Saturday 31 March 2012

EVAZIONI FISKAL: Roli i Qeverisë në Moralin Fiskal (2)


LETRA NGA LIMBO
KOHA DITORE, 31 MARS 2012

Kodi universal i shteteve moderne se “vdekja dhe tatimet janë të pashmangshme” në Kosovë mund të tingëllojë si një thënie e bukur por pa fije përmbajtje. Studimet empirike për Kosovën në këtë fushë bëjnë përgjegjës qeverinë dhe qytetarët për thyerje të marrëveshjes kontraktuale. Të parët fajësohen për politikat e tyre buxhetore dhe sjelljet arrogante të dhëna në vazhdimësi, ndërkaq të fundit për mungesën e përgjegjësisë dhe ndjeshmërisë ndaj shtetit.

Ekonomitë e tranzicionit përmbajnë tipare që kryesisht mund të konsiderohen si pengesa në shumë procese të shoqërisë. Një nga tiparet e tilla në shumicën e rasteve është edhe roli i qeverisë dhe shtetit në ekonomi. Në njërën anë, vendimet dhe veprimet në sferën ekonomike varen dukshëm nga veprimet politike të qeverisë si dhe nga fuqia e lirisë së të vepruarit që ajo siguron. Në këtë kontekst pak kush mund të mburret me lirinë dhe liberalizmin e krijuar nga shteti kosovar për bërësit e ekonomisë. Në anën tjetër, përvojat nga vendet e ngjashme si ky i yni, forcojnë fuqinë e ndikimit të opinionit publik në rolin e mirëfilltë të qeverisë. Studimet empirike në Kosovë tregojnë se një nga arsyet se pse qytetarët nuk paguajnë detyrimet e tyre fiskale është besimi se qeveria shpenzon kot tatimet në vend të ofrimit të të mirave publike dhe shërbimeve; rrjedhimisht niveli i gatishmërisë vullnetare për të paguar tatime (apo morali fiskal) shënon rekordet më të ulëta të një vendi në zhvillim. Evazioni fiskal mund të konsiderohet si “përgjigje e arsyeshme” ndaj performancës së varfër të shtetit, duke shtyrë kështu relacionin qeveri-qytetar në një cikël domino. Përderisa qeveria kosovare gjen luks në blerjen e super veturave, dhënien e super mëditjeve, dhe e njëjta bëhet vegël e superpasurimit të shpejtë, përgjigja e kosovare pak është e pritshme të jetë admiruese.

Në këtë frymë, roli i qeverisë së Kosovës, që padyshim nuk kufizohet vetëm në sigurimin e kornizave institucionale, ndikon edhe ambientin ekonomik si dhe sjelljen e agjentëve që veprojnë në të. Me fjalë të tjera një euro e shpenzuar nga qeveria ndikon vendimin e qytetarëve apo bizneseve për të kontribuar apo jo vullnetarisht një euro shtesë në buxhetin e vendit. Një nga pasojat e një ndikimi të tillë negativ në obligimet fiskale shkaktohet edhe nga struktura komplekse e legjislacionit të tatimeve si dhe ndërrimet konstante që bëhen. Por “përgjigja e arsyeshme” e qytetarëve apo bizneseve nuk vjen vetëm si pasojë e kompleksitetit apo ndërrimeve konstante. Thelbi i një refleksioni të tillë qëndron në arsyeshmërinë, transparencën dhe efikasitetin e shpenzimeve qeveritare. Këto tri komponentë kryesore do të drejtojnë vendimin e agjentëve mbi relacionin me Qeverinë, në veçanti nivelin e moralit fiskal.

Një Qeveri mund të jetë transparente dhe efikase në shpenzimet buxhetore, megjithatë shpenzimet qeveritare mund të mos shihen si të arsyeshme nga taksapaguesit. Mungesa e investimeve që prekin drejtpërsëdrejti interesat e taksapaguesve dhe orientimi i fondeve buxhetore kryesisht në shpenzime për shërbime e benefite personale është një ndër thyerjet e para të marrëveshjes kontraktuale që një kosovar lidhë me qeverinë në momentin e përmbushjes së obligimit tatimor. Kur një qytetar paguan një obligim tatimor, pritjet e tij orientohen në kthimin e tyre në forma të rrugëve, rrymës, ujit, sisteme të kanalizimit, shkollave, shërbime shëndetësore, investime për krijim e vendeve të reja të punës apo përmirësimin e sistemeve të ndryshme ligjvënëse. Për trembëdhjetë vitet e fundit në Kosovë, pjesa më e madhe e shpenzimeve buxhetore nuk kanë gjetur arsyeshmërinë as për së afërmi tek taksapaguesit. Për më tepër, sjellja e shpërndarësve të parasë ka qenë absurde, naive dhe arrogante thuajse paratë publike ishin të trashëguara e lënë për ta. Në mungesë të plotë të arsyeshmërisë së shpenzimeve, thirrjet për oral fiskal (pra gatishmëri vullnetare) bëhen edhe më absurde, më naive e më arrogante.

Qeveritë mund të jenë të arsyeshme dhe transparente në alokimin dhe shpenzimin e buxhetit, megjithatë një mungesë në efikasitetin e një distribuimi të tillë rëndon percepcionet e qytetarëve po aq sa edhe mungesa e arsyeshmërisë. Efikasiteti i shpenzimeve qeveritare nënkupton efektin real të një euroje të dhënë në ekonomi. Me ciklin e tanishëm korruptiv në vend, ku një euro publike i jepet kushërinjëve, miqve e akrabave tjerë të vendimmarrësve, efikasiteti kuptimplotë bëhet i humbur. Një euro e dhënë tek një biznes fantom, që për qëllim ka shpëlarjen e parasë, ofrimin e shërbimit me kualitet më të ulët, e pasurimin e shpejtë, ka pak gjasa të prodhojë efekte në punësim e krijim të vlerës sa mund të ofrojë e prodhojë një biznes efiçent e me objektiv maksimizimin e profitit.
Ndoshta skenari më i rëndë dhe njëkohësisht më prezent në Kosovën e pas luftës është mungesa edhe e komponentit të tretë, atij të transparencës në pothuajse të gjitha vendimet qeveritare me theks të veçantë në shfrytëzimin e parasë publike. Tek ne me transparencë është rrumbullakur publikimi i një lajmi në faqe online, apo takimi për kafe me akterë. Pavarësisht kësaj, hapja e plotë e të gjitha informacioneve të rëndësishme publike siguron një bazë të shëndoshë për shpërndarjen e përgjegjësisë mbi akterët që potencialisht mund të bëjnë ndonjë shkelje, siguron një mbikqyrje mbi keq-menaxhimin dhe korrupcionin dhe së fundi siguron rritjen e besimit të publikut ndaj organeve vendimmarrëse që aktualisht konsiderohet të jetë në nivel mjaft të ulët. Por kur një Qeveri shpenzon një qerek të Bruto Produktit Vendor (rreth 1 miliard eruo) në një projekt të vetëm (autostradë), dhe mbanë sekret natyrën e shpenzimit të bërë, atëherë retorikat e një transparence bëhen pallavra. Principet e transparencës mbi shpenzimet qeveritare duhet të ndërtohen mbi parimin se qytetarët kanë çdo të drejtë informacioni mbi kontributet e tyrë në fondet buxhetore, në fund të fundit janë ata dhe vetëm ata pronarët e vetëm të kësaj paraje. Qeveria për ta është thjeshtë një argat; të paktën kështu do të duhej të shihej në një vend normal.

Ngarkesa tatimore, gjendja e rëndë ekonomike, si dhe faktorët e ndryshëm socio-demografik mbesin elementet thelbësore që mbajnë moralin fiskal të kosovarëve në gjendje të ulët. Shtuar kësaj edhe mospërmbushjen e pothuajse asnjë komponenti (arsyeshmërisë, transparencës dhe efikasitetit), atëherë thirrjet e vazhdueshme për reforma fiskale mund të shihen si plotësisht të arsyeshme.

Sistemi fiskal duhet të jetë i dukshëm para çdo kosovari dhe kjo duhet të jetë një ndër objektivat kryesore të Qeverive të ardhshme të Kosovës. Arsyeshmëria, transparenca dhe efikasiteti i shpenzimeve buxhetore janë parakusht për çfarëdo përgjigje pozitive të shoqërisë ndaj sistemit shtetëror, përfshirë këtu edhe sistemin fiskal. Ndonëse në asnjë mënyrë nuk mund të gjendet arsyeshmëria në veprimet evazive të kosovarëve, një sjellje me përgjegjësi e shpenzuesve të parasë do të hapte rrugë që të paktën kosovarëve një ditë mund tu thuhet “Mos pyesni çfarë ka bërë shteti për ju por pyesni çfarë ju keni bërë për shtetin” (J. F. Kennedy). Duke vënë në harresë se kush filloj domino-ciklin e rëndesës së relacionit qeveri-qytetar, institucionet publike  duhet marrë hapin e parë për ndërprerjen e tij. Një veprim i tillë do të inkurajojë qytetarët të ndihen më përgjegjës ndaj shtetit duke rezultuar kështu në rritjen e gatishmërisë së tyre për të paguar tatime, e që në fund do të prodhonte një cikël të ri shumë më tepër produktiv se ky tani.

No comments: