Monday, 23 May 2016

MBI EKONOMINË QË NA DUHET

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 MAJ 2016

Kosova nuk ka llogari të mbetet në trendin e tanishëm. Sepse, siç dhe kam thënë më parë, përderisa rritja jonë ekonomike është – në mesatare – nga 3.5% në vit; apo dhe le të jetë 4% e 4.5% në vit, neve do të na duhen plot 30 vite për të arritur Kroacinë; plot 70 vite për të arritur një mesatare evropiane.

-1-

Këtë javë në Prishtinë u mbajt takimi i nivelit të lartë mbi marrëdhëniet e reja në mes të BE-së dhe Kosovës, marrëdhënie të rrumbullakuara në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit – MSA. Marrëveshja në fjalë, përveç se është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm politik për Kosovën – pavarësisht bindjeve të skeptikëve kryesisht joprefisonal, por gjithsesi të pakët e të parëndësishëm – përbën edhe  një nisje të re ekonomike. Sepse, reformat e parapara në marrëveshje, përveç se rregullojnë një relacion të ri ekonomik e tregtar me BE-në, nga sot e për dhjetë vitet e ardhshme (kur dhe tregu liberalizohet me ta tërësisht), do të duhej të transformonin domosdo dhe strukturën e modelin ekonomik tonin; po u bënë pra si duhet.

Kosova, për të qenë të qartë, ka mjaftueshëm dokumente diagnostifikuese ekonomike. Pra, në gjithë këto vitet e shkuara është bërë mjaftë në identifikimin e problemeve dhe sëmundjeve ekonomike tona. Kosova sot ka një dokument strategjik, të titulluar Strategjia Zhvillimore Nacionale; dhe ka një dokument tjetër të prioriteteve, të titulluar Programi i Reformave Ekonomike. Paralel me to, ka dhe dokumente financiare sikurse Korniza Afatmesme e Shpenzimeve. Tjetër çka që këto dokumente nuk janë respektuar asnjëherë; apo janë ndërtuar sa për sy e faqe.

Çfarë Kosova megjithatë nuk ka, është një ide të qartë transformuese të ekonomisë sonë. Sepse, për fatin tonë të keq, edhe sikur të gjitha reformat e parapara në periudhën afatmesme të përfundonin me sukses; pra edhe sikur secili objektiv i paraparë me dokumentet në fjalë do të implementohej mirë, rritja ekonomike e Kosovës në dy-tre vitet e ardhshme do të rrumbullakohet rreth 4%. Një vlerësim të tillë dha dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

-2-

Sipas Ministrisë së Financave, Kosova vitin që shkoj kishte një rritje ekonomike prej 3.6%. Një vit më parë, rritja ekonomike nuk kishte arritur as në 1%; ishte pra vetëm 0.9%. Në 3.6%, në rastin më mesatar të mundshëm, e në 4% në rastin më të mirë të mundshëm, do të jetë rritja ekonomike edhe në këtë vit. Thënë ndryshe, sipas vlerësimeve të FMN-së e të Ministrisë së Financave, nga viti 2014 e deri në vitin 2018, Kosova do të ketë një rritje mesatare ekonomike nga 3.2 deri në 3.5%.

Lajmi i keq është se normë të njëjtë rritje, pra mesatarisht nga 3.5% në vit, për katër vite, kishim edhe gjatë qeverisjes së shkuar. E nëse asgjë tjetër, një normë e tillë ka qenë larg prej të mjaftueshmes për të krijuar vende të reja pune, për të zbutur varfërinë apo për të rritur standardin e jetesës së kosovarëve. Nëse asgjë tjetër, ritmi i tanishëm nuk dallon aspak nga ai paraprak. Nëse asgjë tjetër, një ritëm i tillë nuk është përmirësim.

-3-

Kosova pra ka ditur gjithmonë të mburret me normat pozitive mesatare të rritjes nëpër vite. Në shikim të parë edhe mund të ishte ashtu. Pra, krahasuar me rajonin, me Shqipërinë, Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi e Maqedoninë, vendi ynë gjithmonë ka pasur norma më të larta rritjeje. Madje, përgjatë gjithë periudhës post krizës financiare, normat e tona kanë qenë gjithmonë pozitive; diçka vështirë e arritshme edhe për shumë ekonomi evropiane.

Por ka tri probleme me normat tona. E para, dhe më e rëndësishmja, Kosova ka bazë të ulët ekonomike; prandaj është fare e lehtë që në një bazë të ulët të kesh rritje të mëdha. Pra, rritja nga 1 euro në 2 euro është rritje 100%; ani pse rritje prej një euro – porse, rritja nga 100 euro në 101 euro është vetëm 1%; ani pse, sërish e njëjtë si më parë, është rritje prej 1 eurove.

E dyta, Kosova nuk ka llogari të mbetet në trendin e tanishëm. Sepse, siç dhe kam thënë më parë, përderisa rritja jonë ekonomike është – në mesatare – nga 3.5% në vit; apo dhe le të jetë 4% e 4.5% në vit, neve do të na duhen plot 30 vite për të arritur Kroacinë; plot 70 vite për të arritur një mesatare evropiane. Pra, vendi ynë duhet të ketë rritje nga 8% deri në 10%, në vit, secilin vit, në mënyrë që brenda dhjetë viteve të ardhshme të dyfishojë vetën. Vetëm në numra rritës prej 8% e 10%,  Kosova do të mund të akomodojë 30 mijë të papunë që futen në vit, përvjet si të ri të papunë; e të akomodojë të papunët e vjetër. Rritja ekonomike prej 3.5% në vjet, siç ka ndodhur tash e sa vjet, nuk e bën këtë akomodim.

Dhe e treta, jo më pak e rëndësishme dhe e ritheksuar këtë herë edhe nga Banka Botërore, Kosova është futur në një cikël ekonomik që nuk lejon rritje më të madhe se 3 apo 4%. Pra, Kosova ka një ekonomi që varet në konsum e jo në investime. Ani pse vitin e fundit rritja ekonomike vjen si pasojë e rritjes së investimit baza rritëse e ekonomisë sonë është sërish konsumi. Ambienti i rëndë biznesor e mungesa e garancive për investitorë, kanë bërë që këta të fundit të ikin. Kosova, përveç kësaj, ka edhe një aktivizim të ulët të fuqisë punëtore – kryesisht të grave. Mbi 65% e fuqisë punëtore të Kosovës konsiderohet si joaktive. E është pikërisht joaktiviteti që parandalon potencialin rritës. Dhe mbi të gjitha, Kosova duke mos krijuar kushte për punë në vend, prodhon migrues të vazhdueshëm të cilët largohen nga vendi, punësohen jashtë (ata me shumë fat) dhe dërgojnë remitenca pas; për të bërë kështu ciklin e varësisë në remitenca, konsum e joaktivitet të fuqisë punëtore. Ky cikël duhet thyer natyrisht.



No comments: