Qeveria dhe ndjekësit e saj me mish e me shpirt po mundohen të paraqesin shitjen e pasurisë publike si ide të djathta e liberale, pjesë e një fryme filozofike së tyre. Si promovues libertarian, jam i bindur se vendimmarrësit tanë as që kanë lidhje se çfarë është e majtë e çfarë e djathtë! Madje Friedmanit e Smithit do ti vinte turp nga një grupizim i tillë. Politikat e djeshmit e këto të sodit bëjnë mu të kundërtën e privatizimit, bëjnë o nacionalizimin o zhvleftësimin e pasurisë
Ka kohë që vendi ynë ngec dhe nuk sheh vetën dot të veshur me orientime të qarta ekonomike. Anija jonë dhe kapitenët e saj vazhdojnë të bëjnë slalome në drejtime të rastit, të dhëna tërësisht nga erëra po aq të rastit, për të përfunduar kështu në vende aspak të këndshme. Stagnimi dhe degradimi ekonomik i vendit buron pikërisht nga mungesa e një busulle në anijen tonë, e një lundrim i tillë ja që na plasë me shkëmbinj për të mbetur në fund pa anije. Ne u përplasëm së fundi me shitjen e PTK-së, para saj me shitjen e Feronikelit e Sharcemit, nesër me faljen e linjitit, KEK-ut e të Trepçës. Jo se nuk duhet të transformojmë pronën publike në zotërim të sektorit privat. Do të ishte marrëzi ideologjike shpresa së një vend tranzitor me telashe institucionale e me gjithë të metat e sëmundjet e procesit tranzitor e post-konfliktuoz mund të prodhojë një output inkurajues; një zhvillim ekonomik. Është e thjeshtë, pronësia publike në vende të tranzicionit është barrierë për bizneset, strofull e korrupsionit e nepotizmit dhe vetë-ngufatëse në rritje. Menaxhimi publik është një kapiten i keq. Megjithatë, do të ishte po aq marrëzi nëse heqim dorë nga pasuritë që i kemi pa marrë diçka prapa ose të paktën pa qenë pjesëmarrës në udhëtimin e tyre zhvillimor. Deri sa sektori privat duhet të jetë kapiten i anijes sonë, prona publike duhet të jetë kargo në këtë ecje. Thënë shkurtë, ne duhet dhënë pronësinë shumicë të aseteve nacionale çdo investitori serioz, por në të njëjtën kohë ne duhet të jemi ortakë në përfitimet e bëra, madje ortakë mjaft signifikantë.
Shitjet e bëra në Kosovë tregojnë se vendi nuk ka ide se kah donë të shkojë. Nuk ka orientim ideologjik në filozofinë e saj shtetndërtuese, nuk ka orientim strategjik në menaxhimin e pasurisë publike, nuk ka një plan, një hartë, një rrugë për të ndjekë në ecjen e saj drejt proceseve post-tranzitore. Thënë këtë vendi ynë ende nuk ka çelës për të mbyllë derën e epokës së tranzicionit. Në vend të kësaj, Kosova ka një grumbull minor njerëzish dhe një sërë përcjellësish repetitiv që marrin vendime të rastit. Vendimet e tyre fatkeqësisht prekin themelet mbi të cilat mund të ndërtohet prosperiteti i vendit, humbin shanse që nuk na jepen dy herë, dhe në fund na lënë me një vend të papërdorshëm, të parimëkëmbshëm, të pashpresë. Është një doktrinë e shëmtuar për një vend me kaq shumë potenciale.
Menaxhimi i pasurisë nacionale bën pjesë në këtë stil doktrinesk. Ky menaxhim nuk përkon me asnjë ide ekonomike; është tërësisht i rastit dhe po aq trishtues. Miku im Besnik Pula me plot të drejtë më zinte kokën nga dështimet e tregut dhe pronësisë private të prodhuara në Kosovë. Gjithmonë i argumentoja se procesi i privatizimit të deritanishëm nuk ka përkuar asnjëherë me konceptin e plotë dhe të saktë të frymës libertariane mbi pronën private. Privatizimi i Kosovës është plaçkitje e pasurisë, mashtrim i vendit, është një ankth i tmerrshëm. Synimi primar i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend ka qenë rifunkcionalizimi i tyre, nxitja e punësimit dhe investimeve kapitale në vend. Qëllime plotësisht impresive, por, në fjalët e Milton Friedman “qëllimet e mira nuk japin domosdoshmërish rezultate të mira”. Mosrespektimi i kontratave të privatizimit, transformimi i funksionalitetit të ndërmarrjeve, korrupsioni dhe mashtrimet në proceset e privatizimit si dhe mungesa e sigurisë institucionale për të garantuar ndërveprimin e forcave të tregut në marrjen e çmimin real, kanë bërë që procesi të degradohet e devijohet tërësisht nga një proces mirëfilli privatizues, madje sot të shihet si i tmerrshëm nga percepcioni publik. Nuk u vë fajin për percepcion; por privatizim asesi nuk mund ta quaj një proces kur një ndërmarrje shoqërore i është dhënë me korrupsion, shantazh e hajni ndonjë kushëriri të ministri, i cili ka premtuar miliona të majme investime por ka përfunduar me eksportimin si hekur të shtyllave të saj, jo se jo me investime, por në fund edhe me shitjen e tokës bujqësore në banuese e banuese në komerciale.
Nuk mundem të quaj privatizim as shitjen e Sharcemit në kohë të turbulencave politike në vend. Me të drejtë pyesim sot se si është e mundur që një ndërmarrje pa konkurrencë në blerje shitet për një investim që maturohet në periudhë 5 vjeçare. Për më tepër, i gjithë procesi ndodhi brenda ditës, në kohë që Kosova nuk kishte as Qeveri, as Parlament e as President. Ishte një tunelizim i çështjes dhe problematikës dhe kjo po se po na ri-sjellë dilemën plaçkitje versus privatizim. Shitja e tillë të përngjan storieve të pabesueshme të Jeltcinit në Rusi kur u jepte miqve të tij rafineri të tëra nafte për 1 dollar, apo për privatizimin serb në kohën e bombardimeve të NATO-s, kur Millosheviq kishte privatizuar plot 300 ndërmarrje shoqërore brenda një nate. Proceset si shitja e Sharcemit dhe ndërmarrjeve tjera shoqërore janë më së paku procese privatizuese, andaj kritikat apo mbështetjet e procesit janë të pavend meqë në fund të fundi ky nuk është privatizim; është thjeshtë një abuzim me idenë. Këto storie janë profite të pas-luftës nga grupe të ngushta interesi për më tepër profite të prodhuar nga prezenca e sektorit publik dhe barrierave të tij.
As më shumë privatizuese nuk duket transformimi i pronës së ndërmarrjeve publike, sot të PTK-së e nesër të KEK-ut kur të mbarojmë me të parën. Qeveria dhe ndjekësit e saj me mish e me shpirt po mundohen të paraqesin shitjen e pasurisë publike si ide të djathta e liberale, pjesë e një fryme filozofike së tyre. Si promovues libertarian, jam i bindur se vendimmarrësit tanë as që kanë lidhje se çfarë është e majtë e çfarë e djathtë! Madje Friedmanit e Smithit do ti vinte turp nga një grupizim i tillë. Politikat e djeshmit e këto të sodit bëjnë mu të kundërtën e privatizimit, bëjnë o nacionalizimin o zhvleftësimin e pasurisë. Kjo asesi nuk mund të quhet transformim pronësie. Shitja e një aseti publik, në këtë rast PTK-së, për të ndërtuar një aset tjetër publik, edhe më të madh, në këtë rast autostradën, nuk është privatizim por nacionalizim i pronësisë. Nëse sot ne kemi një aset nacional të vlerësuar 300 milion euro ndërkaq pas përfundimit të autostradës do të kemi një aset tjetër nacional mbi 1 miliardë euro, atëherë në vend të privatizimit ne kemi bërë nacionalizim të pasurisë, madje e kemi trefishuar atë. Një Qeveri pro-privatizuese do të shihte mundësinë e ndërtimit të partneritetit publiko privat në një veprim të tillë kapital e në anën tjetër do të jepte shumicën e thjeshtë (51%) të aksioneve të PTK-së apo KEK-ut në pronësi private për të vjelë një shumë të majme nga transaksioni i parë dhe profite vjetore po aq të majme nga një udhëheqje private e asetit; padyshim shumë më të majme se kur e kishte vet pronësinë e plotë.
E nëse këta mozaikë të pasurisë publike nuk janë shitur për një arsye filozofike qeverisëse apo për një identitet të ngurtë në të cilin ndjekësit e saj politikbërës besojnë verbërisht, atëherë ku na qenka boshti i ndërtimit të vendit? Dhe kjo na sjell tek ideja e parë se çdo gjë në vend është e rastit, çdo gjë shtyhet nga politika të ditës, të kafeve e muhabeteve të çastit. Kemi nevojë për vota, rrit paga, shit asete. Ne nuk shesim se vendimmarrësit tanë me të vërtetë besojnë në pronën private apo efiçencën e sektorit privat. Po të besonim realisht ne jo vetëm se do ti ofronim bizneseve partneritet më serioz, por edhe mbrojtjen e investitorëve domosdoshmërisht do ta bënim më mirë se top dhjetësha e fundit. Ne shesim se kështu na thotë rasti e vendi, vota e nevoja për të. Ne shesim se blerësit e aseteve na premtojnë vila, vetura, shtëpi e ardhmëri për vendimmarrësit tanë. Ne shesim se kemi korrupsion sa Ishujt Solomon e Xhibuti, shesim se duam hise nga shitja e tyre. Kjo nuk është privatizim. Kjo është plaçkitje.
KOHA DITORE 8 Prill 2011
Letra nga Limbo
No comments:
Post a Comment