Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 QERSHOR 2016
Vështrim telegrafik mbi asetin më të përfolur kosovar
-1-
Në fillim të këtij shkrimi dua ti bëj të qarta disa
shtylla, që – për mendimin tim – duhet të rrumbullakojnë diskutimin rreth “Trepçës”.
E para, dhe më e rëndësishmja, se miti i shpëtimit ekonomik të Kosovës nga
rifunkcionalizimi i “Trepçës” nuk është i saktë. Pra ekonomia kosovare nuk do të
shpëtojë e as nuk do të rilindë me rilindjen e “Trepçës”. Kjo sepse “Trepça” e
as një ndërmarrje tjetër shoqërore e publike që kemi në vend nuk ka potencë për
të adresuar më shumë se dy-tre mijë punëtorë në secilin skenarë të mundshëm
rifunkcionalizues. Kosova, që të mos harrojmë, çdo vit, secilin vit, i shton si
të papunë të ri nga tridhjetë e kusur mijë sosh.
E dyta, po aq e rëndësishme, siç argumenton shpesh miku
im Alban Hashani, se “Trepça”, në secilën llogaritje kontabël, është biznes –
dhe këtu mund të nisë sentimenti – i falimentuar. Ekzistenca e saj është e
mundshme vetëm falë subvencioneve financiare, në formë borxhi, që Qeveria e
Kosovës i jep për pagat e punëtorëve atje. Ky borxh ka arritur në plot 100
milionë euro. Këto mjete do të shtohen sa më shumë që paarsyeshëm ne mbajmë
gjallë këtë formë operuese të “Trepçës”.
E treta, jo më pak e rëndësishme, se pasuria e njëmendtë
e “Trepçës” nuk qëndron në teknologjinë (e vjetërsuar ose jo ka pak rëndësi) që
shërben për nxjerrjen e mineraleve. Pasuria e njëmendtë e “Trepçës” është mu në
minerale – pra nën tokë. Së këndejmi, kur flasim për rifunkcionalizimin e
asetit, për pronësinë, hisen e shitjen, nuk flasim për transformimin e pasurive
nëntokësore, por flasim për pajisjet e mjetet që shërbejnë në shfrytëzimin e këtyre
pasurive.
E katërta, gjithmonë aktuale, se secila pasuri shoqërore,
në territorin e Republikës së Kosovës, i takon vetëm qytetarëve të Kosovës. Kjo
e drejtë – e njohur me Pakon e
Ahtisaarit, e inkorporuar më pas në Kushtetutën e Kosovës – është e garantuar
sa është e garantuar dhe vet pavarësia e shtetit tonë. Secili pretendim e
sugjerim për diskutim të zgjidhjes për probleme pronësore në Bruksel, pra në përballje
me Beogradin, do të thoshte precedant i ri, i rrezikshëm dhe i paarsyeshëm, për
gjithçka që ka Kosova sot – nga pasuritë e tek pavarësia.
E pesta, dhe e fundit, tregjet ndërkombëtare të
mineraleve po shënojnë periudhat më të vështira të 20 viteve të fundit. Pra, për
fatin tonë të keq, trendet globale ndodhën në periudhë të “bust-it”; dhe do të
duhen vite shumë para se ato të rikthehen mirë. Thënë këtë, nuk është se para “Trepçës”
po na presin investitorët e huaj. Edhe po t’i bëjmë të gjitha punët e detyrat
siç duhet, sigurimi i interesimit për investim është kapitull e përpjekje në
vete.
-2-
Një vjet e gjysmë më parë, rasti i “Trepçës” ishte sjellë
në skenë trajtuese në formën më të rëndë të mundshme. Të përballur me afatet në
ikje që Agjencioni Kosovar i Privatizimit i kishte para vetes, Qeveria e Kosovës
kishte vendosur ta transformonte Trepçën nga një ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje
publike. Çfarë Qeveria e Kosovës nuk kishte llogaritur asokohe, ishte se baraz
me transformimin e aseteve bëhet dhe transformimi i borxheve; dhe se, një ndërmarrje
e shndërruar në publike, do të nënkuptonte me automatizëm dhe marrjen përsipër
të borxhit.
Në një rast normal diskutues, një Qeveri do të duhej të
kishte para vetes informacionet e sakta mbi vërtetësinë e saktësinë e
pretrendimeve për borxhe. Asokohe pretendimet arrinin në mbi 1.4 miliardë euro.
E gjithë nisma rreth “Trepçës” kishte përfunduar me dy
ngjarje pasuese. E para përfshinte intervenimin e Beogradit që, duke patur
informacione të dorës së parë nëpërmjet ministrave serb në Qeverinë e Kosovës,
i kishte paraprirë vendimit publik të kosovarëve për ndërprerje të
transformimit – dhe këtë informacion e kishte shndërruar në fitore
nacionaliste. E dyta, që në Kosovë, më shumë në mungesë të informimit e saktësisë
rreth problemit se sa për bindje, kishin nisur protesta që shpërfaqin edhe sot
e kësaj dite lehtësinë e tjetërsimit të sentimentit rreth “Trepçës”.
Asokohe, si përfundim, Parlamenti i Kosovës kishte marrë
vendim që për një vit e gjysmë – afat që kalon në vjeshtë të këtij viti – të
hartohet një strategji dhe një ligj i veçantë që merret me çështjen e “Trepçës”.
-3-
Nga atëherë deri më sot, kanë ndodhur disa aktivitete përcjellëse
që do ta formësojnë debatin mbi Trepçën në javët e muajt në vijim. Fillimisht,
me iniciim të komisionit funkcional të Kuvendit të Republikës, janë mbledhur
informacione të rasteve studimore nga e gjithë bota – mbi format e menaxhimit,
mbi kombinimet e pronësisë dhe mbi aspektet tjera juridike, ekonomike e
teknologjike. Rastet e përmbledhura përfshijnë miniera në Eropë, Afrikë, Amerikë
Latine e Amerikë Veriore. Them se këto raste studimore i japin Kosovës një
pasqyrë të mirë orientuese se nga e si duhet të ristrukturojë. Nga çfarë u
prezantua këtë javë në një tryezë publike në Kosovë, rasti i përgatitur nga
Iraj Hashi – profesor nga Britania e Madhe – mbi kompaninë polake “KGHM Polska
Miedz” mund të shërbejë – për bindjet e mia – si model sugjerues për Kosovën.
Një kombinim publiko-privat, siç del të jetë atje, mund të jetë një formulë
suksesi këndej.
Që nga dimri i vitit të kaluar, AKP ka bërë verifikimin e
pretendimeve të borxheve. Një pjesë e këtyre borxheve – pjesa më e madhe madje
– kanë dalë të jenë pretendime të punëtorëve. Janë kërkesa qindra milionëshe të
individëve që kërkojnë pagat e humbura gjatë gjithë kohës së jofunkcionimit. Si
përgjigje të këtyre pretendimeve them se është e udhës të mos mirret asnjë
obligim. Kosova nuk është fajtore për mosmarrjen e pagave nëpër kohë; Kosova
nuk ka pse të marrë përsipër dëmet e regjimit të Millosheviqit. Nëse bëjmë një
gjë të tillë, do të krijojmënjë precedent tjetër për secilën ndërmarrje publike
në vend. E nëse, për cfardo arsye duhet ti marrim obligimet si këto, atëherë të
zgjedhim falimentimin. Me falimentim përfundojnë dhe pretendimet e tilla. Sa për
borxhet tjera, ato që vijnë gjatë periudhës kolonizuese të Millosheviqit,
Kosova ka të drejtë refuzuese duke u thirrur në parimet diskriminuese dhe
mosnjohëse të asaj kohe – e drejtë që është garantuar në Kosovë edhe nga
administrata e Kombeve të Bashkuara, por edhe nga Pakoja e Ahtisaarit e
Kushtetuta e Republikës.
Këto ditë, AKP ka publikuar edhe Termat e Referencës për
hartimin e Studimit të Fizibilitetit për Trepcën. Them se ky dokument, që do të
duhej të zhvillohej domosdo nga ndonjë entitet ndërkombëtar me eksperiencë në
sektorin minerar e biznesor nëpër botë, do të përbëjë dokumentitn më të rëndësishëm
për Kosovën.
Dhe, jo më pak e rëndësishme, në fund të këtij muaji,
pritet të dalë dhe drafti i parë mbi Ligjin e “Trepçës”. Është e rëndësishme që
ky draft të definojë më shumë shtyllat e qasjes së mëtutjeshme rreth
transformimit të asetit atje, e të bëjë – në këtë fazë – sa më pak kufizime të
mundshme.
-4-
Përfundimi i “Trepçës” dhe arritja e një zgjidhje
optimale do të kërkojë mend e ide shumë. Sepse, si në pak transformime të
tjera, ky aset kërkon kombinimin e mendjeve më të mira ekonomike, juridike dhe
minerare që ka Kosova.
Ekonomike sepse rasti në fjalë, siç argumentova më lartë,
është para së gjithash rast biznesor. Pra bëhet fjalë për gjetjen e një
strukture të thjeshtë, nisur nga premisat e komplikuara të një ndërmarrje që për
27 vjet është jashtë rrjedhave ndërkombëtare – pra për gati tri decenie është
pa treg. Përveç se është pa treg, është e amortizuar, me teknologji të vjetëruar
dhe mund të rifunkcionalizohet në një kohë që, siç pra argumentova, nuk është
se sjellë investitorë në derë. Duke u nisur nga ky aspekt, pjesa biznesore
duhet kujdesshëm që të vë një balancë në mes të pronësisë publike dhe asaj
private. Publike për të siguruar nisjen e rifunkcionalizimit të asetit në një
kohë jo të përshtatshme; private për të sjellur fonde e para që Kosova nuk i
ka. Edhe po t’i ketë, ka një mijë e një vende tjera që duhet t’i investojë më
parë.
Juridike, sepse formati i ri do të kërkojë pastrimin e
borxheve të vjetra, ndarjet me pretenduesit e shumtë; e mbi të gjitha, riorganizimin
më të mirë por më pak të kushtueshëm. Pra, Kosova duhet të zgjedhë çfarë
transformon e çfarë falimenton. Aty ku borxhet janë më të mëdha se asetet, vetëm
falimentimi (dhe natyrisht rinisja po qe e nevojshme) është zgjidhje e duhur. Përveç
kësaj disa pjesë e asete – si për shembull stadiumi në pronësi të “Trepçës” –
duhet të trajtohen ndaras nga asetet që bëjnë biznesin kryesor të “Trepçës”. Është
e pakuptimshme që të vazhdohet me modelin juridik të ish-Jugosllavisë në vitin
2017.
Minerare, sepse, siç dhe argumenton shpesh miku im Luan
Shllaku, organizimet e ardhshme të minierave e njësive tjera përcjellëse, duhet
të marrin parasysh jo vetëm përparësitë krahasuese që lokacione të ndryshme
kanë, por edhe ecjet e trendet e fundit teknologjike që japin zgjidhje kreative
e efikase për mineralet që nuk janë trajtuar më parë.
Për të gjitha këto na pret një kohë e shkurtë e
diskutimeve të gjata. Për hir të interesave ekonomike të Kosovës, gjithmonë
duke pasur parasysh dhe devijimet etnike që ky aset mund ti ketë, është
imperativë që – së paku për këtë temë – t’i bëjmë bashkë gjithë forcat e
mendjet; për të përfunduar me një zgjidhje tërësisht praktike e tërësisht
profesionale – të qëndrueshme gjithsesi.
No comments:
Post a Comment