Monday, 6 June 2016

PARADOKSET E NUMRAVE TË PAPUNËSISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 QERSHOR 2016

Sivjet, norma e joaktivitetit prej 62.4% e renditë Kosovën, besoni ose jo, në vendin e parë në botë. Po, pra – në vendin e parë në botë. Kosova, me këso numra, del të jetë vendi me më së shumti popullsi joaktive. E kalon Timorin Lindor me 62.2%, e kalon Moldavinë me 58.7%; e kalon Palestinën me 58.6%, i kalon Ishujt Samoa me 58.22%; e kalon Jordanin me 57.6%, e kalon madje edhe Irakun – në luftë – me 57.6%


-1-

Tashmë është bërë tërësisht e zakonshme që të dhënat e prodhuara në Kosovë të mos kenë kuptim. Është bërë edhe e zakonshme që secila kritikë e vërejtje e ngritur ndaj tyre të trajtohet me mostrajtim. Dhe kështu, secilin vit pas tjetrit, institucione të njëjta, dalin me të dhëna të njëjta për të prodhuar konkluzione të njëjta – të pakuptimta e të pavërteta gjithsesi.

Javën që shkoj, Agjencia e Statistikave të Kosovës kishte dalë me një komunikatë për shtyp, në të cilën prezantoheshin të dhënat e përmbledhura të anketës me fuqi punëtore; përkatësisht të dhënat e intervistimit të 4800 familjeve, shpërndarë në 600 qarqe territoriale – mostër e mjaftueshme për të konkluduar me rezultate gjenerale. Anketa e fuqisë punëtore, përndryshe, do të duhej të përbënte një ndër matjet më të rëndësishme që Kosova ka. Në fund të ditës, bëhet fjalë për problemin kryesor dhe më kronik të saj, për papunësinë.

Sipas komunikatës në fjalë, thuhet se – fillimisht – dy të tretat e popullsisë së Kosovës janë në moshë pune. Bazuar në të dhënat zyrtare të regjistrit të popullsisë, të përditësuara pra, Kosova ka rreth 1.2 milionë banorë në moshë pune.

Komunikata vazhdon, se, 37.6% e popullsisë në moshë pune janë aktiv, ndërsa nga ta shkalla e papunësisë është 32.9%. Thënë ndryshe, nga 1.2 milionë banorë, vetëm 450 mijë sosh bëjnë pjesë në llogaritjet e papunësisë; 750 mijë të tjerë nuk llogariten. E besoni dot?!

-2-

Ka disa observime që njeriu nxjerrë nga një prezencë e numrave të tillë. E para, dhe më e rëndësishmja, ajo për të cilën kam përshtypjen se shkruaj përvjet, është shkalla e joaktivitetit që metodologjia e aplikuar në Kosovë nxjerrë. Pra, vetëm 37.6% e popullsisë së Kosovës (gjithmonë popullsisë në moshë pune pra) është aktive, e pjesa e mbetur prej 62.4% janë joaktiv – pra janë individë që nuk kërkojnë punë. Përkthyer në numra – në jetëra pra – plot 750 mijë kosovarë konsiderohen si joaktiv, rrjedhimisht largohen nga të gjitha llogaritjet e papunësisë në vend.

Një normë kaq e lartë joaktiviteti është rekord për Kosovën. Kujtoj se një vit më parë, kjo normë e joaktivitetit ishte 58.4%; dhe, si e tillë, e rendiste Kosovën në vendin e 6 në botë për nga fuqia joaktive. Edhe ajo renditje, e vitit të shkuar pra, ishte jo natyrale e disproporcionale me shumë karakteristika kulturore e regjionale të Kosovës.

Sivjet, norma e joaktivitetit prej 62.4% e renditë Kosovën, besoni ose jo, në vendin e parë në botë. Po, pra – në vendin e parë në botë. Kosova, me këso numra, del të jetë vendi me më së shumti popullsi joaktive. E kalon Timorin Lindor me 62.2%, e kalon Moldavinë me 58.7%; e kalon Palestinën me 58.6%, i kalon Ishujt Samoa me 58.22%; e kalon Jordanin me 57.6%, e kalon madje edhe Irakun – në luftë – me 57.6%.

E vërteta natyrisht se është krejt ndryshe. Kosova nuk ka karakteristikat kulturore e religjioze si shumica e vendeve që renditen para saj. Në vende të tilla, gruaja nuk është fare aktive sepse normat shoqërore e vendeve përkatëse e trajtojnë si të tillë. Vendet e rajonit, me të cilat edhe Kosova ndanë më së shumti karakteristika kulturore, religjioze e gjeografike, kanë normë joaktiviteti prej 46.8% - në mesatare. Mali i Zi ka normë prej 50.1%; Serbia prej 47.5%, Shqipëria prej 44.9% e Maqedonia prej 44.8%. Në secilën rrethanë të mundshme, Kosova do të duhej të kishte normë joaktiviteti si në Shiqpëri e Maqedoni.

Observimi i dytë që del nga një llogaritje të tillë, është se vendi ynë për një vit, me numra natyrisht veç, ka rritur joaktivitetin e fuqisë punëtore, siç dhe thash më parë, nga 58.4% në 62.4%. Për hiç më pak se 4 pikë përqindjeje – apo përkthyer në numra e jetë, për plot 50 mijë kosovarë. Pra, brenda një viti, 50 mijë kosovarë nuk i janë shtuar tregut të punës, por u janë shtuar atyre që nuk duan punë. Me llogartitje të tilla, natyrisht se numrat e papunësisë mbesin ku janë.

-3-

Heqja e 750 mijë kosovarë nga 1.2 milionëshi, bën pra që si popullsi e llogaritur për punë të mbesin vetëm 450 mijë. Nga ta, sipas statistikave kosovare, 300 mijë janë të punësuar, e 150 mijë janë të papunë. Rrjedhimisht, papunësia 32.9%.

Ka disa probleme interpretuese në këtë logjikë. Fillimisht, se vitin e kaluar, sipas po të njëjtës llogaritje, Kosova kishte 323 mijë të punësuar. Një prezantim i tillë, nëse asgjë tjetër do të tregonte se në vendin tonë, përgjatë dymbëdhjetë muajve të shkuar, janë humbur plot 23 mijë vende pune. Pra, përveç se rreth 50 mijë janë shtuar si joaktiv, edhe 20 e kusur të tjerë kanë mbetur pa punë.

E dyta, numri prej 150 mijë banorëve të papunë është skandaloz në secilën përputhje me secilën të dhënë tjetër ekonomike në vend. Është madje, në shpërputhje edhe me ato premtimet elektorale qesharake – të 200 mijë vendeve të reja të punës. Si duket, partitë politike në Kosovë paskan premtuar më shumë punë se sa për çfarë vendi ka nevojë.

-4-

Metodologjia e aplikuar mund të jetë konform ndonjë standardi të mirënjohur, por konformiteti nuk e bën atë të përdorshme në Kosovë, sepse po prodhon – tash e sa vjet rresht – numra të pakuptimtë.

Për tu kthyer me këmbë në tokë; dhe për ti dhënë sens numrave, them se ne duhet të nisim llogaritjen nga joaktiviteti i fuqisë punëtore. Nëse joaktiviteti në Shqipëri e Maqedoni është jo më shumë se 45%, e të njëjtin e aplikojmë në Kosovë, del se në Kosovë, në rastin më të keq të mundshëm, janë rreth 500 mijë joaktiv – pra aso që nuk kërkojnë punë. Këta mund të hiqen nga llogaritja e numrave, por natyrisht, s’mund të hiqen nga barra sociale e Kosovës. Sepse llogaritjet e lapsave nuk japin zgjidhje socio-ekonomike.

Tashti, pjesa e mbetur prej 700 mijë janë – në secilin argument të mundshëm logjik; krahasues me rajonin – si aktiv. Nëse shkalla e punësimit është 300 deri në 350 mijë; atëherë papunësia në Kosovë del të jetë rreth 50%.

Sa më parë që fillojmë t’i korrigjojmë mënyrën e llogaritjes së numrave, sa më parë që konstatojmë gjendjen në të cilën jemi, aq më parë i japim zgjidhje edhe problemeve. Sepse, ka dallim esencial nëse politikat ekonomike bëhen për 30% të papunë apo për 50% të papunë. Ka rëndësi enorme nëse 750 mijë kosovarë janë të papunë por s’llogariten si të illë. Sepse, ata megjithatë jetojnë në këtë vend, presin zgjidhje nga ky vend.


No comments: