Monday, 4 April 2016

NJË JAVË ME TRI PAMJE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 PRILL 2016

Mbi reciprocitetin, demarkacionin dhe dallimet partiake në vend

-1-

Çështja e demarkacionit do të mund të shërbente lehtë si mjet i kapërcimit të krizës politike në vend. Jo domosdo rezultati përfundimtar i procesit, por përfshirja e palëve gjatë procesit. Kjo përfshirje nuk u bë. Në vend të saj, u ndërtua një komision ndërkombëtar; i kontestuar që në fillim nga njëra palë. Komisioni ad-hock mund dhe të ketë të drejtë në vlerësimet e veta; por e drejta e tyre nuk zhbën brengën për përfshirje dhe ballafaqim të fakteve nga kundërshtuesit e metodologjisë së përdorur për shënimin e kufirit.

E të kujtojmë se pjesë e kundërshtuesve nuk janë vetëm partitë politike, që mund edhe ta përdorin një kauzë të tillë si platformë për kundërshtim të qeverisë. Pjesë e kundërshtuesve janë dhe ekspertët vendorë, më të mirët që i ka vendi pra – tërësisht profesional e thirrës të fushës.

Por të njëjtit nuk u përfshinë në komisionin vlerësues. Përkundrazi; të njëjtit u ofenduan. Kështu, në ditën e nxjerrjes së argumenteve të tyre – tërësisht shkencore – një zëvendësministër axhami, i quajti jugonostalgjikë, vetëm pse të njëjtit i referoheshin hartave valide e zyrtare nga koha e Jugosllavisë e që Kosova i kishte gjithmonë për vete. Të njëjtave harta, ç’është e vërteta, iu kishin referuar edhe komisionet paraprake. Një analist tjetër, në përpjekje për shërbim sa më të devotshëm ndaj partisë, i etiketojë si studentë të dobët “sepse kanë zgjedhur gjeografinë”. Studentët e dobët, sipas tij, zgjedhnin profesione të tjera prej tij. Dhe kështu, një shtrirje e gjerë e fakteve shkencore, çfarëdo qofshin ato – të vërteta ose jo pak ka rëndësi – u trajtua me ofendim publik ndaj kredibilitetit të shtruesve të argumenteve. S’u trajtua asnjëherë me kundërargumente ndaj të gjeturave të tyre.

Logjika e shtruar nga të tillët, ishte përcjellë në vazhdimësi edhe nga komisioni për demarkacion. I njëjti kishte refuzuar të konsultojë; kishte ecur vet. E është e habitshme se si institucione e ekspertë vendorë, të paguar nga taksat e qytetarëve të njëjtë, zgjedhin injorimin e tjetrit. Pra, është e habitshme se si një komision shtetëror për shënimin e kufirit, nuk konsultohet asnjëherë me Departamentin e Gjeografisë të Universitetit të Prishtinës – aty ku edhe Kosova i ka ekspertët më të mirë të saj. Për më tepër, është e habitshme se si, kundërshtimi i argumenteve të dhëna nuk është bërë asnjëherë në mes të palëve. Ne diskutojmë në mes veti edhe për gjëra tërësisht jorelevante, por s’takohemi asnjëherë për diskutim për një çështje kaq madhore.

Kështu sillet veçse i forti – jo i forti për nga kualitetit i bërjes, por i forti për nga moskokëçarja dhe vetëdija se mund të ja dalë pa u mërzitur se çfarë thotë tjetri. E përfshirja ka rëndësi. Përfshirja sjellë zgjidhje për një kontekst. Mospërfshirja, në anën tjetër, sjellë vetëm rezultate të kontestuara – edhe sikur ato të jenë të sakta madje. Mbi të gjitha, mospërfshirja e bërja e të fortit sjellë vetëm poena politik për njërën palë – dhe ky duket të ketë qenë qëllimi që nga fillimi.

-2-

Pra, siç duket, demarkacioni nuk do të jetë nyja e parë e zgjidhur për dalje nga kriza politike. Nëse asgjë tjetër, pavarësisht pra rezultatit, gjithmonë për shkak të mospërfshirjes, palët veçse do të distancohen edhe më shumë. Ky distancim mund të shtohet edhe më shumë, sidomos nëse të njëjtat palë nuk përfshihen në trajtimin e çështjes më të ndjeshme në Kosovë, atë të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Por distancimi i palëve nuk ndërlidhet vetëm në relacionin pozitë opozitë. Ditët e fundit kanë shpërfaqur një ndarje tjetër; atë në mes të opozitës. E kam thënë edhe më parë se sa jonatyrale është koalicionin qeverisës, aq jonatyral është edhe koalicioni opozitar; dhe ky jonatyralitet do të shpërthejë në të dyja frontet herët apo vonë; më shumë herët se sa vonë.

Sepse, opozita e bashkuar është e ndarë në shumë më shumë pika se sa që është  bashkuar. Dallimet nisin nga ato ideologjike e deri tek konceptet shtetndërtuese e Republikane. Pra dallimet nuk ndërlidhen vetëm me të ardhmen e Kosovës, por edhe me të shkuarën e saj. Për shembull, e ndër të tjerash, përderisa Lëvizja Vetëvendosje ndërton gjithë betejën e vet politike në kundërshtim ndaj proceseve politike të Vjenës, pavarësisë së mbikëqyrur e Pakos së Ahtisaarit, AAK dhe NISMA ndërtojnë gjithë të shkuarën e tyre mu mbi këto procese. Janë pra pjesëmarrëse të zëshme në to. Përderisa Lëvizja Vetëvendosje promovon nisjen e një Republike të re, që zhvlerëson pra rregullat e tanishme, AAK dhe NISMA janë treguar të përkushtuar në ndërtimin e forcimin e kësaj që është. Në dallime si këto, afrimi është thjeshtë i pamundur pa ndryshim të pozicionit, më mirë të themi të identitetit, të njërës palë.

Pra, përballë dallimeve si këto, diferencat me partitë e pushtetit janë historikisht e praktikisht shumë më të vogla se sa që partitë opozitare i kanë në mes veti. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e dallimeve, siç dhe e kanë theksuar AAK e NISMA në veçanti, kanë qenë të ndërlidhura me establishmenitn e partive në fjalë. Me liderët e tyre pra. Në rast të ndryshimit të këtyre establishmenteve, rrugët bashkëpunuese do të ishin shumëherë më natyrale. E ndryshimi i lidershipit në partinë më të madhe në vend, në PDK, mund të hapë rrugë të reja për bashkëpunime në mes të opozitës dhe – një pjese të – pozitës.

-3-

Përderisa skena jonë politike vibron, një relacion ekonomik ka zënë vend të mirë. Është ai i masave të reciprocitetit të vënë nga Kosova për Serbinë, për një kategori të dhënë produktesh – në naftë e gaz më saktësisht. Në pamundësi për të detyruar Serbinë që të pranojë certifikatat e Kosovës, Ministria e Tregtisë e Industrisë kishte vënë masa ndaluese për produktet e njëjta serbe.

Dhe është vetëm reciprociteti që bën Serbinë të ngrihet në këmbë. Jo sepse kërkon marrëdhënie të rregullta, por sepse shënon humbje enorme në ditë. Siç është treguar shpeshherë në të shkuarën, bllokimi i produkteve serbe ka vënë në lëvizje gjithë makinerinë diplomatike e negociatore të tyre për të gjetur zgjidhje. Fatkeqësisht për ne, pala jonë nuk ka ditur asnjëherë të shfrytëzoj këtë nevojë të tyre për zgjidhje.

E edhe më keq, reciprociteti nuk është vënë asnjëherë deri në fund. Pra, edhe sot madje, Kosovës nuk i njihen as pasaportat e qytetarëve të saj e as targat e librezat e veturave – tri dokumente bazike për transport e tregti. Përballë një trajtimi të tillë ne nuk kemi marrë asnjëherë vendim reciprok. Them ta dërgojmë atë deri në fund. Është e vetmja mënyrë që pala tjetër të na trajtojë njëmend të barabartë. Të refuzojmë dhe ne dokumentet e tyre, deri sa të ndryshojnë ata vendim. Produktet serbe janë lehtë të zëvendësueshme. Bilanci tregtar në favor të tyre bartë barrën andej. Marrëveshjet e tregtisë së lirë na inkurajojnë për reciprocitet. E tëra çfarë na duhet është një vendim i marrë politik.

No comments: