Friday, 31 March 2017

VENDIMET E MËDHA, POLITIKAT E VOGLA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 31 MARS 2017

Mbi ushtrinë, demarkacionin e asociacionin


-1-

Do të duheshin pak ditë, një vizitë e a dy, për të kthyer propozimin e Presidentit prapa nga ku kishte nisë; në strofullin e dorëzimit e mosbërjes; siç rëndom ndodhë gjithnjë. Një përpjekje unilaterale për bërje të ushtrisë ishte parë gjithnjë nën dioptrinë e përvojës së deritanishme provokuese që Presidenti i sotshëm, në të shkuarën e tij, ka përdorur për politikë. Mjeshtër i prodhimit të temave të mëdha, të përcjella me politika të vogla nga ai; pa progres e ndryshim gjithnjë.

Gjithsesi, temat e mëdha mbesin. Dhe, ushtria, mbetet megjithatë temë e madhe – me ose pa tendencën e presidentit për ta bërë material për fletushkën zgjedhore të partisë së tij (“ish” parti nuk bën dallim). Si temë e madhe që është, ushtria kërkon edhe reagim të madh politik. Kjo madhësi reaguese mund të vijë vetëm me bërjen e zërit një të shumicës shqiptare në vend dhe, nga aty, shtrimin e kërkesës për qartësim kohor të durimit që Kosova duhet të ketë. Koha, në të vërtetë, ka qenë dhe kërkesa thelbësore e promovuesit e sponzorizuesit kryesor të mbrojtjes sonë – të Qeverisë Amerikane.

Të mos harrojmë, transformimi i FSK-së në ushtri ka qenë platformë e deklaruar dhe shkruar gjatë sesionit dëgjues të Sekretarit të Mbrojtjes në SHBA, gjeneralit Mattis. Pra, thënë ndryshe, ka një politikë zyrtare amerikane, të mirëdeklaruar për domosdoshmërinë e transformimit. Mbi të gjitha, ka një presion në rritje në qëndrimet individuale bipartizane në senatin e kongresin amerikan për këtë transformim. Pra përfundimi është i vizatuar. E pa vizatuar mbetet megjithatë rruga që duhet arritur në këtë përfundim.

Kjo rrugë mund të vizatohet mirë, në Kosovë, po pat një lidership të mirë. Kosova, tek Presidenti partiak, këtë liderhsip s’mund ta gjejë. Sepse, siç dhe dëshmoj pikërisht ky trajtim i çështjes së ushtrisë, Presidenti në rastin më të mirë mund të bëjë vetëm një asist zgjedhor për partinë e tij.

Por vizatimi i mirë duhet të bëhet nga faktori politik shqiptar, mbështetur nga të tjerë apartiak, në dhënien e zërit si një. Kjo dhënie e zërit do të nisë domosdo një kundërofertë; një pako ofruese të sponzorëve tanë si përgjigje ndaj insistimit tonë të drejtë – që në fund përkon me deklarimin zyrtar amerikan. Kjo pako, madje pat dhe një emërtim që u shpërfaq në vizitën e fundit të zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan Yee; u quajt udhërrëfyes. Pra ka një rrugë e një rrëfim që duhet ndjekë, e që në thelb ka të bëjë me një periudhë kohore për bisedimin e bindjen e serbëve lokal. Pasja e kohës nënkupton dhe fundin e insistimit e kalimin eventual në alternativë – në ndryshime ligjore nëse bindja nuk ka sukses. Një marrëveshje e tillë mund t’i jap rrugë bërjes së ushtrisë brenda vitit 2017.

-2-

Ushtria është tema e parë e madhe në vend. E dyta, jo më pak e vogël, gjithsesi më e vjetër, mbetet ajo e liberalizimit. Këtë javë, sa për rikujtim, mbi 10 milionë Gjeorgjianë morën lëvizje të lirë nëpër Evropë. Fati i vizave tët tre ishte nisur në një pako me fatin tonë. Gjatë rrugës, politikanët tanë ishin ngërthyer keq në një temë caktimi kufiri.

Sot, Kosova duket shumë larg marrjes së vizave. Jo sepse ka pengesa shtesë nga evropianët, pro sepse janë të frikësuar deri në palcë për konsekuencat e tërheqjes nga pozitat të mirë themeluara tash e  dy vjet. Natyrisht se evropianët mbajnë hisen e tyre të fajësisë për trajtimin e padrejtë të kosovarëve me krijimin e kritereve si për asnjë vend tjetër rajonal. Por, në fund të ditës, po që se rregullat e shtëpisë duhet respektuar nga mysafirët, sado të padrejtë të njëjtat të jenë, neve, mysafirëve s’na mbetet tjetër alternativë.

Vazhdimi i përplasjes e mosvotimit rrezikon, natyrshëm, liberalizmin tonë jo për pak kohë; e rrezikon atë për shumë vjet. Mos të harrojmë, në vitin 2008 Maqedonia ishte në rrugë të mbarë anëtarësuese për në BE; veç një hap larg NATO-s. Atëherë, çështja e emrit dhe përplasja me Greqinë kishin nisur një betejë të brendshme që s’ishte zgjidhur asnjëherë. Sot kjo betejë duket krejt e pakuptimtë përballë kostos së krijuar që nga atëherë. Pritjet, sikurse tek ne, kishin qenë në dorëzimin e kërkesave evropiane. Ky dorëzim s’kshte ndodhë asnjëherë. Gati dhjetë vjet më pas, Maqedonia përveç se është shumë larg NATO-s e BE-së, është shumë afër diktaturës e autoritarizmit të plotë. Në një situatë të tillë mund të mbesim dhe ne. Rrokullisja nëpër shkallët e degradimit është vetëm një hap prapa nga ne.

Prandaj na duhet një lëvizje e shpejtë. Na duhet një përmbyllje e procesit përkundër dallimeve që mund t’i kemi sot nëpër parti.

Një marrëveshje gjithë palëshe shqiptare me vendin fqinj – Malin e Zi – do të mund t’i hapte dy rrugë për një zgjidhje, përfundimin e demarkimit. Rruga e parë, nëpërmjet marrëveshjes me  fqinjët për riverifikim të kufirit në bazë të komisioneve të përbashkëta vlerësuese. Rruga e dytë, ndërsa, me vazhdimin e kontestit dhe dërgimin e tij në arbitrazh. Në fund të ditës, Mali i Zi, tashmë vend gati anëtar i NATO-s, është ndër aleatët tanë më të afërt në rajon. Si i tillë, i njëjti, do të ishte i interesuar për më shumë stabilitet në vendet pro-perëndimore, siç është Kosova, për të amortizuar secilën përpjekje ruse e serbe për destabilizim.

-3-

Asociacioni do të jetë tema e tretë e madhe në vend. Presionet për formimin e tij, mesiguri si këmbim të lëvizjes së lirë e bërjes së ushtrisë, do të nisin në vazhdimësi. Kosova, për bazë, ka vetëm një interpretim kushtetues të asociacionit, që bën në parim të vdekur marrëveshjen mbi parimet të nënshkruar më 25 gusht. E bënë të vdekur sepse ky interpretim e heq asociacionin nga kompetencat ekzekutive, e largon nga karakteri i nivelit të mesëm qeverisës, dhe mbi të gjitha e mbanë si jokushtetues në karakterin e tij monoetnik.

Pra vendimi i kushtetueses është garancë e mjaftueshme – në teori – për hapin tjetër në vijim. E hapi tjetër në vijim do të ishte ndërtimi i një statuti në vijë me këtë interpretim.

Presione te kërkesat natyrisht se do të jenë të ndryshme. Në praktikë, për dallim nga teoria e garantuar nga kushtetuesja, klasa jonë politike mund të bëjë dhe lëshime të tjera përkundër interpretimit kushtetues. Në fakt, të njëjtit kishin bërë lëshim drastike, në 23 pika, të marrëveshjes së parë. Do ta bëjnë sërish për motive të mosdijes e këmbimit të pushtetit me kompromis.

Prandaj, edhe këtu, do të ishte e udhës formimi i një komisioni gjithë partiak, që do të hartonte strukturën e statutin e asociacionit; tipik me një statut të një trupi joekzektuiv e plotësisht kushtetues, siç kishte vendosur kjo kushtetuese. Më pas, ky statut, do të duhej të dërgohej për riverifikim në kushtetuese. Po të kishte pak vullnet politik pushteti, draftimin e këtij statutit, konform interpretimit të kushtetueses, do tua linte në dorë ekspertëve të zgjedhur nga opozita.

Përfundimi i këtij procesi, do t’i jepte fund trajtimit të temave të mëdha e të pazgjidhshme, që papërgjegjësia e klasës osnë politike në vazhdimësi u ka dhënë jetë. Fundi i këtyre temave do të bënte Kosovën me ushtri, qytetarët e saj me lëvizje të lirë, e pakicat kombëtare me një organizatë joqeveritare, siç dhe definohet në Kushtetutën e kësaj Republike. Do të ishim përfundimisht më të lirë.



1 comment:

Anonymous said...

Bimët natyrore kanë shëruar kaq shumë sëmundje sa ilaçet dhe injeksionet nuk mund të shërojnë. Unë kam parë rëndësinë e madhe të bimëve natyrore dhe punën e mrekullueshme që ata kanë bërë në jetën e njerëzve. Kam lexuar dëshmitë e njerëzve në internet se si janë shëruar nga herpesi, HIV, diabetikët etj nga mjekësia bimore Dr.DAWN, ndaj vendosa të kontaktoj mjekun sepse e di që natyra ka fuqinë të shërojë çdo gjë. Unë u diagnostikova me HIV për 7 vitet e fundit, por Dr. DAWN më shëroi me barërat e tij dhe i referova menjëherë tezen time dhe burrin e saj, sepse ata të dy vuanin nga herpesi dhe u shëruan gjithashtu. E di që është e vështirë të besohet por jam një dëshmi e gjallë. Nuk është e dëmshme të provosh barëra. Ai është gjithashtu një magjistar, ai bën magji për të rivendosur martesat e prishura dhe magji për fat të mirë për të përparuar dhe shkëlqyer në jetë. Kontaktoni me emailin e Dr.DAWN: ( dawnacuna314@gmail.com )
Whatsapp:+2349046229159/
+3550685677099