Saturday, 16 July 2011

NË KËRKIM TË RIMËKËMBJES (2): PROBLEMI

Për dymbëdhjetë vitet e fundit Kosova nuk është nënzhvilluar si rezultat dështimeve të tregut. Është mu e kundërta, dështimet e shtetit janë ato që kanë krijuar anomali nga më të ndryshmet. Rrjedhimisht, nëse bash duhet faturuar këtë dështim, adresa e tregut është tërësisht e gabuar


Javën që shkoi, ne filluam argumentimin mbi tezën se zanafilla e parametrave ekonomik të sodit nuk vjen nga një koordinim tregu, por nga një koordinim (lexo:  kontroll) shteti; madje aty ku shteti posedonte hise problemet u bënë dhe më të vështira. Kujtoni Postën, KEK-un apo minierat dhe gjithë ato anomali që këto ndërmarrje publike bartin në vete. Për më tepër kujtoni se katërmbëdhjetë nga tetëmbëdhjetë barrierat e të bërit biznes në Kosovë burojnë mu nga prezenca e këtij formati shteti. Licencimet e tepërta, burokracia, korrupsioni, incidenca fiskale, konkurrenca jo fer e shërbimet publike janë disa nga barrierat e prodhuara nga një hiper-prezencë në rritje; nga ato “pikat e transaksionit” të vëna nga një shtet koordinues me karakter zhvillimor, e që mendon se di ti tregojë tregut çfarë bën e çfarë jo. Thënë këtë, shteti ka dëshmuar regresin në pothuajse gjithçka që ka prekur; madje sukseset më të mëdha të Kosovës janë mu aty ku shteti nuk ka pasur dorë.

Ronald Reagan, në fjalimin e tij të vitit 1964, pothuajse  njëzet vite para se të bëhej president, kishte thënë se “nuk ka nevoje për konfiskim të pasurisë private për të kuptuar se po shkojmë drejtë një kontrolli destruktiv; çfarë rëndësie ka nëse ti mban një pronë private kur qeveria mban zarfin e vendimit mbi jetën apo vdekjen e biznesit tënd.” Themi se një makineri e tillë tanimë ekziston në Kosovë. Vendi ynë ecën hovshëm barazi me një kontroll ngufatës dhe mu kjo ecje është problemi i rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës.

***

Sot paradoksalisht, madhësia dhe niveli i kontrollit që ky shtet aplikon mbi sektorin privat nuk arsyetohet me nivelin e barazisë sociale që një shtet i madhësisë së tij do të mund të krijonte. Në vend të kësaj, ky shtet, suksesivisht, vë në kontroll dhe fokus të “strategjisë ekonomike” ata sektorë të cilët i japin diskrecion më të madh për t’i keqpërdorur. Nën sloganin e ekonomisë së tregut arsyetimi se privatizimi i ndërmarrjeve publike ka për qëllim fuqizimin e tregut dhe rritjen e efikasitetit nuk qëndron, madje është dhe fyes. Kjo për shkak se ky privatizimi nuk përcillet me liberalizimin e tregut, parakushtin thelbësor të një ekonomie tregu apo neoliberale. Merreni rastin e Telekomit kur shteti i rekomandon Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit që të bëj një moratorium pesë vjeçar në lëshimin e licencave të reja të telefonisë mobile, duke mbytur kështu çdo shpresë për konkurencë, bazamentin e filozofisë së tregut. Ose rastin në sektorin e energjisë, kur i jepet një eksluzivitet prej një dekade investitorit të ri në blerjen e energjisë elektrike. Sa mund të jetë treg i lirë, neoliberal, një vend pa konkurrencë?! Shteti ynë privatizon por nuk liberalizon, shteti ynë transformon dhe monopolizon. Kjo nuk është libertarianizëm; kjo është mbytje tregu nëpërmjet mos-kontestimit. Një proces i tillë lindë dyshimin se ky shtet ose ka mungesë të kapaciteteve analitike ose vihet në pikëpyetje lojaliteti i politikëbërësve ndaj pozitës që mbajnë (në mënyrë të veçantë, kjo e fundit në botën demokratike do të mund të korigjohej me zgjedhje fer dhe të lira). 


Në anën tjetër kritikat më të mëdha  ndaj tregut dhe pronësisë private vijnë në relacion të privatizimit të pronës shoqërore. Alternativa nga një shtet zhvillimor do të ishte mbajtja e tyre në pronësi shoqërore. Ne themi se një alternativë e tillë do të ishte edhe më destruktive se sa një privatizim i plotë. Kjo për disa arsye. E para, për dallim nga vendet e ish-Jugosllavisë, Kosova nuk mund të bënte tjetërsimin e pronës shoqërore në atë shtetërore. Në ato rrethana, zgjidhje aktuale ishte anashkalimi i çështjes së pronësisë. Në rast të zvarritjes, ndërmarrjet do të zhvisheshin nga pasuritë e tyre nga sjelljet oportuniste të individëve të ndryshëm, siç ndodh dhe tani me ato të mbeturat. E dyta ndërmarrjet shoqërore posedonin një teknologji të amortizuar, shkathtësi të vjetruara e treg të humbur; pozita e tyre konkurruese ishte tepër e dobët.  Rrjedhimisht operimi ishte i pamundur ndërsa ristrukturimi i brendshëm ishte utopik. Përderisa procesi i komercializimit nuk dha frytet e pritura për shkak të vonesave në proces dhe mungesës së stimujve nga ana e sektorit privat për të marrë pjesë në një aranzhman të tillë, shitja e këtyre ndërmarrjeve në një model që minimizon diskrecionin e institucionit përgjegjës ishte skenari më real. Ne argumentojmë se problemet që rezultuan nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk mund t’i atribuohen procesit, por konstalacionit politik dhe ekonomik; të dyja buronin mu nga shteti. Ishte mu shteti që rrënoi privatizimin, iniciativën private dhe sinergjinë potenciale në të.

***

Po sikur shteti të ishte menaxhues i mirë, a nuk do të duhej promovuesit e tij të jepnin fakte për sukseset e tij në sektorët ku ka kontroll të plotë në Kosovë si shëndetësia apo arsimi publik? A nuk duhej shteti dhe kontrolli i tij të shkëlqenin aty? Në të parën, orientimet e shtetit gjithmonë kanë synuar politikën më populiste të mundshme:  shërbime shëndetësore falas për të gjithë. Nuk besojme se ka rast ku mund të kenë kuptim më të plotë fjalët e Milton Friedman se “nuk ka drekë falas”, meqë një ide “bujare” si kjo e jona bën që në fund të përfundojmë pa anestezione, pa pe, pa shtretër e pa gjilpëra për qepje. Shëndetësia nuk na kushton falas, ajo ka një kosto, ajo na kushton me jetë. Krahaso shërbimet publike në shëndetësi në Kosovë me një kujdes privat të Maqedonisë, dhe kupton pse mbi 80 milionë euro në vit i shpenzojnë kosovarët për shërbime shëndetësore jashtë vendit. Në të dytën, mostrajtimi i barabartë i investimeve private me të njëjtin zell e intensitet si ato publike, ka bërë që investimet jo-publike të marrin kahje tmerruese. Në vend të rregullimit në cilësi vendi ka zgjedhe konkurrueshmërinë publike me çdo mjet ndaj asaj private, sikur kjo e fundit të jetë e huaja (gjithmonë në funksion të ‘korrjeve’ elektorale). Për më tepër, politikat e sodit mbi një sistem publik, prapë falas, bëjnë që ne të prodhojmë mësimnxënës që na mbesin pa punë e mësimdhënës që doktorojnë në tema nga më absurdet, si ato të rrëfimeve personale gjatë luftës. E bëjmë këtë meqë nga falë-dhënia nuk kemi mundësi për të ndërtuar.

Për të mos mjaftuar kjo, ndjenjat e shoqërisë tonë ndaj bizneseve janë absurde. Një biznes shahet e fyhet nga çdo i dyti pa kuptuar mirë se i njëjti hapë vende të reja pune e mban familje të po atyre fyesve. Ne i konsiderojmë paratë e krijuara nga bizneset si të humbura e jo tonat pa kuptuar mirë se e humbur është çdo para që u merret po atyre bizneseve nga një shtet si ky tani. Prosperitetet ekonomike nuk kanë shënuar arritje impresive asnjëherë nën kapetanizmin e shtetit por nga liria dhe e drejta individuale për të bërë.

Nëse shteti është krijues i këtyre parametrave të rënduar ekonomik, atëherë si mund të kritikojmë një sistem tregu, apo të ofrojmë zgjidhje në prezencë më të madhe shteti?! Alternativat e dhëna mbështetin idenë e përmirësimit të kualitetit të qeverisjes. Ndonëse një përmirësim i tillë është i domosdoshëm madje edhe në një shtet minimal, themi se energjia e kërkuar, kostoja e kapitali i nevojshëm (human, financiar e kohor) nuk arsyeton apo garanton benefitet. Në vend të kësaj ne do të argumentojmë se zgjidhjet e Kosovës nuk do të burojnë asnjëherë nga ndërrimet strukturore në qeverisje, por vetëm në ndërrimin e paradigmës dhe besimit ekonomik që ne vendosim ta ndjekim. E nëse ky besim nuk vendoset mbi lirinë e pronës private si forcë gjeneruese, ngecja do të jetë me ne për një kohë të gjatë.
Letra nga limbo
Koha Ditore, 8 Korrik 2011
Lumir Abdixhiku dhe Alban Hashani

No comments: