Saturday, 31 December 2016

VITI QË SE BESUAM

KOHA DITORE, 30 DHJETOR 2016
Lumir Abdixhiku

Për kurrë më kështu


-1-

Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016 bota do të ndryshonte kaq shumë. Se britanikët do të nisnin e përfundonin daljen nga Bashkimi Evropian. Se në SHBA, tradicionalja e politikëbërjes atje, do të zëvendësohej me një afrim pro-rus; me një politikë sa të paparashikueshme, aq edhe të frikshme. Pak kush do ta kishte besuar se rezultati i zgjedhjeve amerikane do të bënte festë ne Veri të Kosovës; frikë në gjithë pjesët tjera të saj.

Pak kush do ta kishte besuar se ekstremistët si Le Pen në Francë, Ëilders në Holandë, e Hofer në Austri do të ishin pretendentë kryesorë për udhëheqje; po mos u bëfshin Presidentë këtë herë do të bënin herën tjetër. Se rusët, në vend të dorëzimit nga sanksionet e Perëndimit, do të forcoheshin dhe më shumë. Do të bënin veten faktor, të vetëm madje, në Siri, për të prodhuar tragjedinë më të rëndë të gjeneratës sonë – ferrin e Halepit. Pak kush do ta kishte besuar, se në vitin 2016, bota do të ishte veç spektator i këtij ferri.

Pak kush do ta kishte besuar se Parisi, Stambolli, Brukseli, e qendra të tjera plot do të bëheshin fushëbeteja të individëve pa tru që s’njohin as fe, as racë as Zot. Të individëve trushpëlarë që shkelin mbi të gjithë. Që duan zi, frikë e tmerr. Pak kush do ta kishte besuar se kosovarët, fëmijët e diasporës sonë në Gjermani, do të ishin viktima të një terrori të tillë. Pak kush do ta kishte besuar se frikë e tmerr nga terrorizmi religjioz do të nxitej edhe në një ngjarje tinejxherësh në sheh të Prishtinës. Pak kush do ta kishte besuar se “Neë York Times” në ballinën e saj, do ta paraqiste Kosovën si “tokë pjellore të ISIS”.

Pak kush do ta kishte besuar se bota, me gjithë shqiptarë, kishte ndryshuar kaq shumë. Mu para syve tanë, për një vit të vetëm, formë morën gjithë të çarat e globalizmit, liberalizmit e epokës më paqësore të shënuar ndonjëherë në botë. Në de-racionalizimin e mendjeve, 2016-ta kishte dërguar secilin vend e shtet. Në këtë de-racionalizimin po merrte rrugë dhe projekti i vetëm, më i sigurt i Kosovës dhe shqiptarëve tash e sa kohë; Evropa. Një derë që na ishte dhënë si e hapur, po mbyllej më shpejtë se që do ta kishim menduar ndonjëherë.

-2-

Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016 kosovarët do të ishin të fundit pa viza; edhe atëherë kur kjo e drejtë iu ishte dhënë ukrainasve e gjeogjianëve – plot 50 milion sosh. Mbetëm, dhe këtë herë, sërish, të mbyllur në mes të Evropës duke dëgjuar arsyetimet e klasës së njëjtë politike mbi fajësinë e pafajësinë. Të njëjtit, me shtetësi të dyfishtë, për vete e familjet e tyre, udhëtimin e lirë e kanë më së paku problem.

Pak kush do ta kishte besuar, se në vitin 2016, President i vendit do të zgjidhej njeriu më përçarës në vend. I njëjti përgjegjës që kthej izolimin, papunësinë, mungesën e të drejtave bazike njerëzore në arsim, shëndetësi e gjyqësi – si çështje krejtësisht të zakonshme kosovare – ishte vendosur si President; me votat e një Liste që s’i njihte shtetin e vet. Kosova, pas 17 viteve çlirim, nuk po çlirohej nga kapësit e vet. Njerëzit rreth tij, miqtë, bashkëpartiakët e partnerët në krim, ishin herë të dënuar e në burg, herë të përgjuar me materiale për burg.

Pak kush do ta kishte besuar se gjithë vitin 2016 do ta kalonim në trajtim të pashpjegueshëm, të lodhshëm e të mundimshëm, rreth demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Një përplasje e gjatë, e përkthyer përfundimisht në izolim, kishte marrë një vit të tërë të diskutimit publik. Nuk kishim folur as për shëndetësi, as për arsim, as për gjyqësi.

E përderisa nuk flisnim për to, nxënësit e Kosovës, e së ardhmes sonë, do të renditeshin si të fundit në botë për nga dija – nga leximi, shkenca e matematika. Të sëmurit tanë, fëmijët, pleqtë, nënat e vendit më të mbyllur në Evropë, do të trajtoheshin sërish nëpër spitale pa barna, pa penj, pa mjek; në mëshirë të batanijeve nga shtëpia, e vajtje-ardhjeve nëpër rajon. Të tjerë të shkretë, ndërsa, ishin bërë pjesë e kasaphaneve të zemrave. Rrënim moral i tërë.

Gjyqësia jonë, ajo e njëjta me prokurorë të parapërcaktuar nga parapolitika, do të ishte mbulojë për kapësit, hajnat e kriminelët sërish. Në krizë, pa besueshmëri e me amatorizëm plot, ishte treguar edhe në trajtimin e vdekjes së një të burgosuri politik në vend.

Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, në Koshare, ish ministra të Republikës do të vënin kurore për “heronjtë e Serbisë”. Se në Gazimestan do të vinin sërish simbolet shoviniste e fashiste, përfshirë dhe ato të Millosheviqit; e se në vend të urës do të lindnim mëngjesin me një mur. I kishin vënë, murit, emrin shkallë.

-3-

Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, një sportiste kosovare me emrin Majlinda Kelmendi, do të bënte lajm Kosovën gjithandej nëpër botë. Një medalje e artë olimpike, në paraqitjen tonë të parë, kishte vendosur atë e shtetin tonë në secilin lajm sportiv olimpik. Muaj më parë, e njëjta kishte renditur gardën ushtarake ruse të nderojë simbolet e shtetit të saj; të Republikës, të vendit tonë të përbashkët. Ishte e bukur.

Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, futbolli do të ishte madhështia jonë. Fillimisht me Kombëtaren e Shqipërisë, me pjesëmarrje e festë në Francë; e më pas dhe me pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA – një ëndërr prej gjeneratave e bërë përfundimisht realitet. Heronj të ri të kësaj Republike, të mbledhur nga gjithandej, pa asnjë ditë bashkë, por të rritur të gjithë nën frymën e dashurisë për Kosovës, po bënim atë që secili patriot modern ka për rend ta bëjë – të mbrojë e përfaqësojë shtetin e vet jashtë. Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, pas gjithë përpjekjes së mundimshme për shtet, do të kishte të tillë që këtë arritje rrugëtimi ta trajtonin me përbuzje e indiferencë. E trajtuan njëjtë, me përbuzje e me sharlatanizëm, në Kosovë e Shqipëri pa dallim. Qytetarët, atdhedashësit e Kosovës, u dhanë përgjigje në fushë e jashtë saj. Bashkë, i çuan, në dreq të mallkuar.

Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, një film kosovar që trajtonte historinë e fundit të luftës në Kosovë, do të nominohej për Oscar. Filmi nuk morri statujën e artë – jo këtë herë – por morri zemrat e kujtimet e një vendi të tanë. Kishim harruar për pak gjithë ecjen tonë.

Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, Kosova do të nënshkruante marrëvehsjen e parë kontraktuale me BE-në; atë për tregti të lirë. Një hap i tillë, me gjithë të metat mospërcjellëse me politika, megjithatë e vinte vendin tonë në rrugë të drejtë – për aq zgjatë kjo rrugë e drejtë pra.

-4-

Sado më të pakëta për nga numri, sado më të rralla për nga intensiteti, ngjarjet e mira, të djemve e vajzave të reja që thyenin megjithatë mbytjen tonë, do të shërbejnë si shembull për të bërë dhe një hap tjetër, në një vit tjetër. Një hap më të mirë, për një vit më të mirë. Ky vend, megjithatë, ka njerëz të mirë, patriotë modern, që dinë dhe do të kujdesen për vendin e vet. Rruga përpara do të jetë e vështirë. Çkapja, drejtësia, dija e kujdesi për tjetrin, s’kanë për të qenë të lehta asnjëherë. Do të ketë gjithmonë, fatkeqësisht nga të tanët, të tillë që do të drejtojnë mundin në anën e ligë. Por shembujt e mirë, të njerëzve që megjithatë kanë bërë shpërthim, do të shërbejnë për të tjerët plot, për më shumë më mirë. Për një Kosovë që e duam të gjithë, që na do të gjithë.

Për kurrë më kështu, Gëzuar 2017.




Monday, 26 December 2016

SHUL E VEK

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 DHJETOR 2016

Mbi kontratat që do të dërmojnë Kosovën keq


-1-

Në lojën “cic-mic”, mbërrihet një pozitë që, për aq sa kujtoj unë, i thonë “shul e vek”. Lojtari i vënë në pozitë të tillë, do të poentohet me humbje në secilën lëvizje të kundërshtarit të tij. Në të dyja anët e gurëve të renditur, i zëni në “shul e vek” humbë. Humbë keq.

Në “shul e vek” është vënë, dhe do të vihet për një kohë të mirë, Kosova. Kontratat që po shpërthejnë me skandale arbitrazhi e dënime multimilionëshe, janë të tipit të tillë.

Skema është e thjeshtë. Shteti, nëpërmjet ndërmarrjeve e institucioneve publike, bën kontrata me biznese që i zgjedhë vet. Kontratat, e përzgjedhura, në formën më të thjeshtë të mundshme, janë disfavorizuese për vendin, favorizuese për të kontraktuarin. Janë me parashikime të fitimit multimilionësh fare lehtë. Po u respektua kontrata, përfituesi i tyre është i garantuar. Para e lehtë. Kësaj i thonë “shul”.

Këto kontrata, më pas, shteti i shkelë vet. Bizneset e zgjedhura, ndërsa, dërgojnë shtetin në gjyq. Marrin dëmshpërblim milionësh si përfundim. Kësaj i thonë “vek”. Në të dyja anët, në secilin zgjedhje të mundshme, milionat janë të transferuara lehtë.

Kështu, paratë e shtetit, me miliona e miliona pra, nëpërmjet rrugëve krejtësisht ligjore kalojnë tek privatët si në hiçgjë. Këtë herë, në këso skeme pra, 30 milionë euro para publike kaluan në llogari private.

Dënimet e arbitrazhit janë forma të sofistikuara të legalizimit të korrupsionit. Janë përdorur nga oligarkët në plot shtete të ish Bllokut Sovjetik. Po përdoren edhe sot në Kosovë. Janë përdorur me të madhe në Rusi, janë përdorur në Moldavi. Janë përdorur në Ukrainë, Gjeorgji, Republikat e “staneve” – Kazakistan, Kyrgystan; Armeni e Azerbajxhan. Kanë nisur së fundmi të aplikohen dhe në Shqipëri; në skandalet e hidrocentraleve atje, e skanerëve dogonorë.

-2-

Rasti i PTK-së është një. Në rastin e PTK-së, ndërmarrje e udhëhequr në vazhdimësi nga individë të devotshëm e anëtarë të PDK-së, kontratat janë vendosur nga urdhrat e partisë. Menaxheri i ndërtimit të kontratës, ka qenë i partisë. Menaxheri i shkëputjes së kontratës, ka qenë i partisë. Menaxheri i dorëzimit para arbitrazhit, është i partisë. Paratë, në fund të ditës, do të jenë të partisë. Pazar i pastër dhe i thjeshtë.

Por PTK nuk ka veç një rast. Rasti tjetër, dhe më i madh, na pret në derë. I thonë “Axos”. Kujtoni marrëveshjen për shitjen e PTK-së në vlerën hajgare prej 276 milionë euro. Vlera, ishte, në rastin më të lehtë, kthim i investimeve për 3-4 vjet. Nënshkrimi i shitjes për 276 milionë euro ishte kontratë favorizuese. Po u ekzekutua një kontratë e tillë, biznesi i përzgjedhur (për rekord, ishte fondacion fantom), do të merrte për lirë një ndërmarrje që kthen profitin për vetëm 3 a 4 vjet punë. Kontrata e nënshkruar, nuk ishte ekzekutuar. Mosekzekutimi i kësaj kontrate ka bërë që “Axos” të ngre padi; pra të kaojë në anën tjetër të fitimit. Po u realizua padia, do të merr nga 50 deri në 100 milionë euro fitim, të pastër. Sërish, një skemë e njëjtë, e ekzekutuar me ide e hapa të njëjtë. Akterë të njëjtë, fitues të njëjtë; humbës të ndryshëm – qytetarët e Republikës.

-3-

Sofistikimi i korrupsionit është duke ndodhur. Klasikja e marrjes së 10% fitim mbi tender ka evoluar në forma të ndryshme korruptive; shumë më të avancuara. Më 10% është pazar jo atraktiv. Sepse kërkon shumë ekspozim, shumë risk, pak përfitim. Përfitimet e sofistikuara kanë kaluar në ndryshime ligjore e urdhëresa administrative që japin monopole veprimesh e përfitimesh me kontrata që s’lejojnë ndryshim. Merreni për shembull rastin e homologimit. Një monopol i garantuar që s’guxon të ndryshohet. Po u ndryshua, dënimi qindra milionësh – pa arbitrazh – me paraparje të kontratës pra, është i garantuar. Dy vjet më parë, qeverisja e re kishte provuar të ndryshojë një vendim të tillë. Ndryshimi ishte ndërprerë pikërisht nga dëmi që priste vendin pas ndërprerjes.

Dhe në momentin e tanishëm, tash që komunikojmë për skema si këto, plot e përplot të tjera janë duke u ekzekutuar, për të dhënë rendiment korruptiv vite nga sot. Në rrethana të tilla, janë dy alternativa. E para, që vendi të dorëzohet; që secili gjenerim financiar i tij të kapet e peshkohet nga partia. Herë nëpërmjet tenderëve e herë nëpërmjet skemave që bëhen më të sofistikuara secilën ditë. Do të mbërrijmë shpejtë – poqëse s’kemi mbërri ende – në skema të “Panama Papers”,

E dyta, që të godasim fort pjesëmarrësit në to. Që nënshkruesit e kontratave, mbikëqyrësit e tyre, të mbahen individualisht e penalisht përgjegjës për korrupsion. Në kornizën ligjore të tanishme, atë të menaxhimit të ndërmarrjeve publike, bordet e ndërmarrjeve janë vënë në mirëbesim. Pra, nga ta, s’pritet përgjegjësi ligjore sepse s’ka targete e synime të vëna për ekzekutim. Kjo duhet të ndryshojë. Që menaxhuesit e tyre të jenë dhe përgjegjës me përgjegjësi të pakufizuara mbi ndërmarrjet që udhëheqin. Që pasuria e tyre, koha e lirë e tyre, të transformohet në larje të dënimit. Le të ndodhë më pas një humbje multimilionëshe po që kanë llogari. Le të shohim më pas sa individë do të dalin përpara për menaxhim partiak të publikes.

Shteti, ndërsa, po që pat shtet e po qe i tillë pak, duhet t’i shpallë “public enemies” secilin përfitues të skemave si këto. Të ndërpresë bashkëpunimin me ta, të urdhërojë sanksione ndaj tyre. Të jetë aktiv, proaktiv, në parandalimin e secilit peshkues financiar të vendit më të varfër në Evropë. Do të habitemi se sa pak të tillë peshkues do të mbesin në vend. Në fund të ditës, ka shumë më shumë biznese që duan rregull se sa lidhje favoresh.

Për të bërë një gjë e tillë na duhet vullnet. Vullnet politik që jep guxim, jep shembull e jep mbështetje. Guxim para kapësve, shembull para qytetarëve e mbështetje para prokurorisë që mbetet në gjumë ende.

Monday, 19 December 2016

POLITIKË SHQIPTARE

Letra nga limbo
16 DHJETOR 2016

Shqiptarëve u duhet një platformë që komunikon jashtë nën një zë. Që i paraqet vendet tona si aleate të vetme – në tërren – të principeve e mendjeve perëndimore. Dhe kjo platformë, duhet të shpjegojë, se ekzistenca durimit shqiptar nuk është e përhershme.


-1-

Në natën e zgjedhjeve të Maqedonisë, shqiptarët shpallën fitore – secili pas tjetrit. Disa sepse ishin dalë të parët, disa sepse kishin fituar vota për herë të parë, e disa sepse të parët, kundërshtarët e tyre, s’kishin dalë të parë në rritje, por me rënie – ani pse ishin ende të parë, ani pse vet ishin mosvet. Tipike shqiptare; festë e humbësit për humbjen e tjetrit.

Në të vërtetë, zgjedhjet në Maqedoni treguan se humbës kishte veç një. Se shqiptarët, për shkak të ndarjes, kishin marrë deputet më pak. E sepse ishin të ndarë në lista e parti, kishte dhe shqiptarë pjesëmarrës në zgjedhje më pak. Sa për krahasim, përderisa në Kosovë serbët marrin pjesë në zgjedhje nën një listë, në Maqedoni shqiptarët po garonin me 4 parti. Si rrjedhojë s'fituan gjë. Shqiptari, ky armik i shqiptarëve; andej, këndej, gjithandej.

Humbës shqiptarët po mbesin edhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Mosaftësia e tyre për të kapërcyer inate partiake – si ndodhë rëndom ku ka shqiptarë – po i jep mundësi reale qeverisë së Gruevskit, një ndër antishqipëtarët më të mëdhenj në Ballkan, të ketë jetë më shumë. Renditja e bllokut shqiptar në krah të opozitës së deridjeshme, nën të cilën kishn garuar dhe zgjedhur si deputetë dhe disa shqiptarë, do të prodhonte një Maqedoni më ndryshe; shumë më të favorshme për secilin prej nesh.

-2-

Por, a s’janë kështu shqiptarët gjithandej? A nuk u bë që në Kosovë, mu për shkak të inateve e përplasjeve politike të humbej logjika e trajtimit të demarkimit – e me të dhe e drejta e lëvizjes së lirë për në Evropë? Edhe atëherë kur 50 milionë ukrainasë e gjeorgjianë fituan këtë të drejtë?

A nuk u bë që në Shqipëri për shkak të përplasjeve partiake primitive, që prej se e mbajmë demokracinë mend atje, të mos rrezikoheshin, e të mos rrezikohen edhe sot, secili hap drejt anëtarësimit në BE? Është mrekulli – krejt joshqiptare – pajtimi për anëtarësim në NATO atje.

A nuk sillemi njejtë dhe në Luginë? Kur s’arrijmë as edhe një herë të renditemi bashkë për të ndërtuar një listë të vetme, veç shqiptare, për të mbrojtur zërin e pakicës atje. Madje, në Luginë, për çmendinë më të madhe, koalicione me lëvizje antishqiptare ndodhin përpara bashkimeve ndërshqiptare.

Shembull të gjithë duhet të kenë Malin e Zi. Shqiptarët atje u bënë bashkë një herë. Dhe në këtë bashkim të tyre kapërcyen pengesën ruse e serbe të influencës. Drejtuan, një vend fqinj tonin, tokat e tyre, drejt NATO-s e BE-së.

-3-

Se jemi brenda pikë e pesë, kjo më s’bën lajm. Se po trajtohemi padrejtësisht nga forcat e mëdha, kjo po që po formësohet gradualisht. Shihni për pak në rajon e në Evropë. Banorët e Ukrainës e Gjeorgjisë në secilin standard të mundshëm, në secilën madje të mundshme do të meritonin më pak secilin vendim për lëvizje të lirë se sa kosovarët – të fundit e mbyllur në Ballkan. Po, Kosova ka klasë të korruptuar, po Kosova ka probleme nepotike, të krimit e hajnisë, por, për ta thënë të vërtetën troç, siç është, klasë, krim e hajni në përmasa dhe më të mëdha ka në Ukrainë e Gjeorgji.

