Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 MARS 2012
Është ironike që ndërmjetësuesi i dialogut u kujtoj kosovarëve politizimin e negociatave vetëm pasi ne shtrënguam dorën; trishtuese se i njëjti paralajmëroj kompromise dhe më të mëdha për Veriun, madje sipas tij në një stil disi më ndryshe se kompromiset e tanishme
Vendimi i fundit i Serbisë për të mbajtur zgjedhje edhe në Kosovë është një dëshmi e pastër e pamundësisë për tu marrë vesh me të pamarrurin vesh. Jo se është pritur ndryshe, jo se na zunë në befasi; kështu ndodhë kur hyn në dialog të thënë si të garantuar por pa garantues, madje pretenduesi i garancës (pra BE) as që na njeh si shtet. Serbia pa brengën më të vogël, pasi ka siguruar statutin kandidat, pasi ka zhbërë të pa zhbërën e vendit tonë arrin të tregoj kundër çdo gjase fuqinë e saj dhe faktorizimin gjithnjë e në rritje në Kosovë. E bën këtë meqë zërat tonë për të toleruar çdo kërkesë serbe do të ngjallin në vazhdimësi paradokse si këto. Kur ne pranojmë dialogimin si palë të pabarabarta, për fusha kontestuese të Serbisë e jo për ato domethënëse tonat, kur ne pranojmë kompromis në shtetësi e përqafojmë kompromise tjera për të akomoduar aspiratat evropiane serbe, zërat për më shumë nga ana tjetër e kufirit veçse do të rriten. Pazaret tona ishin të lodhta, të panevojshme dhe tipike të një humbësi. Pazaret serbe ishin në rritje, në kurriz tonin e për shpërblim të tyre. Nuk habitem fare nëse edhe nesër Serbia do të shpërblehet për mosmbajtje eventuale të zgjedhjeve në Kosovë, thuajse ka bërë namin. Politika e krijimit të problemit, zgjidhjes së tij e marrjes së shpërblimit është diskursi standard që po funksionon në Evropë. Politika e tolerancës së pakontestueshme, qetësisë para kompromiseve të pritshme dhe mosmarrja e asnjë shpërblimi të garantuar është kjo e jona.
Në këtë vijë, grimcat e para të shpërbërjes së dialogut u panë ende pa filluar mirë implementimi edhe i atyre marrëveshjeve të pakuptimta e të panevojshme, madje në një stil “piu macja ujë” ndërmjetësuesi i dialogut Cooper u kujtoj kosovarëve se pavarësisht shurdhimit e trumpetitmit dymbëdhjetëmujorë se negociatat janë teknike, ato megjithatë kanë qenë gjithmonë politike. Ironike që ndërmjetësuesi i kujtoj kosovarëve politizimin e negociatave vetëm pasi ne shtrënguam dorën; trishtuese se i njëjti paralajmëroj kompromise dhe më të mëdha për Veriun, madje sipas tij në një stil disi më ndryshe se kompromiset e tanishme. Deklarata e ndërmjetësuesit bien ndesh me gjithë atë fushatë me ngulm të Qeverisë gjatë gjithë vitit të kaluar se bisedimet mbaheshin për çështje të thjeshta, të parëndësishme e me qëllim të relaksimit të relacioneve në mes të dy vendeve, pra me një fjalë teknike. Në një situatë si kjo, kur një fushatë propaganduese një vjeçare bie në ujë, reagimet në një vend normal me pak kërkesa bazike nga zgjedhësit do të bënin namin. Në një vend normal një Qeveri që udhëheqë e nënshkruan marrëveshje politike pa kompromis të brendshëm e për më tepër të kamufluara nën petkun e negociatave teknike do të duhej të jepte përgjegjësi pse jo edhe me dorëheqje. Dhe kjo për dy arsye: e para meqë ka fshehur nga qytetarët e saj natyrën e tyre dhe fshehja për çështje kaq madhore bën në sens gënjeshtër; dhe e dyta, nëse Qeveira nuk ka ditur natyrën e negociatave ajo duhet të japë përgjegjësi pse ka lejuar të merret si e paditur.
Edhe më i dhimbshëm bëhet fakti i reagimit ndërkombëtar. Nuk mbet i vogël e i madh pa u ngritur në këmbë për të përshëndetur fusnotizmin e Kosovës, por sot kur Serbia shpall agresion të pastër politik ndaj Kosovës të gjithë zgjedhin kanalet jozyrtare e anonime për të dhënë një lajm që as dënon veprimin e as mbështet atë, por flet për një çështje krejtësisht irelevante si “nevoja për të vazhduar bisedimet” apo “rëndësinë e pakontestueshme për të bërë dialog”. E këtu, këta zëra nuk flasin dot për Kosovën. Vendi ynë, institucionet tona, Kuvendi e gjithë shoqëria kosovare duhet të ngrinë zërin qysh tash e tu bëjnë me dije ndërkombëtarëve se vazhdimi i dialogut nuk është “prioritet” e as “rëndësi e pakontestueshme” por një proces që mund të ndodhë vetëm nëse Kosova trajtohet si shtet, vetëm nëse bisedohet për temat ndërshtetërore (e jo çështjet e brendshme si Veriu) dhe vetëm nëse nga një proces i tillë Kosovës i garantohen benefitet. Pra dialogu duhet të shihet si vazhdimësi e përmbushjes së disa parakushteve për uljen tonë në tavolinë. Koha kur ne marrim kosto e fare benefite duhet të mbaroj qysh tash; madje shpallja e intencave të shtetit Serb për të mbajtur zgjedhje në Kosovë duhet të shihet si pretekst i daljes sonë nga dialogu dhe, pse jo, ngrirja e gjitha marrëdhënieve me Serbinë (nëse ka ndonjë). Po nuk bëmë zë tash, kur të fillojnë bisedimet rezultatet veçse do të jenë të përcaktuara ashtu siç na u përcaktuan me fusnotë.
Por për të bërë një gjë të tillë, politika jonë duhet të ketë mend, vizion e unitet. Sot nuk e ka asnjërën. Nuk ka mend meqë ecim pa pikë strategjie e pa pikë qëllimi në gjithë këtë dialog. Diplomacia jonë e varfër nuk arrin të kapitalizojë dot as edhe avantazhin më të vogël të vendit; Serbia arrin ti evropianizojë (ndër shumë të tjera) edhe fitoret e Djokovicit në tenis. Nuk ka unitet meqë në vend të qartësimit e kërkimit të përkrahjes institucionet tona bëjnë etiketime e fyerje absurde. Në vend se kryeministri i Kosovës tu shpjegojë gjithë qytetarëve natyrën e fusnotës, ai i fyen kundërshtuesit, dhe zgjedh simpatizuesit e partisë së tij për të marrë mbështetje. Vizita të tilla më tepër tregojnë për brengën personale të kryeministrit, pra humbjen e votave, se sa për brengën e Kosovës, pra humbjen e elementeve përfaqësuese të shtetësisë. Nuk ka unitet meqë në vend se opozita të unifikohet e dërgojë një zë presioni në Qeveri, BE e kudo, ajo është sot e ndarë, e thyer mos ma keq dhe me pretekste se nuk bëjnë dot debat parlamentar se nuk i kanë numrat. Në logjikë si kjo i bie se opozita nuk duhet të ekzistojë fare në momentin e parë të shpalljes së rezultateve. Partitë opozitare që mendojnë se politika e tyre vlerësohet vetëm gjatë fushatës zgjedhore janë po aq fajtore sa dhe vet fajtorët në pushtet. Kosova nuk ka as vizion meqë shtetndërtimi nuk bën prioritetin tonë. Përderisa vazhdojmë të ndajmë mëditje 200 euroshe për 8 Mars për vizita në Shqipëri, pra për pushim, derepublikmi dje, fusnota sot e Veriu nesër janë mese të pritshme.
E në dëshprim për të mohuar legjitimitetin serb në Kosovë, ministrat tonë paradoksalisht thirren në 1244-shin si bazë ligjore, të njëjtin dokument që kthen ushtrinë serbe në Kosovë. Nuk arrij ti kuptoj se a është i vdekur apo jo 1244-shi? Ky dokument o është i vdekur në tërësi o është i gjallë; në të dyja rastet ne nuk do duhej përmendur atë as për shaka. Edhe më trishtues bëhet përqeshja e idesë së mbrojtjes së sovranitetit nga paria jonë. Paramendoni, institucioneve tona u duket qesharake dhe absurde dërgimi i policisë në territorin e vet! Vetëm një lloj institucionesh paradoksojnë me shtrimin e sovranitetit policor në vend; ato që nuk kanë sovranitet dhe ato që nuk duan të kenë sovranitet. Për fatin tonë të keq, institucionet tona jo vetëm që nuk kanë sovranitet, por përderisa përqeshin idenë e dërgimit të policisë për të parandaluar agresionin politik të një vendi tjetër, pranojnë domosdoshmërisht mosdëshirën e tyre për të shtrirë sovranitet.
E për gjithë ata që konsiderojnë mbrojtjen e integritetit si eventualisht ndonjë hap “anti-amerikan” e “anti-evropain”, u kujtoj fjalët e Presidentit Regan drejtuar amerikanëve të tij si përgjigje ndaj kërcënimeve nga jashtë: “...ju dhe unë kemi guximin ti themi armiqve tanë, ka një çmim që ne se paguajmë dot, ka një pikë përtej së cilës nuk kalojmë kurrë!”. Me deklarata dënuese të Qeverisë, thuajse është një OJQ e jo shtet, me kërcënime se do të ankohemi në BE, pra tek i njëjti institucion që nuk na njeh si shtet, mesazhi që i dërgojmë pretenduesve territorial tonë është se ne nuk do të bëjmë asgjë. Në një situatë si kjo, ata sot bëjnë zgjedhjet, nesër faktorizohen në dialog e pasnesër zhbëjnë Veriun nga Kosova. Në tolerancë si kjo humbës të garantuar jemi vetëm ne.
Kosova ka çdo të drejtë ligjore, morale e tanimë dhe të garantuar nga marrëveshjet e fundit që të shtrojë autoritetin e saj sa herë që një vend tjetër apo grup i brendshëm ka pretendime territoriale ndaj nesh. Ideja e mbajtjes së zgjedhjeve dhe ideja e heshtjes sonë janë sindrome fuqie për ta, e dobësie për ne që nuk na ruajnë Veriun dot. Nëse ka pak vullnet të mirë në institucionet tona, nëse ka pak guxim, le të mblidhen politikanët tanë bashkë, pozitë e opozitë, le të unifikohen e ndërtojnë një ecje të përbashkët nga këtu e tutje. Le të bëjmë një zë më ndryshe se ky, më të fuqishëm e më pak tolerues. Le të ndalojmë qysh tani, qartë e mirë çdo pretendim për hapje të dialogut për Veri. Kosova ka përfunduar me Pakon e Ahtisaarit çdo kompromis në këta njëmbëdhjetë mijë kilometra katrorë tokë. Por, nëse dikush diku mendon se duhet bërë ende e më shumë, atëherë është radha që kjo ende e më shumë të bëhet për shqiptarët që sot vriten e rrihen gjithandej.
(Autori është kolumnist i rregullt i ‘Kohës Ditore’).
No comments:
Post a Comment