Friday, 29 April 2011

POST PLANI BULLGAR - KUJDES AKSHAM PAZARIN

Lumir Abdixhiku dhe Luan Shllaku

Të gjithë duam rrymë dhe autostradë. E duam edhe një privatizim fitimprurës. Por të gjitha duhet t’i bëjmë pa abuzuar me potencialin ekonomik të vendit dhe me sundimin e ligjit. Këto gjëra duhet bërë me zemër, por edhe me stil!


Qeveria ka filluar me privatizimin e  ndërmarrjeve të mëdha publike dhe ka filluar t’i realizojë dy projekte të mëdha investuese, në infrastrukturë dhe energjetikë. Kjo shënon një periudhë të re të zhvillimit të vendit, kur në një anë planifikohet të shiten asetet tona më të mëdha dhe më fitimprurëse, dhe në anën tjetër fillohet me projekte të mëdha investuese, të cilat do të paguhen me para të taksapaguesve, te rasti i autostradës Morinë – Merdar, dhe me para të investitorëve të huaj privat, në rastin e investimeve në termo-energjetikë. Ky moment i rëndësishëm zhvillimor duhet parë nga dy aspekte, nga ai ekonomik: (1) cilat janë përfitimet e Kosovës nga ky privatizim dhe investim, dhe ai i sundimit të ligjit (2) sa ka qenë ky proces transparent, i përgjegjshëm, dhe i bazuar në legjislacionin në fuqi.

Më poshtë janë sjellë 10 momente të cilat tregojnë se i tërë ky proces, që karakterizohet me nguti të paparë në privatizim, dhe me vonesa të mëdha në investime në energjetikë,  abuzon me potencialin tonë ekonomik dhe me rregullat demokratike që duhet t’i përcjellin këto projekte të mëdha.


1

Projekti termo – energjetik. Pas insistimit kokëfortë të dy qeverive të kaluara, në skenarë negative të ndërtimit të TC Kosova e re, me kapacitet 2100 MË, si dhe rrëzimit të këtyre skenareve, pas presionit të shoqërisë civile dhe të një pjese të organizatave ndërkombëtare, ky projekt vazhdon të prodhojë modalitete negative që aspak nuk i shkojnë përshtati Kosovës. Pothuajse të njëjtit aktor të jashtëm, heq Bashkësinë Evropiane, tani na sjellin skenar edhe më të dëmshëm për ekonominë e Kosovës, që i shkel ligjet respektive kosovare, rajonale dhe evropiane. Është fjala për tendencën e rrezikshme që të vendoset monopoli në tregun e energjisë. Çka është duke ndodhur?

Disa organizata ndërkombëtare që janë të involvuara nga fillimi për të na asistuar në përgatitjen sa më të mirë të këtij investimi, nëpërmes të këshilltarëve të tyre të transaksionit, e kanë bindur (lexo: urdhëruar!) qeverinë e Kosovës që TC Kosova B, t’ia jep (lexo: fal!) pronarit të ardhshëm të TC “Kosova e re”. Parlamenti i Kosovës, ishte i dëgjueshëm, dhe e aprovoi kërkesën e qeverisë që TC Kosova B të futet në pakon tenderuese si pronë e ardhshme e pronarit të ri. Ky skenar është i pabesueshëm për njohësit e ekonomisë dhe energjetikës, sepse sjell monopol absolut në tregun tonë të energjisë elektrike, dhe dukshëm i ulë shanset për të marrë kompensim adekuat nga ky investim. Ky monopol shumë lehtë mund të shihet se është i sanksionueshëm me Ligjin e Kosovës për Ndërmarrjet Publike, Traktatin e Bashkësisë së Energjisë (neni 2b,e, Kapitulli IV, neni 18, a, b, Aneksi III, neni 82 c, dhe 86, alinea 2), nënshkruar ne Athinë, 2005, respektimi i të cilit i ka rrënjët në Kushtetutë të Kosovës, dhe në Ligjin për Konkurrencë të Bashkimit Evropian (neni 101 dhe 102, i Traktatit për Funksionimin e BE-së). S’do mend se monopoli është rreptësisht i dënuar edhe me ligjet e vendeve të cilat janë duke na sugjeruar të futemi në këtë aventurë.


2

Komisioni Evropian tashmë është i alarmuar nga një zhvillim i tillë. Ne qershor 2010, nëpërmes të zyrës së saj në Kosovë, e ka njoftuar qeverinë e Kosovës se është shumë i brengosur me këto zhvillime, dhe se ato do të ndikojnë dukshëm në marrëdhëniet e Kosovës me BE, dhe perspektivën e saj integruese. Në këtë letër, adresuar Kryeministrit thuhet:

... “ne konsiderojmë se ky vendim i qeverisë, është një hap prapa procesit të integrimeve europiane, dhe ne jemi të shqetësuar se Kosova nuk do të mund t’i përgjigjet detyrimeve të saja karshi Traktatit të Komunitetit të Energjisë, që do të thotë se do të mbes jo-kompatibile me Aquis (ligjet) e BE-së.”

... “ky vendim i qeverisë është duke e izoluar Kosovën nga pjesa tjetër e rajonit, duke hedhur kështu farë në probleme afatgjata, nga të cilët do të jetë vështirë të dilet, legalisht dhe financiarisht.”

Organizatat tjera ndërkombëtare janë duke e trashur këtë monopol me veprimet e tyre. Banka Botërore ka garantuar që do ta ndihmojë qeverinë e Kosovës për t’i kryer obligimet e veta si super-garantuese e kontratës që do ta lidh ajo me pronarin e ardhshëm, me të cilën i epet ekskluziviteti i blerjes së energjisë, e në kundërshti të plotë me tregun e lirë të energjisë që duhet vendosur nga viti 2015, sipas Traktatit të Athinës, të cilin Kosova është e obliguar ta implementojë me përpikëri.

Duke ditur se qeveria aktuale e ka vendosur integrimin në BE si prioritet të saj madhor, nxitja e zhvillimeve regresive ndaj këtij prioriteti do të ishte e çuditshme dhe e pashpjegueshme.


3

Këta këshilltar të transaksionit i sugjerojnë qeverisë së Kosovës një mrekulli tjetër ekonomike: që pjesëmarrja kosovare në këtë investim të përbashkët të jetë 25 %. Edhe kalkulimet më banale tregojnë se pjesëmarrja e TC Kosova B, në pronësinë e përbashkët me TC Kosova e re, duhet vlerësuar shumë më lartë. (E tërë kjo vlen nëse ligjet do të shkeleshin përfundimisht, dhe TC Kosova B i kalohet në pronësi pronarit të ardhshëm monopolist të energjisë në Kosovë). Le të llogarisim: TC Kosova B, me fuqinë e saj prodhuese prej 600 MË, në pesë vitet e para (2011 – 2016), do të jetë i vetmi potencial prodhues – pra 100% e prodhimit do t’i realizon e vetme.  Pastaj, pas futjes në prodhim të TC “Kosova e re” me 300 MË, pjesëmarrja e Kosovës B në prodhim të energjisë do të jetë 66%, dhe pas katër ose pesë viteve tjera, diku në vitin 2020, prodhimtaria e TC Kosova e re do të barazohet me atë të Kosovës B – pra do të jetë 50% – 50%. Kjo do të thotë se në 10 vitet e para prodhimtaria e Kosovës B do të jetë dominante nga 66 – 100% pjesëmarrje. Pra, si e caktuan këshilltarët e transaksionit vlerën prej vetëm 25% të pronësisë kosovare në këtë partneritet!?

Nuk është vetëm kjo llogaria që duhet bërë kur të caktohet pjesëmarrja e Kosovës. Futjes së TC Kosova B në pako tenderues duhet shtuar edhe të paktën tri komponente që e ngrisin dukshëm pjesëmarrjen tonë: (1) sigurimin e linjitit nga Sibofci, ku qeveria e Kosovës ka investuar deri tash mbi 120 milion euro, (2) garantimin e tregut kosovar, sipas të cilit do t’i epet ekskluzivitet pronarit të ardhshëm për shitje të energjisë në tregun Kosovar, për 20 vitet e ardhshme dhe (3) infrastruktura ekzistuese përreth TC-ve dhe mihjes, që do t’i zvogëlojë shpenzimet e ndërtimit të TC të ri. Nuk do aspak mend të konstatohet se të gjitha këto vlejnë shumë më shumë se 25%, sa i sugjerohet qeverisë që ta shpall në tenderin që do të del shpejtë. Duke marrë parasysh se investitori i ri nuk do të futej në këtë investim me më pak se 51%, mund të themi se pala kosovare duhet të arrijë patjetër një ujdi për pjesëmarrje prej 49%, në këtë ndërmarrje të përbashkët.


4

Autostrada Morine – Merdare, është projekti më madh investiv i Kosovës. Në të qeveria ka vendosur të shpenzojë më shumë se 1 miliard euro para të taksapaguesve të Kosovës. Argumentet pro këtij investimi të cilat iu ofruan qytetarëve ishin kryesisht “patriotike” dhe ideologjike. Slloganet patetike të tipit : “... ne sot japim djersën tonë që fëmijëve të ju dhurojmë një të ardhme të sigurt përmes të këtij korridori!” i zëvendësuan plotësisht shpjegimet që duhet t’i epeshin pronarëve legjitim të kësaj rruge, taksapaguesve kosovar. Kot pritej që të na thuhet diçka më shumë për arsyeshmërinë e ndërtimit të kësaj rruge si prioritet i parë, koston dhe benefitin nga ajo, analiza e kthimit të këtij investimi, dhe në fund Ndikimin Strategjik në Mjedis. Meqenëse zakonisht nuk çojnë peshë argumentet që nuk janë shumë ngushtë të lidhura me një ligj konkret që shkelet, do të sjellim një argument të tillë: qeveria nuk e ka përfill Vlerësimin Strategjik Mjedisor të projektit për ndërtim të rrugës, që del nga Ligji Nr. 03/L-015 i shpallur në Gazetë Zyrtare me 24 mars 2009. Më konkretisht ajo i ka shkelur pothuajse të gjitha nenet dhe alinetë e këtij ligji – nenin 7, 13, 16, 20, 21, 22, 24. çfarëdo letre të siguruar nga Ministria e Mjedisit, e cila thotë se i epet pëlqimi mjedisor në parim, është i pavlefshëm, dhe shumë larg obligimeve që ka pasur qeveria në përmbushje të këtij ligji të rëndësishëm.

Për të mos hyrë më detajisht në këto shkelje, le ti referohemi situatës së njejtë në Rumani – ndërtimit të autostradës Transilvanike, me kompaninë Bechtel poashtu, që pasi që nuk e bëri Vlerësimin Strategjik në Mjedis, mori qortim të ashpër nga BE, e cila i ndaloi të gjitha investimet që ia kishte premtuar qeverisë rumune.


5

Meqenëse më së shpeshti qeveritë sjellin mendimin e institucioneve kredibile ndërkombëtare ose atë të miqve tanë, për ta arsyetuar veprimin e bërë, as te projekti i autostradës nuk ishim të kursyer nga ky lloj argumentimi. U tha se:

“Me këtë projektligj ne shprehim zotimin institucional dhe ligjor për anëtarësim në FMN dhe BB. Për këtë arsye dhe finalizimit sa më të shpejtë e efikas për anëtarësim në këto dy organizata, kërkoj miratimin e këtij projektligji, i cili është parakusht për integrim!”, dhe poashtu u tha nga zyrtar të lartë qeveritar se:

“Qëllimi është që me asistencën e Bankës Botërore të garantojmë një proces transparent, të garantojmë standarde ndërkombëtare dhe sipas asaj që i parasheh BB për fillimin e projektit të madh, autostradës”,

E vërteta është shumë më ndryshe: Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë ishin shumë kritik ndaj këtij projekti. Banka Botërore, në dokumentin “Pasqyra e shpenzimeve publike në Kosovë – qershor 2010, thotë:

“Ka shumë argumente për të konstatua se vendimet për përdorimin e buxhetit për investime kapitale bëhen në bazë subjektive para se objektive. Si rrjedhojë, shumë para janë shpenzuar në projekte që sjellin benefite të ulëta ekonomike!”

“… kontrata e bërë është me çmim të fiksuar për njësi, për periudhën 3 vjeçare, por numri i njësive (sasia) nuk është e specifikuar. Një kontratë e tillë do të duhej t’i kishte sasitë e definuara, për ta reduktuar rrezikun në të  cilin futet qeveria”

“… shpenzimet vjetore (145+400+300+180) do të obligojnë qeverinë të bëjë shkurtime të dukshme në projektet tjera rrugore, në investime kapitale dhe plane zhvillimore. Mirëmbajtja e rrugëve ka ra dukshëm dhe do të vazhdojë me këtë trend.”

 
6

Fillimi i hipershpenzimeve kapitale ka bërë që Kosova të redifinojë nevojën për menaxhim të aseteve publike. Kosova po shpenzon më shumë se që ka. E kur shpenzon më shumë se që ke, futesh në borxh, kur futesh në borxh atëherë fillon pazarin me pasurinë që ke. E kur pazari duhet bërë shpejt, për zor e për nguti atëherë ai na bëhet aksham pazar. Kosova para vetes ka një triologji konfrontuese me veten: buxhet shpenzues çdo vit prej 800- 900 milionëve, autostradë sa një e katërta e GDP-së, dhe tendencë për mbajtje të aseteve nacionale. Ky është një luks i papërballueshëm për ne. Ne o duhet krasitur shpenzimet buxhetore, o duhet krasitur autostradën, o duhet krasitur asetet nacionale; gjithmonë për të pasur në fund një output më optimal të performancës ekonomike. Të trijat nuk mund ti kemi.

Autostrada dhe buxheti hiper-shpenzues ka bërë që Kosova të planifikojë një deficit primar prej 226 milion eurove. Bashkimi Evropian për të gjitha vendet anëtare të saj, me theks të veçantë të përdoruesve të Euros, ka parapërcaktuar një kufi maksimal të deficitit buxhetor, kufizime këto të njohura nën Kriterin e II-të të Maastricht-it (Maastricht criteria) e që qartazi thekson se deficit buxhetor i një vendi nuk guxon të jetë më i lartë se 3% e GDP-së. Në vitin 2011 Kosova planifikon të ketë një deficiti sa 5% e GDP-së së vendit. Këto parametra qartësisht bëjnë shkeljen e rregullave më të rëndësishme financiare të Bashkimit Evropian, madje me tejkalim të kufizimit prej 66%. Një deficit i tillë është arsyeja thelbësore prapa ngutjes për shitje të aseteve publike. Kjo ngutje rrjedhimisht na sjell në vetëzhvlerësim.


7

Miratimi i privatizimit të PTK-së me Ligjin mbi Buxhet është bërë për të mbuluar deficitin. I njëjti është kundër Ligjit mbi Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike 03/L-087 dhe si i tillë është dualizëm në ligjshmërinë kosovare. Po edhe sikur të mos ishte shkelje e ligjshmërisë, shitja e aseteve nacionale kërkon koncensuz të gjerë meqë në fund të fundit asetet dhe pasuria e vendit nuk janë pronë e një apo tjetre qeverie. Pasuritë e Kosovës o na janë falur nga Zoti o na janë trashëguar; prandaj edhe meritojnë një trajtim më fisnik se sa tunelizimi i çështjeve.

Shitja për borxh dhe për nguti konfirmohet edhe në marrëveshjen me FMN. Më 7 Korrik 2010, Qeveria e Republikës nënshkruan Memorandumin e parë me FMN. Memorandumi nga kosovarët merr autorizimin më të lartë. Në faqen 4 të këtij dokumenti, Neni 5 thotë “...për më tepër ne do të procedojmë me privatizimin e PTK-së për të siguruar financimin e deficitit”. Në faqen 7, Neni 11 thotë “...është e rëndësishme që për të mbuluar deficitin, privatizimi duhet të ndodhë shpejt...”. Në po të njëjtën faqe, në Nenin 12, thotë se “nëse të hyrat nga privatizimi i PTK-së janë më të pakta se 300 milion atëherë Qeveria do të merr masa në rritjen e të hyrave tjera buxhetore”. Në faqen 15 në Tabelën 1, rreshti 13, bëhet kurorëzimi final i vlerës së PTK-së ku thuhet se “të hyrat e privatizimit janë 300 milionë euro”. Memorandumi me FMN-ën fatkeqësisht nuk është i vetmi që përcakton prejardhjen e të hyrave 300 milionëshe dhe me këtë edhe vlerën e  PTK-së. Janë edhe një sërë dokumentesh tjera publike që kanë bërë të njëjtën gjë. Korniza Afatmesme e Shpenzimeve e publikuar në Qershor 2010, përcakton saktë dhe qartë po të njëjtën vlerë. Në faqen 9 dokumenti thotë “...me përfshirjen e projektit të autostradës gjenerohet një boshllëk i madh i financimit. Për këtë PTK pritet të privatizohet deri në fund të vitit 2010”. Në faqen 19, Tabela 6, rreshti 11, përcaktohen vlerën e pritur “...të hyrat nga privatizimi: 300 milionë”. Po të njëjtin përcaktim bën edhe projekt buxheti i parë i 2010-ës.  Tash nëse kemi nënshkruar një marrëveshje ku në tre Nene themi publikisht se (një) shesim për deficit, (dy) shesim me nguti, dhe (tre) presim 300 milionë e ndoshta edhe më pakë, atëherë ne skemi bërë asgjë tjetër përveç se vetëzhvlerësim të asetit.


8

Kjo na sjell tek tipari tjetër jooptimal i këtij lloj privatizimi: mos-përcaktimi i vlerës së saj nga tregu. Kur shet me nguti idetë e përcaktimit të çmimit nga forcat e tregut janë joreale. Përcaktimi i vlerës së një aseti nga tregu nënkupton “ceteris-paribus” ose mbajtjen e ndikimit të faktorëve tjerë në zero. Tregu absorbon atë çfarë ti i jep. Nëse i jep tregut një ndërmarrje të menaxhuar mire, me potenciale profitabile, pa ndërhyrje politike, pa risk dhe pa nguti atëherë nga tregu merr më të mirën, çmimin real. Por vendi ynë nuk është se po kalon kohën e një imazhi par excellence. Thënë këtë nëse tregut i jep një ndërmarrje të keqmenaxhuar, një treg me risk, një ekonomi të ranguar në nivel me Iranin dhe Venezuelën, një nivel korrupsioni sa të Xhibutit e Ishujve Solomon, një imazh tmerrues, një borxh dhe një nevojë urgjente për ta mbuluar atë borxh, atëherë ti domosdoshmërish nuk ke mbajtur faktorët tjerë në impakt zero por ke prodhuar barriera serioze në arritjen e çmimit real të tregut; për të mos thënë se ke bërë çmos sa për të mos marrë atë.

Nëse shitja e PTK-së është domosdoshmëri e ndonjë orientimi filozofik, e që dyshojmë se është, meqë në fund të fundit politikat qeveritare bëjnë nacionalizim të pronës në vend të pasurisë nëpërmjet kombinimit Telekom-Autostradë; atëherë është e rrugës që kjo shitje të ndodhë pa nguti, jo për borxh dhe në një kohë shumë më të përshtatshme. Për më tepër, për ti ikur dëmit të vetëzhvlerësimit të asetit, Kosova duhet të ndjekë shembullin e Serbisë në përcaktimin e një pragu minimal të vlerës, e që duhet pritshëm të jetë shumë më i lartë se 300 milionët e planifikuar.


9

Tendenca për dhënien e shumicës absolute të PTK-së janë të papara në praktikat regjionale. Maqedonia mban rreth 38% të telekomit, Kroacia 49%, Sllovenija 68%, Srbija 49%, Bosnja 90%; vetëm Shqipëria mban pronësi pak mbi 20%. Arsyetimi i analizës së Qeverisë mbi shitjen e 75% të aksioneve është se “... të gjithë investitorët insistojnë që shumica e pronësisë të shitet në fillim”. Thënë të drejtën investitorët do të insistonin që PTK-ën ta merrnin edhe fale; por është absurde të mirret për bazë insistimet e investitorëve.

Jo se nuk duhet të transformojmë pronën publike në zotërim të sektorit privat. Do të ishte marrëzi ideologjike shpresa së një vend tranzitor me telashe institucionale e me gjithë të metat e sëmundjet e procesit tranzitor e post-konfliktuoz mund të prodhojë një output inkurajues; një zhvillim ekonomik. Është e thjeshtë, pronësia publike në vende të tranzicionit është barrierë për bizneset, strofull e korrupsionit e nepotizmit dhe vetë-ngufatëse në rritje. Menaxhimi publik është një kapiten i keq i anijes sonë. Megjithatë, do të ishte po aq marrëzi nëse heqim dorë nga pasuritë që i kemi pa marrë diçka prapa ose të paktën pa qenë pjesëmarrës në udhëtimin e tyre zhvillimor. Deri sa sektori privat duhet të jetë kapiten i anijes sonë, prona publike duhet të jetë kargo në këtë ecje. Mbajtja në pronësi publike të 49% të aseteve të Telekomit, nën menaxhimin privat do ti siguronte vendit dividentë në nivel pothuajse të njejtë nga ajo cfarë ne marrim sot nga një menaxhim publik, i zhytur në probleme serioze të korrupsionit, mbipunësimit dhe mungesës së motiviti.


10

Nuk është vonë. Vendi duhet të merret me deficitin. Kosova nuk mund të marr hua meqë nuk ka një rangim kreditor, nuk mund të gjeneroj të hyra shtesë meqë nuk ka ekonomi performuese të bollshme, e nuk mund as të presë ndihmë financiare meqë ka katranosë keq marrëdhëniet me ofruesit e këtyre ndihmave. Dhe çka tash? Kjo na sjell tek zgjedhja mes shitjes së aseteve me nguti ose shkurtimeve buxhetore. Themi se logjika e shëndoshë mbështetë këtë të fundit. Shkurtimi i shpenzimeve mund të bëhet në paga ose në autostradë.

Shkurtimi prej 100 milionëve në paga do të sillte deficitin në kufijt ekstrem, por prapë të pranueshëm. Në fund të fundit në kuptimin ekonomik rritje e pagave në format të sodit nuk rritë fuqinë blerëse të kosovarëve meqë nuk reflekton në inflacion. Në anën tjetër, kosto e autosradës duket se është e papërballueshme. Për të shmangur shitjen e aseteve nacionale, për ti ikur deficitit të planifikuar ne duhet të shikojmë në mundësitë kontraktuale të ndërprerjes së punëve së paku për një vit. Nëse shkurtimi në paga sjell trazira sociale themi se shkurtimi i autostradës është më pak i dhimbshëm. Ne nuk mund të rrezikojmë e zhvleftësojmë të gjitha asetet nacionale, sot Telekomin, nesër Enegjetikën e pasnesër Trepçën, tri asete profitabile afatshkurte për një aset kapital profitabil afatgjatë. Me nevojat emergjente të vendit një llogaritje e tillë është e ngutshme dhe aspak e mençur.


Epilog

Objektivat e Kosovës janë dhe duhet të jenë madhështore, megjithatë kur ke xhepa të shkurtë ndjekja e objektivave të tilla bëhet me risk. Me risk po na bëhet edhe menaxhimi i pasurisë publike. Ky menaxhim reflekton mbi borxhet që vendi po krijon në vazhdimësi. Qëllimi i kësaj analize është i mirë. Duke dëshmuar shkeljet e bëra vetëm ndihmohet demokracia kosovare. Po ashtu, shumë gjëra mund të korrigjohen. E vetmja gjë që nuk thuhet në këtë analizë, është ajo që na vishet më së shpeshti: se ne jemi kundër zhvillimit të Kosovës. Është ekzakt e kundërta. Ne duam që Kosova të zhvillohet, ama me stil! Ashtu si i ka hije demokracive moderne, dhe ashtu si i ka hije një vendi që është duke u ndërtuar me shumë sakrifica dhe peripeci të qytetarëve të saj.

Nevoja e madhe që ka vendi për zhvillim nuk e justifikon abuzimin me potencialin e saj ekonomik dhe me sundimin e ligjit. Këto dy shtylla dominante zhvillimore duhet të shkojnë përkrah njëra tjetrës.

KOHA DITORE, 22 Prill 2011

No comments: