Friday, 1 July 2011

NË KËRKIM TË RIMËKËMBJES (1): ZANAFILLA

Letra nga limbo
Koha Ditore, 1 Korrik 2011
Lumir Abdixhiku dhe Alban Hashani


Ne argumentojmë se koordinimi nga shteti është i vështirë në një vend me probleme institucionale, shoqërore e kulturore; është njëjtë sikur të kërkosh mësim shkrimi nga një analfabet
Sa herë që ndokush është munduar të ngre debatin mbi nevojën e një orientimi ekonomik të vendit, përgjigja e marrë ka qenë dëshpëruese: “nuk kemi luks për filozofi”. Dëshpëruese jo për kufizimet që i bëjmë vetës në adresimin e debatit,  sa për injorancën e treguar përballë qindra vjet shkence ekonomike, bazament i zhvillimeve morale, teknologjike, ekonomike, sociale e njerëzore.  Në vend të saj ne kemi zgjedhë bërjen e ekonomisë rreth një grumbull numrash brenda kornizave buxhetore apo në rastin më optimal rreth pronësisë së ndërmarrjeve publike. Dhe ky komfort injorance i prodhuar nga kufizimet tona të dijes, për mendimin tonë,  është dhe do të jetë mbytësi i zgjidhjeve tona. Themi se luks do të ishte mos orientimi ynë filozofik, kjo indiferencë e paarsyeshme dhe ky restrikcion i stërtepruar.
Në frymën e orientimit zhvillimor, ka kohë që vendi po ecën zvarrazi në përpjekjen e tij për të ndjekë një model koherent me nevojat dhe sfidat e së ardhmes. Të gjendur në fund të pusit, me parametra nga më të trishtë, asgjë nuk duket e lehtë. Në këtë mision pothuajse të pamundur, ku mungesa e intelektit dhe kreativitetit bëjnë të pamundurën, ne kemi zgjedhë kalime nëpër modele mishmashe, asnjeri me një qëllim e hartë të qartë por me outpute nga më të paparashikueshme. Në kushte të tilla të paparashikueshmërisë, secila qeveri pretendon se ka realizuar maksimumin. Pothuajse mbi një dekadë përpjekjesh për rimëkëmbje vendi ka provuar koncepte absurde nën ombrellën e mbikëqyrjes ndërkombëtare e më pas praktika amatorësh në ecjen tonë post-pavarësisë. Refuzimi ynë për të ndjekë një model sa vizionar aq dhe strikt, bën që ne sot e kësaj dite ti japim ekonomisë së vendit më shumë probleme se sa zgjidhje. Në këtë fotografi dëshpëruese themi se është vonë për pishman, por mund të bëhet vonë për rimëkëmbje po nuk ndërtuam një model të ri, dhe ky model themi se duhet të burojë fillimisht nga konstatimi i problemit. E në mes të një vorbulle problemesh njëri zë vend më shumë se të tjerët, është ai i intensitetit të prezencës së shtetit; jo i substancës së tij por i vet konceptit të rolit të shtetit në zhvillimin ekonomik.
***
Do të ishte mjeshtëri e rrallë përcaktimi i intensitetit që një shtet duhet të ushtrojë në treg, megjithatë ka një logjikë të shëndoshë dhe koncensuale se prezencë duhet të ketë, por jo aq sa kjo të prodhojë kontroll. Pranohet prezenca meqë shteti duhet të krijoj e pleqëroj ligje (me parlament e gjykata), të ofrojë mbrojtje e siguri nga rreziqet e jashtme (me ushtri) e anomalitë e brendshme (me polici), të drejtojë agjentët ekonomik në trajtim fer kur ka tendencë të keqpërdorimit të pozitës monopol (me rregullatorë), e të akomodojë nevojat sociale për të shërbyer drejtësinë dhe virtytet etike të njeriut (me taksim). Me të njëjtën dozë refuzohet kontrolli meqë i njëjti mbytë lirinë dhe të drejtën mbi liri, prodhon jo-efiçencë, totalitarizëm e ngufatje në ecjen evolutive të njeriut. Në këtë arsyetim logjik, idetë ekstremiste ekonomike si anarko-kapitalismi në njërën anë dhe komunizmi në anën tjetër bëhen aventura sa irracionale aq dhe destruktive.
Në kërkim të gjetjes së optimumit, ekonomistët politik gjithmonë kanë shprehë interes në dallimet mes praktikave intervenuese, gjithmonë duke u polarizuar brenda idesë kapitaliste. Të parët mbajnë anën e një kapitalizmi të tregut, e që në esencë mbështetë zhvillimin e aktiviteteve nëpërmjet aranzhimeve konkurruese të firmave në pronësi private; kjo formë koordinimi është shpjeguar e tjerrë nga literatura klasike ekonomike. Te dytët, mbështetin kapitalizmin shtetëror, apo ekonomitë e koordinuara, ku agjencionet qeveritare të korporatizuara sillen në një ambient konkurrues me ato private, apo në një nuancë më liberale, pronësia e tëra është private por vendi kontrollon alokimin e kapitalit dhe investimeve.
Të gjesh preferenca apo refuzime krahasuese në praktikat e dy anëve është pothuajse e pamundur. Të dy konceptet kanë dërguar njerëzimin në kufijtë më ultim të tij, secila në mënyrën e vet. Besnik Pula në një recension të shkëlqyeshëm të punimit nga Crowley dhe Stanojevic, elaboroj një praktikë suksesi në Slloveni bazuar në konceptet e shtetit kapitalist. Të njëjta praktika suksesi njeriu mund të gjej dhe në Gjermani, Japoni apo Suedi. Në anën tjetër, po aq të suksesshme, në mos më shumë, duken dhe praktikat e kapitalizmit të tregut të ofruara nga Amerika, Anglia, Singapori apo Hong-Kongu. Të replikosh njërën nga to në Kosovë është po aq e vështirë po nuk hesapuam historinë, potencialet, hendikepet dhe normat shoqërore të vendit. Çdo tregim suksesi, i koordinuar nga shteti apo nga tregu, mund të bëhet tmerr, më i zi se ky i sodit. Njëtrajtësisht, çdo dështim i prodhuar diku tjetër mund të jetë një fitil suksesi për vendin tonë. Prandaj, për të zgjedhë modelin fitues, nëse ka një të tillë, themi se fillimisht duhet nisë nga diagnostifikimi i sëmundjes ekonomike të vendit tonë.
***
Për mendimin tonë, sëmundja e Kosovës buron shumëfish më shumë nga mbi-prezenca e shtetit se sa nga dështimet e tregut. Parametrat e sodit ekonomik nuk u krijuan nga koordinimi i tregut, por nga një koordinim i gabuar shteti; madje aty ku shteti posedonte hise problemet u bënë dhe më të vështira. Për më tepër, shteti në Kosovë nuk ka arritur asnjëherë të prodhoj koordinim por kontroll. Përderisa shteti i Kosovës pretendon se ka një qasje nominalisht neo-liberale, me theks të veçantë në transformimin e pronës, paradoksalisht kemi një rritje të prezencës së kontrollit të tij në ekonomi. Rrjedhimisht vendi mbetet me një model që as nuk arrin minimalisht të mbroj të drejtën pronësore dhe promovoj efiçencën sipas një modeli neo-liberal, e as nuk arsyeton madhësinë e tij duke siguruar barazi në shpërndarjen e të ardhurave sipas modelit të shtetit zhvillimor.
Një skanim tërësisht gjeneral i sfidave sociale, ekonomike madje dhe politike në vend, të bën të kuptosh se në Kosovë, aty ku ka dorë ky model i shtetit, ka gjenerim problemesh. Edukimi, shëndetësia, energjia, ambienti biznesor, inflacioni e papunësia janë sektorë e efekte të prodhuara nga prezenca e këtij shteti e jo e tregut. Përmirësimi dhe rritja e shtetit në anën tjetër nuk bën gjithë zgjidhjen, kjo sepse duhet kohë, mund e kapital dhe se kthimi potencial nga kjo mund të jetë më i vogël se përdorimi alternativ i tyre në përmirësimin e mekanizmave të tregut, nën kushtin se ekzistojnë parametrat minimal të sigurimit të drejtave pronësore..
Përveç kësaj, koordinimi nga shtetit themi se është i vështirë në një vend me probleme institucionale, shoqërore e kulturore; është njëjtë sikur të kërkosh mësim shkrimi nga një analfabet. Të shpresosh se këtë analfabet duhet shkolluar fillimisht, ngritë mbi ty e më pas dhënë të drejtën për të mësuar ty është dhe utopike. Kosova nuk ka kohë të pres që institucionet e saja, normat shoqërore e tiparet tranzitore e post-tranzitore të përmirësohen, vetëdijesohen, respektivisht shuhen. Pritja na lë ta papërdorshëm. Ne mund të mbledhim me mrekulli njerëzit më të mirë, më të ditur e më vizionarë që ka vendi, ti vëmë në krye të tij dhe prapë nuk do të kemi mjaft dije e mjaft njerëz për ti treguar tregut se çfarë është mirë e çfarë nuk është. Hendikepet tona janë aq të mëdha, kapitali ynë është aq i ulët, sjelljet tona janë aq individuale saqë rikuperimi, barazia e konstuktiviteti i shtetit, nga shteti për shtetin bëhet i pamundur. Në vend të saj ne duhet të kufizojmë prezencën e shtetit në garantimin e kushteve bazë të funksionimit normal të tregut, përderisa japim stafetën aty ku ecja bëhet më shpejtë dhe më mirë, tek konkurrenca e sektorit privat; por në të njëjtën kohë të ruajmë balancën tonë sociale meqë një ecje tërësisht e lirë dhe anarkike bartë me veti një bagazh (varfërinë e papunësinë) që na fundos të gjithëve. Fatkeqësisht, indiferenca dhe mosbesimi ynë ndaj iniciativës private, motivit të profitit dhe të drejtës për të pasë e për të bërë është vetë-destruktiviteti më i panevojshëm, më absurd dhe më rrënues që kemi prodhuar ndonjëherë, dhe kjo indiferencë është mu zanafilla e anti-rimëkëmbjes ekonomike.
-          Javën tjetër: Në kërkim të rimëkëmbjes (2): Problemi -

No comments: