Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 QERSHOR 2016
Për një fitore tjetër të shqiptarëve
-1-
Si adhurues i kahershëm futbolli, deri pak javë më pare,
do ta kisha cilësuar veten si me përvojë në përjetimin e ndjenjave që sporti të
jep. Nga humbjet e thella, fitoret e mëdha, e deri tek përfundimet e fundit –
herë në njërën e anë tjetër – të gjitha i kam parë. Kam ndjerë gëzime bashkë-identifikuese
me një grup ndjekësish pas topi, siç dhe kam ndjerë edhe turpërime
njëtrajtësisht të mëdha. Kam besuar, deri pak javë më parë, se kam parë
gjithçka në futboll.
Dhe atëherë erdhi Shqipëria në Kampionat Evropian.
-2-
Disa gjëra jetohen, s’tregohen. E ndjenja që unë e shumë
bashkëqytetarë të mi mund ta kemi pasur këto ditë, nuk tregohet dot. Çfarë
tregohet, megjithatë, është arsyeja prapa një vlimi të tillë kolektiv. Prapa
rrugëve të zbrazëta, shtëpive të mbushura plot, kafeneve e shesheve me përcjellës
edhe më plot, qëndron një histori e përpjekjes shumëvjeçare për shpërthim e
njohje të identitetit shqiptar nëpër botë – si të barabartë me të tjerët.
Futbolli, ishte pra, veç një skenë ku ky shpërthim kishte për të ndodhë.
Dhe për këtë shpërthim, në futboll këtë herë, ishin
mbledhur bashkë djemtë më të mirë që shqiptarët kishin pasur ndonjëherë në këtë
sport. Nëpër botë edhe atë. Kur e mendon për pak, s’ka asgjë më sublime se sa e
gjithë ajo përpjekje e familjeve e prindërve – në radhë të parë mërgimtarë – që
një ditë fëmijët e tyre, edhe kur nuk dinin mirë shqip, të përfundojnë në përfaqësim
të një ëndrre që ka ndjekur ata e shumë para tyre.
Në të vërtetë, vetëm falë një mobilizimi të tillë
kolektiv, gjithë-shqiptarë, Shqipëria ishte transformuar në pak vite nga një
skuadër mediokër në një kualifikuese evropiane. Nga një identitet i ndërlidhur
me territorin politik të Shqipërisë, në një përfaqësuese të Kosovës, të shqiptarëve
të tjerë në Ballkan e Diasporë.
Së këndejmi, secila paraqitje e shqiptarëve, në fushë e
jashtë saj, është shpërblim për përpjekjen gjithë-shoqërore tonën për të dalur
– për të herë të parë – në arenën ndërkombëtare. Kjo dalje s’ka se si të sjellë
humbje më. Pamjet e tifozëve, loja e futbollistëve, diskutimi ndërkombëtar për
ne veçse kanë shënuar triumfin tonë më të rëndësishëm.
-3-
Percepsioni i parë, i mirë i krijuar në botë –
rrjedhimisht dhe fitorja jonë e parë – ishte ushqyer nga tifozët tanë; pjesëmarrës
nëpër qytete të shumta franceze. Përderisa net e tjera ndërlidheshin me përplasje
e rrahje masive në mes të huliganëve evropianë, ndeshjet me prezencën e Shqipërisë
ndërlidheshin me festë. Një paraqitje e tillë e shqiptarëve rrugëve të Evropës,
godet drejtë imazhin jo pak herë të paragjykuar për ne.
Percepsioni i dytë, ai sportiv, se pavarësisht
rezultateve, Kombëtarja e shqiptarët s'kanë për t’u parë pa kurrë si më parë.
Nga një ekip i parëndësishëm ne po shihemi si një ekip serioz, me lojë të mirë
e të mençur, por, siç ndodhë jorrallë, e pa fat. Në dy përballje madje. Të
parën me dhjetë lojtarë, të dytën në kohë shtesë; dhe kundër vendasit e
favoritit sivjet. Për dallim nga idhnakët tanë që mezi s'presin të godasin,
mediume prestigjioze, trajnerë e njohës futbolli botërorë natën pas përballjes
me Francën kishin vetëm fjalë të mira për Shqipërinë. Mos të harrojmë, është
veçse hera e parë që po marrim pjesë në një garë si kjo. Na kanë parashikuar si
të parëndësishëm madje, sot po tregojnë respekt.
Percepcioni i tretë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ndërlidhet
me ndjenjën e së mundshmes; me të drejtë e mburrjes që na japin djemtë tanë,
është e paçmim. Imagjinoni për pak ndikimin që ky përfaqësim do të ketë të mijëra
fëmijë tanë; tek ata që nuk kanë më arsye të mësojnë për inferioritet. Shembujt
e sukseseve e arritjeve po prodhohen edhe nga shqiptarët.
-4-
Pjesën e rezultateve sportive, për çfarë shumë sport-dashës
mund të kenë të drejtë në kërkim, qëllimisht ua lash të tjerëve. Fola vetëm për
rrugëtimin e nisur vite më parë për të arritur këtu.
Dhe, për të mirë ose të keq, ky rrugëtim nuk do të jetë më i gjatë se kaq. Njohja ndërkombëtare e Kosovës do të krijoj një shtëpi të re për kosovarët që, natyrshëm për aq sa janë shtet në vete, do të kërkojnë mirënjohje ndërkombëtare për veten.
Një ndarje e tillë, një komb e dy kombëtare, natyrisht se
s’do të jetë përjashtues për tjetrin. Për gjithë të shkuarën e përbashkët,
Shqipëria do të mbetet përfaqësimi më i afërt i mundshëm i shumë shqiptarëve –
përfshirë dhe atyre nga Kosova. Për gjithë të ardhmen që dy shtetet i pret – të
ndarë e të pavarur nga tjetri siç janë e do të jenë – Kosova do të nisë rrugëtimin
e saj vet.
Dhe për Kosovën, njëtrajtësisht, do të mblidhen djemtë më
të mirë që vendi ka – brenda e jashtë. Do të bëjnë një rrugëtim të ri, që herët
apo vonë, e më shumë herët se sa vonë, do të mbushin stadiumet evropiane me
imazhin e Republikës; shtëpitë tona me një nevojë të re shpërthimi. Që t’u
tregojmë dhe botës se, Kosova, qytetarët e saj, janë po aq të barabartë.
No comments:
Post a Comment