Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 KORRIK 2016
Nëse dikush ka shpresuar se proceset biologjike vetvetiu do të përmirësojnë
politikën kosovare, e kanë gabim. Nëse asgjë tjetër, proceset biologjike veçse
po e sofistikojnë kapjen e kapësit.
-1-
Tashmë është e qartë se gjeneratat e reja politike, në
masë të njëjtë sikurse pararendësit e tyre, nuk njohin moralin si element të
politikëbërjes. Janë po aq pakurrizorë, po aq jokredibil e po aq – në formën më
të thjeshtë të shprehshme – të pafytyrë. Nëse dikush ka shpresuar se proceset
biologjike vetvetiu do të përmirësojnë politikën kosovare, e kanë gabim. Nëse
asgjë tjetër, proceset biologjike veçse po e sofistikojnë kapjen e kapësit.
Sepse, përderisa kapësit e vjetër – le të themi – bënin
favore me automatizëm për kryekapësit, këta të rinjtë po bëjnë dhe pazare shtesë.
Pra nuk po e kërkojnë më vetëm mbajtjen e pozitës politike që kanë, por po kërkojnë
dhe përfitime mbi to. Po kërkojnë poste ambasadorësh, karrige bordesh e
rahatime akrabash. Pra, kostoja e kapjes po rritet me rinimin politik tonin. Kapësit po bëhen më
lakmitarë.
Kapësit e rinj, që shesin votën e bindjen për një rehatim
prej – le të themi – diplomati, kanë dhe një veçori shtesë. Kanë aftësi
talljeje. Pra, përderisa të vjetrit i fshihnin punët e ndyra politike, të përvetësimit
e zaptimit, këta të rinjtë tallen me të tjerët. I shfaqin publikisht, me
mburrje e krekosje prej mizërie.
Dhe kështu, në gjithë këtë vogëlsim të tyre, po vogëlsohet
dhe potenciali rigjenerues i Kosovës. Sfidat kundër kapjes, të deridjeshme,
veçse po shtohen. Kundërshtarët kapës po sofistikohen. Me sofistikimin e tyre
dhe modelin që këta po ndërtojnë në vazhdimësi, po vogëlsohet edhe ajo pak dritare
e vogël që sheh Kosovën si vend normal evropian. E ka vetëm dy elemente rritëse
këtu; vetëdijësimi se koha jo domosdo prodhon progres – dhe e dyta, motivi për
të ndryshuar rrënjësisht pjesën më të madhe të kulturës politike në Kosovë;
gjithçka që sot ajo përfaqëson.
-2-
Merreni për pak moralitetin e politikës britanike; nivel
që secili që e konsideron veten me mendësi të re politikëbërje duhet ta ketë për
model. Pas referendumit për dalje, u dorëheq kryeministri – sepse kishte humbur
veç një sfidë. U kërkua, dhe me gjithë gjasë do të ndodhë, dhe dorëheqje e
liderit opozitarë – sepse, njëtrajtësisht kishte dështuar të parandalonte një dëm
për vendin (siç e konsideronin bashkëpartiakët e tij). Në fund, u tërhoqën e
dorëhiqën edhe vet promovuesit e fushatës pro-daljes; sepse momentumi i ri nuk
i favorizonte ata.
Nuk po pres, natyrshëm, që niveli politik i Kosovës të
arrijë standardet e një shoqëria si kjo më lartë. Po pres, gjithsesi, që ky
nivel politik të ketë një bazë minimale të moralitetit. Po dhe nuk pat fare një
bazë të tillë, pres që mekanizmat korrektues moral, të shoqërisë – qytetarëve,
intelektualëve, akademisë e të tjerëve – të jenë aktiv. Sepse, janë mu
mekanizmat e tillë që detyrojnë një politikan të sillet me rregulla minimalisht
morale.
Këta mekanizma korrektues, fatkeqësisht, janë ose
inekzistent ose bashkëaktiv me kapësit. Pjesërisht sepse nuk kanë guxim; pjesërisht
sepse janë përfitues të këtij sistemi kapës. Nga punëdhënia individuale deri
tek privilegjet familjare.
E kam thënë dhe më parë. Sot sistemi partiak e politik në
Kosovë, nuk shihet si fushë që individët e grupet mund të kontribuuojnë.
Shihen, për fatin tonë të keq, veçse si një plaçkë që fituesi i garës e ndanë.
Rrjedhimisht, pas secilit proces zgjedhës, të gjitha pozitat publike janë të
deleguara tek kontribuuesit partiak të kapjes. Nga pozitat e bordeve,
agjencioneve, financierëve e deri tek mësimdhënësit e universiteteve publike, mësuesve
të shkollave e edukatorëve në çerdhe. Do të habiteshit, po të shihnit, se në
shumë nivele këshilltarësh ministrash e agjencionesh, pozitat janë të deleguara
me automatizëm për degët e partive që posedojnë me tall.
Publikja pra, sot është shndërruar si një thes që jep
beneficione për të gjithë. Shihni për pak të 40 mijë përfituesit potencial të
veteranëve. Bëhet fjalë pra për 120 milionë euro përfitime vjetore nga një grup
që – në masë të madhe – del të jetë në numër i pasaktë e në përbërje i padrejtë.
E gjitha është bërë nën idenë e shfrytëzimit të beneficionit publik pa çarë
fare kokën për koston e këtij përfitimi.
-3-
Ky nivel degradues, është instaluar dhe shndërruar në
kulturë të politikëbërje. Është bërë krejtësisht e pritshme e normale. Dhe për
këtë kulturë, nuk gjenë njeriu përjashtim në asnjë parti politike në vend. Të
gjitha partitë politike këndej, në nivel qëndro e lokal padallim, mbajnë për
synim rahatimin e kontribuuesve partiak për fillim – për të përfunduar me kapje
në fund.
Kosova do të ketë telashe enorme me gjithë sistemin
publik të kapur e të kalbur. Do të kemi problem me reformimin e sistemit tonë
diplomatik në të ardhmen – me njerëz jokompetentë e joparimorë sa s’bëhet më.
Do të kemi problem me uljen e përfituesve të pagave në një administratë publike
megalomane e nepotike. Do të kemi problem me zhbërjen e kapjes së secilit
agjencion, nga pastrimet ditore e deri tek furnizimet e ujit e energjisë.
Do të kemi problem dhe uljen e përfitimeve publike. Do të jetë vështirë që nesër të bëhen shkurtime, reformime e përmirësime në sistemin e edukimit ku kemi marrë mësues pa shkollë; në sistemin e shëndetësisë ku kemi mjekë pa dije; apo në sistemin e veteranëve ku kemi përfitues mashtrues. Ky proces, për më tepër, do të jetë dhe i frikshëm për secilin vendimarrës. Sic ka qenë problematik në shumë vende të tjera, ç’kapja ndërlidhet me frikë – me frikën e humbjes së zgjedhjeve.
Gjërat pra nuk duken mirë; dhe – për fatin tonë të keq –
me vazhdimin e kohës ato po bëhen e duken edhe më të rënda. Së këndejmi, është
imperativë që koha e reagueshmërisë sonë ndaj kapjes të vijë sa më shpejtë.
Komforti në të cilin jemi futur ne, edhe atëherë kur një politikan e politikanë
mediokër tallet publikisht sepse ka shitur votë, është i pashpjegueshëm. Ky
komfort veçse ju jep të njëjtëve më shumë arsye për të vepruar njëjtë. E kundërta,
reagimi ndërsa, vë një shkallë të re që tjetri do ta respektojë. Mund të duket
shkallë e vogël, por herët apo vonë e njëjta do të prodhojë një kulturë të re
politike në vend.
No comments:
Post a Comment