Tuesday, 19 April 2011

REGJISTRIMI: GOTË GJYSMË E ZBRAZËT APO GJYSMË E MBUSHUR

Kam përshtypjen se problemet dhe sfidat e shumta që po i krijojmë në vazhdimësi vetes, shpeshherë po zhvendosin llupën e vëmendjes nga lajmet e mira e të rralla në vend. Krizat e shumta politike e telashet tjera të ekzistencës si duket kanë zënë diskutimet mes miqve e familjes në çdo mblodhi për gëzim e hall. Kam përshtypjen se kemi harruar si duket e si dëgjohet një lajm impresionues, e se në ballinat e gazetave ditore, të TV-ve nacionale ka kohë që lajmi i parë të ketë qenë shpresëdhënës. Viktimë e kësaj zymtësie politike si duket ishte edhe njoftimi për fillimin e regjistrimit të popullsisë, residentëve të Kosovës.  

Sinqerisht, ka kohë që vendi nuk ka dëgjuar lajm më të mirë se ai për fillimin e regjistrimit. Dymbëdhjetë vjet pas luftës dhe 30 pas atij të fundit më në fund kosovarët mund të dinin sa ishin, ku ishin, ka sa ishin, me kë ishin dhe si ishin. Kujtoj se regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë ka ndodhur në vitin 1981. Dhjetë vjet më vonë, shqiptarët kishin bojkotuar regjistrimin e bërë nga Beogradi, ndërkaq përpjekjet e fundit hasnin gjithmonë në barriera politike dhe mungesë serioze të kapaciteteve për regjistrim.

Nuk besoj të ketë pasur rëndësi më të madhe statistikore e hulumtuese se sa pasja e numri të saktë të kosovarëve. Në fund të fundit të gjithë treguesit e dhënë deri më tani mbështeteshin në para-llogaritje nga 1.8 në 2.5 milionë banorë; e kur nuk din numrin e saktë të rezidentëve atëherë çfarë saktësie mund të kenë treguesit tjerë e çfarë politikash zhvillimore mund të bëheshin mbi këtë bazë. Nuk dinim as shpërndarjen e kosovarëve në regjione, as fluksin e tyre, as shpërndarjen gjinore, as moshën e as parametrat e një familje mesatare kosovare e as nivelin e edukimit të tyre. Ndonëse, anketat e bëra jepnin një llogaritje të përafërt, saktësia gjithmonë na ishte një defekt serioz statistikor; e me këtë dhe hamendjet mbi papunësinë, varfërinë e fuqinë financiare të kosovarëve.

Thënë shkurt e shqip, regjistrimi në vend po shuante shumë kureshtje për numra e po hapte shumë mundësi të tjera për analiza ekonomike, sociale e politika, për tu përkthyer në fund në politika të mirëfillta zhvillimore. Të paktën kisha këtë përshtypje para se të regjistrohesha vet. Jo se dua ta prish disponimin e mirë të krijuar nga euforia simpatike e kosovarëve për regjistrim, por them se nga çfarë pashë në pyetësor po humbin shanse të shumta për të skanuar parametrat real të vendit dhe sjelljeve të bashkë-banorëve tanë; në fund të fundit regjistrimi nuk bëhet çdo pranverë.
Kur shikoj debatet mbi regjistrimin në Shqipëri, kuptoj sa shkel e shko kemi bërë këtë tonin. Të paktën të gjitha argumentet e ngritura atje janë tërësisht valide edhe këtu. Deklarimi vullnetar ose jo i etnisë ka qenë temë e shterur në Tiranë nga shoqëria civile e cila ishte e zëshme sa s’bëhet më. Ky zë i tyre u dëgjua dhe bëri që regjistrimi të shtyhej për Nëntor. Argumenti bazë i tyre ndërlidhej me vullnetarizmin në deklarim. Sipas praktikave të BE-së dhe metodologjisë së regjistrimit Evropian, qytetarët nuk deklarojnë përkatësinë etnike meqë bazë regjistruese merret shtetësia. Në ballkan etnia ka peshë. Tu japësh respodentëve të drejtën e “zgjedhjes” së etnisë është luks i paparë. Mua këtë javë mu kishte dhënë mundësia vullnetare të deklaroj vetën si Amerikan, Anglez, Italian, Kinez e Eskimez. Madje në një rast hipotetik ekstrem kosovarët mund të deklaroheshin të gjithë kinez.

Aspak më bindëse nuk mu duk mundësia e regjistrimit të atyre që nuk ishin prezent. Në po të njëjtin regjistrim ne mund të krijonim individ inekzistent me vetëm një fjalë goje. Mund të shpiknim anëtarë të familjes sa të donim, mund ti zhduknim të tjerët meqë regjistruesit nuk kishin asnjë mekanizëm për të verifikuar ekzistencën ose jo të tyre; e gjitha varej nga bindja dhe disponimi ynë humoresk. Të krijosh e zhbësh një identitet të dhënë është sinqerisht një potencial i paparë. Në raste si këto tonat, pra kur ka një boshllëk statistikor, vendet kanë aplikuar metoda edhe nga më ekstremet por prapë mjaft efikase. Kujtoj Turqinë në vitin 2000, kur po bënte një regjistrim të përgjithshëm dhe për këtë gjatë dy ditëve të regjistrimit kishte mbyllur gjithë vendin, shpallur orë të plotë të palëvizshmërisë dhe për më pak se 48 orë e gjithë ushtria e vendit kishte regjistruar saktësisht 72 milion banorë, me një margjinë gabimi minimale. Shtatë vite më vonë regjistrimi tjetër ndodhte në bazë të të dhënave të marra nga mbyllja e përgjithshme; kthim në normalitet. Japonezët për të shmangur defekte të tilla japin numra unik të regjistrimit.

Më pak e dhimbshme duket një mundësi fabrikimi i numrave (le të themi se kemi vetëdijen për të qenë të drejtë) kur shohim kualitetin e informatave që marrim nga respodentët. Pyetësori përmban pyetje mjaft gjenerale për karakteristikat e përgjithshme të individëve, pjesa më e madhe e të cilave gjendet në certifikatën e lindjes së secilit. I njëjti do të na japë përveç numrit të rezidentëve edhe nivelin e përafërt të punësimit, një avancim enorm kur diversiteti i të papunëve ka një shkallë jo-përputhshmërie të paarsyeshme nga 30% në 60%, varësisht se kë dëgjojmë.  Do të na japë edhe nivelin e edukimit të kosovarëve madje edhe adresën e punës, gjuhët që flasim, e besa edhe kualitetin e ndërtimit të shtëpive/banesave. Po ja që i njëjti nuk bën asnjë pyetje për të ardhurat mujore të individëve për të kuptuar fuqinë reale të kosovarëve, nivelin e varfërisë e pse jo edhe shumën e remitancave apo parave që kosovarët marrin nga jashtë. E habitshme se si na shkon mendja të bëjmë pyetje se a është i ndërtuar objekti ynë banues me blloka të kuq apo të bardhë e nuk pyesim se sa para marrim në muaj e nga na vijnë ato, një pyetje kjo thelbësore në çdo regjistrim. Nuk pyesim as për shportën e konsumit, kualitetin apo llojin e produkteve e shërbimeve që konsumojmë, ku i blejmë e pse i blejmë. Një pyetje e vetme si kjo do të na jepte ide e mundësi për projeksione orientuese të vendit të papara deri më tani, nga projeksionet e konsumit e deri te orientimet strategjike të ekonomisë kosovare. Në Rusi, regjistrimi nacional i pyet banorët edhe për planifikimet e tyre në shpenzimin e të ardhurave në vitet vijuese, për shfrytëzimin e kursimeve, planet e banimit shtëpi versus banesë, percepcionet e respodentëve mbi moralin fiskal, mbi përgjegjësinë ndaj vendit, normat shoqërore; madje rusët shpjegojnë edhe sa kilogram mish hanë në muaj. I joni kam përshtypjen se është i kufizuar.

Anglezët gjatë regjistrimeve pyesin edhe për kohën që familjet kalojnë duke lexuar gazeta, surfuar internet apo shikuar televizor; Amerikanët për të kuptuar lëvizjet e banorëve pyesin për vendbanimet në pesë vitet e fundit dhe për planifikimet lëvizëse në të ardhmen; derisa Latinët pyesin edhe për planifikimin familjar, se sa fëmijë një familje planifikon ti ketë në 10 vitet e ardhshme. Këto vende bëjnë pyetje nga më të ndryshme meqë të njëjtat kanë gjasë të merren rrallëherë, një herë në dekadë. Regjistrimi ynë fatkeqësisht do të japë informata modeste, një bazë të dobët për analiza. Besoj se me vullnetin e mirë të kosovarëve për tu përgjigjur procesit të regjistrimit shtimi i disa pyetjeve më shumë me përgjigje fakultative nuk do të kishte qenë i tepërt. Nëse asgjë tjetër të marrësh përgjigje, çfarëdo qofshin ato, nga një popullacion i tërë është resurs i artë për hulumtuesit, analistët e politikëbërësit, për te gjithë vendin.

Procesi mund të ketë mbetur nën hije nga ngjarjet e fundit, mund të mos ketë marrë mbështetjen e mjaftueshme nga liderët politik, mund të ketë probleme me minoritetet dhe me banorët e veriut, mund të ketë ngjallur pak debat në shoqëri, mund të ketë probleme edhe me zgjedhjen e regjistruesve dhe militantizmin e tyre partiak, por në thelb është një hap i madh i vendit dhe na jep një resurs enorm. Ky resurs fatkeqësisht nuk ka nxjerrë më të mirën e mundshme. Ndoshta në 2021 ne do të marrim më shumë. Deri atëherë le të mjaftohemi me disa të dhëna bazike; siç thotë mileti më mirë diç se hiç.

KOHA DITORE, 15 PRILL 2011
LETRA NGA LIMBO

No comments: