Monday, 27 June 2016

BREZOVICA DHE DËSHTIMI I PRITUR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 QERSHOR 2016

Në shikim të parë, për një kompani si “Compagnie des Aples”, gjetja e 164 milionëve nuk do të ishte fare problem. Po flasim për një ndër bizneset më me vlerë në këtë industri. Përveç, nëse, siç dhe kishte ngjarë këndej, “Compagnie des Aples” ishte akcionarë minoritarë në një partneritet të tillë. Rrjedhimisht, barra më e madhe e gjetjes së mjeteve i binte partnerit shumicë – që s’ishte bërë publik asnjëherë.



-1-

Projekti i Brezovicës, në secilën përllogaritje të mundshme, ka qenë një ndër projektet më fizibile që Kosova ka për ofrim. Njëkohësisht, “Brezovica” mbetet aseti më i nënshfrytëzuar nga të gjithë. Në 17 vjet post-çlirim, Kosova nuk ka arritur asnjëherë të revitalizojë apo sjellë në vëmendje investitorë që do ta sillnin në jetë sërish pikën më atraktive turisitike që Kosova ka. Në vend të saj, aseti është menaxhuar nga serbët lokalë dhe strukturat paralele të udhëhequra për gjynah nga Beogradi.

Amortizimi i ngjarë për 17 vjet, ka bërë “Brezovicën” të papërdorshme përtej vizitave për ekskursion të autobusëve me goma vere – apo të disa turistëve lokalë të vikendeve – sërish me goma vera. Shpate të pamirëmbajtura, makineri të vjetërsuara, shërbime modeste e hoteleri larg prej atraktive – bënin një vend të tanë të duket horror. Vetëm të pasionuarit e skijimit edhe alpinizmit mund të kenë gjetur shijim në një gjendje që jep komfortin e egërsisë.

Sot, si e tillë çfarë është, “Brezovica” është e papërdorshme për secilin tjetër. Mbi të gjitha, revitalizimi i saj kërkon asete financiare enorme, që Kosova nuk i ka. Dhe, sepse nuk i ka, e sepse është e pakuptimtë të presim në dekada për t’i bërë, ideimi i sjelljes së iniciativës private ishte i domosdoshëm – i paalternativë.

-2-

Për ata që kanë pak të njoftuar me rrjedhën e procesit, historiku i shkurtë i koncesionimit duket pak a shumë kështu. Në shkurt të vitit 2012, Qeveria e atërheshme e Kosovës kishte përpiliar “Planin Zhvillimor për Resortin e Brezovicës”. Nëpërmjet planit, synohej që të gjindeshin operatorë privatë që do të merrnin përsipur dizajnimin, ndërtimin, financimin dhe operimin e resortit në një hapësirë prej plot 3364 hektarë. Ishte kjo një nismë e rrallë e partneritetit publiko privat në Kosovë – së paku në përmasa si këto.

Në dhjetor të vitit 2014, Qeveria e Kosovës kishte transformuar asetin qe menaxhonte me resortin “Brezovica” në një ndërmarje të re me përgjegjësi të kufizuar. Kapitali fillestar i këtij aseti të ri ishte vënë 100 mijë euro. Kjo ndërmarrje më pas i ishte dhënë për 99 vite, nëmodelin dizajno-ndërto-financo-opero-mirëmbajë tek një konzorcium francez. Konzorciumi, ç’është e vërteta, udhëhiqej nga një kompani me renome botërore – ndër më të njohturat në fushën e ndërtimit të resorteve skijuesë – “Compagnie des Aples”. Konzorciumi planifikonte të investojë plot 410 milionë euro në resort e tëkrijonte rreth 3050 vende të reja të punës.

Në Prill të vitit 2015, Qeveria e Kosovës dhe konzorciumi kishin finalizuar detajet dhe marrëveshja e parë e partneritetit publiko privat ishte nënshkruar. Pas kësaj, palët ishin futur në një periudhë tranzitore prej 180 ditëvr – periudhë që parashihte arritjen e disa kushteve kritike. Obligimi i Qeverisë së Kosovës ishte shpronësimi i disa tokave dhe aseteve – siç kërkohej me planin fillestar. Obligim i partnerit të konzorciumit, ndërsa, ishte ofrimi i garancisë financiare – thenë ndryshe, gjetjes së parave. Faza e parë investuese kërkonte gjetjen e plot 164 milionë eurove. Pjesa tjetër, e 400 milionëshit të paraparë, do të gjindeshin në vitet në vijim.

Përderisa Qeveria e Kosovës kishte shpronësuar pronat e nevojshme – në vlerë të kushtueshme rreth 30 milionë euro; partnerët e konzorciumit nuk kishin asnjëehrë t’i siguronin paratë e fazës së parë – ato 164 milionë euro. As në afatin e parë, as në të dytin, e as – përfundimisht – në të tretin kur dhe marrëveshja dështoj.

-3-

Në shikim të parë, për një kompani si “Compagnie des Aples”, gjetja e 164 milionëve nuk do të ishte fare problem. Po flasim për një ndër bizneset më me vlerë në këtë industri. Përveç, nëse, siç dhe kishte ngjarë këndej, “Compagnie des Aples” ishte akcionarë minoritarë në një partneritet të tillë. Rrjedhimisht, barra më e madhe e gjetjes së mjeteve i binte partnerit shumicë – që s’ishte bërë publik asnjëherë.

Precedent të tillë kemi në Kosovë dhe nga transferet e mëparshme. Merreni rastin e koncesionimit të Aeroportit. Në dokumentet koncesionuesi, partnerë janë “Aeroport de Lyone” nga Franca, e njohur shumë për operime në fushën e aviacionit, dhe “Limak” nga Turqia, e njohur për prodhimin dhe punimin me – cement. Dhe në këtë konzorcium, “Aeroport de Lyone” merr pjesë me 10% të hises; cementarët me 90%. Në letër, konzorciumi del me eksperiencë; në praktikë ka eksperiencë për vetëm 10%; për gjithë pjesën tjetër nuk ka haber.

I njëjti model duhet të jetë përdorur dhe në rastine  Brezovicës. “Compagnie des Aples” duhet të ketë hyrë me hise proporcionalisht e kosniderueshëm më të vogël se sa partneri tjetër. Partneri tjetër, ndërsa, mesiguri ndonjë biznes apo grupe biznesesh kosovare, nuk kanë pasur asnjë eksperiencë në këtë drejtim.

Dhe, përveç se nuk kanë pasur eksperiencë, dalin të mos kenë pasur as aftësi gjeneruese të fondeve. Në planin financiar të dorëzuar për gjetjen e këstit të parë, të 164 milionëvë pra, konzorcoumi tregon se ka mjete minimale në dizpozicion. Sipas planit, 43 milionë euro ishin menduar të gjinden nga ndërtuesi i liftit “Poma” – në stilin e ndërtimeve të banesave që i kemi këndej – ndërton dhe merr kompenzim banesë. Dhe atje, ndërton lift e teleferik e ngirtës të tjerë – merr hise në projekt.

Po sipas të njëjtit plan, rreth 10 milionë të tjerë ishin siguruar nga kompani si “Limak”, “Fosum/Thomas Cook”, “La Folie Douce” e “Malin Montagne Participation”. Pjesa tjetër, prej mbi 110 milionë, nuk ishte saktësuar asnjëherë. Në planin e tyre thuhej se 15 milionë mund të gjindeshin nga bankat lokale në Kosovë, e 100 milionë të tjera – pjeasa kryesore – nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim dhe nga KfË/DEG. Ishin pra mjete të premtuara në shpresë të aprovimeve të tjera.

-4-

Tashmë është e qartë, dhe do të duhej të ishte e qartë që nga fillimi, se grupi i përzgjedhur nuk kishte as më të voglin gjasë të siguronte 400 milionët e premtuar. Grupi i përzgjedhur, do të ketë qënë një formacion i tipit “Axos Capital”; një fondacion anonim, i panjohur e joserioz, por me tendencë për të provuar e gjeneruar fonde. Provimi, në fund të ditës, këndej është i lehtë; provimi, pa pasoja. Pse mos të provohet?!

Për më tepër, është rast i rrallë që një investim i proklamuar në këtë masë, të jetë mbajtur i fshehtë e i mbylluar siç kishte ndodhur këndej. Është ndër rastet e pakta që përfaqësuesit lokal – që, për bindjen time, mbesin mazhoritarët në këtë nismë, të mbajnë dyer të mbyllura për secilin që kishte shfaqur interes. Të mbesim të sigurt se sa herë ka mbyllje të tillë në informacione, do të ketë diçka jo të këndshme për t’u fshehur.

Kosova do të duhej të kishte bërë një verifikim më strik financiar, sidomos para së të niste shpronësimin e pronave e shpenzimin e 30 milionë eurove të taksapaguesve kosovarë. Projektet e mëdha nuk guxojnë të nisin pa garancione bankare – në fund të ditës. Sot, në Kosovë, edhe një kontratë modeste përcillet me një garancion të tillë.

Për fund, pavarësisht spekulimeve të fundit, rrënimi i Brezovicës është tërësish çështje e jona dhe nuk ka asnjë ndërlidhje me pretendimet e Beogradit. Ne dështuam me Brezovicën jo pse deshi Beogradi ose pse një zyrtarë i parëndësishëm atje shkroi një letër për privatizuesit potencial në Kosovë (letra të tilla kanë shkuar gjithherë por s’kanë ndalur asgjë), ne dështuam sepse zgjodhëm për investitorë një grup joserioz, pa para dhe të mbyllur e dyshimtë sa s’bëhet më. Ky dështim, pavarësisht prokalmimeve amatore se është i pakushtueshëm, na kushton shumë. Kushton kohë, kushton mjete, kushton energji e kushton imazh. Në ekonomitë moderne s’ka gjëra të pakushtueshme. Mbi të gjitha, fatkeqësia më e madhe, gjithsesi, mbetet ideja se dështimi është bërë model i punës këndej.

No comments: