Friday, 29 July 2011

DHËMBËT E SHTETIT

Letra nga limbo
Koha Ditore, 29 Korrik 2011

Çdo devijim dhe zmbrapsje nga vlerat për të cilat heroi i fundit kosovar sakrifikoi vetën, do të jetë dhe devijim i vet shtetit

Këtë javë, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, krenova vetën si pjesë të një shteti. Qeveria e vendit tim po bënte atë çfarë është dashur të bëjë kaherë, të shikojë veten në pasqyrë, ti shtrëngojë dhëmbët fort e të thotë se ka një vijë të cilën se kalon dot. Nuk besoj se ka vendim më të drejtë, më moral, më ligjor dhe më konsensual se sa trajtimi i barabartë dhe vendosja e kontrollit në gjithë vendin. Në këtë kornizë, për mua, fillon e përfundon diskutimi se pse, kur dhe si duhet të vëmë rend e reciprocitet. Krenaria për vend e shtet sikur mu zbeh kur për herë të dytë brenda pak vitesh, pa brengën e gajlen më të vogël, një grup i vogël huliganësh silleshin  e pështilleshin si në bahçen e babës, për të përfunduar në djegien e kufirit verior; të tjerët bënin luftë. U deshën tre orë të plota sulmi terrorist ndaj vendit për të dëgjuar deklaratën e parë nga paria. Parlamenti nuk e pa të udhës të prishë komfortin veror e mbajë seancë të jashtëzakonshme. EULEX-i ishte i humbur, ndërsa KFOR-i po shëtiste lart e poshtë në kërkim të bindjes së të pabindurve.
Kjo mungesë fuqie nuk ishte vlera për të cilat heroi i fundit kosovar sakrifikoi vetën. Vlera e heroit përqafonte idenë e lojalitetit ndaj atdheut, përkushtimit ndaj ligjit e mbrojtjes së të drejtës, pavarësisht kostos. Çdo devijim dhe zmbrapsje nga ndjekja e një vlere të tillë do të jetë devijim i vet shtetit. Qeveria, opozita, e shoqëria civile kanë marrë notën më të lartë për unitet dhe qëndrueshmëri. Të njëjtit duhet të gjejnë forcën, mendjemprehtësinë e kreativitetin për të ushqyer e mbajtur në këmbë sovranitetin territorial, politik e ekonomik të Kosovës. Aftësia jonë për tu sillë si shtet sovran nuk guxon të ndalojë këtu; tashmë jemi “all-in”.
Kosova ka duruar mjaft. Në pothuajse tre vite ne jemi treguar të drejtë, të hapur e të durueshëm ndaj diskriminimit më absurd territorial, politik e ekonomik në Evropën moderne; jemi treguar evropianë e përtej evropianë. I njëjti durim nuk u shpërblye asnjëherë, madje as me një pranim modest të pabarazisë. Si për inat, shpërblim merrnin diskriminuesit tanë sa herë që arrestonin maniakët e vetëprodhuar që vite më parë i glorifikonin si prijës historik. Kur vendosëm të kontrollojmë e reciprokojmë, them se të drejtën morëm në dorë vet, ashtu siç duhet, ashtu siç na takon me ligje të tokës e të Zotit.
Sot kur vendimi është marrë, e kthim prapa nuk ka, vendi ka vënë një pikë reference. O do kontrollojmë kufirin e me këtë dhe gjithë vendin, o kemi humbur një herë e përgjithmonë veriun. Vetëm vendosja e doganierëve (dhe forcave shtesë të sigurisë për ta) në pikat kufitare 1 dhe 31 e bën nisjen sukses. Nëse e gjithë kjo aventurë nuk rezulton me kontroll të plotë në kufijtë e Kosovës (nëpërmjet doganave), e më pas edhe në fshatrat e qytetet e banuara me jo-shqiptarë (nëpërmjet forcave policore), them se kemi quar në dëm një mundësi të artë.
***
E habitshme në gjithë këtë mesele ishte paradoksi i BE-së dhe misionit EULEX. Ky i fundit  dëshmoi fatkeqësisht se ka bërë një ecje perfekte në hapat e UNMIK-ut. Një ecje kaq e mbrapshtë ndaj vullnetit legjitim të Kosovës nuk ka se si të mos reflektohet në relacionin e kosovarëve ndaj tyre. Rezoni ekonomik dhe politik mbi ngjarjet e fundit në Bruksel ishte i njëjtë me atë të Beogradit, sa naiv aq edhe ironik. Fillimisht, ende pa u tharë mirë pena e vendimit të Qeverisë për reciprocitet, të dy palët dënuan vendimin duke thënë se aktet e njëanshme, si kjo e jona, nuk shpijnë regjionin askund. Në deklaratën e tyre njeriu kupton se mosaftësia e kosovarëve të kalojnë e plasojnë lirshëm në e nëpër Serbi, për zyrtarët evropian, që promovojnë lëvizjen e lirë, na qenka një akt tërësisht normal. Naivitete si këto morën përgjigje të rrastë nga ndihmës-sekretari amerikan Countryman, i cili komentoj se Kosova vetëm po reflektonte; punë e paqtë! Së dyti, kur u provua vënia e rendit, Brukseli dhe EULEX  jo vetëm se refuzuan përkrahjen por edhe kërkuan kthimin në gjendjen e mëparshme (pra të anarkisë), duke thënë se çështjet duhet të zgjidhen me dialog në mes të dy palëve. Unë sinqerisht kam problem të kuptoj e definoj se kush duhet të jetë palë e dytë vendimmarrëse në Kosovën me 10 mijë e ca kilometra katrorë të pranuar nga shumica dërmuese e vendeve anëtarë të BE-së. Rrjedhimisht kam vështirë të kuptoj se në emër të cilave vende flasin zyrtarët e Brukselit?
Kur rebelimi shpërtheu,përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën, Fernando Gentilini në një paraqitje të drejtpërdrejtë televizive po lexonte retorikën e zakonshme se “dhuna nuk do të tolerohej në asnjë rast nga misioni i tij”. Sikur Fernando i shkretë të merrte mundin e shikimit të pamjeve nga djegia e Pikës 1, do të kursente veten nga një paraqitje prej palaçoje. Forcat e tij po i thyenin këmbët e hundët në ikje për në Serbi, ani pse ishin caktuar të ruanin rendin e mos toleronin dhunën. Ruajta e rendit nuk kupton ruajtjen e prushit e hirit të kufirit tim, por parandalimin e vandalizmit dhe huliganizmit. Të njëjtit u kthyen në Kosovë orë më vonë, vetëm pasi u përcollën nga policia serbe (nëpër Serbi) në krahun tjetër të Kosovës, Merdare. Për mendimin tim, misioni i EULEX-it këtë javë ka vendosur kapitullimin e tij. Nëse kjo forcë e thirrur të më mbroj mua, po u dashka të mbrohet nga një forcë tjetër, ku buron racionaliteti dhe nevoja për mision të tillë?  
E gjithë kjo anarki e amulli, vorbullohej rreth njeriut të cilit javë më parë, pas negociatave dhe konkluzioneve tërësisht të pakuptimta e panevojshme, i shtrënguam dorën fort. I njëjti tash po udhëhiqte një turmë kriminelësh duke thirrur e gërthasur për rebelim, krah për krah me banditët e plaçkitësit e veturave dhe udhëheqësit paralel. Këta të fundit jo vetëm se i quajtën policët e vendit si fundërrina që kutërbojnë, por në vend shpallën (dhe bënë) gjendje lufte. Besoj se organet e drejtësisë, nëse thirren si të të gjithë vendit, duhet të pastrojnë vendin nga kacabu, banditë e terroristë të tillë; janë non-grata.
Edhe më e habitshme ishte reflektimi i KFOR-it. Fillimisht gjenerali gjerman faktorizojë një grup rebelësh, e më pas dhe Qeverinë Serbe në punët e brendshme të Kosovës. Më pas, në kushte të tërheqjes, ai i garantojë institucioneve kosovare ruajtjen e kufijve. Orë më vonë KFOR-i tradhtoi marrëveshjen; kufiri po digjej. Toleranca e treguar ndaj kriminelëve të armatosur që patrullonin, sulmonin e vranin para hundëve të paqeruajtësve është tërësisht irracionale. Edhe më e irracionale më duket tendenca për të amortizuar rolin e Qeverisë Serbe në djegiet e mëvonshme, kur gjenerali lavdëroi punën e institucioneve serbe në stabilizimin e situatës. Paradoksalisht, ishte po e njëjta Qeveri që kishte nxite, financuar e udhëheqë po të njëjtit njerëz; ata që vonë në mbrëmje patën dhe konflikt të armatosur me ushtarët e gjeneralit.
***
Tani, le ta vëmë rekordin drejt. Nuk ka asnjë argument në zgjedhjen mes paqes e dhunës, por ka vetëm një rrugë të garantuar për paqe, madje në minutën e parë: dorëzimi. Natyrshëm se vendi ka risk në çdo kurs që ndjekë ndryshe nga ai i dorëzimit, por çdo mësim na thotë se risku më i madh qëndron mu në akomodim. Dhe ky është spektri që miqtë tanë mendim-mirë evropian refuzojnë ta shohin, që politika e tyre e akomodimit është zbutje, dhe nuk jep zgjedhje në mes të paqes e konfliktit, vetëm në mes të ligjit dhe dorëzimit. Nëse ne vazhdojmë të akomodojmë, vazhdojmë zmbrapsemi e zbutemi, ne përfundimisht do të duhet ti bëjmë ballë kërkesës së fundit: ultimatumit. Heronjtë si Ekrem Zymberaj na kujtojnë se vendi zmbrapsjen nuk duhet ta ketë alternativë.
Sakrifica e heroit duhet të na shërbejë si standard i angazhimeve tona dhe kufirit të tolerancës për të mbrojtur e administruar vendin tonë në plotësi. Politikëbërësit, nëpërmjet unitetit, duhet të marrin në dorë forcën e shtetit. Kosovarët e duan paqen dhe rendin, por nëse paqja dhe rendi duhet të vijnë me forcë, them se dhëmbët duhet shtrënguar e kërcëlluar dhe më shumë. Në fjalë të Alexander Hamilton, “një komb që pëlqen turpin ndaj rrezikut është i gatuar për padron, dhe e meriton një”. Besoj se kosovarët padron meritojnë vetëm vetën.


TREGIMI MBI CENTAT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 Korrik 2011



Të gjithë-dijshmit tanë, të pagabuarit tanë, lartmadhëria e tyre, mund ta kenë prodhuar një lajm të ditës për ata që nuk mërziten fort se sa para humb e sa fiton vendi, por, për të gjithë ata që kanë edhe më të voglin interes e vërteta është disi më ndryshe



Evoluimi i relacionit të pushtetit me gjithçka tjetër jo-pushtetare është në fakt po na bëhet de-evoluim i bashkëpunimit dhe vullnetit shtetformues mes palëve. Të parët në fillim heshtin dhe kanë prirje drejt glorifikimit personal nga ata që deri dje ishin pjesë e tyre. Kështu të paktën mendojnë se bëhen të paprekshëm. Kur heshtja humb arsyen fillohet me kamuflim të argumenteve. Këtu dobësohen. E kur kamuflimet mbarojnë kalohet në panik, fyerje, shantazhe e inate që si kanë as më të voglën hije sedrës se burrështetasve. Këtu bëhen bashkë insolentët politik që zhvaten e gërvishten me njëri tjetrin për të treguar kush më shumë e kush më pak lojalitetin amorf ndaj shefit. Me këta të fundit kam pak gjasa të merrem ndonjëherë, ani pse na bien në qafë me klishe e patetizma sa herë që ngremë argumentet dhe opinionet tona. Janë thjeshtë gardianë irracionalë të pareve të bëra lehtë e fuqisë së pushtetit. Thënë të drejtën shpërblimi më i madh që i kanë bërë shoqërisë ndonjëherë është politizimi i vetës; kështu të paktën pakkush i merr seriozisht.

Politika kosovare kurrë më parë nuk ka pasur një seri kaq alarmante të skandaleve. Nga zgjedhjet e vjedhura, në qeverinë e pakicës, nga skandalet presidenciale në parlament servil, nga privatizim joligjor i aseteve  në rrezik të kolapsit financiar, nga degradimi i relacioneve ndërkombëtare në ulje të kualitetit të jetës. Kosova thënë të drejtën e filloj vitin pa institucione e në gjysmë viti ka mbetur pa shtet (pas bisedimeve); në fund të vitit do të mbesim pa asete, pa pare dhe pa vizion.

Rritja e vazhdueshme e inflacionit, papunësisë e varfërisë janë vetëm pak nga shkaqet makroekonomike që ngjyrojnë raportin e fundit të policisë me rritje rekorde në krime e vjedhje. Një shoqëri me parametra si këto tonat ka pak gjasa të gjejë mburrjen kur sheh vetën në pasqyrë. Një katranosje kamikaze si kjo e jona rrallë-herë durohet, po ja që qenkemi të durueshëm. Në tregime si këto, janë vetëm shkaktarët ata që gjejnë luks e vullnet për glorifikimin e punës së tyre. Në frymë të njëjtë bëhej dhe raportimi i Qeverisë para Pier Mirrel për Raportin e radhës të Progresit që do të përmbajë gjithçka tjetër veçse progres. Kur kryeministri i vendit lexonte arritjet për luftën kundër korrupsionit kam përshtypjen se leximi i vështirë qe i bënte letrës rridhte nga vet mosbesimi i tij për punën e bërë; nuk i zinte besë vetit.

Edhe më pak i zë besë fjalëve të centëve të pahumbur nga Fondi Monetar duke vazhduar të këmbëngul në refuzimin e argumentit të vetëm të pa-refuzueshëm e të njohur e pranuar mbarësisht.  Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, kur u dha lajmi për asistencën financiare nga Komisioni Evropian, fjalët e para të tij ironizonin ndaj “zhurmuesve”  duke thënë se ndihma tre vjeçare prej 210 milionëve është përgjigja më e mirë ndaj tyre. Madje kjo ndihmë na u paska dhënë si rezultat i qeverisjes hiper-të mirë. Pjesa tjetër e fjalimit është ajo e njëjta me fjalimet tjera që i kemi mësuar përmendsh.

Një deklarim i tillë natyrshëm bën pjesë në atë fazën e kamuflimit, panikut e fyerjes. Kamuflim meqë këto para as që kanë lidhje me paratë e humbura e të paralajmëruara si të humbura, panik meqë në mungesë të argumenteve dhe betejave të humbura njeriu fillon të prodhoj non-sens si hiper-progresi, fyerje meqë çdo argument që nuk pëlqehet nga Qeveria na qenka zhurmë e prodhuar nga zhurmuesit jo-pushtetar. Të gjithë-dijshmit tanë, të pagabuarit tanë, lartmadhëria e tyre, mund ta kenë prodhuar këtë si lajm të ditës për ata që nuk mërziten fort se sa para humb e sa fiton vendi, por, për të gjithë ata që kanë edhe më të voglin interes e vërteta është disi më ndryshe.

Dhe ajo fillon kështu.  E para, ato para nuk kanë as të voglën lidhje me asistencën makrofinanciare të garantuar nga Bashkimi Evropian për buxhetin e Kosovës nëpër vite. Në emër të kësaj ndihme (makrofinanciare) për vitin 2010-të neve na u ishin ofruar 60 milionë (kemi marrë vetëm 30), në vitin 2011-të 50 milionë (marrim zero), ndërkaq për 2012-ën 50 të tjera. Them se nuk kanë lidhje meqë natyra e destinacioni i tyre është krejtësisht i ndryshëm. Deri sa të parat, që janë humbur, janë ndihmë financiare për buxhetin e Kosovës, të fundit (pra 210 milionët) jepen në ombrellën e fondeve IPA, apo instrumenteve të para-anëtarësimit. Këto para nuk shkojnë në buxhetin e vendit, nuk i jepen Qeverisë dhe për më tepër nuk janë të garantuara si të plota. Në vend të saj kompani private e organizata qeveritare aplikojnë për projekte nga më të ndryshme. Meqë Kosova nuk ka të drejtë përfitimi të investimeve kapitale nga fondet IPA, paratë e dedikuara shkojnë zakonisht për ngritje të kapaciteteve, trajnime e tryeza. Meqë Qeveria e vendit dhe organizatat e tjera janë treguar të paafta për thithjen e këtyre parave nëpër vite, ato zakonisht kanë përfunduar në kompani e agjenci jo-kosovare. Thënë shkurtë janë kthyer prapa. E dyta, sado që janë të rëndësishme fondet e IPA’s, apo paratë që Bashkimi Evropian u jep vendeve që në të ardhmen mund të bëhen anëtare të plota, ato nuk kompensojnë humbjen e 157 milionëve të kredisë së butë nga Fondi, ndihmës makro-financiare nga BE-ja apo kredisë afatgjate të Bankës Botërore. Kosova do të marrë ndihma e kredi në të ardhmen por asnjë ndihmë e asnjë kredi nuk zbut dhimbjen e humbjen e një shume sa 15% e të hyrave buxhetore të Kosovës në kohën kur parametrat ekonomik thyejnë rekordet. Sa për të mos mjaftuar kjo, mohimi i humbjeve në klishenë e “asnjë centi të humbur” është sa irracional aq dhe fyes për inteligjencën e kosovarëve. Shpreh bindjen dhe sigurinë se Kryeministri dhe Qeveria dinë të bëjnë dallimin e fondeve IPA nga ndihmat/kreditë e reflektuara në buxhet, por ja që tendencat kamufluese që burojnë nga tiparet e inateve mbysin arsyen dhe logjikën konstruktive.

Kamuflimi bëhet aq i madh sa që Parlamenti i vendit nuk guxon të hapë temën e rishikimit buxhetor. Në çdo vend normal, me pritje e institucione normale, humbja e 15% të të hyrave të planifikuara do të ishte alarm dhe në fund të fundit nëse nuk do të fascilitonte ndëshkim do të lindte nevojën e korrigjimit të numrave buxhetor. Kujtoni se ne kemi korrigjuar numrat në vitet kur dallimet kanë qenë me pak zero. Në vend të kësaj Parlamenti i diktuar nga Qeveria nuk bën të zakonshmen, atë që parashihet me ligj, rishikimin buxhetor. Rishikimi do të nënkuptonte heqjen nga tabelat buxhetore të plot 157 milionëve. Heqja e këtyre parave, që si marrim dot, do të thotë se mirë diçka nuk ka shkuar. Pranimi i gabimeve për një sjellje inati është rroposëse, për një normale është gjysma e zgjidhjes së problemit. Në vend të kësaj vendi ka zgjedhë të injorojë problemin, të shkel Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike duke mos rishikuar, dhe për më tepër, sa për të injoruar humbjen, ka filluar të ndërtojë planifikim afatmesëm me numra jo-real në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

Për herë të parë në dymbëdhjetë vitet e fundit vendi ka një buxhet që nuk përkon me paratë që kemi në dispozicion. Dhe ky argument si duket nuk arrin të bindë institucionin e popullit, shpresën e fundit të demokracisë në vend, të reflektojë në gabimet e ekzekutivit. Iluzioni mbi paranë e buxhetit  mund dhe të jetë irrelevant në fund të fundit në një vend të mbytur në varfëri, por i njëjti tregon pasigurinë e vendimmarrjes, sjelljen fyese të politikëbërjes dhe tendencat kamufluese që s’na kanë hije. Ndoshta dhe po futemi në fazën e fyerjeve. Ndoshta ky është dhe fillimi i fundit të një stili të shëmtuar politik.



Saturday, 16 July 2011

NË KËRKIM TË RIMËKËMBJES (3): OPTIMUMI

Letra nga limbo
Koha Ditore, 15 Korrik 2011
Lumir Abdixhiku dhe Alban Hashani


“...qeveria nuk është zgjidhja e problemeve tona, qeveria është vet problemi...”Libertarianizmi ekonomik nënkupton lirinë e pronësisë, lëvizjes së njerëzve dhe tregtisë së mallrave; pra të drejtën për pasje e me këtë dhe të drejtën për bërje. Si i tillë ai është motivues e inovativ duke bërë kështu ngjitjen e njeriut në shkallët më të lartë të potencialit të tij. Mungesa e lirisë për të zotëruar e për të bërë lirshëm, e krijuar nga një mbiprezencë e Qeverisë qoftë në ndikim apo madhësi, është jo e drejtë, jo e nevojshme dhe domosdo jo e suksesshme. Në Kosovë konceptet libertariane janë një religjion pa besimtarë. Për Qeverinë ato shërbejnë si maskë mbulues e politikave të gjysmuara (si ajo e privatizimit e jo liberalizimit), e për një pjesë të opozitës janë terme që shpeshherë shndërrohen në oksimorone nga interpretimi i bërë (si rasti i ligjit të punës dhe socializmave brenda tij). Koncepti i lirisë së të pasurit dhe të bërit është abuzuar e fyer në Kosovë dhe i njëjti sot, në masën më të madhe, ngarkohet me faturën e dështimit ekonomik të vendit. Në dy javët e shkuara ne argumentuam se nëse dikujt duhet faturuar këtë hendikep ekonomik atëherë adresa është mu tek ky format shteti që kemi ndërtuar e asesi te tregu. Në këtë javë, të fundit, ne argumentojmë në favor të tregut, si optimumin e rigjenerimit ekonomik të vendit.

Ne favorizojmë tregun meqë ideja se një menaxhim kapitalist nga shteti mund të jetë funksional në Kosovë është i bazuar mbi supozime jo realiste dhe mbivlerësuese meqë të njëjtat minimizojnë rëndësinë e normave shoqërore, objektivat individuale (të prodhuara nga papunësia e varfëria e rënduar) si dhe mungesën e përgjegjësisë shtetndërtuese. Supozimet për një kapitalizëm tregu në anën tjetër ndërtohen në besimet e sprovuara se pronësia private dhe ndërmarrësia e lirë krijojnë efiçencë, vende pune, çmime më të ulëta, produkte më kualitative dhe ngritje të prosperitetit. Nuk besojmë se ka dhe se i duhet Kosovës ndonjë politikë më gjithëpërfshirëse, më të drejtë dhe më përfituese se sa ofrimi i produkteve e shërbimeve më të mira, më të lira e më prosperuese. Presidenti Reagan kishte thënë njëherë ë vërtetën më të çmuar, se politika më e mirë sociale është punësimi.

***

Për Kosovën është esenciale definimi i bartësve të parasë. Një shtet koordinues kërkon më shumë para, një shtet minimal kërkon të kundërtën. Në këtë sens vendi ka dy alternativa: o bizneset o qeveria. Ne argumentojmë në favor të së parës. Në fund të fundit bizneset e menaxhojnë atë më mirë se një zyrtar që rrogën e ka synim. Bizneset nuk kursejnë, ata investojnë. Çdo euro e marrë nga bizneset është një euro më pak në investime, e kur eurot e marra bëhen bashkë bëhen mijëra vende pune më pak. Qeveria merr paratë e bizneseve produktive dhe nën supozimin (e pasaktë) se din të menaxhojë më mirë i shpërndanë ato për politika në emër të barazisë, vetëm se gjatë rrugës ndal një shumë për punën që bën; pale çfarë pune bën ajo. Në një cikël të shpjeguar thjeshtë, shteti i Kosovës për të krijuar zhvillim merr para nga ata që krijojnë zhvillim. Ne argumentojmë se Kosova duhet të taksojë aq sa të prekë pragun minimal të “së keqes së domosdoshme”.

Bizneset kosovare nuk duhet të jenë mbështetës të politikave sociale, sigurimeve shëndetësore, e edukimeve publike në masën sa të tkurren e rrënohen. Mbi-ngarkesa e tyre është destruktive dhe për vendin, pa marrë parasysh nevojat zhvillimore. Bizneset nuk kanë nevojë as për instruksione se ku e si duhet investuar; ato janë aq të zot sa gjejnë tregun vet. Në fund të fundit do të ishte i tepërt besimi se dikush nga komfortet qeveritare di ti mësoj një biznes; është si të mësosh peshkun të notoj. Bizneset kanë nevojë për më pak barriera qeveritare, thënë shkurtë për më pak shtet. Nëse shteti duhet të koordinojë diçka, themi se paradoksalisht duhet të koordinojë vetën. Së pari, nëpërmjet gjykatave dhe fuqisë së rendit të sigurojë trajtim të fuqishëm të drejtave pronësore, zhvillimit të lirë dhe sigurisë. Së dyti, nëpërmjet liberalizimit të fusë sa më tepër akterë në lojë për të mbjellë konkurrencë. Së treti, nëpërmjet rregullatorëve minimal të krijoj kushte konkurueshmërie dhe shmangie të sjelljeve monopolisitike. Së katërti, nëpërmjet reduktimit të apetitit destruktiv të ndalë korrupsionin e me këtë dhe konkurrencën jo fer. Së pesti, nëpërmjet zvogëlimit të tij të shuaj burokracinë dhe licencimin e tepërt. Së gjashti, nëpërmjet reciprocitetit në relacion me vendet tjera të siguroj barazinë në trajtim. Së fundi, në rastin më të rëndë, nëpërmjet taksave Pigoviane të internalizoj eksternalitetet (Arthur Cecil Pigou). Një qasje e tillë nga shteti do të përkthehej në rritje të bizneseve, qasje më të lirë në kapital financiar, vende të reja pune e ulje të varfërisë.
Shteti dhe kosovarët duhet të fillojnë trajtimin e bizneseve si pasuri të tyre. Pasuria e vërtetë e Kosovës nuk është Posta, as KEK-u e as Trepça. Janë ato gjashtëdhjetë e ca mijë biznese që kanë nevojë për më pak barriera, për më pak ngarkesë, për më pak shtet kontrollues. Interesat e tyre janë dhe të Kosovës. Në fjalë të Adam Smith, ne nuk marrim darkën tonë nga mirësia e kasapit, birrëtarit apo bukëpjekësit, por nga kujdesi i tyre për interesat vetanake. Interferenca në këto interesa përkthehet në më pak darkë. Shtyrja për sukses individual nëpërmjet një ambienti konkurrues është faktori zhvillimor më i fuqishëm i vet shoqërisë.

***

Modeli i ‘shteti të barabartë’ i promovuar në vazhdimësi si një promotor i barazisë, bazohet në një supozim të fuqishëm se ata që do të bëjnë një shtet të tillë priren nga disa vlera më të larta morale dhe universale. Përderisa vlerat morale janë të domosdoshme (edhe në krijimin e shtetit më të vogël), ne konsiderojmë se rritja e madhësisë së shtetit rritë edhe nevojën për më tepër moral. Në situatë të tillë ne rrezikojmë të mbesim pa të dyjat.  Për më tepër, përmirësimin e qeverisjes së një shteti të madh duhet ta konceptojmë në suaza të kontekstit kosovar ku tradita shtet-formuese është e hendikepuar. Në këto rrethana, dështimet e qeverisë janë më të mundshme se dështimet e tregut. Rrjedhimisht zvogëlimi i madhësisë së shtetit do të zvogëlonte dhe gjasat e dështimit. Pra në vend se të përmirësojmë një monstrum qeverisës themi të ndërtojmë  një qeverisje më të vogël. Kështu jo vetëm se jemi më efikas, më të arsyeshëm e më të përgjegjshëm, por dhe objektivi i ndjekur bëhet më i mundur e më shpejtë i realizueshëm.

Në një dekadë të tërë ne kemi mbështetur zhvillimin ekonomik vetëm në tavolinat e thata qeveritare duke harruar se qeveria nuk di të bëjë biznes, ajo di të kontrollojë e deformojë, sidomos nëse është një qeveri e një vendi tranzitor, post-konfliktuoz e të nën-zhvilluar. Ky kontroll i vënë në emër të koordinimit më efikas e më të barabartë ka dhënë parametrat më të rënduar ekonomik në Evropë.  Besojmë se koha është për shfaqjen e tregut.

Ata që do të tregtonin lirinë e të pasurit dhe të bërit me një sistem shtetëror të mirëqenies e kontrollit na kanë thënë se kanë një zgjidhje të suksesit; e quajnë këtë zgjidhje “shtet të barabartë”. Në këtë sistem të tyre qeveria mban kontroll të aseteve, bën biznes, tregon se çfarë e si duhet prodhuar, ku dhe sa duhet punuar. Të gjithë ata që kundërshtojnë këtë zgjidhje janë quajtur si “neo-liberal” të pashpirt, thuajse ky është një mallkim i yni. Thonë se japin përgjigje të thjeshtë në probleme komplekse ekonomike, e kjo përgjigje e tyre për tu dhënë fund rekordeve të rënda e në rritje të vendit vë bast në vetëm ndërrimin e strukturës së qeverisë. Ndoshta dhe ka një përgjigje të thjeshtë, jo të lehtë, por të thjeshtë. Ajo thuret nga fjalët e presidentit Reagan “qeveria nuk është zgjidhja e problemeve tona, qeveria është vet problemi.” Në këto tre javë, ne argumentuam se Kosova duhet të përqafojë parimin e kapitalizmit të tregut. Reduktimi i shtetit dhe prezencës së tij është alternativa më kreative që ne mund të prodhojmë; është zgjidhje e problemit. De-ngufatja e tregut nga mbiprezenca e shtetit është dhe do të mbetet shpresa e fundit e Kosovës.
 

NË KËRKIM TË RIMËKËMBJES (2): PROBLEMI

Për dymbëdhjetë vitet e fundit Kosova nuk është nënzhvilluar si rezultat dështimeve të tregut. Është mu e kundërta, dështimet e shtetit janë ato që kanë krijuar anomali nga më të ndryshmet. Rrjedhimisht, nëse bash duhet faturuar këtë dështim, adresa e tregut është tërësisht e gabuar


Javën që shkoi, ne filluam argumentimin mbi tezën se zanafilla e parametrave ekonomik të sodit nuk vjen nga një koordinim tregu, por nga një koordinim (lexo:  kontroll) shteti; madje aty ku shteti posedonte hise problemet u bënë dhe më të vështira. Kujtoni Postën, KEK-un apo minierat dhe gjithë ato anomali që këto ndërmarrje publike bartin në vete. Për më tepër kujtoni se katërmbëdhjetë nga tetëmbëdhjetë barrierat e të bërit biznes në Kosovë burojnë mu nga prezenca e këtij formati shteti. Licencimet e tepërta, burokracia, korrupsioni, incidenca fiskale, konkurrenca jo fer e shërbimet publike janë disa nga barrierat e prodhuara nga një hiper-prezencë në rritje; nga ato “pikat e transaksionit” të vëna nga një shtet koordinues me karakter zhvillimor, e që mendon se di ti tregojë tregut çfarë bën e çfarë jo. Thënë këtë, shteti ka dëshmuar regresin në pothuajse gjithçka që ka prekur; madje sukseset më të mëdha të Kosovës janë mu aty ku shteti nuk ka pasur dorë.

Ronald Reagan, në fjalimin e tij të vitit 1964, pothuajse  njëzet vite para se të bëhej president, kishte thënë se “nuk ka nevoje për konfiskim të pasurisë private për të kuptuar se po shkojmë drejtë një kontrolli destruktiv; çfarë rëndësie ka nëse ti mban një pronë private kur qeveria mban zarfin e vendimit mbi jetën apo vdekjen e biznesit tënd.” Themi se një makineri e tillë tanimë ekziston në Kosovë. Vendi ynë ecën hovshëm barazi me një kontroll ngufatës dhe mu kjo ecje është problemi i rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës.

***

Sot paradoksalisht, madhësia dhe niveli i kontrollit që ky shtet aplikon mbi sektorin privat nuk arsyetohet me nivelin e barazisë sociale që një shtet i madhësisë së tij do të mund të krijonte. Në vend të kësaj, ky shtet, suksesivisht, vë në kontroll dhe fokus të “strategjisë ekonomike” ata sektorë të cilët i japin diskrecion më të madh për t’i keqpërdorur. Nën sloganin e ekonomisë së tregut arsyetimi se privatizimi i ndërmarrjeve publike ka për qëllim fuqizimin e tregut dhe rritjen e efikasitetit nuk qëndron, madje është dhe fyes. Kjo për shkak se ky privatizimi nuk përcillet me liberalizimin e tregut, parakushtin thelbësor të një ekonomie tregu apo neoliberale. Merreni rastin e Telekomit kur shteti i rekomandon Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit që të bëj një moratorium pesë vjeçar në lëshimin e licencave të reja të telefonisë mobile, duke mbytur kështu çdo shpresë për konkurencë, bazamentin e filozofisë së tregut. Ose rastin në sektorin e energjisë, kur i jepet një eksluzivitet prej një dekade investitorit të ri në blerjen e energjisë elektrike. Sa mund të jetë treg i lirë, neoliberal, një vend pa konkurrencë?! Shteti ynë privatizon por nuk liberalizon, shteti ynë transformon dhe monopolizon. Kjo nuk është libertarianizëm; kjo është mbytje tregu nëpërmjet mos-kontestimit. Një proces i tillë lindë dyshimin se ky shtet ose ka mungesë të kapaciteteve analitike ose vihet në pikëpyetje lojaliteti i politikëbërësve ndaj pozitës që mbajnë (në mënyrë të veçantë, kjo e fundit në botën demokratike do të mund të korigjohej me zgjedhje fer dhe të lira). 


Në anën tjetër kritikat më të mëdha  ndaj tregut dhe pronësisë private vijnë në relacion të privatizimit të pronës shoqërore. Alternativa nga një shtet zhvillimor do të ishte mbajtja e tyre në pronësi shoqërore. Ne themi se një alternativë e tillë do të ishte edhe më destruktive se sa një privatizim i plotë. Kjo për disa arsye. E para, për dallim nga vendet e ish-Jugosllavisë, Kosova nuk mund të bënte tjetërsimin e pronës shoqërore në atë shtetërore. Në ato rrethana, zgjidhje aktuale ishte anashkalimi i çështjes së pronësisë. Në rast të zvarritjes, ndërmarrjet do të zhvisheshin nga pasuritë e tyre nga sjelljet oportuniste të individëve të ndryshëm, siç ndodh dhe tani me ato të mbeturat. E dyta ndërmarrjet shoqërore posedonin një teknologji të amortizuar, shkathtësi të vjetruara e treg të humbur; pozita e tyre konkurruese ishte tepër e dobët.  Rrjedhimisht operimi ishte i pamundur ndërsa ristrukturimi i brendshëm ishte utopik. Përderisa procesi i komercializimit nuk dha frytet e pritura për shkak të vonesave në proces dhe mungesës së stimujve nga ana e sektorit privat për të marrë pjesë në një aranzhman të tillë, shitja e këtyre ndërmarrjeve në një model që minimizon diskrecionin e institucionit përgjegjës ishte skenari më real. Ne argumentojmë se problemet që rezultuan nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk mund t’i atribuohen procesit, por konstalacionit politik dhe ekonomik; të dyja buronin mu nga shteti. Ishte mu shteti që rrënoi privatizimin, iniciativën private dhe sinergjinë potenciale në të.

***

Po sikur shteti të ishte menaxhues i mirë, a nuk do të duhej promovuesit e tij të jepnin fakte për sukseset e tij në sektorët ku ka kontroll të plotë në Kosovë si shëndetësia apo arsimi publik? A nuk duhej shteti dhe kontrolli i tij të shkëlqenin aty? Në të parën, orientimet e shtetit gjithmonë kanë synuar politikën më populiste të mundshme:  shërbime shëndetësore falas për të gjithë. Nuk besojme se ka rast ku mund të kenë kuptim më të plotë fjalët e Milton Friedman se “nuk ka drekë falas”, meqë një ide “bujare” si kjo e jona bën që në fund të përfundojmë pa anestezione, pa pe, pa shtretër e pa gjilpëra për qepje. Shëndetësia nuk na kushton falas, ajo ka një kosto, ajo na kushton me jetë. Krahaso shërbimet publike në shëndetësi në Kosovë me një kujdes privat të Maqedonisë, dhe kupton pse mbi 80 milionë euro në vit i shpenzojnë kosovarët për shërbime shëndetësore jashtë vendit. Në të dytën, mostrajtimi i barabartë i investimeve private me të njëjtin zell e intensitet si ato publike, ka bërë që investimet jo-publike të marrin kahje tmerruese. Në vend të rregullimit në cilësi vendi ka zgjedhe konkurrueshmërinë publike me çdo mjet ndaj asaj private, sikur kjo e fundit të jetë e huaja (gjithmonë në funksion të ‘korrjeve’ elektorale). Për më tepër, politikat e sodit mbi një sistem publik, prapë falas, bëjnë që ne të prodhojmë mësimnxënës që na mbesin pa punë e mësimdhënës që doktorojnë në tema nga më absurdet, si ato të rrëfimeve personale gjatë luftës. E bëjmë këtë meqë nga falë-dhënia nuk kemi mundësi për të ndërtuar.

Për të mos mjaftuar kjo, ndjenjat e shoqërisë tonë ndaj bizneseve janë absurde. Një biznes shahet e fyhet nga çdo i dyti pa kuptuar mirë se i njëjti hapë vende të reja pune e mban familje të po atyre fyesve. Ne i konsiderojmë paratë e krijuara nga bizneset si të humbura e jo tonat pa kuptuar mirë se e humbur është çdo para që u merret po atyre bizneseve nga një shtet si ky tani. Prosperitetet ekonomike nuk kanë shënuar arritje impresive asnjëherë nën kapetanizmin e shtetit por nga liria dhe e drejta individuale për të bërë.

Nëse shteti është krijues i këtyre parametrave të rënduar ekonomik, atëherë si mund të kritikojmë një sistem tregu, apo të ofrojmë zgjidhje në prezencë më të madhe shteti?! Alternativat e dhëna mbështetin idenë e përmirësimit të kualitetit të qeverisjes. Ndonëse një përmirësim i tillë është i domosdoshëm madje edhe në një shtet minimal, themi se energjia e kërkuar, kostoja e kapitali i nevojshëm (human, financiar e kohor) nuk arsyeton apo garanton benefitet. Në vend të kësaj ne do të argumentojmë se zgjidhjet e Kosovës nuk do të burojnë asnjëherë nga ndërrimet strukturore në qeverisje, por vetëm në ndërrimin e paradigmës dhe besimit ekonomik që ne vendosim ta ndjekim. E nëse ky besim nuk vendoset mbi lirinë e pronës private si forcë gjeneruese, ngecja do të jetë me ne për një kohë të gjatë.
Letra nga limbo
Koha Ditore, 8 Korrik 2011
Lumir Abdixhiku dhe Alban Hashani

Friday, 1 July 2011

NË KËRKIM TË RIMËKËMBJES (1): ZANAFILLA

Letra nga limbo
Koha Ditore, 1 Korrik 2011
Lumir Abdixhiku dhe Alban Hashani


Ne argumentojmë se koordinimi nga shteti është i vështirë në një vend me probleme institucionale, shoqërore e kulturore; është njëjtë sikur të kërkosh mësim shkrimi nga një analfabet
Sa herë që ndokush është munduar të ngre debatin mbi nevojën e një orientimi ekonomik të vendit, përgjigja e marrë ka qenë dëshpëruese: “nuk kemi luks për filozofi”. Dëshpëruese jo për kufizimet që i bëjmë vetës në adresimin e debatit,  sa për injorancën e treguar përballë qindra vjet shkence ekonomike, bazament i zhvillimeve morale, teknologjike, ekonomike, sociale e njerëzore.  Në vend të saj ne kemi zgjedhë bërjen e ekonomisë rreth një grumbull numrash brenda kornizave buxhetore apo në rastin më optimal rreth pronësisë së ndërmarrjeve publike. Dhe ky komfort injorance i prodhuar nga kufizimet tona të dijes, për mendimin tonë,  është dhe do të jetë mbytësi i zgjidhjeve tona. Themi se luks do të ishte mos orientimi ynë filozofik, kjo indiferencë e paarsyeshme dhe ky restrikcion i stërtepruar.
Në frymën e orientimit zhvillimor, ka kohë që vendi po ecën zvarrazi në përpjekjen e tij për të ndjekë një model koherent me nevojat dhe sfidat e së ardhmes. Të gjendur në fund të pusit, me parametra nga më të trishtë, asgjë nuk duket e lehtë. Në këtë mision pothuajse të pamundur, ku mungesa e intelektit dhe kreativitetit bëjnë të pamundurën, ne kemi zgjedhë kalime nëpër modele mishmashe, asnjeri me një qëllim e hartë të qartë por me outpute nga më të paparashikueshme. Në kushte të tilla të paparashikueshmërisë, secila qeveri pretendon se ka realizuar maksimumin. Pothuajse mbi një dekadë përpjekjesh për rimëkëmbje vendi ka provuar koncepte absurde nën ombrellën e mbikëqyrjes ndërkombëtare e më pas praktika amatorësh në ecjen tonë post-pavarësisë. Refuzimi ynë për të ndjekë një model sa vizionar aq dhe strikt, bën që ne sot e kësaj dite ti japim ekonomisë së vendit më shumë probleme se sa zgjidhje. Në këtë fotografi dëshpëruese themi se është vonë për pishman, por mund të bëhet vonë për rimëkëmbje po nuk ndërtuam një model të ri, dhe ky model themi se duhet të burojë fillimisht nga konstatimi i problemit. E në mes të një vorbulle problemesh njëri zë vend më shumë se të tjerët, është ai i intensitetit të prezencës së shtetit; jo i substancës së tij por i vet konceptit të rolit të shtetit në zhvillimin ekonomik.
***
Do të ishte mjeshtëri e rrallë përcaktimi i intensitetit që një shtet duhet të ushtrojë në treg, megjithatë ka një logjikë të shëndoshë dhe koncensuale se prezencë duhet të ketë, por jo aq sa kjo të prodhojë kontroll. Pranohet prezenca meqë shteti duhet të krijoj e pleqëroj ligje (me parlament e gjykata), të ofrojë mbrojtje e siguri nga rreziqet e jashtme (me ushtri) e anomalitë e brendshme (me polici), të drejtojë agjentët ekonomik në trajtim fer kur ka tendencë të keqpërdorimit të pozitës monopol (me rregullatorë), e të akomodojë nevojat sociale për të shërbyer drejtësinë dhe virtytet etike të njeriut (me taksim). Me të njëjtën dozë refuzohet kontrolli meqë i njëjti mbytë lirinë dhe të drejtën mbi liri, prodhon jo-efiçencë, totalitarizëm e ngufatje në ecjen evolutive të njeriut. Në këtë arsyetim logjik, idetë ekstremiste ekonomike si anarko-kapitalismi në njërën anë dhe komunizmi në anën tjetër bëhen aventura sa irracionale aq dhe destruktive.
Në kërkim të gjetjes së optimumit, ekonomistët politik gjithmonë kanë shprehë interes në dallimet mes praktikave intervenuese, gjithmonë duke u polarizuar brenda idesë kapitaliste. Të parët mbajnë anën e një kapitalizmi të tregut, e që në esencë mbështetë zhvillimin e aktiviteteve nëpërmjet aranzhimeve konkurruese të firmave në pronësi private; kjo formë koordinimi është shpjeguar e tjerrë nga literatura klasike ekonomike. Te dytët, mbështetin kapitalizmin shtetëror, apo ekonomitë e koordinuara, ku agjencionet qeveritare të korporatizuara sillen në një ambient konkurrues me ato private, apo në një nuancë më liberale, pronësia e tëra është private por vendi kontrollon alokimin e kapitalit dhe investimeve.
Të gjesh preferenca apo refuzime krahasuese në praktikat e dy anëve është pothuajse e pamundur. Të dy konceptet kanë dërguar njerëzimin në kufijtë më ultim të tij, secila në mënyrën e vet. Besnik Pula në një recension të shkëlqyeshëm të punimit nga Crowley dhe Stanojevic, elaboroj një praktikë suksesi në Slloveni bazuar në konceptet e shtetit kapitalist. Të njëjta praktika suksesi njeriu mund të gjej dhe në Gjermani, Japoni apo Suedi. Në anën tjetër, po aq të suksesshme, në mos më shumë, duken dhe praktikat e kapitalizmit të tregut të ofruara nga Amerika, Anglia, Singapori apo Hong-Kongu. Të replikosh njërën nga to në Kosovë është po aq e vështirë po nuk hesapuam historinë, potencialet, hendikepet dhe normat shoqërore të vendit. Çdo tregim suksesi, i koordinuar nga shteti apo nga tregu, mund të bëhet tmerr, më i zi se ky i sodit. Njëtrajtësisht, çdo dështim i prodhuar diku tjetër mund të jetë një fitil suksesi për vendin tonë. Prandaj, për të zgjedhë modelin fitues, nëse ka një të tillë, themi se fillimisht duhet nisë nga diagnostifikimi i sëmundjes ekonomike të vendit tonë.
***
Për mendimin tonë, sëmundja e Kosovës buron shumëfish më shumë nga mbi-prezenca e shtetit se sa nga dështimet e tregut. Parametrat e sodit ekonomik nuk u krijuan nga koordinimi i tregut, por nga një koordinim i gabuar shteti; madje aty ku shteti posedonte hise problemet u bënë dhe më të vështira. Për më tepër, shteti në Kosovë nuk ka arritur asnjëherë të prodhoj koordinim por kontroll. Përderisa shteti i Kosovës pretendon se ka një qasje nominalisht neo-liberale, me theks të veçantë në transformimin e pronës, paradoksalisht kemi një rritje të prezencës së kontrollit të tij në ekonomi. Rrjedhimisht vendi mbetet me një model që as nuk arrin minimalisht të mbroj të drejtën pronësore dhe promovoj efiçencën sipas një modeli neo-liberal, e as nuk arsyeton madhësinë e tij duke siguruar barazi në shpërndarjen e të ardhurave sipas modelit të shtetit zhvillimor.
Një skanim tërësisht gjeneral i sfidave sociale, ekonomike madje dhe politike në vend, të bën të kuptosh se në Kosovë, aty ku ka dorë ky model i shtetit, ka gjenerim problemesh. Edukimi, shëndetësia, energjia, ambienti biznesor, inflacioni e papunësia janë sektorë e efekte të prodhuara nga prezenca e këtij shteti e jo e tregut. Përmirësimi dhe rritja e shtetit në anën tjetër nuk bën gjithë zgjidhjen, kjo sepse duhet kohë, mund e kapital dhe se kthimi potencial nga kjo mund të jetë më i vogël se përdorimi alternativ i tyre në përmirësimin e mekanizmave të tregut, nën kushtin se ekzistojnë parametrat minimal të sigurimit të drejtave pronësore..
Përveç kësaj, koordinimi nga shtetit themi se është i vështirë në një vend me probleme institucionale, shoqërore e kulturore; është njëjtë sikur të kërkosh mësim shkrimi nga një analfabet. Të shpresosh se këtë analfabet duhet shkolluar fillimisht, ngritë mbi ty e më pas dhënë të drejtën për të mësuar ty është dhe utopike. Kosova nuk ka kohë të pres që institucionet e saja, normat shoqërore e tiparet tranzitore e post-tranzitore të përmirësohen, vetëdijesohen, respektivisht shuhen. Pritja na lë ta papërdorshëm. Ne mund të mbledhim me mrekulli njerëzit më të mirë, më të ditur e më vizionarë që ka vendi, ti vëmë në krye të tij dhe prapë nuk do të kemi mjaft dije e mjaft njerëz për ti treguar tregut se çfarë është mirë e çfarë nuk është. Hendikepet tona janë aq të mëdha, kapitali ynë është aq i ulët, sjelljet tona janë aq individuale saqë rikuperimi, barazia e konstuktiviteti i shtetit, nga shteti për shtetin bëhet i pamundur. Në vend të saj ne duhet të kufizojmë prezencën e shtetit në garantimin e kushteve bazë të funksionimit normal të tregut, përderisa japim stafetën aty ku ecja bëhet më shpejtë dhe më mirë, tek konkurrenca e sektorit privat; por në të njëjtën kohë të ruajmë balancën tonë sociale meqë një ecje tërësisht e lirë dhe anarkike bartë me veti një bagazh (varfërinë e papunësinë) që na fundos të gjithëve. Fatkeqësisht, indiferenca dhe mosbesimi ynë ndaj iniciativës private, motivit të profitit dhe të drejtës për të pasë e për të bërë është vetë-destruktiviteti më i panevojshëm, më absurd dhe më rrënues që kemi prodhuar ndonjëherë, dhe kjo indiferencë është mu zanafilla e anti-rimëkëmbjes ekonomike.
-          Javën tjetër: Në kërkim të rimëkëmbjes (2): Problemi -