Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 MAJ 2016
Mbi futbollin dhe lëvizjen e lirë
-1-
Intensiteti i lajmeve të mira me të cilat u përpjekë
Kosova këtë javë më ngjasonte shumë me javën e parë të pas-pavarësisë. Me ato
njohjet e njëpasnjëshme të vendeve që rrënonin ligjet ekonomike se sasia ulë
çmimin – secila kishte çmim të njëjtë, në mos dhe rritës.
Pas një pushimi gati tetë vjeçar, pas rënies së
intensitetit për shumë kohë, pas dështimit në UNESCO – pas gjithë ngufatjes
ekonomike, sociale e politike në vend për gati dy vjet rresht, Kosova kishte nevojë
për një shpërthim. Shpërthimi natyrisht se nuk do të ndryshonte Kosovën për një
natë, as që do të përmirësonte jetërat e kosovarëve në mëngjes, por do të hapte
sigurt e mirë dyer të reja me mundësi plot.
Dhe kështu ndodhi. Më 3 maj, Kosova u bë anëtare e
organizatës më të rëndësishme sportive në botë, UEFA-s. Më 4 maj, ndërsa, Kosovës
iu dha rekomandimi pozitiv për lëvizje të lirë. E për të mirë të të gjithëve, në
horizon shfaqet dhe anëtarësimi shumë i mundshëm i Kosovës më 13 maj në FIFA –
dhe me këtë edhe pjesëmarrja në kualifikime për Kampionatin Botëror të 2018-ës
në Rusi. Një javë si kjo, është për t’u mbajtur në mend.
-2-
Pranimi në UEFA, për mua, bën lajmin më të mirë në
konsolidimin e shtetësisë që nga shpallja e pavarësisë dhe njohjet konsekutive
të ditëve të para. Mos të harrojmë, konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë së
Kosovës ka qenë një ndër problemet më thelbësore në vend. Ngurtësimi i
njohjeve, refuzimi për ulëse në OKB, përplasjet me pesëshen e BE-së kishin
nisur të transformonin rrugëtimin e shtet-bërjes sonë në një Taivan e Qipro të
dytë.
UEFA dhe futbolli nacional natyrisht se lëkundin këtë
ngurtësim. Sepse nëpërmjet futbollit e sportit, Kosova ka mundësinë perfekte të
shpërfaqë jashtë imazhin e saj të shtetit. Dhe imazhi i shtetit – pra vet
ekzistencës së tij – përbën domosdoshmëri për ne. Mbi të gjitha, vazhdimësia
anëtarësuese në FIFA hapë një horizon krejt të ri të këtij imazhi
shtet-ekzistues. Pjesëmarrja në tournamentet më të rëndësishme, më të shkueshme
e më të njohura botërore, të një shteti me himn, flamur e përfaqësuese të vet është
gjithçka çfarë Kosova ka njëmend nevojë sot.
E padyshim, dhe mbi të gjitha, përfitimet ekonomike e financiare, për një vend që ka talent
sportiv shumë, e nevojë për ekonomi edhe më shumë, janë primare. Ekipet tona më
nuk do të shohin pjesëmarrjen në ligën nacionale si rrugë me një përfundim të
izoluar e të parëndësishëm. Kualifikimet e përfitimet financiare për në Evropë
do të nxisin investitorë të rinj, projekte
të reja – seriozitet më shumë. Industria e futbollit sot nëpër gjithë rajonin
është treguar si profitabile – edhe në terma financiarë për investitorët, por
edhe në terma të imazhit për gjithë vendin.
-3-
Po aq i rëndësishëm mbetet edhe lajmi për rekomandimin e
vizave. Në të vërtetë, të përfundosh i fundit në rajon nuk është ku me ditë çfarë
arritje. Mbi të gjitha, izolimi veç i kosovarëve ka qenë një rast sa i
pakuptueshëm aq edhe i padrejtë. Zhbërja e kësaj padrejtësie dhe trajtimi njëjtë
në një rajon pak a shumë të njëjtë ka qenë gjithmonë e drejtë.
Natyrisht se kosovarët kanë probleme bazike ekonomike e
financiare për të shfrytëzuar këtë
liberalzim për lëvizje e shëtitje. Natyrisht se për shumë kë liberalizimi i
vizave mbanë Evropën largë sa kishte qenë larg ajo gjithëherë. Gjithsesi, lëvizja
e lirë mbanë në vete tri efekte politike e sociale të menjëhershme.
I pari, përbën lëvizjen e lirë të qytetarëve në tregje të
reja të punës. Ndonëse për këto tregje duhet e drejtë pune nga secili shtet
individualisht, praktikat rajonale kanë treguar një trend të mirëthemeluar të
largimeve dy-tri mujorëshë të të rinjëve e të rejave, dhe angazhimi në punë
atje. Ky angazhim, fatkeqësisht ka qenë më tepër ilegal, por në çdo rrethanë ka
qenë – siç dhënë pra – edhe përfitues për shumë familje në vend.
I dyti, ndërlidhet me lehtësimet udhëtuese të bizneseve dhe një shtrese të mesme kosovare – jo pak të vogël – që gjithmonë ka patur mudnësi udhëtimi; për biznes, studime e veç qejf nëpër Evropë. Radhët e turpshme e të mundimshme para ambasadave, e veçimet nëpër pika kontrolluese evropiane kanë marrë fund. E drejta për të lëvizur lirshëm, në fund të ditës, nuk ka se si të mos jetë e mirë.
I treti, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me një
imazh ndryshe të Kosovës përballë investitorëve e vizitorëve të huaj. Vet ideja
se ky vend është i izoluar do të kishte ngjallur një dozë frike për secilin.
Trajtimi i njëjtë pra me vendet e tjera si ne, na jep një dozë të këndshme
imazhi.
-4-
Natyrisht i kuptoj skeptikët e lajmeve si këto. Nuk i mirëkuptoj
fare kundërshtuesit e tyre – sepse nuk e kuptoj dot alternativën që japin. Të
parët turbonacionalistë qe pretendojnë idenë bajate se Kosova nuk duhet të ketë
përfaqësuese futbolli, nuk bën edhe të merren seriozisht. Janë veçse grupe
fanatikësh – të pakët e në rënie gjithmonë – që kanë probleme në thelb me
konceptin e shtetësisë së Kosovës.
Të dytët ndërsa, që lajmin e lëvizjes së lirë e shohin si
hiçgjë, bëjnë pjesë në grupin e të revoltuarve që refuzojnë e kundërshtojnë
gjithçka; herë sepse janë futur në nihilizëm që nuk i lë të shohin përtej zi e
terr që ndërtojnë rreth veti; e herë sepse nuk kuptojnë vet se çfarë duan.
Natyrisht se me të dyja lajmet Kosova merr çfarë shtetet
përreth nesh kanë pasur kaherë. Secili prej tyre ka qenë gjithmonë anëtar në
UEFA e ka lëvizur lirshëm tash e sa kohë. Pra, në thelb, ne gëzohemi se po
arrijmë normalen e rajonit. Kjo tregon natyrshëm se sa shumë të vuajtur kemi
qenë. Dhe është mu për shkak të kësaj vuajtje dhe ecjes sonë të pazakonshme që
nga atëherë, se pse lajmet si këto shijohen edhe më shumë. Sepse, në ditë e javë
si këto, sado të zakonshme për shumëkë të duken, Kosova po jetëson shtetësinë e
sajë një mend. E shtetësia jonë, të tillë çfarë vet po e ndërtojmë, është mrekulli
në vete.
No comments:
Post a Comment