Letra nga limbo
Koha Ditore, 15 Korrik 2011
Lumir Abdixhiku dhe Alban Hashani
“...qeveria nuk është zgjidhja e problemeve tona, qeveria është vet problemi...”Libertarianizmi ekonomik nënkupton lirinë e pronësisë, lëvizjes së njerëzve dhe tregtisë së mallrave; pra të drejtën për pasje e me këtë dhe të drejtën për bërje. Si i tillë ai është motivues e inovativ duke bërë kështu ngjitjen e njeriut në shkallët më të lartë të potencialit të tij. Mungesa e lirisë për të zotëruar e për të bërë lirshëm, e krijuar nga një mbiprezencë e Qeverisë qoftë në ndikim apo madhësi, është jo e drejtë, jo e nevojshme dhe domosdo jo e suksesshme. Në Kosovë konceptet libertariane janë një religjion pa besimtarë. Për Qeverinë ato shërbejnë si maskë mbulues e politikave të gjysmuara (si ajo e privatizimit e jo liberalizimit), e për një pjesë të opozitës janë terme që shpeshherë shndërrohen në oksimorone nga interpretimi i bërë (si rasti i ligjit të punës dhe socializmave brenda tij). Koncepti i lirisë së të pasurit dhe të bërit është abuzuar e fyer në Kosovë dhe i njëjti sot, në masën më të madhe, ngarkohet me faturën e dështimit ekonomik të vendit. Në dy javët e shkuara ne argumentuam se nëse dikujt duhet faturuar këtë hendikep ekonomik atëherë adresa është mu tek ky format shteti që kemi ndërtuar e asesi te tregu. Në këtë javë, të fundit, ne argumentojmë në favor të tregut, si optimumin e rigjenerimit ekonomik të vendit.
Ne favorizojmë tregun meqë ideja se një menaxhim kapitalist nga shteti mund të jetë funksional në Kosovë është i bazuar mbi supozime jo realiste dhe mbivlerësuese meqë të njëjtat minimizojnë rëndësinë e normave shoqërore, objektivat individuale (të prodhuara nga papunësia e varfëria e rënduar) si dhe mungesën e përgjegjësisë shtetndërtuese. Supozimet për një kapitalizëm tregu në anën tjetër ndërtohen në besimet e sprovuara se pronësia private dhe ndërmarrësia e lirë krijojnë efiçencë, vende pune, çmime më të ulëta, produkte më kualitative dhe ngritje të prosperitetit. Nuk besojmë se ka dhe se i duhet Kosovës ndonjë politikë më gjithëpërfshirëse, më të drejtë dhe më përfituese se sa ofrimi i produkteve e shërbimeve më të mira, më të lira e më prosperuese. Presidenti Reagan kishte thënë njëherë ë vërtetën më të çmuar, se politika më e mirë sociale është punësimi.
***
Për Kosovën është esenciale definimi i bartësve të parasë. Një shtet koordinues kërkon më shumë para, një shtet minimal kërkon të kundërtën. Në këtë sens vendi ka dy alternativa: o bizneset o qeveria. Ne argumentojmë në favor të së parës. Në fund të fundit bizneset e menaxhojnë atë më mirë se një zyrtar që rrogën e ka synim. Bizneset nuk kursejnë, ata investojnë. Çdo euro e marrë nga bizneset është një euro më pak në investime, e kur eurot e marra bëhen bashkë bëhen mijëra vende pune më pak. Qeveria merr paratë e bizneseve produktive dhe nën supozimin (e pasaktë) se din të menaxhojë më mirë i shpërndanë ato për politika në emër të barazisë, vetëm se gjatë rrugës ndal një shumë për punën që bën; pale çfarë pune bën ajo. Në një cikël të shpjeguar thjeshtë, shteti i Kosovës për të krijuar zhvillim merr para nga ata që krijojnë zhvillim. Ne argumentojmë se Kosova duhet të taksojë aq sa të prekë pragun minimal të “së keqes së domosdoshme”.
Bizneset kosovare nuk duhet të jenë mbështetës të politikave sociale, sigurimeve shëndetësore, e edukimeve publike në masën sa të tkurren e rrënohen. Mbi-ngarkesa e tyre është destruktive dhe për vendin, pa marrë parasysh nevojat zhvillimore. Bizneset nuk kanë nevojë as për instruksione se ku e si duhet investuar; ato janë aq të zot sa gjejnë tregun vet. Në fund të fundit do të ishte i tepërt besimi se dikush nga komfortet qeveritare di ti mësoj një biznes; është si të mësosh peshkun të notoj. Bizneset kanë nevojë për më pak barriera qeveritare, thënë shkurtë për më pak shtet. Nëse shteti duhet të koordinojë diçka, themi se paradoksalisht duhet të koordinojë vetën. Së pari, nëpërmjet gjykatave dhe fuqisë së rendit të sigurojë trajtim të fuqishëm të drejtave pronësore, zhvillimit të lirë dhe sigurisë. Së dyti, nëpërmjet liberalizimit të fusë sa më tepër akterë në lojë për të mbjellë konkurrencë. Së treti, nëpërmjet rregullatorëve minimal të krijoj kushte konkurueshmërie dhe shmangie të sjelljeve monopolisitike. Së katërti, nëpërmjet reduktimit të apetitit destruktiv të ndalë korrupsionin e me këtë dhe konkurrencën jo fer. Së pesti, nëpërmjet zvogëlimit të tij të shuaj burokracinë dhe licencimin e tepërt. Së gjashti, nëpërmjet reciprocitetit në relacion me vendet tjera të siguroj barazinë në trajtim. Së fundi, në rastin më të rëndë, nëpërmjet taksave Pigoviane të internalizoj eksternalitetet (Arthur Cecil Pigou). Një qasje e tillë nga shteti do të përkthehej në rritje të bizneseve, qasje më të lirë në kapital financiar, vende të reja pune e ulje të varfërisë.
Shteti dhe kosovarët duhet të fillojnë trajtimin e bizneseve si pasuri të tyre. Pasuria e vërtetë e Kosovës nuk është Posta, as KEK-u e as Trepça. Janë ato gjashtëdhjetë e ca mijë biznese që kanë nevojë për më pak barriera, për më pak ngarkesë, për më pak shtet kontrollues. Interesat e tyre janë dhe të Kosovës. Në fjalë të Adam Smith, ne nuk marrim darkën tonë nga mirësia e kasapit, birrëtarit apo bukëpjekësit, por nga kujdesi i tyre për interesat vetanake. Interferenca në këto interesa përkthehet në më pak darkë. Shtyrja për sukses individual nëpërmjet një ambienti konkurrues është faktori zhvillimor më i fuqishëm i vet shoqërisë.
***
Modeli i ‘shteti të barabartë’ i promovuar në vazhdimësi si një promotor i barazisë, bazohet në një supozim të fuqishëm se ata që do të bëjnë një shtet të tillë priren nga disa vlera më të larta morale dhe universale. Përderisa vlerat morale janë të domosdoshme (edhe në krijimin e shtetit më të vogël), ne konsiderojmë se rritja e madhësisë së shtetit rritë edhe nevojën për më tepër moral. Në situatë të tillë ne rrezikojmë të mbesim pa të dyjat. Për më tepër, përmirësimin e qeverisjes së një shteti të madh duhet ta konceptojmë në suaza të kontekstit kosovar ku tradita shtet-formuese është e hendikepuar. Në këto rrethana, dështimet e qeverisë janë më të mundshme se dështimet e tregut. Rrjedhimisht zvogëlimi i madhësisë së shtetit do të zvogëlonte dhe gjasat e dështimit. Pra në vend se të përmirësojmë një monstrum qeverisës themi të ndërtojmë një qeverisje më të vogël. Kështu jo vetëm se jemi më efikas, më të arsyeshëm e më të përgjegjshëm, por dhe objektivi i ndjekur bëhet më i mundur e më shpejtë i realizueshëm.
Në një dekadë të tërë ne kemi mbështetur zhvillimin ekonomik vetëm në tavolinat e thata qeveritare duke harruar se qeveria nuk di të bëjë biznes, ajo di të kontrollojë e deformojë, sidomos nëse është një qeveri e një vendi tranzitor, post-konfliktuoz e të nën-zhvilluar. Ky kontroll i vënë në emër të koordinimit më efikas e më të barabartë ka dhënë parametrat më të rënduar ekonomik në Evropë. Besojmë se koha është për shfaqjen e tregut.
Ata që do të tregtonin lirinë e të pasurit dhe të bërit me një sistem shtetëror të mirëqenies e kontrollit na kanë thënë se kanë një zgjidhje të suksesit; e quajnë këtë zgjidhje “shtet të barabartë”. Në këtë sistem të tyre qeveria mban kontroll të aseteve, bën biznes, tregon se çfarë e si duhet prodhuar, ku dhe sa duhet punuar. Të gjithë ata që kundërshtojnë këtë zgjidhje janë quajtur si “neo-liberal” të pashpirt, thuajse ky është një mallkim i yni. Thonë se japin përgjigje të thjeshtë në probleme komplekse ekonomike, e kjo përgjigje e tyre për tu dhënë fund rekordeve të rënda e në rritje të vendit vë bast në vetëm ndërrimin e strukturës së qeverisë. Ndoshta dhe ka një përgjigje të thjeshtë, jo të lehtë, por të thjeshtë. Ajo thuret nga fjalët e presidentit Reagan “qeveria nuk është zgjidhja e problemeve tona, qeveria është vet problemi.” Në këto tre javë, ne argumentuam se Kosova duhet të përqafojë parimin e kapitalizmit të tregut. Reduktimi i shtetit dhe prezencës së tij është alternativa më kreative që ne mund të prodhojmë; është zgjidhje e problemit. De-ngufatja e tregut nga mbiprezenca e shtetit është dhe do të mbetet shpresa e fundit e Kosovës.
No comments:
Post a Comment