Friday, 29 July 2011

DHËMBËT E SHTETIT

Letra nga limbo
Koha Ditore, 29 Korrik 2011

Çdo devijim dhe zmbrapsje nga vlerat për të cilat heroi i fundit kosovar sakrifikoi vetën, do të jetë dhe devijim i vet shtetit

Këtë javë, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, krenova vetën si pjesë të një shteti. Qeveria e vendit tim po bënte atë çfarë është dashur të bëjë kaherë, të shikojë veten në pasqyrë, ti shtrëngojë dhëmbët fort e të thotë se ka një vijë të cilën se kalon dot. Nuk besoj se ka vendim më të drejtë, më moral, më ligjor dhe më konsensual se sa trajtimi i barabartë dhe vendosja e kontrollit në gjithë vendin. Në këtë kornizë, për mua, fillon e përfundon diskutimi se pse, kur dhe si duhet të vëmë rend e reciprocitet. Krenaria për vend e shtet sikur mu zbeh kur për herë të dytë brenda pak vitesh, pa brengën e gajlen më të vogël, një grup i vogël huliganësh silleshin  e pështilleshin si në bahçen e babës, për të përfunduar në djegien e kufirit verior; të tjerët bënin luftë. U deshën tre orë të plota sulmi terrorist ndaj vendit për të dëgjuar deklaratën e parë nga paria. Parlamenti nuk e pa të udhës të prishë komfortin veror e mbajë seancë të jashtëzakonshme. EULEX-i ishte i humbur, ndërsa KFOR-i po shëtiste lart e poshtë në kërkim të bindjes së të pabindurve.
Kjo mungesë fuqie nuk ishte vlera për të cilat heroi i fundit kosovar sakrifikoi vetën. Vlera e heroit përqafonte idenë e lojalitetit ndaj atdheut, përkushtimit ndaj ligjit e mbrojtjes së të drejtës, pavarësisht kostos. Çdo devijim dhe zmbrapsje nga ndjekja e një vlere të tillë do të jetë devijim i vet shtetit. Qeveria, opozita, e shoqëria civile kanë marrë notën më të lartë për unitet dhe qëndrueshmëri. Të njëjtit duhet të gjejnë forcën, mendjemprehtësinë e kreativitetin për të ushqyer e mbajtur në këmbë sovranitetin territorial, politik e ekonomik të Kosovës. Aftësia jonë për tu sillë si shtet sovran nuk guxon të ndalojë këtu; tashmë jemi “all-in”.
Kosova ka duruar mjaft. Në pothuajse tre vite ne jemi treguar të drejtë, të hapur e të durueshëm ndaj diskriminimit më absurd territorial, politik e ekonomik në Evropën moderne; jemi treguar evropianë e përtej evropianë. I njëjti durim nuk u shpërblye asnjëherë, madje as me një pranim modest të pabarazisë. Si për inat, shpërblim merrnin diskriminuesit tanë sa herë që arrestonin maniakët e vetëprodhuar që vite më parë i glorifikonin si prijës historik. Kur vendosëm të kontrollojmë e reciprokojmë, them se të drejtën morëm në dorë vet, ashtu siç duhet, ashtu siç na takon me ligje të tokës e të Zotit.
Sot kur vendimi është marrë, e kthim prapa nuk ka, vendi ka vënë një pikë reference. O do kontrollojmë kufirin e me këtë dhe gjithë vendin, o kemi humbur një herë e përgjithmonë veriun. Vetëm vendosja e doganierëve (dhe forcave shtesë të sigurisë për ta) në pikat kufitare 1 dhe 31 e bën nisjen sukses. Nëse e gjithë kjo aventurë nuk rezulton me kontroll të plotë në kufijtë e Kosovës (nëpërmjet doganave), e më pas edhe në fshatrat e qytetet e banuara me jo-shqiptarë (nëpërmjet forcave policore), them se kemi quar në dëm një mundësi të artë.
***
E habitshme në gjithë këtë mesele ishte paradoksi i BE-së dhe misionit EULEX. Ky i fundit  dëshmoi fatkeqësisht se ka bërë një ecje perfekte në hapat e UNMIK-ut. Një ecje kaq e mbrapshtë ndaj vullnetit legjitim të Kosovës nuk ka se si të mos reflektohet në relacionin e kosovarëve ndaj tyre. Rezoni ekonomik dhe politik mbi ngjarjet e fundit në Bruksel ishte i njëjtë me atë të Beogradit, sa naiv aq edhe ironik. Fillimisht, ende pa u tharë mirë pena e vendimit të Qeverisë për reciprocitet, të dy palët dënuan vendimin duke thënë se aktet e njëanshme, si kjo e jona, nuk shpijnë regjionin askund. Në deklaratën e tyre njeriu kupton se mosaftësia e kosovarëve të kalojnë e plasojnë lirshëm në e nëpër Serbi, për zyrtarët evropian, që promovojnë lëvizjen e lirë, na qenka një akt tërësisht normal. Naivitete si këto morën përgjigje të rrastë nga ndihmës-sekretari amerikan Countryman, i cili komentoj se Kosova vetëm po reflektonte; punë e paqtë! Së dyti, kur u provua vënia e rendit, Brukseli dhe EULEX  jo vetëm se refuzuan përkrahjen por edhe kërkuan kthimin në gjendjen e mëparshme (pra të anarkisë), duke thënë se çështjet duhet të zgjidhen me dialog në mes të dy palëve. Unë sinqerisht kam problem të kuptoj e definoj se kush duhet të jetë palë e dytë vendimmarrëse në Kosovën me 10 mijë e ca kilometra katrorë të pranuar nga shumica dërmuese e vendeve anëtarë të BE-së. Rrjedhimisht kam vështirë të kuptoj se në emër të cilave vende flasin zyrtarët e Brukselit?
Kur rebelimi shpërtheu,përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën, Fernando Gentilini në një paraqitje të drejtpërdrejtë televizive po lexonte retorikën e zakonshme se “dhuna nuk do të tolerohej në asnjë rast nga misioni i tij”. Sikur Fernando i shkretë të merrte mundin e shikimit të pamjeve nga djegia e Pikës 1, do të kursente veten nga një paraqitje prej palaçoje. Forcat e tij po i thyenin këmbët e hundët në ikje për në Serbi, ani pse ishin caktuar të ruanin rendin e mos toleronin dhunën. Ruajta e rendit nuk kupton ruajtjen e prushit e hirit të kufirit tim, por parandalimin e vandalizmit dhe huliganizmit. Të njëjtit u kthyen në Kosovë orë më vonë, vetëm pasi u përcollën nga policia serbe (nëpër Serbi) në krahun tjetër të Kosovës, Merdare. Për mendimin tim, misioni i EULEX-it këtë javë ka vendosur kapitullimin e tij. Nëse kjo forcë e thirrur të më mbroj mua, po u dashka të mbrohet nga një forcë tjetër, ku buron racionaliteti dhe nevoja për mision të tillë?  
E gjithë kjo anarki e amulli, vorbullohej rreth njeriut të cilit javë më parë, pas negociatave dhe konkluzioneve tërësisht të pakuptimta e panevojshme, i shtrënguam dorën fort. I njëjti tash po udhëhiqte një turmë kriminelësh duke thirrur e gërthasur për rebelim, krah për krah me banditët e plaçkitësit e veturave dhe udhëheqësit paralel. Këta të fundit jo vetëm se i quajtën policët e vendit si fundërrina që kutërbojnë, por në vend shpallën (dhe bënë) gjendje lufte. Besoj se organet e drejtësisë, nëse thirren si të të gjithë vendit, duhet të pastrojnë vendin nga kacabu, banditë e terroristë të tillë; janë non-grata.
Edhe më e habitshme ishte reflektimi i KFOR-it. Fillimisht gjenerali gjerman faktorizojë një grup rebelësh, e më pas dhe Qeverinë Serbe në punët e brendshme të Kosovës. Më pas, në kushte të tërheqjes, ai i garantojë institucioneve kosovare ruajtjen e kufijve. Orë më vonë KFOR-i tradhtoi marrëveshjen; kufiri po digjej. Toleranca e treguar ndaj kriminelëve të armatosur që patrullonin, sulmonin e vranin para hundëve të paqeruajtësve është tërësisht irracionale. Edhe më e irracionale më duket tendenca për të amortizuar rolin e Qeverisë Serbe në djegiet e mëvonshme, kur gjenerali lavdëroi punën e institucioneve serbe në stabilizimin e situatës. Paradoksalisht, ishte po e njëjta Qeveri që kishte nxite, financuar e udhëheqë po të njëjtit njerëz; ata që vonë në mbrëmje patën dhe konflikt të armatosur me ushtarët e gjeneralit.
***
Tani, le ta vëmë rekordin drejt. Nuk ka asnjë argument në zgjedhjen mes paqes e dhunës, por ka vetëm një rrugë të garantuar për paqe, madje në minutën e parë: dorëzimi. Natyrshëm se vendi ka risk në çdo kurs që ndjekë ndryshe nga ai i dorëzimit, por çdo mësim na thotë se risku më i madh qëndron mu në akomodim. Dhe ky është spektri që miqtë tanë mendim-mirë evropian refuzojnë ta shohin, që politika e tyre e akomodimit është zbutje, dhe nuk jep zgjedhje në mes të paqes e konfliktit, vetëm në mes të ligjit dhe dorëzimit. Nëse ne vazhdojmë të akomodojmë, vazhdojmë zmbrapsemi e zbutemi, ne përfundimisht do të duhet ti bëjmë ballë kërkesës së fundit: ultimatumit. Heronjtë si Ekrem Zymberaj na kujtojnë se vendi zmbrapsjen nuk duhet ta ketë alternativë.
Sakrifica e heroit duhet të na shërbejë si standard i angazhimeve tona dhe kufirit të tolerancës për të mbrojtur e administruar vendin tonë në plotësi. Politikëbërësit, nëpërmjet unitetit, duhet të marrin në dorë forcën e shtetit. Kosovarët e duan paqen dhe rendin, por nëse paqja dhe rendi duhet të vijnë me forcë, them se dhëmbët duhet shtrënguar e kërcëlluar dhe më shumë. Në fjalë të Alexander Hamilton, “një komb që pëlqen turpin ndaj rrezikut është i gatuar për padron, dhe e meriton një”. Besoj se kosovarët padron meritojnë vetëm vetën.


No comments: