Friday, 2 March 2012

KREDIBILITETI I NJË DIPLOMACIE FJOLLASH

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 MARS 2012

Derisa politika jonë merret me simbolikë fjollash, Serbia marshon bindshëm e sigurt drejt Evropës pa zgjidhur as për së afërmi problemet bazike me Kosovën



Humbja e parë diplomatike e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë vazhdon të ekojë nëpër shtëpi, kafiteri, sheshe, rrjete sociale e korridore qeveritare. Amortizimi i bërë nga ndërkombëtarët kam frikën se do të jetë i përkohshëm dhe pak i pranueshëm sa herë që fusnota të varet mbi emrin e shtetit tonë tanimë pa Republikë. Në të njëjtën vijë, i rëndë dukej dokumenti i konkluzave të Ministrave të BE-së rreth fillimit të studimit të fizibilitetit për Kosovën kur një yll brenda tij të merrte vëmendjen më shumë se gjithçka tjetër. Të veçonte disi nga të tjerët, e fatkeqësisht veçimi bëhej jo për të mirë, bëhej në themelet e një dyshimi për përcaktimin politik të territorit tënd. Këtë kosovarët e duan më së paku.

Them kështu meqë preokupimi politik i kosovarëve në vazhdimësi bën kreun e brengave për ta. Kujtoj se që nga viti 1999 e deri në pak muaj para shpalljes së pavarësisë raportet e paralajmërimit të hershëm të UNDP-së rangonin situatën e statusin politik të Kosovës si brengën kryesore tonën. Pas saj vinin dukshëm me intensitet më të ulët papunësia e varfëria; ani pse të dyja shënonin rekorde alarmante. Tre muaj pas shpalljes së pavarësisë (e deri në pak ditë më parë) brenga e statutit politik ishte e humbur ndërkaq papunësia e varfëria shënonin majën e listës së brengave. Një dukuri e tillë tregon se sa herë Kosova ka edhe dyshimin më të vogël rreth definimit politik të saj, kosovarët do të reagojnë, bëjnë alarm e ngre zë. Jam i bindur se rezultatet e ardhshme mbi percepcionin e kosovarëve do të shënojnë mbytjen e problemeve të përditshme nga brenga politike. Kjo në vete është disi fatkeqe meqë në kohë kur treguesit makroekonomik po na shënojnë rekordet negative ne duhet të merremi me çështjet politike. Megjithatë, pavarësisht percepcioneve, mosshfaqja e pakënaqësisë kosovare sot bëhet vetëm për shkak të fushatës ndërkombëtare pro fusnotës dhe besimit të verbër që kosovarët kanë ndaj saj. Kujdes, po u humb ky besim, po nuk morën kosovarët çfarë ju premtua, durueshmëria e tyre merr fund. Duke ditur ecurinë e integrimeve evropiane, rrugëtimi i shpërblimeve kosovare do të merr vite të tëra.

Nuk besoj se do shumë koment argumentimi i dhënë ndërkombëtar. I njëjti ka qenë më tepër denigrues dhe fyes ndaj qëndrimeve jo në vijë me Qeverinë. Thënë të drejtën, për të respektuar inteligjencën e kosovarëve e timen, do të doja të shija më tepër argumentime logjike, me sens e bindëse se sa kualifikime patetike e fëmijërore e cilësime të pavenda. Përtej këtyre cilësimeve, të njëjtit na thonë se ne nuk duhet diskutuar rreth fusnotës, se mendimi ynë është jo i shëndetshëm, dhe se outputi final është se pas kompromisit Kosova mund të flasë për vete. Në esencë një qëndrim i tillë është jashtëzakonisht paradoksal meqë na thuhet se ne duhet të mos flasim për vete sot, që të flasim për vete nesër. Në fjalë të tjera, sakrifica për shpërblimin është vetë shpërblimi. Nëse folja në emrin tonë qenka aq e rëndësishme atëherë pse nuk ja nisim që tani, në këtë moment, mu këtu, por sakrifikojmë vetë-foljen për të vetë-folur? Në rend të parë gabimi primar i ndërkombëtarëve është mosndërtimi u unitetit të brendshëm kosovar për tu marrë me çështje kaq të rëndësishme e pse jo edhe me paradokse si këto. Thënë të drejtën edhe më i dhimbshëm për kosovarët ka qenë Plani i Ahtisaarit, por ja që uniteti i prodhuar në atë kohë mbulonte dhimbjen e sakrificës. Me avazin e tanishëm kur çdo gjë opozitare dënohet nga ndërkombëtarët, mbështetja e dhënë ndaj Qeverisë rrezikon shndërrimin e kësaj të fundit në një mekanizëm që nuk mërzitet ama bash për asgjë brenda, filluar nga vjedhja e votave e deri te nivelet alarmante të korrupsionit.
                                                                                                                                                       
E meta e dytë e argumentimit pro-fusnotian është në ngjyrosjen e pjesërishme të benefiteve e kostove nga marrëveshja e Brukselit. Në ekonomi si në shumë disiplina tjera, marrja e një vendimi paraprihet nga një analizë kost-benefit, pra analizë e përfitimeve dhe humbjeve. Në këtë analizë në njërën anë vendosen gjithë të mirat e vendimit potencial e në kundëranë gjithë të metat. Peshimi i tyre më pas bën dhënien e rezultatit final. Argumentimi ndërkombëtar në esencë ka vënë gjithë reflektorët vetëm në përfitime, duke mos përmendur as edhe për një herë kostot e Kosovës. Në pothuajse çdo diskutim të dhënë, përfitimet e Kosovës lulëzohen, zbukurohen e jepen në fund si kritere të vetme matëse, ani pse asnjëra nuk është e garantuar. Për të qartësuar pozicionin një herë e mirë, për gjithë ata që na marrin si të paditur, sikur marrja e këtyre beneficioneve do të bëhej pa ndikuar koston hezitimi i çdokujt do të ishte i turpshëm, amator dhe naiv. Por ja që i turpshëm, amator dhe naiv bëhet edhe izolimi i përfitimeve pa përfshirje të kostove. E kostot e Kosovës janë vënia e dyshimit mbi statusin politik në çdo institucion ndërkombëtar nga sot e deri sa Serbia të pranon ndryshe. Kosto e marrëveshjes është legjitimimi ndërkombëtar i Serbisë ndaj çështjes së Kosovës, kosto është edhe paqartësia e vendit për të ditur shpërblimet e sakta, kosto është se ne nuk kemi negociuar me Serbinë asnjërën prej çështjeve substanciale e në interes tonin, kosto është se ne mund të mbesim me gishta në gojë edhe pas sakrificës fusnotiane pas refuzimeve kategorike të vendeve si Qipro, Rumania e Spanja; shkurt e shqip kosto e Kosovës është status-quo në definomi politik, dyshim në ecje, dhe moszgjidhje e problemeve dhe të gjitha kët së bashku mundin përfitimet. E tmerrshmja e gjithë kësaj është se zgjidhja e problemeve Kosovë-Serbi mund të behet vetëm pasi Evropa të ketë këtë të fundit në grusht e nën presion. Me tolerancën si kjo qëndrimet serbe veçse do të forcohen tutje.

Por le ti kthemi shkurtë presionit dhe argumentit ndërkombëtar ndaj çështjes së fusnotës. Pa dashur të dublifikojë mendimin brilant të Augustin Palokajt në kolumnen e tij të kësaj jave, them se orientimi evropian ndaj Kosovës është jashtëzakonisht i padrejtë dhe jo i qëndrueshëm. Them i padrejtë  e jo i qëndrueshëm meqë shpërblen Serbinë pa mbyllur plagët e një dekade më parë, derisa faturon Kosovën meqë mundet. Në një shikim nga lartë njeriu kupton se diplomacia evropiane gjatë gjithë kohës ka zhvilluar negociata e ka këmbyer favore ndaj Serbisë për fluska. Fluskat parimisht janë krijuar e ushqyer në rend të parë nga Serbia; ato më pas kanë marrë një çmim e në fund një këmbim evropian. Kujtoni se të gjitha këmbimet serbe janë në thelb probleme të vetëkrijuara të cilat nuk prekin askënd tjetër përveç paranojën serbe. Barikadat e veriut në sens janë probleme të krijuara nga strukturat shtetërore serbe, zgjidhja e të cilave ka marrë shpërblim. Zgjidhja reale do të ishte moskrijimi i tyre në rend të parë e jo krijimi, zgjidhja e problemit dhe më pas shpërblimi. Në këtë logjike ne mund të krijojmë probleme fluskash që sot, ti zhbëjmë ato e të marrim shpërblim. Pse atëherë nuk shpërblehemi ne për moskrijimin e problemit në rend të parë?! Apo për sjellje korrekte nëpër vite?! Shpërblim evropian për Serbinë është bërë edhe dërgimi i kriminelëve të luftës në Hagë, ani pse pas pesëmbëdhjetë vitesh. Shpërblim për Serbinë është bërë edhe mosnjohja e kufijve, plaçkitja e dokumenteve kadastrale, mosnjohja e targave e mosnjohja e pjesëmarrjes në forume rajonal apo dhe moskthimi i të zhdukurve, dëmet ekonomike, kërkimfalje e plaçkitja e fondeve pensionale. Parimisht Serbia është shpërblyer për gjithçka që ka refuzuar vet, jo se ka bërë ndonjë sakrificë, jo se ka hequr dorë nga kush e di çka; ajo ka hequr dorë nga problemi i vetëkrijuar dhe për këtë ka marrë një shpërblim. Në këndvështrimin evropian, kësaj i thonë tolerancë ndaj çdokujt që është më problematik. Serbia është problematike, jepi shpërblime. Kosova e cila ka vendosur të pranojë gjithçka, të mosrefuzojë asgjë, të dërgojë heronjtë në Hagë vullnetarisht, e të tolerojë struktura paralele në vazhdimësi merr asgjë në kthim. A mos vallë duhet dhe ne të bëhemi problematik e kërcënues për të marrë diçka? Në këndvështrimin serb, kjo është diplomaci e shkëlqyer. Kushtet e tyre në një modalitet të barabartë negociatash do të duhej të ishin parakushte për dialog, por ja që vizioni i tyre shtetndërtues lë prapa çdo imagjinatë tonën për shtet.

E në këndvështrimin kosovar, një relacion i tillë shihet, paramendoni, si një fluskë bore. Përtej naivititeti të shfaqur publikisht nga kryenegociatorja jonë, dua të besoj se në parim tek institucionet kosovare qëndron një brengë serioze dhe një vetëdije për sakrificën e bërë, e për më tepër një garanci për benefitet për këtë sakrificë. Po që se është e kundërta them se na ka marrë pusi. Ata që nuk dinë që s’dinë do të na marrin në qafë më gjatë e më rëndë, meqë njëherë duhet bindur se e kanë gabim e më pas duhet gjetur zgjidhje për të zhbërë gafat e tyre. Në çdo relacion kredibilitet i sakrifuesve tanë mund të jetë rritur tek ndërkombëtarët, por i njëjti ka marrë një goditje të rëndë brenda. Këtë goditje nuk do ta zhbëjnë as deklaratat përkrahëse e as cilësimet e miqve të tyre ndërkombëtar. Në rend të parë, një Qeveri që ndërron qëndrimin tri herë për një javë humb çdo kredibilitet e çdo respekt që ka pasur. Kujtoni se qëndrimet tona evoluuan nga “do të kemi një fusnotë që thotë se nuk do të paragjykohet statusi”, në “rezoluta 1244 nuk do të jetë në fusnotë”, e deri te “pa Deklaratën e Pavarësisë si elementet i fusnotës nuk do të ketë marrëveshje”. Nuk ndodhi asnjëra. Në ecje si këto, njeriu pyet veten se si mund ti besoj tani të njëjtëve kur thonë se do të luftojnë korrupsionin, do ndalin informalitetit, do zhvillojnë ekonominë e do të mbrojnë interesat kombëtare. Kam kuptimin se politika përfshinë diplomaci e dredhi, por ajo gjithmonë ko-jeton me një kredibilitet të panegociueshëm, në të kundërtën bëhet muhabet kafenesh. Qeveria jonë nuk ka kredibilitet!

Në fund fare, ne do të presim benefitet evropiane për shumë vite, shpërblimi për ne është nul. Çfarë ne kemi marrë është një Studim Fizibiliteti për të na matur se a jemi të denjë për tu konsideruar si pjesë e Evropës. Është hapi i parë në hierarkinë e kërkesave të rënda Evropiane, e për më tepër përmbushja e çdo hapi nuk na garanton pozicionin tonë evropian as edhe për një moment pa pranimin e Kosovës nga pesë vendet e mbetura. E në vend të rritjes së presionit ndaj këtyre vendeve, ne kemi pranuar sakrificën tonë dhe vënien e status-quos, madje pa zgjidhur as edhe një problem të vetëm në interes tonin. E deri sa ne merremi me fluska bore, deri sa bëhemi kaq të paditur e kaq naiv, Serbia po marshon drejt Evropës bindshëm. Sa më afër ata, aq më larg ne.




No comments: