Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 MAJ 2017
Kështu, veç këndej, një politikan që kalon gjithë jetën si i djathtë gjen
veten – brenda natës – si të majtë; dhe anasjelltas. Një kritikues e ofendues i
pa takt i partisë, liderëve e gjithë konceptit politik që të njëjtit përfaqësojnë,
bëhet përqafues e lavdërues i tyre shembullorë. Kështu, veç këndej, degë të tëra
partish transferohen tek të tjerat – në grup – për t’u ritransferuar sërish,
dikur, për të satën herë, shpeshherë, në parti të vjetra e të reja.
-1-
Është bërë tanimë e zakontë, kulturë politike e mirëthemeluar
pra, ndërrimi i qëndrimeve politike dhe mosbartja e pasojave për këtë. Si në
pak vende e raste të tjera, klasa politike kosovare, në u trajtoftë si klasë,
ka ndërtuar si në asgjë një diskurs politik që nuk ka kurriz. Hiç, asgjë, butakë në gjithë kuptimin e
fjalës. Pra, tek ne dhe si askund tjetër, është bërë fare e
zakonshme, e pritshme dhe formë trajtuese standarde, ndryshimi i gjithë pikëpamjeve,
parimeve e bindjeve politike brenda natës. Për më tepër, ky ndryshim jepet pa
skuqje e frikë rreth konsekuencave a gjykimeve qytetare. Ndoshta, e mesiguri, sepse
nuk ka gjykim qytetar për këtë.
Kështu, veç këndej, një politikan që kalon gjithë jetën
si i djathtë gjen veten – brenda natës – si të majtë; dhe anasjelltas. Një
kritikues e ofendues i pa takt i partisë, liderëve e gjithë konceptit politik që
të njëjtit përfaqësojnë, bëhet përqafues e lavdërues i tyre shembullorë.
Kështu, veç këndej, degë të tëra partish transferohen tek
të tjerat – në grup – për t’u ritransferuar sërish, dikur, për të satën herë, shpeshherë,
në parti të vjetra e të reja. E rënda e gjithë këtij procesi është jo vetëm në
hapat që të transformuarit bëjnë, por në lavdërimin që të gjitha partitë – pa
përjashtim – u bëjnë formave transferuese. Thuajse kanë bërë nam. Nuk ka nam e
lavdi në prostitucion politik.
-2-
Ka tri arsye themelore prapa një lunatizimi partiak e
politik në Kosovë. E para, dhe më e rëndësishmja, ndërlidhet me mënyrën se si këta
akterë, kryesisht mediokër në përmbajtje, e shohin politikën, partinë e përfundimisht
pushtetin Partitë politike e substanca përkrahëse e tyre e konsiderojnë
pushtetin si plaçkë që duhet fituar dhe ndarë. Në vijë me këtë plaçkë bëhen dhe
aleancat e grupizimet. Kështu ka qenë gjithherë, në të gjitha nivelet madje.
Kujtoni ndryshimin e mendimeve e qëndrimeve që transferuesit e të gjitha
partive bënin sa herë që dilnin e ktheheshin në parti. Kujtoni gjithë aleancat
e panatyrshme për pozitë e opozitë e gjithë lehtësinë me të cilat ato ndërtohen
e prishen më pas. Kujtoni koalicionet e shpejta, të fëlliqura e të pamarre që
shiteshin lehtësisht në vend. Të gjitha bëjnë pjesë në një interes më të madh për
ta, më fatkeq për ne; në pazarin e ndarjes së plaçkës së bollshme që pushteti
jep.
Arsyeja e dytë, ndërsa, ndërlidhet me mungesën e mendimit
intelektual e kritik brenda këtyre partive. Pra, sa herë që ndodhë një
transformim, qoftë nga partia në parti, qoftë e gjithë partisë për një koncept
e bashkëpunim të ri (në pozitë e opozitë pa dallim), zërat morale e gjykuese
zhbëhen. Partitë politike, për fatin tonë të keq, nuk kanë mekanizma rregullues
e kritik, intelektual e me karakter në vete. Kanë pazarbërës që mund të jenë të
edukuar e lexuar, por që në thelb mbeten vetëm pazarbërës të lodhtë e pa moral.
Për ta krahasuar me një demokraci të mirëthemeluar, një lidership a një
politikan evropian e ka të pamundur të ndryshojë bindje e mendim lehtë, jo pse
domosdo nuk do vet, por sepse ka rregullues të brendshëm që nuk lejojnë një gjë
të tillë.
Dhe arsyeja e tretë, e jo më pak e rëndësishme, se Kosova
ka votuesin më tolerant të mundshëm që sot dikush mund të gjejë nëpër Evropë.
Pra trajtimi pa respekt që politikani e partitë u bëjnë votuesve të vet, është
rrjedhojë e një tolerance të pritur nga ta pavarësisht se çfarë bëjnë a çfarë
mund të bëjnë. Dhe kur toleranca bëhet e praktikë e shpeshtë, atëherë e njëjta
shndërrohet në normë shoqërore politike. Sikur, në të kundërtën, transformimet
e tilla të përcilleshin me reagim, refuzim e marrosje publike, transformimet
eventuale do të bëheshin, së paku, me shumë vështirësi.
-3-
Në transformimet e bindjeve përjashtim nuk bën as
gjenerate e re politike në vend, e cila madje është treguar shpeshherë të jetë
më e paskrupullt e më joparimore se sa “të vjetërit” që i përgojojnë për
thuajse gjithçka. Partnerë të deridjeshëm, mbrojtës të pashoq, bëhen copë e
llom pas ndarjeve të shpejta e të papritura. Pa konsiderate e respekt; thuajse
nuk ishin bashkë asnjëherë. Dhe gjithë këtë mësyerje ndaj partnerëve të
deridjeshëm e shesin si iluminim të tyrin; një përvojë e re e thonë.
Problemi nuk qëndron natyrisht në ndryshimin e mendimeve.
Problemi qëndron në intensitetin e ndryshimeve dhe iluminimeve që këta kanë.
Sepse janë të shpeshta këto iluminime, e me shpeshtësinë e tyre humbet edhe
kredibiliteti i nesërm i tyre. Si mund ti besosh dikujt që ndryshon qëndrimet
orë e çast?! Dhe nuk po flas për qëndrime të parëndësishme, po flas për parime
thelbësore e bindje orientuese, të cilat sëbashku – në fund të fundit – ndërtojnë
vet identitetin e një politikani.
Këta të rinj që vlerë kanë veçse idenë se janë të rinj,
dhe moshën e shesin si diçka të vlefshme, në faza të parailuminimit kanë qenë
bashkëpunëtorë e zëvendës të krimit e mbrojtësve të krimit. Nëse nuk kanë qenë
të përfshirë vet, toleranca e tyre pakurrizorë, e këmbyer për një karrigë e
privilegj publik, ka shërbyer si zgjatëse e jetës të kapësve tash e sa vjet.
Dhe kjo zgjatje e jetës nuk mund të transformohet sot si në asgjë. Pra, pas
disa vitesh bashkëpunimi e bashkëqeverisjeje me kapësit e kriminelët, dalja nuk
ka se si të shfaqet veç si gabim e mësimi prej iluminizmi. Ka një proces tjetër,
që duhet të ndodhë domosdo si fazë e ndërmjetmë, e që ndëlridhet me ribindjen e
publikut e qytetarit se këtë herë do të jesh më i kujdesshëm.
Në përgjithësi, të vjetër e të rinj pa dallim, të
transformuar të natës e iluminues të vonshëm, nuk duhet të kenë vend për
protagonizëm në publik. Të tillët meritojnë veçse nënçmim. Kjo shoqëri nuk ka
pse të zgjedhë mes pakurrizorëve. Kjo shoqëri nuk e ka fatin e vet të
ndërlidhur veç me ta. Fati i pakurrizorëve natyrisht është i ndërliudhur me
këtë shoqëri; dhe si pazarxhinj të këqinj e me hile, të njëjtit kanë ndryshuar,
ndryshojnë e do të ndryshojnë pa fije marre secilën bindje, besim e mendim.
Sepse ndryshimi e pakurrizorizmi është besimi i tyre njëmend.
No comments:
Post a Comment