Letra nga limbo
KOHA DITORE 27 MAJ 2016
Vendi ynë, për shkak të një pakice të konsiderueshme, do të bartë një kosto
jashtëzakonisht të kushtueshme për vite shumë.
-1-
Hovin e lajmeve të mira për Kosovën e ndaloj artikulli i
ballinës së gazetës më të famshme në botë, i New York Times. Titulli i
paraqitjes së serishme të Kosovës në ballinë, serishme sepse hera e fundit që
Kosova kishte bërë ballinën ishte shpallja e pavarësisë, e karakterizonte
vendin tonë si vatër e ekstremizmit fetar – tokë e pjellshme e kishte quajtur
gazeta vendin tonë. E pabesueshme se sa shpejtë mund të kthehet imazhi i një
vendi në të mbrapshtë.
Një njollë e tillë, e vërtetë ose jo ka pak rëndësi, do
ta ndjekë Kosovën për shumë gjatë. Sepse janë mu elemente si këto, detaje që
shpërfaqen tek lexuesit ndërkombëtarë, që krijojnë një përshtypje të re për
vendin që dikur konsiderohej si më i riu – në thelb e energji pra – evropian. Dhe,
për të qenë të dhjete me veten, cilësime të tilla nuk kanë trajtën veç të
shkrimeve gazetareske. Sot qendrat diplomatike mu këtë frikë e percepsion kanë.
Pra vendi ynë, për shkak të një pakice të konsiderueshme,
do të bartë një kosto jashtëzakonisht të kushtueshme për vite shumë. Them
pakice të konsiderueshme sepse, për secilin që ka kaluar një natë këndej,
ekstremet religjioze janë shumë më të pakta se çfarë sot mund të gjinden nëpër
qendrat evropiane. Kjo nuk i bën ato më pak të rrezikshme, as më pak të
shtueshme ne të ardhmen; por i mbanë të tilla siç janë pak a shumë në secilin
vend tjetër evropian.
Tashti, për të mos hedhur poshtë rrezikun, Kosova ka qenë
njëmend vend i pjellshmërisë së lloj-lloj ekstremizmi. Nga ai religjioz deri
tek ai nacionalist, nga racist e ksenofobik deri tek ai partiak e politik.
Këndej, tek ne, mendimet janë sa ekstreme aq edhe të patolerueshme. Toleranca
jonë – e shpërfaqur këndej si vlerë – nuk ka ardhur asnjëherë si vlerë besuese
e diskutimeve, por si moskokëçarje. Në momentet e para të ballafaqimeve të
ideve, kudo që kanë ndodhur ato, nga diskutimi parlamentar deri tek ia odave e
kafehaneve, është nxjerrë jotoleranca jonë; ajo e vërteta.
-2-
Por për t’iu kthyer ekstremizmit, si karakteristikë e
plot mendimeve këndej, ai më i rrezikshmi, më transformuesi e më i kushtueshmi
për ne mbetet i besimeve e trushpëlarjeve që janë toleruar me vite këndej. I
rrezikshëm sepse fillimisht ka karakter global – rrjedhimisht ka fuqi; e më pas
sepse sulmon pikërisht vlerat e shumicës. Për vendin tonë, i rrezikshëm dy herë
sepse prekë rrugëtimin tonë shtetformues, ashtu kështu të lodhët e sakatuar nga
inkompetenca e korrupsioni skandaloz gjithandej.
Në Kosovë, si në pak vende evropiane, plleshmëria e
ekstremizmit religjioz është shtyrë nga një gjendje e rëndë ekonomike e
sociale. Pra duhet të ketë dallime thelbësore në burimet e ekstremizmit – për
shembull nga rastet e Belgjikës e Zvicrës – me ato të Kosovës. Jo të gjitha kanë
zanafillë të njëjtë – ani pse në fund kanë një bindje të njëjtë.
Për Kosovën, frymat e tilla kishin nisur me nisjen e
organizatave humanitare post vitit 2000, e që shpërndanin para, ndihma,
literaturë e ligjërata urrejte-nxitëse gjithandej. Më pas u krijuan grupet.
Dikur grupet krijuan institucionet e veta, të përfshira brenda institucioneve
religjioze, por dhe të vetëorganizauar jashtë saj. Kulmi, natyrisht, kishte
arritur me konfliktin e Sirisë, kur njerëzit e trushpëlarë e nxitur për dhjetë
vjet rresht, kishin përfunduar në monsterë e vrasës mizorë. Të tjerë përkrahës
të tyre këndej.
Duhet thënë këtu, se reagimi qytetar e intelektual i parë
ishte përcjellë me një kundërpërgjigje ofenduese nga një sistem mirë i
organizuar e sinkronizuar i organizatave promovuese të ekstremizmit në vend;
sistem i cili edhe sot shfaqë vetën gjithandej sa herë që ka një reagim
kundër-ekstrem. Secili mendimtarë i vlerave pro-perëndimore, gjykues i
ekstremeve të tilla, ballafaqohej me lloj lloj ofendimesh; dhe jo vetëm aq.
Imamë të moderuar ishin sulmuar e ndjekur vazhdimisht; politikanë të guximshëm
ishin pjesë e propagandave mediatike – përfshirë dhe këngëve e programeve urrejtje
nxitëse.
Fillimi pra ishte i vështirë; jo se tani është më
ndryshe. Porse, për dallim nga atëherë, tani megjithatë kemi një nismë institucionale
të nisur gjatë vitit 2014. Kosova kishte rregulluar me ligj pjesëmarrjen në
organizata terroriste; kishte adresuar institucionet paralele fetare
gjithandej; dhe mbi të gjitha, kishte arrestuar, gjykuar e dënuar promovuesit e
urrejtjes – si shumë pak vende nëpër Evropë. Prandaj, për raste të tilla, rasti
i Kosovës do të duhej të ishte parë botërisht si rast i mirë – si shembull që
duhej ndjekur. Fatkeqësisht nuk ishte shitur si i tillë.
-3-
Inkurajuese në gjithë këtë përballje ka qenë gjithmonë
edhe reagimi intelektual e qytetar. Pra, pavarësisht një fillimi të vështirë, përballja
me ekstremizmin në shoqëri ka pasur anë të qartë – është e shumicës.
E shumicës mbetet edhe rehabilitimi i vendit tonë nga një
investim një dekadësh të mbrapshtë. Pra, e para, ne duhet të pranojmë se kemi
një problem. E dyta, se ky problem ka goditur vendin tonë rëndë. Rrjedhimisht,
se për shkak të këtij problemi e goditje, e treta kjo, neve na duhet
rehabilitimi.
Dhe rehabilitimi i Republikës nuk do të bëhet më sulme
ndaj imazheve botërore. Sado të dhimbshme e në masë të madhe edhe të pasakta,
ato janë refleksion – simptomë pra – e një ngjarje që ka ndodhur këndej – e që
mund të eskalojë po u tolerua. Rehabilitimi nuk bëhet as me kundër-ekstremizëm
e mbytjen e bindjeve religjioze në vend. Kosova, në pavetëdije e jo pak herë,
është shndërruar në betejë të ekstremeve – në njërën anë përçmuesit e feve e në
anën tjetër trushpëlarët e feve. Kosova duhet pra të ndërtojë një sistem
demokratik të vlerave e bindjeve; e kjo punë natyrshëm vjen me traditë.
Mbi të gjitha, Kosova e diplomacia kosovare duhet të jetë
proaktive e ngjarjeve të tilla. Është e pakuptueshme se si asnjëri nga
institucionet e vendit nuk reagoj ndaj një paraqitje prej faqeje të zezë. As
edhe një fjalë. Është e pakuptueshme, mbi të gjitha, që nuk kishim as edhe një
informacion të vetëm se një hulumtim i tillë po vintë. Në fund të ditës ai
kishte ndodhur mu në Kosovë. Në fund të ditës, do të duhej të kishim angazhuar
gjitha aparatin shtetëror, të miqve e lobuesve tanë për të parandaluar – në
masën e mundshme parandaluese – një shpërthim të tillë.
Dhe për fund, ndonëse më pak fajtorët për të gjithë,
s’kam se si të mos shprehë pakënaqësi ndaj shumë mendimtarëve tanë, amatorë të
tmerrshëm, që nuk lënë të zezë pa thënë për vendin e tyre jashtë. Ka një dallim
esencial në mes të kritikës konstruktive dhe promovimit të tmerrshëm jashtë;
sidomos kur ky promovim i mbrapshtë është zmadhim i pavërtetë ndaj vendit tënd.
Në fund të ditës, s’ka gjë për të fituar e glorifikues në një kampanjë të
tillë.
Rreziku, gjithsesi, është këndej. Keq që jemi zgjuar
vonë; mirë që kemi bërë këtë zgjim. Do të jetë edhe më mirë – e domosdoshme
madje – sikur të zgjim ta përdorim mençur për të parandaluar ekstreme të
mbrapshta në vend.
No comments:
Post a Comment