Monday, 30 January 2017

ZGJIMI QË NA DUHET

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 JANAR 2017

Mbi domosdoshmërinë e reagimit tonë

-1-

Si rrallëherë më parë, vetëm një javë, në të njëjtën kohë pra, mediat më të rëndësishme botërore kishin rivënë në fokus Kosovën. “Foreign Policy”, “Forbes”, “Observer” e “Independent” ishin veç disa nga to.  Të gjitha, në një ton të njëjtë, shkruanin për Kosovën, Serbinë e Ballkanin, si test të parë të administratës Trump përballë apetiteve të Rusisë, drejt rindezejs së konfliktit në Ballkan.

Diskutimet autoriale në mediume si këto, kishin disa të emërues të përbashkët – ç’është e vërteta aspak të këndshme. I pari, më i trishti, ishte portretizimi që i bëhej Kosovës në pjesën më të madhe të tyre. Kosova paraqitej si vend me krim të organizuar në drogë, armë e prostitucion; paraqitej si vend pjesërisht i lirë, me mungesë serioze të të drejtave dhe lirive të njeriut; si vend që kishte përndjekur e vrarë serb, për të cilët do të zhvillohej një gjykim special; e mbi të gjitha si vatër e ekstremizmit islamik. Në esencë, Kosova portretizohej si projekt i dështuar; dhe dështimi, sipas tyre kërkonte ridizajnim. Sado, pjesërisht, argumente si këto mund të ishin të vërteta, paraqitja e vendit tonë si agresor, vrasës, fole e krimit – pra paraqitja jonë si të dështuar – s’ka se si të jetë e favorshme në secilën ecje tonën në këto kohë të turbullta.

Ridizjanimi ishte emëruesi i dytë i tyre i përbashkët. Në esencë, ridizajnimi parashihte ndarjen e Kosovës. Ndarja, e trajtuar kështu si “mundësi reale dhe e favorshme për të gjithë” përbën risi në diskursin politik për Kosovën. Kurrë kaq hapur, e kurrë më shumë në intensitet, nuk është folur për ndarjen e vendit tonë se sa sot. Dhe diskutimi për një çështje si kjo është veçse hapi i parë në rrugën ekzekutuese të saj.

E treta, dhe jo më pak e rëndësishmja, ishte skenari që paraqitej si mundësi reale në këtë ekzekutim. E gjitha do të niste me një provokim të Serbisë (Foreign Policy madje kishte parashikuar që ky provokim të ndodhte qysh në muajin mars), ndaj të cilit provokim autoritetet kosovare do të përgjigjeshin me forcë policore. Përdorimi i forcës policore do të mobilizonte forcat e ushtrisë serbe, të cilat, siç ishte thënë , mund të “thirrnin blofin” e NATO-s për siguri. Hyrja e tyre në veri, do të niste një zinxhirë reaksionesh në gjithë Kosovën. Në rastin më të lehtë të skenarit të rëndë, konflikti do të përmbyllej me aneksim të veriut. Në rastin më të rëndë, me një konflikt gjithëpërfshirës në Kosovë e rajon.

-2-

Parashikimet e diskutimet si këto kanë zënë vend pas dy ngjarjeve të rëndësishme për rajonin tonë. E para, dhe më kryesorja, ndryshimi i administratës amerikane dhe me të paqartësia në politikën e jashtme që vjen me të. Mos të harrojmë, Kosova e Ballkani, janë derivate të politikës amerikane e perëndimore. Një ndryshim sado i vogël në diskursin politik të tyre, mund të ketë pasoja enorme në periferitë e politikës që përcaktohet atje – siç pra, jemi ne.

Administrata Trump deri më tani ka përmbushur secilin premtim të dhënë në fushatën zgjedhore. Vendimet ekzekutive për shëndetësi, lejimi i projekteve investive kundër ambientaliste, tërheqja nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me Azinë, ndalesa e refugjatëve, apo edhe urdhëresat për ndërtimi e murit me Meksikë, veçse japin një vështrim të qartë të rrugës që do të ndjekë SHBA në vitet në vijim. Kjo rrugë ka për skicë fushatën elektorale dhe idetë e elaboruara ty. Pritjet e jashtme se barra e pushtetit e sistemi i madh amerikan do të korrigjojnë ide të rrezikshme si këto po dalin të jenë të pasakta.

Ide e rrezikshme elektorale, për ne dhe botën perëndimore në përgjithësi, është edhe ajo e Presidentit Trump mbi NATO-n. Nëse e njëjta ndjekë rrugën e njëjtë të realizueshmërisë me premtimet e dhëna elektorale, atëherë Evropa, dhe Ballkani më së shumti, do të futen në një drejtim vërtetë të rrezikshëm e të paqartë për të gjithë.

Kjo paqartësi përbën ngjarjen e dytë të rëndësishme në rajonin tonë – riaktualizimin e Rusisë. Ky riaktualizim vjen pra pikërisht si rrjedhojë e paqartësive amerikane në relacione me jashtë. BE-ja dhe Gjermania, si amortizues të influencës ruse në Evropë duket se janë jo të gatshme për të marrë rolin e prijësit stabilizues këndej. Jogatishmëria e tyre e vonesat eventuale në reagim, do të inkurajojnë më shumë Serbinë dhe partnerët e tyre. Kosova, veriu i saj, është veç një shkrepëse në listën e gerë të shkrepjeve që rusët kanë sot në dorë.

-3-

Kosova dhe shqiptarët në këtë rajon, s’guxojnë të mbesin veçse spektatorë. Në fat të shtetit hise kemi të gjithë. Prandaj na duhet një reagim i përbashkët. Për të bërë një gjë të tillë, një reagim, Kosova duhet ti marrë disa hapa politik. Dhe në listën e hapave politik, i pari, më i rëndësishmi, është krijijmi i unitetit të brendshëm partiak. Pavarësisht aftësisë sonë për t’i bërë gjërat rrafsh, ne nuk jemi në gjendje të zakonshme. Jemi në gjendje krejt të jashtëzakonshme. Në këtë pazakonshmëri tonën, na duhen veprime që kalojnë vijat politike, inatet e çfarëdoshme, përplasjet e vjetra – për një gjë të vetme, për parandalimin e kthimit të Serbisë në Kosovë. Dhe hapi i parë në këtë drejtim është krijimi i një platforme të përbashkët politike, që del nga një tryeze e përbashkët partiake. Në platformë mund të projektohen hapat e tjerë politik, diplomatik, të ekonomisë e sigurisë.

Në fushën diplomatike, do të duhej të vinim kontaktet e menjëhershme me administratën e re amerikane. Shqiptarët e bashkuar në vend do të bashkonin dhe lobistët tanë jashtë – shqiptarët e diasporës pra. Kontaktet e reja me miqtë e vjetër që i kemi atje, do të duhej të ndërlidhnin vija të veçanta komunikimi. Këto vija do të duhej të shtynin përpjekjen tonë për ushtri dhe forca të tjera mbrojtëse. Një takim eventual me rezultat ushtrinë do të jepte sinjal krejt tjetër në Ballkan. Mos të harrojmë, Kosova do të vazhdojë të jetë fushë me interes për SHBA-të; por neve na duhet të maksimizojmë këtë interes të tyre. Të mos devalvojmë pra letrën tonë që kanë në dorë.

Përveç kësaj, ne duhet të nisnim një aleancë rajonale. Do të duhej të bënim promovomin e qëndrimeve të përbashkëta me dy aleatet tanë kryesorë në Ballkan. Me Shqipërinë zyrtare e cila megjithatë duhet të mbajë qëndrim publik për ngjarjet e fundit. Jo nëpërmjet kryeministrit të saj që komenton në një staus Facebook-u, por nëpërmjet mobilizimeve të njëmendta në diplomaci e siguri. Shqipëria duhet t’i tregojë forcave të mëdha botërore, se relacionet Kosovë-Serbi janë reflektive në relacionet Shqipëri-Serbi. Dhe aleati i dytë, ndër më të rëndësishmit në rajon, mbetet Kroacia. Është e habitshme se si s’kemi bërë ende vizitë zyrtare atje. Aleanca rajonale do ta bënte të kushtueshme secilën ide për destabilizim në Ballkan.

Po pritëm e s’bëmë, humbja e veriut do të jetë brenga jonë më e vogël në vitet në vijim.


Saturday, 21 January 2017

KOSOVA KA NEVOJË URGJENTE PËR XHANDARMERI

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami
KOHA DITORE, 20 JANAR 2017


Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i Xhandarmerisë së Kosovës do të ishte përgjigja e duhur për disa nga kërcënimet serioze që janë shfaqur para Kosovës, sidomos në veri


Çdo analizë serioze e zhvillimeve të javëve të fundit, posaçërisht e incidentit me “Trenin serb” dhe diskursin politik që kishte përcjellë atë, do të rezultojë me konkludimin se situata mes Kosovës dhe Serbisë është e tensionuar dhe e rrezikshme. Ky tensionim dhe kjo rrezikshmëri, ka gjasa të vazhdojë në javët e muajt në vijim. “Treni” në fund të ditës është veçse një hap tjetër provokues, por assesi i fundit, i Serbisë drejtë destabilizimit të Kosovës.

Tensionimin e relacioneve, në një mënyrë apo tjetër, e konfirmojnë të gjitha palët; përfshirë edhe vlerësimet që japin segmente të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat kanë reaguar pas kërcënimit për luftë që Serbia i bëri Kosovës.

Madje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, publikisht ka akuzuar Beogradin se ka në plan ankesimin e pjesës veriore të Kosovës, sipas modelit të përdorur nga Rusia në Krime.

Në anën tjetër, agresiviteti i pushtetit në Beograd është shtuar me deklaratat e presidentit serb, Tomislav Nikoliq, i cili ka kërcënuar me dërgim të ushtrisë në Kosovë. Kjo deklaratë është përcjellë me mobilizim e lëvizje të forcave mbrojtëse të Serbisë në drejtim të Kosovës.

Kërcënimeve të Nikoliqit i është përgjigjur, pjesërisht dhe në mënyrë mjaft standarde, një pjesë e prezencës ndërkombëtare në Kosovë (KFOR-i), por për Kosovën duhet të jetë brengosëse qasja që ka marrë Bashkimi Evropian, i cili përveç se kërkon vazhdimin e dialogut të Brukselit si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk pozicionohet qartë rreth kërcënimeve që Kosovës po i vijnë nga Serbia.

Andaj, në rrethana si këto, është e qartë se institucionet e Kosovës do të duhej të dalin me një vlerësim të ri për kërcënimet që e rrezikojnë Kosovën. Ato, para së gjithash, duhet të ndërmarrin veprime e vendime që kanë për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të shtetit për përballje me kërcënime si këto. Kosova, në fund të ditës, nuk guxon të ushtrojë rolin e vet vetëm si spektator që pret fatin e vet varësisht nga disponimet e një fqinji kërcënues.

1. Ushtria

Në rrethana normale, kërcënimet që i vijnë shtetit nga jashtë, do të duhej të adresoheshin me ndërtimin e kapaciteteve ushtarake. Kosova, si shtet i pavarur që është, duhet të ketë ushtrinë e vet; ani pse momentalisht në vend funksionon forca ndërkombëtare paqeruajtëse nën komandën e NATO-s.

Por, procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur ka ngecur. Pjesërisht për shkak të mospajtimeve të brendshme politike ndër-shqiptare, e më pas edhe për shkak të kundërshtimit të pales serbe në koalicionin qeveritar, pa pajtimin e të cilëve duket se Qeveria nuk ka vendosmërinë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për themelimin e Forcës së Armatosura të Kosovës.

Formimi i ushtrisë së shtetit të Kosovës duhet të nisë sa më parë. Qoftë nëpërmjet arritjes së koncensusit fillimisht brenda-shqiptar e më pas tejkalimit të bllokimit serb, qoftë nëpërmjet amandamentimeve ligjore që kapërcejnë detyrimet kushtetuese. Në të gjitha rrethanat, formimi i ushtrisë do të duhet të ndjekë hapat orientues të sponzorëve kryesorë të forcës së Kosovës. Dhe kjo ndjekje, marrë parasysh zhvillimet jo vetëm rajonale por dhe më gjërë, mund të jetë një rrugë më e gjatë.

2. Xhandarmeria

Rrugëtimi ynë drejt formimit të ushtrisë, është i bëshëm por dhe i komplikuar. Në këtë rrugëtim të komplikuar, Kosova duhet të ndërmarrë masa tjera paralelisht. Masa të përkohshme, që do të mbushin zbrazëtinë që kemi në sistemin mbrojtës për shkak të mungesës së forcave ushtarake mbrojtëse. Masat, natyrisht, në asnjë rrethanë nuk duhen të shihen si zëvendësim i domosdoshmërinsë për krijimin e ushtrisë. Ato s’janë përjashtuese, janë veçse plotësuese.

Një mënyrë për të arritur këtë, relativisht shpejtë dhe lehtë, do të ishte krijimi i Xhandarmerisë së Kosovës.

Në aspektin funksional, si njësit për nga natyra i kombinuar policoro-ushtarak, Xhandarmeria e Kosovës do të ndërtonte kapacitetet më të mëdha se sa Policia e Kosovës për të adresuar kërcënimet direkte që po shfaqen kohët e fundit nga Beogradi.

Në aspektin ligjor, krijimi i Xhandarmerisë ka gjasa të bëhet edhe brenda kuadrit të tanishëm ligjor dhe pa ndryshime kushtetuese, meqë Ligji për Policinë (Neni 32 Pika 3) i jep mandat drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që me miratimin e ministrit të Brendshëm, të themeloj “njësitë policore të përkohshme për të kryer detyra të veçanta”.

“Përkohshmëria” është definicion shumë elastik – për shembull, deri sa të mos e njohë Serbia pavarësinë e Kosovës, apo deri sa të vlerësohet se Beogradi nuk përbën rrëzik për integritetin territorial të vendit.

Një tjetër mënyrë do të ishte amandamentimi i Ligjit për Policinë për të inkorporuar specifikisht Xhandarmerinë dhe detyrat e saj brenda tij.

Në të dy rastet, përfaqësuesit serb nuk do të mund ta bllokojnë krijimin e Xhandarmerisë. Krijimi i saj mund të arrihet me një shumicën e thjeshtë parlamentare.

3. Financimi

Themelimi si akt ligjor, është vetëm një hap. Financimi i një trupe të re policore, më të avancuar e me aftësi më të mëdha mbrojtëse, kërkon financim. Ky financim duhet të sigurohet domosdo nga buxheti i Kosovës, madje në mundëisnë e parë rishikuese të tijë – në gjysmën e vitit që jemi tani.

Sipas projeksioneve të tanishme buxhetore, Kosova ndanë jo më shumë se 1.3 milionë euro në vit, për armë dhe pajisje speciale për forcat speciale policore. Ndanë jo më shumë se 6 milionë të tjera në armatim e pajisje për Forcat e Sigurisë së Kosovës. Në përgjithësi, ndanë më pak se 10 milionë euro për mbrojtje, apo 0.1% të Bruto Produktit Vendor. Vendet e BE-së, në mesatare ndajnë nga 2% të BPV-së për qëllime të mbrojtjes. Vendet e rrezikuara me kërcënime për luftë, siç janë vendet Baltike, ndajnë deri në 6% të BPV-së. Thënë ndryshe, Kosova, mbrojtjen nuk e ka pjesë të projeksionit të vet financiar – rrjedhimisht, nuk e ka pjesë të prioriteteteve politikëberësve.

Themelimi i Xhandarmërisë do të kërkonte ndryshim rrënjësor të këtij disproporcioni. Dhe ka disa alternativa financuese për të. E para, më e rëndësishmja, Kosova mund të shkurtojë luksin publik. Do të mjaftonte përgjysmimi i mëditjeve, drekave e darkave të zyrtarëve publik për të arritur një buxhet rreth 50 milionësh në vit për forcat e xhandarmerisë. Po flasim pra për pesëfishim të buxhetit mbrojtës me një vendim kursyes.

E dyta, po aq e rëndësishme, Kosova mund të gjenerojë të hyra të rregullta, në vlerë të përafërt me kursimet e luksit, vetëm nga fiskalizimi i mëtutjeshëm i bizneseve të pafiskalizuara, siç janë ndër të tjerave tregtarët e derivateve të naftës – apo edhe duke luftuar evazionin fiskal e informalitetin në shumë pjesë të vendit. Diku rreth 34% e shitjeve të bizneseve të regjistruara nuk deklarohen për qëllime tatimore.

E treta, jo pak e aplikueshme nga vendet e tjera, Kosova mund të marrë kredi për financimin e blerjeve të pajisjeve e mjeteve mbrojtëse për njësinë.

4. Bashkësia ndërkombëtare

Sigurisht, një hap i tillë është e pritshme të përballet me reagime të përziera nga segmente të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare, si ato në vend ashtu edhe ato jashtë.

Dhe, përkundër faktit se ky është një vendim sovran, të cilin Kosova si shtet i pavarur e ka të drejtën e plotë ta marrë, qasja më e rekomandueshme do të ishte që para ndërmarrjes së një hapi të tillë të sigurohet një përkrahje e qëndrueshme ndërkombëtare, e cila ka gjasa të arrihet më lehtë në këtë moment të agresivitetit të skajshëm serb.

Për këtë, përkrahja e tillë duhet të kërkohet mbështetur në zhvillimet e fundit, sidomos thirrjet për luftë nga ana e Serbisë, duke mos harruar se ka qenë vet Serbia ajo që ka krijuar Xhandarmerinë si forcë për të adresuar situatën pas luftës në Kosovë dhe konfliktitit të mëpasëm në Luginën e Preshevës.

Për më tepër, si pjesë e Policisë së Kosovës që i nënshtrohet të gjitha dispozitave të Ligjit për Policinë edhe funksionon në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhandarmeria e Kosovës nuk mund të kuptohet as si zëvendësim për Ushtrinë e munguar të Kosovës as si forcë konkurrente me KFOR-in, gjë që do të duhej të jetë argument i mjaftueshëm që të përfitohet përkrahja e nevojshme ndërkombëtare për krijimin e saj.

5. Politika

Politikisht, krijimi i Xhandarmerisë po ashtu do të ishte një hap i mirë përpara. Së pari, do të ishte një veprim pro-aktiv politik, që me vete bartë mesazhe të shumëfishta edhe për Serbinë edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Së dyti, do të tregonte vendosmërinë e vendit që të mbrojë sovranitetin, integriteti territorial dhe rendin kushtetues.

Së treti, do të krijonte kapacitet të ri të veprimit për Policinë e Kosovës, e cila përkundër përkushtimit të treguar për zbatimin e detyrave, nuk duket se i ka kapacitetet e plota për përballje me sfidat e reja e të shumëfishta, që tashme po shfaqen para Kosovës.

Thënë ndryshe, nëse Presidenti thotë se Serbia ka plan të aneksojë veriun e vendit, institucionet shtetërore të Kosovës e kanë obligim të ndërmarrin hapa parandalues ndaj këtij agresioni të paralajmëruar.

Xhandarmeria do të ishte një hap i tillë jo vetëm i mirë, por edhe i shpejtë. E shpejtësia e reagimit shpesh herë është shumë më përcaktuese se sa forca.


Monday, 16 January 2017

MBI INTEGRITETIN QË SE KEMI

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 JANAR 2017

Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e saj politik e parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së Kosovës – brenda dhe jashtë saj, deputetët e Parlamentit të Republikës janë të zënë me, besoni ose jo, rritjen e mëditjeve të tyre. Ky është preokupimi në një vend abnormal.


-1-

Rikthimi rus në Ballkan po merr formë secilën ditë. Këtë rikthim të tyre, klasa jonë politike s’arrinë ta nuhatë dot. Po që e nuhatë, s’arrinë ta kundërshtoj fare. Rikthimi rus po shpërfaqet me një Serbi ndryshe – më agresive, më proaktive, më problematike; në një Serbi si gjithherë; provokative, konfliktuoze e jokokëçarëse për pasojat që mund të vijnë tek ajo e përreth saj. Tipike për të; Serbia po kërkon ndryshim me çdo çmim. Këtë ndryshim po e kërkon në kohë të një vakumi interferues në Ballkan; në kohë të një Evrope të lodhur me zgjerim e një Amerike të zënë keq me përplasje bindjesh. Në një kohë të një apetiti rus për influencë në gjithë brezin lindor të Evropës.

Në këtë vijë do të duhej të kuptohet dhe agresioni i saj diplomatik ndaj Kosovës këtë javë; e javë më parë. Arrestimi i një ndër figurave kyçe të luftës së fundit në Kosovë, nëpërmjet një fletarresti që daton nga regjimi i Millosheviqit, bashkë me kërkesën për ekstradim për në Serbi, përbën hapin e fundit të tyre, provokativ e konfliktuoz në një Ballkan të ndjeshëm e ndarë etnikisht skajshmërish. Motivet e një France që ndjekë fletarreste të Millosheviqit, për një të gjykuar për pafajësi nga drejtësia ndërkombëtare, mbesin sa të trishta aq edhe të papërgjegjshme. Vendimi eventual i saj, do të mund të përcaktojë rëndë fatin e relacioneve që BE me plot mund e vite provon t’i ndërtoj këndej.

Me po aq entuziazëm të mbrapshtë sikurse kërkesa për ekstradim, Serbia kishte nisur dhe propagandën e gjoja kidnapimeve të diplomatëve serb në diasporë, nga shqiptarë që jetojnë atje. Lajmin me kërkesë për siguri të shtuar e kishte shpërndarë nëpër kryeqendrat evropiane. Një inskenim si ky, i ulët, por, sërish, tipik për Serbinë, kishte zënë të papërgatitur tërësisht diplomacinë kosovarë – çfarëdo qoftë ajo. Diplomacia kosovare, ndërsa, këto ditë na është e zënë me fyerje ndaj gazetarëve, në atë stilin e bajatshëm, të pakripë, që futë diku një “kuzhinë UDB-je” e një “mani për Beograd”. Ky është niveli i tyre; këta na mbajnë lidhjet gjallë jashtë. Mjerim.

-2-

Masat provokative e kërcënuese të Serbisë ndaj Kosovës, do të shtohen ditëve në vijim. Paradoksalisht, ky shtim i tyre ndodhë në sy të një Evrope pa takt e energji të merret me Ballkan, por që, megjithatë, shton presionet për dialog në mes të dy vendeve. Në këtë kallëp të tyre reagues, ishte edhe deklarata e zëdhënëses Kocijançiq, e cila, në gjithë paditurinë e saj për ngjarjet këndej, kishte kërkuar që arrestimi i Ramush Haradinaj të trajtohej me bisedim – si gjithçka tjetër. Pra, të bëhej mall, të bëhej pjesë e një tryeze diskutuese diku në Bruksel. Të bëhet pra pazar me te ku një mes do të ishte i kënaqshëm për të gjithë. Mos harroni pra, bëhet fjalë për një të trajtuar nga gjyqësia ndërkombëtare; për një qytetar të Republikës që kërkohet të gjykohet e ekstradohet në një shtet tjetër. Këtu s’ka mes. Këtu ka veçse një skaj, një anë; mostrajtimi i budallallëqeve të Beogradit.

Në këtë pikë, më është e qartë se dialogu i shumë proklamuar Kosovë Serbi është i vdekur. Ka qenë i vdekur gjithëherë. Dhe ky dialog ka vdekur jo sepse palët kanë hasur në çështje që s’mund t’i zgjidhin mes vete – ani pse ka plot sosh – pro sepse ndërmjetësuesi i tyre është pa takt. Ndërmjetësuesi i tyre ka përballë një Serbi që flirton herë me ta e herë me Rusi. Ky ndërmjetësues do të bëjë gjithçka që të mbajë Serbinë flirtuese më afër vetes; e kjo gjithçka nënkupton edhe quajtjen e murit në veri si “shkallë” – po qe nevoja.

E në anën tjetër, ky ndërmjetësues ka përballë një Kosovë që s’di çfarë të kërkojë nga një proces që për të është tërësisht alien për ta. Kosova në këtë proces, siç është thëne kaherë, është futur edhe pa platformë, edhe pa unitet edhe pa ide se ku do të mbërrijë në fund. Kjo ka bërë Kosovën të jetë pa integritet. E subjektin pa integritet s’mund ta respektojë askush.

E pa integritet po sillet Kosova edhe sot. Edhe kur i ndërtojnë mur, edhe kur i arresotjnë gjeneralë, edhe kur i propagandojnë jashtë – herë me “ISIS” e herë me “kidnapime”. Kosova pra është bërë një subjekt eksperimenti që s’reagon.

Reagimi do të ishte ndryshe, po të kishim integritet. Do të fillonte me një masë sanksioni ndaj një Serbie që s’ndryshon. Do të goditej drejtë, shpejtë, pastër, në pjesën më të ndjeshme të saj – paranë. Do të vazhdonte me një unitet shqiptar përbrenda, unitet që do t’i sillte Kosovës një platformë udhëzuese të hapave që do të ndjekin në të ardhmen për secilin që kërkon nga ne që të bisedojmë. Do të bisedonim për gjëra që Serbia s’do të ndihej mirë – për të zhdukurit, krimet, plaçkat e luftës, pensionet – do të silleshim si shtet. Siç sillet Kroacia në secilin relacion të saj me Serbinë. Shihni sa ma shumë respektohet ajo sot. Do ta bënim vendin tonë, shtetin tonë, të respektohej nga ndërmjetësuesit njëtrajtësisht siç respektohet Serbia kërcënuese sot. Kaq mund të bënim në shtëpinë tonë.

-3-

Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e saj politik e parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së Kosovës – brenda dhe jashtë saj, deputetët e Parlamentit të Republikës janë të zënë me, besoni ose jo, rritjen e mëditjeve të tyre. Ky është preokupimi në një vend abnormal.

Pra ky vend s’është normal. S’ka as politikë normale, as përfaqësim normal, as kundërshtim normal e as durues normal. Të gjithë, bashkë, kanë vendosur të shkojnë në dreq të mallkuar; dhe në këtë rrugë të tyre, për te dreqi, i biri e kushdo pas tij, po marrin me vete ardhmërinë e fëmijëve tanë, mundin e gjeneratave që s’janë – gjithçka tonën, të tashmen, të shkuarënbe të ardhmen.



Monday, 9 January 2017

MBI PRIORITETET TONA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 JANAR 2017

Nën supozimin e një rinisjeje kolektive, janë tri qëllime që kjo shoqëri duhet ti vejë vetes për këtë vit. Janë të mëdha, kërkojnë shumë transformim, s’janë fare të lehta, por janë gjithsesi të domosdoshme në ndërtimin e një shteti të ç’kapur, funksional, të drejtë e të barabartë për të gjithë. Të tri shtyllat rrumbullakohen në arsim, shëndetësi, e siguri. Kjo shoqëri, do të duhej të ishte e ditur, e shëndetshme, dhe e sigurt. Këtë vit duhet të nisim këtë rrugë.


-1-

Në fund të ditës, ndërrimi i moteve mund të mos ketë asnjë kuptim transformues; sepse, në shpjegimin më të thjeshtë të mundshëm, është veçse një ditë tjetër e një kalkulimi kalendarik. Dhe, përderisa është veç një ditë tjetër kalendarike, s’ka pse të jetë radikalisht më ndryshe se e djeshmja. Në përllogaritjet statistikore, ka endogjeneitet në të sotshmen nga e djeshmja. E djeshmja pra bën një pjesë kryesore të të sotshmes.

Por, megjithatë, në sjelljet shoqërore, ndërrimi i moteve është parë si mundësi e nisjes së diçkaje; është përcjellë njëtrajtësisht me nisje të diçkaje. Njerëzit, shoqëritë, në këtë ristart fiktiv që buron nga një llogaritje kalendarike, megjithatë kanë arritur të pavarësojnë të sotshmen nga e djeshmja. Kanë lënë një duhan, kanë nisur një dietë, kanë bërë një rrugë të re. Pra, i kanë vënë vetes synime, i kanë vënë qëllime. Statistikisht, kanë rregulluar problemin e endogjeneitetit.

Dhe, poqe e tillë dhe për ne kjo llogaritje, viti i ri, 2017-ta pra, do të duhej të na vinte me disa qëllime dhe ne. Do të duhej të na vinte i ndarë nga vitit paraprak; nga një vit, që në shumë përllogaritje e cilësime, ishte ndër më të rëndit që kishim pasur ndonjëherë.

Nën supozimin e një rinisjeje kolektive, janë tri qëllime që kjo shoqëri duhet ti vejë vetes për këtë vit. Janë të mëdha, kërkojnë shumë transformim, s’janë fare të lehta, por janë gjithsesi të domosdoshme në ndërtimin e një shteti të ç’kapur, funksional, të drejtë e të barabartë për të gjithë. Të tri shtyllat rrumbullakohen në arsim, shëndetësi, e siguri. Kjo shoqëri, do të duhej të ishte e ditur, e shëndetshme, dhe e sigurt. Këtë vit duhet të nisim këtë rrugë.

-2-

Problemi i arsimit s’ka për të qenë asnjëherë lehtë i zgjidhshëm, por megjithatë është i domosdoshëm për vënie në rend zgjidhje sa më shpejtë. Rezultatet e PISA-s, në fund të ditës, na dëshmuan ecjen tonë regresive. Na dhanë një pamje të trishtë. Na dhanë një shenjë se nga po ecim si shoqëri. Dhe kjo ecje s’ka për t’i pëlqyer askujt. As gjeneratës së shkuar që kishte vënë gurthemelet mbi arsim, as kësaj të tashmes që dërmoj secilin themel për arsim, as asaj të nesërme që do të jetë produkt i një themeli të dërmuar tmerrësisht.

Viti 2017 duhet të kthejë prapa këtë dërmim e rrënim. Në vitin 2017, një plan megaqeveritar për rivlerësim të mësimdhënësve duhet të jetë një nismë e parë. Shkollimi fillor e i mesëm duhet të pastrohet nga produktet e kapësve – mësimdhënësve partiakë. Të tjerë apartiak, të pafajshëm, por të paditur profesionalisht, duhet të pensionohen parakohe. Dëmi i tyre duhet të ndërpritet tani. Në vend të tyre, të sillen kuadrot më të mira që ka kjo shoqëri. Të sillen në fillore pra. Jo në Universitet e shkollim të lartë, kur produkti i mësinxënies është aq i dërmuar e i papërdorshëm për mësim, por qysh në fillim. Modele mirë të themeluara të edukimit janë nëpër botë. Finlanda, ndër të tjerash, ka një sistem që mund të adoptohet lehtë.

Të ndryshohet prasistemi i mësimdhënies, nëpërmjet ndryshimit të mësimdhënësve, kurrikula, mënyra e trajtimit të fëmijëve në shkollë – e jashtë saj. Nga mënyra e të mësuarit, deri tek mënyra e të ushqyerit. Neve duhet ta formojë kosovarin e ri mirë. Kosova, për fatin e korrupsionit, ka arritur të ketë infrastrukturë shkollore gjithandej. Objektet shkollore ishin format më të zakonshme të tenderëve për një kohë. Kjo infrastrukturë s’ishte përdorur në efiçencë asnjëherë. I mungonte pjesa e dijes; e njerëzve pra.

Në shkollim të lartë, dy hapa duhet ndërmarrë menjëherë. I pari, që Universitet Publike rajonale të bashkohen, shkrihen apo mbyllen në tërësi, varësisht nga vlerësimi i stafit që secila ka. Universiteti më i madh në vend, ndërsa, duhet t’i shpallë si jovalide të gjitha kontratat e pedagogëve që ka. Në vend të tyre, të vë një kriter anëtarësimi për staf që matet me publikim. Të vihen paga të mira, për individ që mbajnë edukimin – dhe veç edukim. Jo politikë, jo biznes, por veç edukim.

Universitet Private, ndërsa, duhet të transformohen, me detyrim, në universitete joprofitabile. Arsimi nuk guxon të shndërrohet në mall që krijon profit. Është pikërisht profitabiliteti i tyre i ndjekur pa asnjë kompromis, që ka transformuar godinat e tyre në fabrika paditurie.

Në fund fare, skemat e vauçerëve të propozuara së fundmi, mund të aplikohen tek studentët; që të njëjtëve t’i jepet e drejta e zgjedhjes së institucionit shkollues, e institucioneve shkolluese, joprofitabile të gjithave, mrekullia e konkurrencës.

-3-

Në vitin 2017 duhet të nisim trajtimin e shëndetësisë. Ta shërojmë pra fillimisht sistemin tonë shëndetësor i cili vazhdon të jetë në gjendje kome për 17; tash 18, vjet rresht. Dhe ky shërim nuk bëhet duke nisur mbledhjen e aty për atyshme të sigurimeve shëndetësore. Në të vërtetë, mbledhja e sigurimeve shëndetësore ka kuptim tek në momentin kur sistemi ka cfarë të ofrojë. Sistemi, s’ka çfarë të ofrojë sot.

Ky shërim duhet të nisë nga riorganizimi – ridizjanimi – i ofrimit të kujdesit shëndetësor në vend. Duhet të nisë nga ndarja në njësi vetë menaxhuese, të vetë qëndrueshme financiarisht, dhe me mundësi partneriteti privat në klinika e njësi që kërkojnë investime të mëdha. Pra të nisë me një decentralizim – edhe pse i gjithi, i ndarë e vetë rregulluar si i tillë, mund të mbulohet e supervizohet nga një ombrellë gjithënacionale.

Ky shërim duhet të nisë me parandalimin e vendeve të dyfishta pune në shëndetësi. Po qe e ndaluar me Kushtetutë – ky ndalim – të ndryshohet Kushtetuta. Janë disa profesione që kërkojnë eksluzivitet; shëndetësia është njëri nga ta. Dhe të paguhet i njëjti më pas. Të paguhet mirë. Pavarësisht bindjeve sipërfaqësore që kemi, Kosova po vuan nga ikja e doktorëve të mirë për jashtë.

Ky shërim duhet të nisë dhe me rishikimin e rivlerësimin e gjtihë stafit ndihmës medicinal. Nga individë që s’kanë mirësjellje, deri tek ata që s’kanë kokëçarje për shërbimet që duhet dhënë. Në një sistem të decentralziuar, ku secila qendër është përgjegjëse për tërheqjen e pacientëve të vet, moskokëçarja e mosefikasiteti është barrë për menaxhmentin që duhet të sigurojë atë vetëqëndrueshmëri.

E, padyshim, për të mbuluar kostot e tilla që lindin si shtesë, na duhet themelimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Tek pasi të kemi siguruar shërbimet, tek pasi t’i kemi ideuar kujdeset, tek atëher ëmund të mbledhim paratë e kontribuuesve dhe përdoruesve rrjedhimisht të shërbimeve në fjalë.

-4-

Jo më pak e rëndësishme mbetet siguria jonë. Për fat të mirë, Kosova ka arritur të ndërtojë struktura mirë të respektuara policore e të intelegjencës. Së paku percepcioni publik e raportimet e jashtme kanë nënvizuar një gjë të tillë. Ato, natyrisht, mund të jenë me defekte plot. Por në rrethanat e tanishme, ku gjithçka tjetër është ose e rrënuar ose pranë dërmimit, policia e intelegjenca mbesin në nivele të shndritshme.

Cfarë Kosova nuk ka është Forca e Sigurisë; i kemi thënë gjithëherë ushtri. Jo ushtri për të bërë nam nëpër botë, por një ushtri për t’i dhënë identitet shtetëror vendit tonë. Pengesat ligjore të formimit të sja janë fare të lehta. Me pak manovrime politike, shqiptarët dhe serbët e distancuar nga Lista Serbe mund të gjejnë kompromis për ndryshime Kushtetuese. Në të vërtetë, fryma e bashkëpunimit ndëretnik është pikërisht e determinuar për këtë Kushtetutë. Serbët, me votimin e Forcave të Sigurisë do të jepnin një sinjal të ri, të afërt, të drejtë, të tyre – të shtetit tonë të përbashkët pra.

Kapërcimi i një akti politik, do të nënkuptonte lindjen e kërkesë për para. Në fund të ditës Kosova nuk ka mjete as për së afërmi për të mbajtur ushtri. Sipas përllogaritjeve mesatare të vendeve të NATO-s, secili shtet është i obliguar t’i ndajë 2 deri në 3% të Bruto produktit Vendor të tyre për forcat e armatosura. Kosova, me GDP prej 6 miliardë euro, do të duhej të ndajë nga 120 deri në 180 milionë euro në vit; secilin vit. Dhe sërish s’do të ishin mjaftë. Një formë e mbledhjes së këtyre fondeve do të ishte nëpërmjet krijmit të një takse të përkoshme; që do ti shtohej – le të themi TVSH-së. Kjo taksë shtesë do të mjaftonte për gjenerimin e parave shtesë, rritjes së buxhetit të Ushtrisë për 2000%. Barazi me këtë, do të mund të lidhnim marrëvehsje bilaterale për armatim me vendet mike tonat.

Dhe në fund, do të duhej të bënim ushtrinë të vetëqëndrueshme për rritje të mëtutjeshme. Pra, jo të kemi një ushtri që paguhet majmë për të bërë asgjë – asgjë përtej sigurisë mendoj; por një ushtri që prodhon. Jo që lëvron ara, pastron rrugë apo hapë tunele, por një ushtri që jep inovacion, bën kërkim, gjeneron të hyra shtesë nga produkte që mund të gjejnë treg. Ushtarakët modern s’janë vecse trupa force, janë dhe trupa mendjeje. Ka një model për këtë; shumë të njohur, shumë të fuqishëm. Janë forcat izraelite. Jo të tërën, por një pjesë të vogël të saj, shumë të vogël të saj, mund ta kopjojmë për fillim.