Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami
KOHA DITORE, 20 JANAR 2017
Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet
prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i Xhandarmerisë së Kosovës do
të ishte përgjigja e duhur për disa nga kërcënimet serioze që janë shfaqur para
Kosovës, sidomos në veri
Çdo analizë serioze e
zhvillimeve të javëve të fundit, posaçërisht e incidentit me “Trenin serb” dhe
diskursin politik që kishte përcjellë atë, do të rezultojë me konkludimin se situata
mes Kosovës dhe Serbisë është e tensionuar dhe e rrezikshme. Ky tensionim dhe
kjo rrezikshmëri, ka gjasa të vazhdojë në javët e muajt në vijim. “Treni” në
fund të ditës është veçse një hap tjetër provokues, por assesi i fundit, i Serbisë
drejtë destabilizimit të Kosovës.
Tensionimin e
relacioneve, në një mënyrë apo tjetër, e konfirmojnë të gjitha palët; përfshirë
edhe vlerësimet që japin segmente të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare, të
cilat kanë reaguar pas kërcënimit për luftë që Serbia i bëri Kosovës.
Madje, presidenti i Kosovës,
Hashim Thaçi, publikisht ka akuzuar Beogradin se ka në plan ankesimin e pjesës
veriore të Kosovës, sipas modelit të përdorur nga Rusia në Krime.
Në anën tjetër,
agresiviteti i pushtetit në Beograd është shtuar me deklaratat e presidentit
serb, Tomislav Nikoliq, i cili ka kërcënuar me dërgim të ushtrisë në Kosovë.
Kjo deklaratë është përcjellë me mobilizim e lëvizje të forcave mbrojtëse të
Serbisë në drejtim të Kosovës.
Kërcënimeve të Nikoliqit
i është përgjigjur, pjesërisht dhe në mënyrë mjaft standarde, një pjesë e
prezencës ndërkombëtare në Kosovë (KFOR-i), por për Kosovën duhet të jetë
brengosëse qasja që ka marrë Bashkimi Evropian, i cili përveç se kërkon
vazhdimin e dialogut të Brukselit si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk
pozicionohet qartë rreth kërcënimeve që Kosovës po i vijnë nga Serbia.
Andaj, në rrethana si
këto, është e qartë se institucionet e Kosovës do të duhej të dalin me një
vlerësim të ri për kërcënimet që e rrezikojnë Kosovën. Ato, para së gjithash,
duhet të ndërmarrin veprime e vendime që kanë për qëllim përmirësimin e
kapaciteteve të shtetit për përballje me kërcënime si këto. Kosova, në fund të
ditës, nuk guxon të ushtrojë rolin e vet vetëm si spektator që pret fatin e vet
varësisht nga disponimet e një fqinji kërcënues.
1. Ushtria
Në rrethana normale,
kërcënimet që i vijnë shtetit nga jashtë, do të duhej të adresoheshin me
ndërtimin e kapaciteteve ushtarake. Kosova, si shtet i pavarur që është, duhet
të ketë ushtrinë e vet; ani pse momentalisht në vend funksionon forca
ndërkombëtare paqeruajtëse nën komandën e NATO-s.
Por, procesi i transformimit
të FSK-së në Forcë të Armatosur ka ngecur. Pjesërisht për shkak të mospajtimeve
të brendshme politike ndër-shqiptare, e më pas edhe për shkak të kundërshtimit
të pales serbe në koalicionin qeveritar, pa pajtimin e të cilëve duket se
Qeveria nuk ka vendosmërinë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për
themelimin e Forcës së Armatosura të Kosovës.
Formimi i ushtrisë së
shtetit të Kosovës duhet të nisë sa më parë. Qoftë nëpërmjet arritjes së
koncensusit fillimisht brenda-shqiptar e më pas tejkalimit të bllokimit serb,
qoftë nëpërmjet amandamentimeve ligjore që kapërcejnë detyrimet kushtetuese. Në
të gjitha rrethanat, formimi i ushtrisë do të duhet të ndjekë hapat orientues
të sponzorëve kryesorë të forcës së Kosovës. Dhe kjo ndjekje, marrë parasysh
zhvillimet jo vetëm rajonale por dhe më gjërë, mund të jetë një rrugë më e
gjatë.
2. Xhandarmeria
Rrugëtimi ynë drejt
formimit të ushtrisë, është i bëshëm por dhe i komplikuar. Në këtë rrugëtim të
komplikuar, Kosova duhet të ndërmarrë masa tjera paralelisht. Masa të
përkohshme, që do të mbushin zbrazëtinë që kemi në sistemin mbrojtës për shkak
të mungesës së forcave ushtarake mbrojtëse. Masat, natyrisht, në asnjë rrethanë
nuk duhen të shihen si zëvendësim i domosdoshmërinsë për krijimin e ushtrisë.
Ato s’janë përjashtuese, janë veçse plotësuese.
Një mënyrë për të arritur
këtë, relativisht shpejtë dhe lehtë, do të ishte krijimi i Xhandarmerisë së
Kosovës.
Në aspektin funksional,
si njësit për nga natyra i kombinuar policoro-ushtarak, Xhandarmeria e Kosovës
do të ndërtonte kapacitetet më të mëdha se sa Policia e Kosovës për të adresuar
kërcënimet direkte që po shfaqen kohët e fundit nga Beogradi.
Në aspektin ligjor,
krijimi i Xhandarmerisë ka gjasa të bëhet edhe brenda kuadrit të tanishëm
ligjor dhe pa ndryshime kushtetuese, meqë Ligji për Policinë (Neni 32 Pika 3) i
jep mandat drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që me miratimin e
ministrit të Brendshëm, të themeloj “njësitë policore të përkohshme për të
kryer detyra të veçanta”.
“Përkohshmëria” është
definicion shumë elastik – për shembull, deri sa të mos e njohë Serbia
pavarësinë e Kosovës, apo deri sa të vlerësohet se Beogradi nuk përbën rrëzik
për integritetin territorial të vendit.
Një tjetër mënyrë do të
ishte amandamentimi i Ligjit për Policinë për të inkorporuar specifikisht
Xhandarmerinë dhe detyrat e saj brenda tij.
Në të dy rastet,
përfaqësuesit serb nuk do të mund ta bllokojnë krijimin e Xhandarmerisë.
Krijimi i saj mund të arrihet me një shumicën e thjeshtë parlamentare.
3. Financimi
Themelimi si akt ligjor,
është vetëm një hap. Financimi i një trupe të re policore, më të avancuar e me
aftësi më të mëdha mbrojtëse, kërkon financim. Ky financim duhet të sigurohet
domosdo nga buxheti i Kosovës, madje në mundëisnë e parë rishikuese të tijë – në
gjysmën e vitit që jemi tani.
Sipas projeksioneve të
tanishme buxhetore, Kosova ndanë jo më shumë se 1.3 milionë euro në vit, për
armë dhe pajisje speciale për forcat speciale policore. Ndanë jo më shumë se 6
milionë të tjera në armatim e pajisje për Forcat e Sigurisë së Kosovës. Në
përgjithësi, ndanë më pak se 10 milionë euro për mbrojtje, apo 0.1% të Bruto
Produktit Vendor. Vendet e BE-së, në mesatare ndajnë nga 2% të BPV-së për
qëllime të mbrojtjes. Vendet e rrezikuara me kërcënime për luftë, siç janë
vendet Baltike, ndajnë deri në 6% të BPV-së. Thënë ndryshe, Kosova, mbrojtjen
nuk e ka pjesë të projeksionit të vet financiar – rrjedhimisht, nuk e ka pjesë
të prioriteteteve politikëberësve.
Themelimi i Xhandarmërisë
do të kërkonte ndryshim rrënjësor të këtij disproporcioni. Dhe ka disa
alternativa financuese për të. E para, më e rëndësishmja, Kosova mund të
shkurtojë luksin publik. Do të mjaftonte përgjysmimi i mëditjeve, drekave e
darkave të zyrtarëve publik për të arritur një buxhet rreth 50 milionësh në vit
për forcat e xhandarmerisë. Po flasim pra për pesëfishim të buxhetit mbrojtës
me një vendim kursyes.
E dyta, po aq e rëndësishme, Kosova
mund të gjenerojë të hyra të rregullta, në vlerë të përafërt me kursimet e
luksit, vetëm nga fiskalizimi i mëtutjeshëm i bizneseve të pafiskalizuara, siç
janë ndër të tjerave tregtarët e derivateve të naftës – apo edhe duke luftuar
evazionin fiskal e informalitetin në shumë pjesë të vendit. Diku rreth 34% e
shitjeve të bizneseve të regjistruara nuk deklarohen për qëllime tatimore.
E treta, jo pak e aplikueshme nga
vendet e tjera, Kosova mund të marrë kredi për financimin e blerjeve të
pajisjeve e mjeteve mbrojtëse për njësinë.
4. Bashkësia
ndërkombëtare
Sigurisht, një hap i tillë
është e pritshme të përballet me reagime të përziera nga segmente të ndryshme
të bashkësisë ndërkombëtare, si ato në vend ashtu edhe ato jashtë.
Dhe, përkundër faktit se
ky është një vendim sovran, të cilin Kosova si shtet i pavarur e ka të drejtën
e plotë ta marrë, qasja më e rekomandueshme do të ishte që para ndërmarrjes së
një hapi të tillë të sigurohet një përkrahje e qëndrueshme ndërkombëtare, e
cila ka gjasa të arrihet më lehtë në këtë moment të agresivitetit të skajshëm
serb.
Për këtë, përkrahja e
tillë duhet të kërkohet mbështetur në zhvillimet e fundit, sidomos thirrjet për
luftë nga ana e Serbisë, duke mos harruar se ka qenë vet Serbia ajo që ka
krijuar Xhandarmerinë si forcë për të adresuar situatën pas luftës në Kosovë
dhe konfliktitit të mëpasëm në Luginën e Preshevës.
Për më tepër, si pjesë e
Policisë së Kosovës që i nënshtrohet të gjitha dispozitave të Ligjit për
Policinë edhe funksionon në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të
Brendshme, Xhandarmeria e Kosovës nuk mund të kuptohet as si zëvendësim për
Ushtrinë e munguar të Kosovës as si forcë konkurrente me KFOR-in, gjë që do të
duhej të jetë argument i mjaftueshëm që të përfitohet përkrahja e nevojshme
ndërkombëtare për krijimin e saj.
5. Politika
Politikisht, krijimi i Xhandarmerisë
po ashtu do të ishte një hap i mirë përpara. Së pari, do të ishte një veprim
pro-aktiv politik, që me vete bartë mesazhe të shumëfishta edhe për Serbinë
edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Së dyti, do të tregonte vendosmërinë e
vendit që të mbrojë sovranitetin, integriteti territorial dhe rendin
kushtetues.
Së treti, do të krijonte
kapacitet të ri të veprimit për Policinë e Kosovës, e cila përkundër
përkushtimit të treguar për zbatimin e detyrave, nuk duket se i ka kapacitetet
e plota për përballje me sfidat e reja e të shumëfishta, që tashme po shfaqen
para Kosovës.
Thënë ndryshe, nëse
Presidenti thotë se Serbia ka plan të aneksojë veriun e vendit, institucionet
shtetërore të Kosovës e kanë obligim të ndërmarrin hapa parandalues ndaj këtij
agresioni të paralajmëruar.
Xhandarmeria do të ishte
një hap i tillë jo vetëm i mirë, por edhe i shpejtë. E shpejtësia e reagimit
shpesh herë është shumë më përcaktuese se sa forca.
1 comment:
Bimët natyrore kanë shëruar kaq shumë sëmundje sa ilaçet dhe injeksionet nuk mund të shërojnë. Unë kam parë rëndësinë e madhe të bimëve natyrore dhe punën e mrekullueshme që ata kanë bërë në jetën e njerëzve. Kam lexuar dëshmitë e njerëzve në internet se si janë shëruar nga herpesi, HIV, diabetikët etj nga mjekësia bimore Dr.DAWN, ndaj vendosa të kontaktoj mjekun sepse e di që natyra ka fuqinë të shërojë çdo gjë. Unë u diagnostikova me HIV për 7 vitet e fundit, por Dr. DAWN më shëroi me barërat e tij dhe i referova menjëherë tezen time dhe burrin e saj, sepse ata të dy vuanin nga herpesi dhe u shëruan gjithashtu. E di që është e vështirë të besohet por jam një dëshmi e gjallë. Nuk është e dëmshme të provosh barëra. Ai është gjithashtu një magjistar, ai bën magji për të rivendosur martesat e prishura dhe magji për fat të mirë për të përparuar dhe shkëlqyer në jetë. Kontaktoni me emailin e Dr.DAWN: ( dawnacuna314@gmail.com )
Whatsapp:+2349046229159/
+3550685677099
Post a Comment