Monday, 30 January 2017

ZGJIMI QË NA DUHET

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 JANAR 2017

Mbi domosdoshmërinë e reagimit tonë

-1-

Si rrallëherë më parë, vetëm një javë, në të njëjtën kohë pra, mediat më të rëndësishme botërore kishin rivënë në fokus Kosovën. “Foreign Policy”, “Forbes”, “Observer” e “Independent” ishin veç disa nga to.  Të gjitha, në një ton të njëjtë, shkruanin për Kosovën, Serbinë e Ballkanin, si test të parë të administratës Trump përballë apetiteve të Rusisë, drejt rindezejs së konfliktit në Ballkan.

Diskutimet autoriale në mediume si këto, kishin disa të emërues të përbashkët – ç’është e vërteta aspak të këndshme. I pari, më i trishti, ishte portretizimi që i bëhej Kosovës në pjesën më të madhe të tyre. Kosova paraqitej si vend me krim të organizuar në drogë, armë e prostitucion; paraqitej si vend pjesërisht i lirë, me mungesë serioze të të drejtave dhe lirive të njeriut; si vend që kishte përndjekur e vrarë serb, për të cilët do të zhvillohej një gjykim special; e mbi të gjitha si vatër e ekstremizmit islamik. Në esencë, Kosova portretizohej si projekt i dështuar; dhe dështimi, sipas tyre kërkonte ridizajnim. Sado, pjesërisht, argumente si këto mund të ishin të vërteta, paraqitja e vendit tonë si agresor, vrasës, fole e krimit – pra paraqitja jonë si të dështuar – s’ka se si të jetë e favorshme në secilën ecje tonën në këto kohë të turbullta.

Ridizjanimi ishte emëruesi i dytë i tyre i përbashkët. Në esencë, ridizajnimi parashihte ndarjen e Kosovës. Ndarja, e trajtuar kështu si “mundësi reale dhe e favorshme për të gjithë” përbën risi në diskursin politik për Kosovën. Kurrë kaq hapur, e kurrë më shumë në intensitet, nuk është folur për ndarjen e vendit tonë se sa sot. Dhe diskutimi për një çështje si kjo është veçse hapi i parë në rrugën ekzekutuese të saj.

E treta, dhe jo më pak e rëndësishmja, ishte skenari që paraqitej si mundësi reale në këtë ekzekutim. E gjitha do të niste me një provokim të Serbisë (Foreign Policy madje kishte parashikuar që ky provokim të ndodhte qysh në muajin mars), ndaj të cilit provokim autoritetet kosovare do të përgjigjeshin me forcë policore. Përdorimi i forcës policore do të mobilizonte forcat e ushtrisë serbe, të cilat, siç ishte thënë , mund të “thirrnin blofin” e NATO-s për siguri. Hyrja e tyre në veri, do të niste një zinxhirë reaksionesh në gjithë Kosovën. Në rastin më të lehtë të skenarit të rëndë, konflikti do të përmbyllej me aneksim të veriut. Në rastin më të rëndë, me një konflikt gjithëpërfshirës në Kosovë e rajon.

-2-

Parashikimet e diskutimet si këto kanë zënë vend pas dy ngjarjeve të rëndësishme për rajonin tonë. E para, dhe më kryesorja, ndryshimi i administratës amerikane dhe me të paqartësia në politikën e jashtme që vjen me të. Mos të harrojmë, Kosova e Ballkani, janë derivate të politikës amerikane e perëndimore. Një ndryshim sado i vogël në diskursin politik të tyre, mund të ketë pasoja enorme në periferitë e politikës që përcaktohet atje – siç pra, jemi ne.

Administrata Trump deri më tani ka përmbushur secilin premtim të dhënë në fushatën zgjedhore. Vendimet ekzekutive për shëndetësi, lejimi i projekteve investive kundër ambientaliste, tërheqja nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me Azinë, ndalesa e refugjatëve, apo edhe urdhëresat për ndërtimi e murit me Meksikë, veçse japin një vështrim të qartë të rrugës që do të ndjekë SHBA në vitet në vijim. Kjo rrugë ka për skicë fushatën elektorale dhe idetë e elaboruara ty. Pritjet e jashtme se barra e pushtetit e sistemi i madh amerikan do të korrigjojnë ide të rrezikshme si këto po dalin të jenë të pasakta.

Ide e rrezikshme elektorale, për ne dhe botën perëndimore në përgjithësi, është edhe ajo e Presidentit Trump mbi NATO-n. Nëse e njëjta ndjekë rrugën e njëjtë të realizueshmërisë me premtimet e dhëna elektorale, atëherë Evropa, dhe Ballkani më së shumti, do të futen në një drejtim vërtetë të rrezikshëm e të paqartë për të gjithë.

Kjo paqartësi përbën ngjarjen e dytë të rëndësishme në rajonin tonë – riaktualizimin e Rusisë. Ky riaktualizim vjen pra pikërisht si rrjedhojë e paqartësive amerikane në relacione me jashtë. BE-ja dhe Gjermania, si amortizues të influencës ruse në Evropë duket se janë jo të gatshme për të marrë rolin e prijësit stabilizues këndej. Jogatishmëria e tyre e vonesat eventuale në reagim, do të inkurajojnë më shumë Serbinë dhe partnerët e tyre. Kosova, veriu i saj, është veç një shkrepëse në listën e gerë të shkrepjeve që rusët kanë sot në dorë.

-3-

Kosova dhe shqiptarët në këtë rajon, s’guxojnë të mbesin veçse spektatorë. Në fat të shtetit hise kemi të gjithë. Prandaj na duhet një reagim i përbashkët. Për të bërë një gjë të tillë, një reagim, Kosova duhet ti marrë disa hapa politik. Dhe në listën e hapave politik, i pari, më i rëndësishmi, është krijijmi i unitetit të brendshëm partiak. Pavarësisht aftësisë sonë për t’i bërë gjërat rrafsh, ne nuk jemi në gjendje të zakonshme. Jemi në gjendje krejt të jashtëzakonshme. Në këtë pazakonshmëri tonën, na duhen veprime që kalojnë vijat politike, inatet e çfarëdoshme, përplasjet e vjetra – për një gjë të vetme, për parandalimin e kthimit të Serbisë në Kosovë. Dhe hapi i parë në këtë drejtim është krijimi i një platforme të përbashkët politike, që del nga një tryeze e përbashkët partiake. Në platformë mund të projektohen hapat e tjerë politik, diplomatik, të ekonomisë e sigurisë.

Në fushën diplomatike, do të duhej të vinim kontaktet e menjëhershme me administratën e re amerikane. Shqiptarët e bashkuar në vend do të bashkonin dhe lobistët tanë jashtë – shqiptarët e diasporës pra. Kontaktet e reja me miqtë e vjetër që i kemi atje, do të duhej të ndërlidhnin vija të veçanta komunikimi. Këto vija do të duhej të shtynin përpjekjen tonë për ushtri dhe forca të tjera mbrojtëse. Një takim eventual me rezultat ushtrinë do të jepte sinjal krejt tjetër në Ballkan. Mos të harrojmë, Kosova do të vazhdojë të jetë fushë me interes për SHBA-të; por neve na duhet të maksimizojmë këtë interes të tyre. Të mos devalvojmë pra letrën tonë që kanë në dorë.

Përveç kësaj, ne duhet të nisnim një aleancë rajonale. Do të duhej të bënim promovomin e qëndrimeve të përbashkëta me dy aleatet tanë kryesorë në Ballkan. Me Shqipërinë zyrtare e cila megjithatë duhet të mbajë qëndrim publik për ngjarjet e fundit. Jo nëpërmjet kryeministrit të saj që komenton në një staus Facebook-u, por nëpërmjet mobilizimeve të njëmendta në diplomaci e siguri. Shqipëria duhet t’i tregojë forcave të mëdha botërore, se relacionet Kosovë-Serbi janë reflektive në relacionet Shqipëri-Serbi. Dhe aleati i dytë, ndër më të rëndësishmit në rajon, mbetet Kroacia. Është e habitshme se si s’kemi bërë ende vizitë zyrtare atje. Aleanca rajonale do ta bënte të kushtueshme secilën ide për destabilizim në Ballkan.

Po pritëm e s’bëmë, humbja e veriut do të jetë brenga jonë më e vogël në vitet në vijim.


No comments: