Saturday, 2 April 2011

BUXHETI DHE PAZARI I PTK-se: JA KU GABUAT (3)

E vërteta e dhimbshme është se ju, dhe gjithë ata që votuan në parim buxhetin e Republikës kanë dhënë zërin për një zhvlerësim enorm të pasurisë sonë, për një hap tmerrësisht të gabuar ekonomik dhe për këtë dikur dikush do të duhet dhe do të mbajë përgjegjësi, nëse asgjë tjetër të paktën morale para votuesve, kosovarëve e prindërve tanë që krijuan pasuri jo për ta falur atë por për ta ndihmuar rimëkëmbjën ekonomike tonën kur të kuptojmë se nuk dimë të mbajmë shtet; si sot.
  
“Privatizimi i Postë Telekomit të Kosovës nuk duhet të lidhet me deficitin buxhetor për këtë vit” citonte zyrtarët më të lartë qeveritarë këtë javë një kronikë në Koha Ditore; për të vazhduar me “... ne kemi paraparë të hyra të njëhershme në buxhet deri në 300 milionë euro por, asnjëherë në asnjë rrethanë kjo shumë nuk mund të lidhet me shitjen e PTK-së dhe me tendencën për ta treguar se kjo do të jetë vlera e Postës për t’u shitur”. Thënë drejt, fjalë si këto po pompoheshin në vazhdimësi nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, nga ministrat e çështjeve ekonomike, financiare e tregtare në pothuajse çdo paraqitje të tyre sa herë që në gojë zihej privatizimi i PTK-së. Madje argumenti i tillë u formësua e u ngurtësua aq shumë sa që në mungesë të kundërshtimit mori hov e u bë argument parlamentar në diskutimin për buxhet. Them se është fyerje e rëndë e inteligjencës së kosovarëve tu thuash se nuk po shesim për borxh. Është po ashtu fyerje tu thuash se ky 300 milionësh nuk përfaqëson shitjen e PTK-së, dhe është fyerje edhe më e rëndë tu thuash se ne nuk kemi parapërcaktuar vlerën e kësaj shitje. Madje deklarimet e tilla janë hiç tjetër veçse tendencë për  kamuflim të gabimeve enorme ekonomike që vendi vazhdon ti bëjë në vazhdimësi. Unë them se gjithherë dhe në çdo rrethanë vendosja e 300 milionëve në buxhet lidhet ama bash me shitjen PTK-së dhe me asgjë tjetër dhe se po i njëjti numër është vetëzhvlerësues në marrjen e hakut real për telekomin nacional. Ja pse.

Kujtoj se më 7 Korrik 2010, Qeveria e Republikës nënshkruan Memorandumin e parë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Dokumenti është publik për çdo njeri me njohuri modeste në surfimin e ueb-faqes së FMN-së. Memorandumi nga kosovarët merr autorizimin më të lartë, me nënshkrimet e tri posteve më të rëndësishme vendimmarrëse ekonomike, atë të Kryeministrit Thaçi, Ministrit të Ekonomisë dhe Financave Shala dhe të Guvernatorit të Bankës Qendrore Rexhepi. Në këtë dokument, përcaktohen kufizimet buxhetore të vendit dhe garantohet qëndrueshmëria financiare. Kjo qëndrueshmëri për bazë ka shitjen e PTK-së dhe inkasimi nga kjo shitje të 300 milion eurove. Në faqen 4 të këtij dokumenti, Neni 5 thotë “...për më tepër ne do të procedojmë me privatizimin e PTK-së për të siguruar financimin e deficitit”. Në faqen 7, Neni 11 thotë “...është e rëndësishme që për të mbuluar deficitin, privatizimi duhet të ndodhë shpejt...” për të vazhduar me “ne do te vendosim moratorium 5 vjeçar për mos dhënien e licencave të reja në telefonisë mobile”. Në po të njëjtën faqe, në Nenin 12, Qeveria i garanton FMN-së se “do të mbajë të pashpenzuara 25% të shpenzimeve të buxhetit”, e që janë 350 milionë euro, “deri në privatizimin e PTK-së”. I njëjti Nen thotë se “nëse të hyrat nga privatizimi i PTK-së janë më të pakta se 300 milion atëherë Qeveria do të merr masa në rritjen e të hyrave tjera buxhetore”. Në faqen 15 në Tabelën 1, rreshti 13, bëhet kurorëzimi final i vlerës së PTK-së ku thuhet se “të hyrat e privatizimit janë 300 milionë euro”.

Ky memorandum 25 faqesh jep mu të kundërtën e asaj që gardianët e paarsyeshëm qeveritarë pretendojnë në dy javët e fundit. E para, janë tre nene të plota që konfirmojnë në këtë marrëveshje shitjen e PTK-së. E dyta, është një nen dhe një tabelë që këtë shitje e vlerëson në një shumë prej 300 milion eurosh, dhe më pak; dhe e treta janë tre nene dhe një tabelë që i konfirmojnë FMN-së, e me këtë edhe gjithë investitorëve potencial, se shitja bëhet për të mbuluar deficitin buxhetor, alla shqipe “për borxh”.

Qeveria ka bërë tre gabime të pafalshme në këtë dokument. Gabimi i parë është se  ka garantuar shitjen e PTK-së me nguti; dhe kur shet me nguti pallavrat e përcaktimit të çmimit nga forcat e tregut janë patetike. Një amator me dije retardore ekonomike do të duhej ta kuptonte se përcaktimi i vlerës së një aseti nga tregu nënkupton “ceteris-paribus” ose mbajtjen e ndikimit të faktorëve tjerë në zero. Tregu absorbon atë çfarë ti i jep. Nëse i jep tregut një ndërmarrje të menaxhuar mire, me potenciale profitabile, pa ndërhyrje politike, pa risk dhe pa nguti atëherë nga tregu merr më të mirën, çmimin real. Por vendi ynë nuk është se po kalon kohën e një imazhi par excellence. Thënë këtë nëse tregut i jep një ndërmarrje të keqmenaxhuar, një treg me risk, një cilësim banditokrat, një ekonomi të ranguar në nivel me Iranin dhe Venezuelën, një nivel korrupsioni sa të Xhibutit e Ishujve Solomon, një imazh tmerrues, një borxh dhe një nevojë urgjente për ta mbuluar atë borxh, atëherë ti domosdoshmërish nuk ke mbajtur faktorët tjerë në impakt zero por ke prodhuar barriera serioze në arritjen e çmimit real të tregut; për të mos thënë se ke bërë çmos sa për të mos marrë atë.

Gabimi i dytë lidhet me përcaktimin e vlerës së shitjes. Sinqerisht unë ende nuk arrij të kuptoj joprofesionalizmin në një vlerësim të tillë. Kujtoj se PTK në 4 vitet e fundit ka dhënë një fitim plot 350 milion eurosh. Në vitin 2007 PTK në formë të dividentës ka kontribuar në buxhet me 30 milion euro, në 2009 me 200 milionë, në 2010 me 80 milionë ndërkaq në 2011 me 40 milionë. Si është e mundur që një ndërmarrje të shitet për vlerën e fitimit të gjeneruar katër vjeçar; madje në kushte të korrupsionit të lartë, nepotizmit, mbipunësimit, keqmenaxhimit e zoti e din çfarë tjetër. Nuk ka dhe nuk do të ketë një vend që ofron një biznes a investim me kohë maturimi vetëm katër vjeçar. Ne vetëm nga licenca e operatorit të dytë, me zero abonentë, kemi marrë plot 80 milionë. Një kompani telekomi mirë e shtrirë në treg, me një milionë abonentë të rregullt, me një forcë duopolistike e të garantuar për së paku 5 vite, vlen larg më shumë se objektivi i dhënë. Shto këtu imazhin, asetet, kapitalin human e profitet e pritshme dhe prapë ke vetëm një pasqyrë të vogël të vlerës reale të saj. Kështu ndodh kur shet për borxh, për hall dhe me nguti. Kështu ndodh kur lidh privatizimin me procese buxhetore.

Dhe mu këtu lind gabimi i tretë dhe më i rëndësishëm. Lidhja e privatizimit të çfarëdo aseti nacional me proceset buxhetore është paradoks i paparë në praktikat privatizuese tranzitore dhe për më tepër tek ne është e ndaluar me ligj. Nëse asgjë tjetër çdo e hyrë nga privatizimi duhet të ketë një adresë të një fondi që kërkon menaxhim më koncensual, më kualitativ dhe më afatgjatë, meqë pasuritë natyrore, publike dhe nacionale nuk janë pronësi e një apo tjetre strukture qeverisëse, por e një pune të palodhshme gjeneratash, është pasuri e të gjithëve. Një lidhje e tillë na detyron shitjen meqë kemi krijuar borxhe dhe borxhet nga diku duhet mbuluar. Një ndarje në anën tjetër do të mundësonte përcaktimin e një pragu minimal, shumë më të lartë se ky tani. Më pas një ankand në një kohë më të përshtatshme do të ofronte domosdoshmërish shumë më tepër se pragu që ne do të parapërcaktonim; mu ashtu siç bëri këtë vit Serbia kur caktoi prag 1.4 miliardësh dhe pranoi ofertë këtë javë prej 2.34 miliardëve për telekomin nacional, madje për vetëm 51% të pronësisë.

Memorandumi me FMN-ën fatkeqësisht nuk është i vetmi që përcakton prejardhjen e të hyrave 300 milionëshe dhe me këtë edhe vlerën e  PTK-së. Janë edhe një sërë dokumentesh tjera publike që kanë bërë të njëjtën gjë. Korniza Afatmesme e Shpenzimeve e publikuar në Qershor 2010, përcakton saktë dhe qartë po të njëjtën vlerë. Në faqen 9 dokumenti thotë “...me përfshirjen e projektit të autostradës gjenerohet një boshllëk i madh i financimit. Për këtë PTK pritet të privatizohet deri në fund të vitit 2010”. Në faqen 19, Tabela 6, rreshti 11, përcaktohen vlerën e pritur “...të hyrat nga privatizimi: 300 milionë). Po të njëjtin përcaktim bën edhe projekt buxheti i parë i 2010-ës.  E tash, nëse ke 3 dokumente publike ku thua qartë, pastër dhe thjeshtë se ti pret privatizimin e PTK-së për të mbuluar borxhin, se nga ky privatizim pritjet i ke për 300 milion euro e më pak dhe se këtë privatizim duhesh domosdoshmërish ta përfundosh shpejtë, atëherë si është e mundur që çmimin do ta përcaktojë tregu e se këto 300 milionë nuk na qenkan të lidhur me shitjen e PTK-së?!

E vërteta e dhimbshme është se ju, dhe gjithë ata që votuan në parim buxhetin e Republikës kanë dhënë zërin për një zhvlerësim enorm të pasurisë sonë, për një hap tmerrësisht të gabuar ekonomik dhe për këtë dikur dikush do të duhet dhe do të mbajë përgjegjësi, nëse asgjë tjetër të paktën morale para votuesve, kosovarëve e prindërve tanë që krijuan pasuri jo për ta falur atë por për ta ndihmuar rimëkëmbjën ekonomike tonën kur të kuptojmë se nuk dimë të mbajmë shtet; si sot.


KOHA DITORE, 1 Prill 2011
Letra nga Limbo

No comments: