Monday, 25 April 2016

LOJA E FRONEVE – VERSIONI KOSOVAR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 PRILL 2016

Politika kosovare është një imitim i dobët i “Game of Thrones”; ku secili behet me secilin, kundër gjithësecilit. Për dallim nga “GoT”, megjithatë, në Kosovë karakteret nuk ndryshojnë. Mbesin të njëjtë nëpër secilën sezone.         

-1-

Sa më evidente aq edhe më patetike po bëhet ndryshim-qëndrimi i partive opozitare – deri dje bashkuara tani të ndara – fillimisht ndaj njëri tjetrit e më pas ndaj të njëjtëve që i trajtuan si tradhtarë, kriminelë e të rrezikshëm për vendin.

Politika kosovare ka kohë që ka humbur kurrizin e saj, e në këtë humbje nuk bën përjashtim as edhe një parti e vetme në vend; pozitë e opozitë pa dallim. Trajektorja e re e gjuhës ofenduese ndaj të njëjtëve që deri dje i mbanin në krah, në protesta, sheshe e tubime, përbën një përlyerje të re të besueshmërisë politike në vend. Të gjithë janë fluid, të paparashikueshëm e të transformueshëm – pa fije marre madje.

Dhe mos të harrojmë, përderisa të njëjtit ishin bashkë në atë marshin opozitar prej aktrimi (siç dhe del të jetë tanimë), nuk lanë mendim të pavarur pa sharë e ofenduar; pa etiketuar si shërbëtorë të pushtetit e dreqit. Ishin në gjendje të ndërtonin aleanca me secilin përgjegjës për rrënim, vjedhje e zaptim – dhe së bashku me ta të përlyenin secilin tjetër që kishte ruajtur me plot zor atë vijimësi mendimesh nëpër kohë. Çfarë kanë për të thënë brigadat revolucionare tashti që fjalët e mendimet e të njëjtëve “shërbëtorë” dolën si profeci të vërteta – siç do ta priste secili me minimalisht dy palë mend? Ku kanë për t’i fshehur fotot e përbashkëta gaz me gaz me ta?

-2-

Sinqerisht është e parëndësishme çfarë kanë për të thënë e bërë ata. Të njëjtit që deri dje shkaktarët e korrupsionit më të madh në vend i promovuan nëpër sheshe plot, nuk kanë hiç rëndësi çfarë kanë për të thënë sot. U panë. Gatishmëria e tyre për të shkuar në shtrat me të ligun (dje disa, nesër të tjerët) është vetëshpjeguese për qëllimet të njëmendta që kanë.

E rëndësishme është çfarë kanë për të kuptuar qytetarët e Kosovës nga një transformim i tillë. Dhe e para gjë që duhet kuptuar, është se kjo opozitë, tani e ndarë e deri dje e bashkuar, i ka humbur këtij vendi jo gjashtë muaj, jo një vjet, por një mandat të tërë qeverisje të mirë. Për shkak të veprimeve të tyre, koalicionet e ardhme do të jenë pak a shumë me kurriz të njëjtë – me një PDK të fuqishme, dhe një a dy paterica tjera në krah. Promovimet e tjera se është ndryshuar diçka janë prodhime koti. Pra, pa ndryshim të kësaj opozite, nuk do të ketë ndryshim të pushtetit. Është mandator transformimi opozitarë në vend.

E dyta, transformimi i ndryshimeve nuk duhet të kalojë pa sanksion. Ky transformim, ndonëse mund të shtrohet, nuk duhet të pranohet si i mirëqenë. Për këtë duhet të ketë natyrisht përgjegjësi. Përgjegjësi fillimisht nga ata që morën plot gjashtë muaj kohë për të kuptuar të kuptueshmen; dhe përgjegjësi nga ata që pas gjashtë muajve kohë ndruan mendim – thuajse nuk është bërë asgjë. Dhe nuk po flas për sanksion partiak; nuk jam aq naiv për të pritur reagim partiak nga partitë që s’kanë kurriz – po flas për reagim e sanksion qytetar. Herë duke dënuar gjithsecilin deri në ndryshim të detyruar e rrënjësorë (alternativisht të mbesin në opozitë dhe për një dekadë tjetër), herë duke i mbështetur mendjet reformuese brenda tyre. E në secilin mes të këtyre partive, ka megjithatë individë që do të vepronin drejtë e mbi parime.

E treta, Kosova nuk ka kohë për të humbur e provuar ide që në thelb janë të njëjta me njëra tjetrën – e në ekstremet e realizueshmërisë së tyre njëtrajtësisht të dëmshme për vendin. Kosova, ç’është e vërteta, nuk ka kohë për të dëgjuar sërish njerëzit e njëjtë me plane të njëjta e programe të njëjta. Në fund të ditës, alternativat e tilla duhet refuzuar gjithnjë – sic janë refuzuar në secilën zgjedhje pavarësisht se janë sjellë e risjellë plotherë. E kam thënë dhe më parë, ne nuk kemi pse të zgjedhim nga dy të liga njërën më pak të ligë; nga dy të gabueshme, njërën më pak të gabueshme. Shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës e tetë pas pavarësisë Kosova duhet të bëjë veç zgjedhje të mira. Nuk ka luks tjetër.

Fuqizimi i të njëjtëve do të na sjellë gjithnjë në rrethana të njëjta. E rrethanat e njëjta do ti bëjnë këta të marrin veprime të njëjta – mishmash politikë. Në një paralele filmike, politika kosovare është një imitim i dobët i “Game of Thrones”; ku secili behet me secilin, kundër gjithsecilit. Për dallim nga “GoT”, megjithatë, në Kosovë karakteret nuk ndryshojnë. Mbesin të njëjtë nëpër secilën sezone.    

No comments: