Monday, 9 January 2017

MBI PRIORITETET TONA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 JANAR 2017

Nën supozimin e një rinisjeje kolektive, janë tri qëllime që kjo shoqëri duhet ti vejë vetes për këtë vit. Janë të mëdha, kërkojnë shumë transformim, s’janë fare të lehta, por janë gjithsesi të domosdoshme në ndërtimin e një shteti të ç’kapur, funksional, të drejtë e të barabartë për të gjithë. Të tri shtyllat rrumbullakohen në arsim, shëndetësi, e siguri. Kjo shoqëri, do të duhej të ishte e ditur, e shëndetshme, dhe e sigurt. Këtë vit duhet të nisim këtë rrugë.


-1-

Në fund të ditës, ndërrimi i moteve mund të mos ketë asnjë kuptim transformues; sepse, në shpjegimin më të thjeshtë të mundshëm, është veçse një ditë tjetër e një kalkulimi kalendarik. Dhe, përderisa është veç një ditë tjetër kalendarike, s’ka pse të jetë radikalisht më ndryshe se e djeshmja. Në përllogaritjet statistikore, ka endogjeneitet në të sotshmen nga e djeshmja. E djeshmja pra bën një pjesë kryesore të të sotshmes.

Por, megjithatë, në sjelljet shoqërore, ndërrimi i moteve është parë si mundësi e nisjes së diçkaje; është përcjellë njëtrajtësisht me nisje të diçkaje. Njerëzit, shoqëritë, në këtë ristart fiktiv që buron nga një llogaritje kalendarike, megjithatë kanë arritur të pavarësojnë të sotshmen nga e djeshmja. Kanë lënë një duhan, kanë nisur një dietë, kanë bërë një rrugë të re. Pra, i kanë vënë vetes synime, i kanë vënë qëllime. Statistikisht, kanë rregulluar problemin e endogjeneitetit.

Dhe, poqe e tillë dhe për ne kjo llogaritje, viti i ri, 2017-ta pra, do të duhej të na vinte me disa qëllime dhe ne. Do të duhej të na vinte i ndarë nga vitit paraprak; nga një vit, që në shumë përllogaritje e cilësime, ishte ndër më të rëndit që kishim pasur ndonjëherë.

Nën supozimin e një rinisjeje kolektive, janë tri qëllime që kjo shoqëri duhet ti vejë vetes për këtë vit. Janë të mëdha, kërkojnë shumë transformim, s’janë fare të lehta, por janë gjithsesi të domosdoshme në ndërtimin e një shteti të ç’kapur, funksional, të drejtë e të barabartë për të gjithë. Të tri shtyllat rrumbullakohen në arsim, shëndetësi, e siguri. Kjo shoqëri, do të duhej të ishte e ditur, e shëndetshme, dhe e sigurt. Këtë vit duhet të nisim këtë rrugë.

-2-

Problemi i arsimit s’ka për të qenë asnjëherë lehtë i zgjidhshëm, por megjithatë është i domosdoshëm për vënie në rend zgjidhje sa më shpejtë. Rezultatet e PISA-s, në fund të ditës, na dëshmuan ecjen tonë regresive. Na dhanë një pamje të trishtë. Na dhanë një shenjë se nga po ecim si shoqëri. Dhe kjo ecje s’ka për t’i pëlqyer askujt. As gjeneratës së shkuar që kishte vënë gurthemelet mbi arsim, as kësaj të tashmes që dërmoj secilin themel për arsim, as asaj të nesërme që do të jetë produkt i një themeli të dërmuar tmerrësisht.

Viti 2017 duhet të kthejë prapa këtë dërmim e rrënim. Në vitin 2017, një plan megaqeveritar për rivlerësim të mësimdhënësve duhet të jetë një nismë e parë. Shkollimi fillor e i mesëm duhet të pastrohet nga produktet e kapësve – mësimdhënësve partiakë. Të tjerë apartiak, të pafajshëm, por të paditur profesionalisht, duhet të pensionohen parakohe. Dëmi i tyre duhet të ndërpritet tani. Në vend të tyre, të sillen kuadrot më të mira që ka kjo shoqëri. Të sillen në fillore pra. Jo në Universitet e shkollim të lartë, kur produkti i mësinxënies është aq i dërmuar e i papërdorshëm për mësim, por qysh në fillim. Modele mirë të themeluara të edukimit janë nëpër botë. Finlanda, ndër të tjerash, ka një sistem që mund të adoptohet lehtë.

Të ndryshohet prasistemi i mësimdhënies, nëpërmjet ndryshimit të mësimdhënësve, kurrikula, mënyra e trajtimit të fëmijëve në shkollë – e jashtë saj. Nga mënyra e të mësuarit, deri tek mënyra e të ushqyerit. Neve duhet ta formojë kosovarin e ri mirë. Kosova, për fatin e korrupsionit, ka arritur të ketë infrastrukturë shkollore gjithandej. Objektet shkollore ishin format më të zakonshme të tenderëve për një kohë. Kjo infrastrukturë s’ishte përdorur në efiçencë asnjëherë. I mungonte pjesa e dijes; e njerëzve pra.

Në shkollim të lartë, dy hapa duhet ndërmarrë menjëherë. I pari, që Universitet Publike rajonale të bashkohen, shkrihen apo mbyllen në tërësi, varësisht nga vlerësimi i stafit që secila ka. Universiteti më i madh në vend, ndërsa, duhet t’i shpallë si jovalide të gjitha kontratat e pedagogëve që ka. Në vend të tyre, të vë një kriter anëtarësimi për staf që matet me publikim. Të vihen paga të mira, për individ që mbajnë edukimin – dhe veç edukim. Jo politikë, jo biznes, por veç edukim.

Universitet Private, ndërsa, duhet të transformohen, me detyrim, në universitete joprofitabile. Arsimi nuk guxon të shndërrohet në mall që krijon profit. Është pikërisht profitabiliteti i tyre i ndjekur pa asnjë kompromis, që ka transformuar godinat e tyre në fabrika paditurie.

Në fund fare, skemat e vauçerëve të propozuara së fundmi, mund të aplikohen tek studentët; që të njëjtëve t’i jepet e drejta e zgjedhjes së institucionit shkollues, e institucioneve shkolluese, joprofitabile të gjithave, mrekullia e konkurrencës.

-3-

Në vitin 2017 duhet të nisim trajtimin e shëndetësisë. Ta shërojmë pra fillimisht sistemin tonë shëndetësor i cili vazhdon të jetë në gjendje kome për 17; tash 18, vjet rresht. Dhe ky shërim nuk bëhet duke nisur mbledhjen e aty për atyshme të sigurimeve shëndetësore. Në të vërtetë, mbledhja e sigurimeve shëndetësore ka kuptim tek në momentin kur sistemi ka cfarë të ofrojë. Sistemi, s’ka çfarë të ofrojë sot.

Ky shërim duhet të nisë nga riorganizimi – ridizjanimi – i ofrimit të kujdesit shëndetësor në vend. Duhet të nisë nga ndarja në njësi vetë menaxhuese, të vetë qëndrueshme financiarisht, dhe me mundësi partneriteti privat në klinika e njësi që kërkojnë investime të mëdha. Pra të nisë me një decentralizim – edhe pse i gjithi, i ndarë e vetë rregulluar si i tillë, mund të mbulohet e supervizohet nga një ombrellë gjithënacionale.

Ky shërim duhet të nisë me parandalimin e vendeve të dyfishta pune në shëndetësi. Po qe e ndaluar me Kushtetutë – ky ndalim – të ndryshohet Kushtetuta. Janë disa profesione që kërkojnë eksluzivitet; shëndetësia është njëri nga ta. Dhe të paguhet i njëjti më pas. Të paguhet mirë. Pavarësisht bindjeve sipërfaqësore që kemi, Kosova po vuan nga ikja e doktorëve të mirë për jashtë.

Ky shërim duhet të nisë dhe me rishikimin e rivlerësimin e gjtihë stafit ndihmës medicinal. Nga individë që s’kanë mirësjellje, deri tek ata që s’kanë kokëçarje për shërbimet që duhet dhënë. Në një sistem të decentralziuar, ku secila qendër është përgjegjëse për tërheqjen e pacientëve të vet, moskokëçarja e mosefikasiteti është barrë për menaxhmentin që duhet të sigurojë atë vetëqëndrueshmëri.

E, padyshim, për të mbuluar kostot e tilla që lindin si shtesë, na duhet themelimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Tek pasi të kemi siguruar shërbimet, tek pasi t’i kemi ideuar kujdeset, tek atëher ëmund të mbledhim paratë e kontribuuesve dhe përdoruesve rrjedhimisht të shërbimeve në fjalë.

-4-

Jo më pak e rëndësishme mbetet siguria jonë. Për fat të mirë, Kosova ka arritur të ndërtojë struktura mirë të respektuara policore e të intelegjencës. Së paku percepcioni publik e raportimet e jashtme kanë nënvizuar një gjë të tillë. Ato, natyrisht, mund të jenë me defekte plot. Por në rrethanat e tanishme, ku gjithçka tjetër është ose e rrënuar ose pranë dërmimit, policia e intelegjenca mbesin në nivele të shndritshme.

Cfarë Kosova nuk ka është Forca e Sigurisë; i kemi thënë gjithëherë ushtri. Jo ushtri për të bërë nam nëpër botë, por një ushtri për t’i dhënë identitet shtetëror vendit tonë. Pengesat ligjore të formimit të sja janë fare të lehta. Me pak manovrime politike, shqiptarët dhe serbët e distancuar nga Lista Serbe mund të gjejnë kompromis për ndryshime Kushtetuese. Në të vërtetë, fryma e bashkëpunimit ndëretnik është pikërisht e determinuar për këtë Kushtetutë. Serbët, me votimin e Forcave të Sigurisë do të jepnin një sinjal të ri, të afërt, të drejtë, të tyre – të shtetit tonë të përbashkët pra.

Kapërcimi i një akti politik, do të nënkuptonte lindjen e kërkesë për para. Në fund të ditës Kosova nuk ka mjete as për së afërmi për të mbajtur ushtri. Sipas përllogaritjeve mesatare të vendeve të NATO-s, secili shtet është i obliguar t’i ndajë 2 deri në 3% të Bruto produktit Vendor të tyre për forcat e armatosura. Kosova, me GDP prej 6 miliardë euro, do të duhej të ndajë nga 120 deri në 180 milionë euro në vit; secilin vit. Dhe sërish s’do të ishin mjaftë. Një formë e mbledhjes së këtyre fondeve do të ishte nëpërmjet krijmit të një takse të përkoshme; që do ti shtohej – le të themi TVSH-së. Kjo taksë shtesë do të mjaftonte për gjenerimin e parave shtesë, rritjes së buxhetit të Ushtrisë për 2000%. Barazi me këtë, do të mund të lidhnim marrëvehsje bilaterale për armatim me vendet mike tonat.

Dhe në fund, do të duhej të bënim ushtrinë të vetëqëndrueshme për rritje të mëtutjeshme. Pra, jo të kemi një ushtri që paguhet majmë për të bërë asgjë – asgjë përtej sigurisë mendoj; por një ushtri që prodhon. Jo që lëvron ara, pastron rrugë apo hapë tunele, por një ushtri që jep inovacion, bën kërkim, gjeneron të hyra shtesë nga produkte që mund të gjejnë treg. Ushtarakët modern s’janë vecse trupa force, janë dhe trupa mendjeje. Ka një model për këtë; shumë të njohur, shumë të fuqishëm. Janë forcat izraelite. Jo të tërën, por një pjesë të vogël të saj, shumë të vogël të saj, mund ta kopjojmë për fillim.

No comments: