Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 JANAR 2017
Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e saj politik e
parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së Kosovës – brenda dhe jashtë
saj, deputetët e Parlamentit të Republikës janë të zënë me, besoni ose jo,
rritjen e mëditjeve të tyre. Ky është preokupimi në një vend abnormal.
-1-
Rikthimi rus në Ballkan po merr formë secilën ditë. Këtë
rikthim të tyre, klasa jonë politike s’arrinë ta nuhatë dot. Po që e nuhatë,
s’arrinë ta kundërshtoj fare. Rikthimi rus po shpërfaqet me një Serbi ndryshe –
më agresive, më proaktive, më problematike; në një Serbi si gjithherë;
provokative, konfliktuoze e jokokëçarëse për pasojat që mund të vijnë tek ajo e
përreth saj. Tipike për të; Serbia po kërkon ndryshim me çdo çmim. Këtë ndryshim
po e kërkon në kohë të një vakumi interferues në Ballkan; në kohë të një Evrope
të lodhur me zgjerim e një Amerike të zënë keq me përplasje bindjesh. Në një
kohë të një apetiti rus për influencë në gjithë brezin lindor të Evropës.
Në këtë vijë do të duhej të kuptohet dhe agresioni i saj
diplomatik ndaj Kosovës këtë javë; e javë më parë. Arrestimi i një ndër
figurave kyçe të luftës së fundit në Kosovë, nëpërmjet një fletarresti që daton
nga regjimi i Millosheviqit, bashkë me kërkesën për ekstradim për në Serbi, përbën
hapin e fundit të tyre, provokativ e konfliktuoz në një Ballkan të ndjeshëm e
ndarë etnikisht skajshmërish. Motivet e një France që ndjekë fletarreste të
Millosheviqit, për një të gjykuar për pafajësi nga drejtësia ndërkombëtare,
mbesin sa të trishta aq edhe të papërgjegjshme. Vendimi eventual i saj, do të
mund të përcaktojë rëndë fatin e relacioneve që BE me plot mund e vite provon
t’i ndërtoj këndej.
Me po aq entuziazëm të mbrapshtë sikurse kërkesa për
ekstradim, Serbia kishte nisur dhe propagandën e gjoja kidnapimeve të diplomatëve
serb në diasporë, nga shqiptarë që jetojnë atje. Lajmin me kërkesë për siguri të
shtuar e kishte shpërndarë nëpër kryeqendrat evropiane. Një inskenim si ky, i
ulët, por, sërish, tipik për Serbinë, kishte zënë të papërgatitur tërësisht
diplomacinë kosovarë – çfarëdo qoftë ajo. Diplomacia kosovare, ndërsa, këto ditë
na është e zënë me fyerje ndaj gazetarëve, në atë stilin e bajatshëm, të pakripë,
që futë diku një “kuzhinë UDB-je” e një “mani për Beograd”. Ky është niveli i
tyre; këta na mbajnë lidhjet gjallë jashtë. Mjerim.
-2-
Masat provokative e kërcënuese të Serbisë ndaj Kosovës,
do të shtohen ditëve në vijim. Paradoksalisht, ky shtim i tyre ndodhë në sy të
një Evrope pa takt e energji të merret me Ballkan, por që, megjithatë, shton
presionet për dialog në mes të dy vendeve. Në këtë kallëp të tyre reagues,
ishte edhe deklarata e zëdhënëses Kocijançiq, e cila, në gjithë paditurinë e
saj për ngjarjet këndej, kishte kërkuar që arrestimi i Ramush Haradinaj të
trajtohej me bisedim – si gjithçka tjetër. Pra, të bëhej mall, të bëhej pjesë e
një tryeze diskutuese diku në Bruksel. Të bëhet pra pazar me te ku një mes do
të ishte i kënaqshëm për të gjithë. Mos harroni pra, bëhet fjalë për një të
trajtuar nga gjyqësia ndërkombëtare; për një qytetar të Republikës që kërkohet të
gjykohet e ekstradohet në një shtet tjetër. Këtu s’ka mes. Këtu ka veçse një
skaj, një anë; mostrajtimi i budallallëqeve të Beogradit.
Në këtë pikë, më është e qartë se dialogu i shumë
proklamuar Kosovë Serbi është i vdekur. Ka qenë i vdekur gjithëherë. Dhe ky
dialog ka vdekur jo sepse palët kanë hasur në çështje që s’mund t’i zgjidhin
mes vete – ani pse ka plot sosh – pro sepse ndërmjetësuesi i tyre është pa
takt. Ndërmjetësuesi i tyre ka përballë një Serbi që flirton herë me ta e herë
me Rusi. Ky ndërmjetësues do të bëjë gjithçka që të mbajë Serbinë flirtuese më
afër vetes; e kjo gjithçka nënkupton edhe quajtjen e murit në veri si “shkallë”
– po qe nevoja.
E në anën tjetër, ky ndërmjetësues ka përballë një Kosovë
që s’di çfarë të kërkojë nga një proces që për të është tërësisht alien për ta.
Kosova në këtë proces, siç është thëne kaherë, është futur edhe pa platformë,
edhe pa unitet edhe pa ide se ku do të mbërrijë në fund. Kjo ka bërë Kosovën të
jetë pa integritet. E subjektin pa integritet s’mund ta respektojë askush.
E pa integritet po sillet Kosova edhe sot. Edhe kur i ndërtojnë
mur, edhe kur i arresotjnë gjeneralë, edhe kur i propagandojnë jashtë – herë me
“ISIS” e herë me “kidnapime”. Kosova pra është bërë një subjekt eksperimenti që
s’reagon.
Reagimi do të ishte ndryshe, po të kishim integritet. Do të fillonte me një masë sanksioni ndaj një Serbie që s’ndryshon. Do të goditej drejtë, shpejtë, pastër, në pjesën më të ndjeshme të saj – paranë. Do të vazhdonte me një unitet shqiptar përbrenda, unitet që do t’i sillte Kosovës një platformë udhëzuese të hapave që do të ndjekin në të ardhmen për secilin që kërkon nga ne që të bisedojmë. Do të bisedonim për gjëra që Serbia s’do të ndihej mirë – për të zhdukurit, krimet, plaçkat e luftës, pensionet – do të silleshim si shtet. Siç sillet Kroacia në secilin relacion të saj me Serbinë. Shihni sa ma shumë respektohet ajo sot. Do ta bënim vendin tonë, shtetin tonë, të respektohej nga ndërmjetësuesit njëtrajtësisht siç respektohet Serbia kërcënuese sot. Kaq mund të bënim në shtëpinë tonë.
-3-
Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e
saj politik e parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së Kosovës –
brenda dhe jashtë saj, deputetët e Parlamentit të Republikës janë të zënë me,
besoni ose jo, rritjen e mëditjeve të tyre. Ky është preokupimi në një vend
abnormal.
Pra ky vend s’është normal. S’ka as politikë normale, as
përfaqësim normal, as kundërshtim normal e as durues normal. Të gjithë, bashkë,
kanë vendosur të shkojnë në dreq të mallkuar; dhe në këtë rrugë të tyre, për te
dreqi, i biri e kushdo pas tij, po marrin me vete ardhmërinë e fëmijëve tanë,
mundin e gjeneratave që s’janë – gjithçka tonën, të tashmen, të shkuarënbe të
ardhmen.
No comments:
Post a Comment