Shihni progresin e Serbisë drejt BE-së. Krhasone të njëjtin me Shqipërinë. Një Serbi që në secilën rrehtanë të mundshme është e mentalitetit fashist, e udhëheqëur nga radikalë trashëgues të Millosheviqit, që ngrenë lavde, dërgojnë lule e bëjnë përmendore të tij gjithandej. Një Serbi që flirton me forca anti Evropiane e proruse, megjithatë ecë përpara, shumë më shpejtë se kjo Shqipëri. S’është e mirë kjo Shqipëri, nuk është Kroaci as për nga reforma, as për nga drejtësia e as për nga rëndësia, por megjithatë është, në secilën rrethanë të mundshme, shumë më mirë se Serbi. Në aleancë, në orientim, në mendësi. Megjithatë ecë më ngadalë.

Çfarë Kosova, Shqipëria – e shqiptarët tjerë në Ballkan – s’kanë, në krahasim me gjithë shtetet që shpërblehen nga forcat përcaktuese në BE – është kërcënimi. Neve, po dënohemi, kolektivisht, për mungesë kërcënimi. Serbet ecin në Evropë jo sepse evropianizohen, por sepse kërcënojnë me Rusi. Kërcënojnë me lidhje tregtare, me influencë financiare e me pajisje militare. Për këtë Evropa e shpërblen, Gjeorgjia e Ukraina marrin lëvizje të lirë sepse kërcënohen nga kapërdirja ruse.

-4-

Shqiptarët nuk kanë me çfarë të kërcënojnë. Shqiptarët nuk kanë as kohë e as vullnet të kërcënojnë. Sepse janë të zënë me kërcënimin e njëri-tjetrit, e ndarjen e tallit të imët politik në provincat e tyre respektive. Në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup – janë të njëjtë.

Prandaj në veriun tonë, në Mitrovicë, mëngjeset na çelin me mure dy metërshe e të cilat quhen nga Bashkimi Evropian, besoni ose jo, shkallë. Prandaj muri i tolerohet serbëve atje. Prandaj për muri negociohet atje. Sepse shqiptarët s’janë përcaktues politikash. Shqiptarët janë pranues, siç aknë qenë gjthëherë, të kërcënimeve të fqinjëve.

Është koha që paradigmën politike tonën ta ridizajnojmë. Bota po ndryshon. Forcat e mëdha, fatpërcaktuese për ne, po ndryshojnë. Me to nuk do të thotë të ndryshojë dhe interesi për mbrojtje të aleatëve respektiv, ku jemi dhe ne, por, me to duhet të ndryshojë dhe pazari jonë. S’them të imitojmë fqinjët tanë me kërcënim. Por s’them as të mbesim reaktiv. Shqiptarëve u duhet një platformë që komunikon jashtë nën një zë. Që i paraqet vendet tona si aleate të vetme – në tërren – të principeve e mendjeve perëndimore. Dhe kjo platformë, duhet të shpjegojë, se ekzistenca durimit shqiptar nuk është e përhershme. Jo pse ne domosdo do të ndryshojmë me vullnet – por se ndryshimi i brendshëm mund të kapërcejë vullnetin politik; në përmasa, që, nga padrejtësia, të prodhohen ngjarje që destabilizojnë secilën llogaritje të forcave Perëndimore për Ballkan. Sepse, kur lihen shqiptarët pas, s’mund të ketë as paqe, as stabilitet në Ballkan.



Monday, 12 December 2016

TË PADITUR, DREJT THEQAFJES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 DHJETOR 2016

Mjerimi arsimor është mbjellë me kohë, saktësisht prej kur kapësit ua mësynë me gjoks shkollave – tash prodhohen analfabetë, të paditur, të rinj e të reja pa hiçgjë; që na dërgojnë krejt bashkë, drejt theqafjes.


-1-

Të tretit në botë, nga fundi, për nga leximi, shkenca e matematika. Kështu u ranguan nxënësit kosovarë në një test që përfshinte plot 72 shtete në botë. Plot 5,161 nxënës 15 vjeçar, të shpërndarë nëpër gjithë Kosovën, treguan nivelin e mjerimit arsimor në Kosovë. Mjerimi arsimor është mbjellë me kohë, saktësisht prej kur kapësit ua mësynë me gjoks shkollave – tash prodhohen analfabetë, të paditur, të rinj e të reja pa hiçgjë; që na dërgojnë krejt bashkë, drejt theqafjes.

Testi PISA, s’tregonte asgjë më shumë se sa një dije kolektive, që, me pak mund, mund ta shijoje gjithandej. Shihni për pak nivelin e shkrimit “facebookian”. Shihni për pak komentet në portale; gjithë ato klithma prej tastiere që bëjnë lëmsh e llom. S’po flas për gabime drejtshkrimore e sintaksore. Po flas për garnizone të tëra të paditurish, analfabetë që emrin e shtetit të vet e shkruajnë “Kosov”. Grupe të tëra të rinjsh e të rejash, që një argument të vetëm s’dinë ta ndërtojnë mirë; e që lajmet satirike, në absurditetin më të madh të mundshëm, i marrin si të qena e mirëqena sepse kaq kanë kapacitet kritik. Janë të gjitha pasojë e mungesës së leximit e ndërtimit të një baze diskutuese për jetë.

Kështu të paditur, analfabetë jokokëçarës, njerëz që gabojnë e s’kuptojnë dot gabimin, i ka shtjelluar sistemi ynë arsimor. Ai i njëjti që në shkollë fillore i mbanë me mësime përmendsh, që në shkollë të mesme u jep kotësi teorike e kalime sa për sy e faqe, e që në universitet u shet copa letra –  u thonë diplomë – të cilët, pjesa më e madhe e analfabetëve, i mbajnë për mburrje ani pse e njëjta vlen më pak se kostoja e shtypjes së saj.

-2-

Sistemi ynë edukativ është i kalbur që nga shkolla fillore. Aty, kur për herë të parë, si në kasaphane, futen fëmijët kosovarë, për të dalë, që në fillim, të papërdorshëm tërësisht për nivelet e tjera edukative. Konsideratë gjithmonë për përjashtimet, për fëmijët e dalluar; por pjesa më e madhe e tyre kalojnë tetë vite pa mësuar shkrim lexim. Mësojnë vjersha përmendsh, recitime patetike, por s’mësojnë asnjë mjet që i bën të gatshëm për të qenë të rritur.

Përgjatë gjithë viteve të para, këtë nxënës do të duhej, në rastin më të thjeshtë të mundshëm, të mësonin një a dy gjuhë të huaja si bazë e mjaftueshme për të rritur hapësirën për lexim. Pra të komunikojnë me botën jashtë. Do të duhej të mësonin përdorimin e aplikimeve kompjuterike. Nuk po flas për përdorimin e aplikacioneve “Candy Crash” a “Temple Run”, me të cilat mbahen të zënë në shtëpi mjaftueshëm nga prind jokokëçarës; po flas për përdorime të mjeteve serioze, të kohës, që u japin platformë përdoruese jo argëtuese.

Mbi të gjitha, do të duhej  të lexonin libra, libra aq shumë, sa që leximi të bëhej praktikë e zakonshme për ta. Do të habiteni se sa studentë – po, studentë pra – pas gjithë viteve shkollë fillore e të mesme, e gjejnë të vështirë leximin e një libri 150 faqesh – hiç më shumë. U bëhet sikur të kenë marrë lajm morti. Një libër 150 faqesh, në mesataren më të thjeshtë, mund të lexohet për 3 ditë. E gjejnë të vështirë sepse leximi për ta është një botë aliene. Sepse libri për ta është objekt i panjohur.

Libri për ta është i panjohur sepse i panjohur i njëjti ka qenë për mësuesit e tyre në rend të parë. Sërish, konsideratë shumë për përjashtimet, për mësuesit e mësueset që në kushtet më të rënda mbajnë një ideal gjallë; por, për ta thënë të vërtetën troç, pjesa më e madhe e tyre janë po aq analfabetë sa nxënësit që prodhojnë sot. Pjesa më e madhe e tyre do të duhej të ishin në banka shkollore, jo të mbanin mësim para bankave shkollore. Janë pra, fajtorët kryesorë në këtë mes. Sepse, këta studentë, të fundit në botë, dalin mu nga duart e tyre. Po të ishte ndryshe, një i paditur s’mund të gatuhej si i paditur nga një i ditur. I padituri prodhon të paditurin.

-3-

Dhe kur krahason nivelin e lëshimit të sotshëm me idealin që mësuesit kishin në të 90-tat, e kupton dhe nivelin e rrënimit intelektual e shoqëror që ka ndodhë në Kosovë. Në kushte shumë më të vështira, infrastrukturore, të vendimmarrjes e të intelektit – të lirisë e shprehjes – edukatorët tanë megjithatë kanë mbajtur një nivel. Sot ky nivel është – shprehur në terma rangues – në treshen e fundit të botës. Dhe kur kujton se kërkesa e vetme e mësimdhënësve të bashkuar, në sindikata e trupa të tjera, ka qenë vetëm rritja e pagave, kurrë përmirësimi i cilësisë, e kupton dhe korrupcionin financiar që ka kompromituar moralin e idealin e edukatorëve. Veç paga sot ka rëndësi për ta; asgjë tjerë pas saj.

Ky moral e ideal është i humbur sepse shkollat janë kapur në rend të parë. Janë kapur mësuesit që zgjidhen mbi baza partiake, drejtorët e udhëheqësit e tjerë që janë militantë elektoralë. Janë kapur edhe ato fillore, edhe të mesme edhe të larta. Janë kapur edhe ministritë, agjencitë e trupat e tjera, që marrin miliona – miliona euro për vit – për të siguruar minimalisht kualitet; në kthim po na japin maksimalisht analfabetë. Edhe ata nga sektori publik, edhe ata nga sektori privat. Këta të fundit madje, konsideratë për përjashtimit, janë bërë tregje shitblerjesh diplomash; diploma që, sërish, s’vlejnë asgjë në një treg tjetër, shumë më të rëndësishëm – atë të punës.

Pra i gjithë sistemi është i kompromituar. Nga mësuarja përmendsh e deri tek mësuarja nga skriptat. Nga toelranca për kopjim, deri tek kërkesa për kalim me intervenim. E kemi devalvuar të vetmin burim që mund t’i jap rigjenerim e rilindje vendit tonë.

-4-

Ky nivel i paditurisë u konvenon kapësve. Ata mbahen gjallë kështu. Veç një popull i paditur e mbanë çiftin e Ramizit me shokë herë si profesor doktor, herë si ambasador, e herë si kryetar komune – gjithmonë mbi vete, tash e tetëmbëdhjetë vjet rresht. Prandaj kapësit i mirëmbajnë fabrikat e paditurisë. Prandaj ata prodhojnë padituri. Prandaj ata kanë mbushur shkollat me vëllezër, motra, gra e akraba të paditur që shkollojnë e prodhojnë gjenerata analfabetësh që sot renditet në treshen e fundit në botë.

Kapësit këtë punë kanë. Por këtë punë s’bën ta kenë prindërit që me heshtje marrin në qafë ardhmërinë e fëmijëve të tyre. Çka doni të bëni me këta fëmijë nesër? Kush do t’i merr në punë? Si do ta sigurojnë jetën, për veten, për juve, për vendin?

Po shkojmë krejt, bashkë, në dreq të mallkuar.


Monday, 5 December 2016

NJË MËSIM EKONOMIK

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 DHJETOR 2016

Mbi papunësinë që bie dhe punësimin që nuk rritet


-1-

Nuk besoj se ka ndonjë temë tjetër për të cilën kam shkruar më shpesh, se sa ajo e punësimit, përkatësisht numrave të papunësisë dhe normës respektive. Dhe, në secilin trajtim timin mbi këtë temë kam argumentuar kundër vlefshmërisë së numrave që Agjencia e Statistikave i prodhon. Jo sepse ata ndjekin ndonjë metodologji të paimplementueshme diku tjetër, jo sepse ata implementojnë anketën mirë ose jo (për këtë nuk kam më të voglën ide), por sepse numrat që ky institucion zyrtar i prodhon, nuk bëjnë sens ekonomik; hiç, fare.

Përveç se nuk kanë sens ekonomik, të njëjtat numra nuk paraqesin situatën e vërtetë ekonomike në vend. Dhe në fund të ditës, brenga kryesore e qytetarëve e politikbërësve në vend nuk duhet të jetë rreth paraqitjes kozmetike të numrave, por rreth lëkurës së vërtetë të gjendjes sociale e ekonomike përtej këtij ngjyrimi politik. Fatkeqësisht, deri më tani, përkundër argumenteve të ngritura e stërngritura kaherë, nuk ka pasur një debat të mirëfilltë të ekonomistëve mbi një fakt të vetëm të papunësisë – mbi papunësinë që bie dhe punësimin që nuk rritet.

-2-

Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në botë që ka ulje të papunësisë duke mos rritur punësimin. Pra, përderisa papunësia ka rënë nga 45% në vitin 2012, në 27% në fitin 2016 (gjithmonë sipas numrave të Agjenicsë së Statistikave), numri i të punësuarve për këto tri vite ka mbetur përafërsisht i njëjtë. Në njërën anë pra kemi përgjysmim të papunësisë, në anën tjetër kemi stagnim të punësimit. Pra, thjeshtë, natyrisht, Kosova nuk ka përmirësim të situatës së punësimit. Kosova ka përmirësim të numrave të papunësisë.

Dhe ka vetëm një shpjegim logjik në këtë elaborim alogjik të numrave; e i njëjti lidhet me masën e forcës jo aktive të fuqisë punëtore në Kosovë. Sipas ASK-së, Kosova ka forcë joaktive punëtore – pra të tillë që s’llogariten në numrat e papunësisë – në masën prej 62.2%. Pra, dy të tretat e fuqisë punëtore, fshihen nga llogaritjet e papunësisë – konsiderohon si individë që nuk duan punë.

Me këtë numër, siç dhe kam argumentuar kaherë, Kosova renditet – besoni ose jo – e para në botë për nga joaktiviteti. E kalon Timorin Lindor me 62.1%, e kalon Moldavinë me 58.7%; e kalon Palestinën me 58.6%, i kalon Ishujt Samoa me 58.22%; e kalon Jordaninë me 57.6%, e kalon madje edhe Irakun – në luftë – me 57.6%

Janë pra plot 750 mijë kosovarë që fshihen nga përllogaritjet e papunësisë. E kur fshinë 2/3 e popullsisë, kur fshinë jo 7 mijë por plot 750 mijë kosovarë nga përllogaritja, është tërësisht e parëndësishme se me çfarë numri të papunësisë del në fund. Ky numër lehtë mund të bëhet dhe 0%, e tëra çfarë duhet është që Kosova të fshijë gjithë forcën punëtore nga përllogaritja – t’i shpallë të gjithë si joaktiv.

-3-

Kosova nuk i ka 62.2% të forcës madhore si jo aktive. Kosova nuk ka karakteristikat kulturore e religjioze si shumica e vendeve që renditen rreth saj në rangimin botërorë. Kosova nuk është as si Iraku e as si Palesitna. Në vende të tilla, gruaja nuk është fare aktive, sepse normat shoqërore të vendeve përkatëse e trajtojnë si të tillë. Vendet e rajonit, me të cilat edhe Kosova ndan më së shumti karakteristika kulturore, religjioze e gjeografike, kanë normë joaktiviteti prej 46.8% - në mesatare. Mali i Zi ka normë prej 50.1%; Serbia prej 47.5%, Shqipëria prej 44.9% e Maqedonia prej 44.8%. Në secilën rrethanë të mundshme, Kosova do të duhej të kishte normë joaktiviteti si në Shqipëri e Maqedoni.

Nëse numri final i papunësisë është i palogjikshëm, atëherë i njëjti duhet të jetë dhe i papërdorshëm. Numri i papunësisë sonë, 27% pra, është i papërdorshëm sepse ndërtohet mbi baza të palogjikshme – të fshirjes së 2/3 të popullsisë së rritur nga secila përllogaritje. Në rrethana si këto, ne duhet kthyer nga numrat e punësimit. Në të vërtetë, jo pak vende e jo pak administrata nëpër botë, masin efikasitetin e tyre me numrin e vendeve të reja të punës që krijojnë.

Sipas ASK-së, në Kosovë numri i të punësuarve është 328 mijë vetë. Pra, nga 1.2 milion banorë të moshës madhore për punë, janë të punësuar veç 27%. Pjesa tjetër është ose jo aktive, ose e papunë – jo aktiv janë 750 mijë banorë, të papunë, ASK na thotë, janë veç 116 mijë vetë në Kosovë. Po sipas ASK-së, në dymbëdhjetë muajt e fundit, janë krijuar plot 32 mijë vende të punës në Kosovë. Pra, përderisa në vitin 2015 Kosova i kishte 296 mijë të punësuar, në vitin 2016 Kosova i ka 328 mijë sosh.

-4-

Fillimisht, ka një diskrepancë serioze logjike në mes të vendeve të krijuara për 12 muajt e fundit dhe normës së rritjes ekonomike në Kosovë. Nëse rritja ekonomike në Kosovë përgjatë vitit të shkuar ka qenë nga 3.5% deri në 4%, atëherë gjasat e krijimit të 32 mijë vendeve të punës janë krejtësisht abnormale. Mos të harrojmë, sipas secilës matje empirike e serioze të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar e secilës analizë tjetër të pavarur, Kosovës i duhet normë dy shifrore për të filluar akomodimin e fuqisë punëtore që secilin vit futet në tregun e Kosovës si e papunë. Kjo fuqi punëtore që secilin vit futet si e papunë rrumbullakohet rreth 20-25 mijë. Pra, për të krijuar akomodim për këta 20-25 mijë të rinj do të na duhej normë rritjeje dyshifrore. Për 32 mijë vende të reja pune, norma jonë e rritjes do të duhej të ishte nga 14-16% në vit. Mos të harrojmë e kishim 3.5% deri në 4%.

Për mua, numri i të punësuarve prej 328 mijë është krejtëisht real, madje më i vogël se sa duhet të jetë. Joreale është rritja. Pra njëri nga raportet paraprake është i gabuar sepse, siç argumentova kaherë, baza mbi të cilën përllogaritet papunësia (joaktiviteti pra) është e gabuar dhe si pasojë prodhon numra të përçuditshëm. Pra, numri prej 328 mijëve duhet është real. Kjo sepse vetëm Trusti Pensional i Kosovës ka 300 mijë kontribuues aktiv. Janë pra plot 300 mijë qytetarë që janë të regjistruar formalisht e që kontribuuojnë në trust pensional gjatë gjithë vitit. Në të vërtetë, s’është aspak e habitshme që me normën e joformalitetit në Kosovë të kemi 328 mijë të punësuar. Kjo do të thoshte që jofromaliteti i fuqisë punëtore është vetëm 10%. Në të vërtetë, për mendimin e argumentimin tim, në Kosovë numri i të punësuarve jo formal duhet të jetë dhe më i madh sepse jofromaliteti është më i lartë se sa 10%. Rreth 10% joformalitet e kanw plot vende tw zhvilluara madje. Nëse Trusti i pensioneve i ka 300 mijë kontribuues formal, atëherë me një normë joformaliteti të fuqisë punëtore prej 30%, punësimi këndej duhej tw ishte rreth 360-380 mijë vetë. Pra, ASK nuk ja qëllon as numrin real të të punësuarve. E zvogëlon atë, e zvogëlon dhe numrin e punëkërkuesve, por rritë vazhdimisht joaktivitetin.

Për ta thënë më thjeshtë, pavarësisht ASK-së, Kosova i ka 1.2 milion banorë të moshës  së punës. Nga ta punojnë formalisht 300 mijë vetë, dhe mesiguri, 70-90 mijë të tjerë në të zezë. Edhe sikur të ishin 400 mijë të punësuar (e jo 328 sa thotë ASK) në të zezë e bardhë, Kosova do të kishte veç 30% punësim – kur i ka pra 1.2 milion banorë të moshës së punës. Pjesa tjetër janë ose të papunë, ose joaktiv, pra të painteresuar për punë. Nëse Kosova ka normë joaktiviteti si të Shqipërisë e Maqedonisë – pra 44%, atëherë i bie se 530 mijë nuk do të donin punë. Pjesa e mbetur prej 300 mijë, në secilën rrethanë logjike do të ishin të papunë. Në një proporcion përqindjeje, papunësia në Kosovë – edhe sikur 400 mijë të ishin të papunë e 530 të tjerë të mos kërkonin punë – do të ishte rreth 40%; gati dy herë më e lartë se sa numri aktual zyrtar. I gjithë marifeti pra është te përllogaritja e joaktivëve si jashtë tregut të punës.