Post a Comment