Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 PRILL 2016
Mbi jotransparencën, kostot e transakcioneve, mungesën
e studimeve, mosmonitorimin dhe papërgjegjësinë korporative
-1-
Ka
mbi një vit që në kuadër të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) janë
bërë analiza, studime e investigime të disa prej projekteve më me rëndësi në
Kosovë. Në ciklin e parë të këtyre studimeve, pjesë e së cilëve isha dhe unë,
ishin vënë në pah katër projekte – ajo e autostradës për Maqedoni dhe Shqipëri;
koncesionimi i Aeroportit, privatizimi i KEDS-it; dhe tentim privatizimi i
dështuar, dy herë madje, i PTK-së.
Autorët
e katër raporteve në fjalë kishin gjetur pesë faktorë të përbashkët të këtyre
projekteve; faktorë që në rrethana normale do të duhej të shërbenin, nëse asgjë
tjetër, për përmirësimin e menaxhimit të këtyre aseteve dhe për nxjerrjen e
mësimeve në të ardhmen.
Në
këtë shkrim, do të përmbledh disa nga gjetjet kryesore të këtyre raporteve; të
gjitha të elaboruara më pas në detaje në studimet e “Institutit Riinvest” dhe
“Çohu”.
-2-
Emëruesi
i parë përbashkët i të katër investimeve është mungesa e transparencës. Tek
rasti i autostradës, mos-hapja e kontratës së nënshkruar në mes të
“Bechtel-Enka” dhe Qeverisë së Kosovës, përbën ndër rastet më të mbyllura e më
jo transparente të regjistruara në vend. Shpenzimi i rreth 1.5 miliardë eurove
të taksapaguesve kosovar – përkatësisht 850 milionë ë Rrugën 7 dhe 650
milionëve në Rrugën 6 – vazhdon të mbetet i mbyllur nën arsyetimin e mbrojtjes
së sekreteve afariste. Dhe po aq e mbyllur vazhdon të mbetet vet kompania
kontraktuese edhe sot. Ajo vazhdon të jetë pak e pranishme në publik, dhe me
vështirësi e qasshme madje edhe për media, hulumtues e të interesuarit e tjerë.
Tek rasti i aeroportit, procesi i përzgjedhjes
së fituesit në garën e për koncesionim është shoqëruar me pakënaqësi e akuza
për korrupsion nga pjesëmarrësit – akuza që nuk janë shqyrtuar e adresuar
kurrë. Njëra nga kompanitë konkurruese “Bouyges Batiment – Egis” kishte
cilësuar procesin si jo transparent dhe të manipuluar, kurse fituesin “LIMAK –
Aeroport de Lyon” si të papërvojë në fushën e koncesionimit. Ajo ishte tërhequr
nga gara tërësisht.
Tek rasti i KEDS-it, i gjithë procesi i
privatizimit të distribucionit dhe furnizimit të KEK ishte karakterizuar nga
mungesa e hapjes për publikun dhe nga mungesa e debateve gjithëpërfshirëse.
Organizata të ndryshme kishin kërkuar në vazhdimësi qasje në dokumente publike.
Kërkesat, të gjitha, ishin refuzuar. Mbyllja për publikun kishte rezultuar me vendimmarrje
jo-të-hapur të Komisionit Qeveritar për Privatizim dhe Njësisë për Zbatimin e
Projektit. Mungesa e transparencës gjatë gjithë procesit, ka nxitur dyshime për
mbarëvajtjen dhe keqmenaxhimin e privatizimit të KEDS-it.
Mungesa e transparencës ka qenë trajtë
përshkruese përgjatë dy fazave të procesit të privatizimit të PTK-së. Përgjatë
gjithë procesit, publiku asnjëherë nuk ka pasur qasje në dokumentet bazike,
posaçërisht në dokumentacionit që është përpiluar nga Këshilltarët e
Transaksionit; kosto e të cilëve ishte rreth 4.2 milionë euro.
-3-
Emëruesi
i dytë i përbashkët i katër investimeve është kostoja e transaksionit. Një kilometër rrugë i autostradave
kosovare është ndërtuar me çmim mesatar prej mbi 11 milion eurove. Ky çmim,
krahasuar me terrenet e ngjashme nëpër Evropë tejkalon dukshëm mesataret e
regjistrua atje. Sipas hulumtimit në fjalë, vetëm në Austri kostoja e ndërtimit
të rrugëve është e afërt me koston e ndërtimit të një kilometri autostradë në
Kosovë. Në shumë vende të tjera Evropiane – që kanë terrene të ngjashme me të
Kosovës – janë shënuar mesatare të kostove të ndërtimit nga 7 deri në 8 milion
euro për kilometër.
Tek rasti i aeroportit, ndërlidhja e
përfitimeve të Kosovës me qarkullim – dhe jo rëndom siç ndodhë me aksionarët në
fitim – ndonëse në dukje të parë si marrëveshje shumë e mirë, ka nisur një
trend të ri kontraktimi – rrjedhimisht dhe uljes së qarkullimit. Sipas
studimit, koncesioneri qëllimshëm dhe me plot vetëdije kishte provuar
zvogëlimin e qarkullimit përmes nënshkrimit të kontratave fiktive e me çmime
minimalisht të arsyeshme me palët e treta – e që, gjithmonw sipas raporteve, dalin
të jenë ngushtë të ndërlidhura me koncesionerin. Ky transfer i aseteve, ulë
vlerën e pjesëmarrjes së Qeverisë së Kosovës domosdoshmërish.
Tek rasti i KEDS-it, vlera e shitjes së
rrjetit të distribucionit – prej 26.3 milionë eurove – është vlerësuar si
joproporcionale me vlerën e aseteve, vlerën e investimeve të mëparshme e me
vlerën e gjeneruar nga shitjet e ngjashme në rajon. Mbi të gjitha, nga
hulumtimi i dokumenteve zyrtare, rezulton se KEDS ka përfituar një shumë rreth
20 milion euro prej arkëtimeve. Mbi të gjitha, privatizimi i katër
hidrocentraleve në pako të njëjtë – dhe pa diskutim publik – mbetet ndër rastet
më të rënda të transformimit në fjale. Ky fakt është bërë publik krejt së
fundmi.
Tek rasti i PTK-së, më 2010, Qeveria e
Kosovës kishte marrë vendim për fillim të procesit të privatizimit dhe
njëkohësisht kishte pezulluar të gjitha investimet kapitale. Për më shumë se
tri vite, PTK-ja ishte sfiduar nga mungesa e tërësishme e investimeve kapitale,
gjë që ka ndikuar negativisht në performancën e gjithëmbarshme të ndërmarrjes
dhe posaçërisht në ruajtjen dhe rritjen e tregut të telefonisë mobile. Nga mbi
70% të tregut të përdoruesve të telefonisë mobile që PTK-ja mbante më 2010, ajo
sot mbanë pak më shumë se 53% të këtij tregu. Përderisa më 2010, PTK-ja kishte
gjeneruar mbi 151 milion EUR të hyra bruto, më 2014, ajo ka arritur të gjeneroj
vetëm 99.5 milionë EUR, pra një rënie mbi 50 milionë apo rreth 34%. Natyrisht,
një nga kontratat më kontraverse, të operatorit virtual “Z-Mobile” ka dëmtuar rëndë
vlerën e asetit.
-4-
Emëruesi
i tretë i përbashkët i katër investimeve mbetet mungesa e studimeve dhe
anashkalimi i Kuvendit. Para
nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e “Rrugës 7”, nuk kishte asnjë studim
fizibiliteti që do të mund të shfrytëzohej si bazë për diskutim ekonomik.
Mungesa e diskutimit/debatit publik ishte rezultat i argumentimit (nga ana e
Qeverisë) se projekti ishte me rëndësi të lartë politike për Kosovën, sepse
lidhte Kosovën me Shqipërinë, dhe në këtë formë u krijua një disponim automatik
pozitiv lidhur me projektin. Në rastin e ndërtimit të “Rrugës 6”, pavarësisht
zhvillimit të studimit të fizibilitetit ai nuk është bërë publik dhe nuk është
diskutuar me opinionin e gjerë publik.
As procesi i koncesionimit të ANP-së,
nuk është paraprirë asnjëherë me ndonjë studim fizibiliteti mbi transformimin e
pronësisë, mbi kushtet negociuse – dhe përfundimisht – mbi formatin e
kapacitetet e ndërtimeve të reja në ANP.
Tek rasti i KEDS, vendimi për
privatizimin e të dy divizioneve dhe dhënia e tyre një kompanie të vetme nuk
ishte paraprirë me ndonjë studim të mirëfilltë dhe shterues lidhur me skenarët
e mundshëm se si ky proces mund të përmbyllet. Vlen të rikujtohet, se studimi i
fizibilitetit ka qenë kusht i vënë nga Parlamenti.
Që
nga fillimi i procesit të transformimit të pronës së PTK-së, Qeveria e Kosovës
nuk ka arritur të ofrojë shpjegime të domosdoshme rreth vendimit të saj për t’i
privatizuar 75% të aksioneve të ndërmarrjes. Qeveria e Kosovës, gjatë gjithë
procesit të privatizimit të PTK-së, ka tentuar vazhdimisht ta anashkalojë
Kuvendin e Kosovës nga vendim-marrja, edhe pse roli i këtij organi ka qenë
vendimtar për t’i dhënë dritën jeshile privatizimit të ndërmarrjes. Kujtoj se gjatë
fazës së parë të privatizimit, Qeveria tentoi pa kuorum në Kuvend ta kalojë
Strategjinë për Privatizimin e PTK-së, përderisa gjatë fazës së dytë në vitin
2011, Qeveria ndërmori një hap shumë të paprecedent duke përfshirë privatizimin
e PTK-së në kuadër të nenit 4 të Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
-5-
Emëruesi
i katërt i përbashkët i katër investimeve është mungesa e monitorimeve. Tek autostradat,
Qeveria e Kosovës në të dy rastet, ka
angazhuar kompaninë ndërkombëtare Hill International në mbikëqyrje të
projekteve. Mbikëqyrja dhe raportet e “Hill International” dorëzuar Qeverisë
kanë qenë në vazhdimësi jashtë diskutimit publik. Sipas kompanive vendore të
intervistuara në studimet në fjalë, institucionet e Kosovës nuk e kanë
mbikëqyrë kontratën në masën e duhur, dhe si rezultat i kanë dhënë liri të
plotë kontraktorit kryesor që të eksploatojë resurset vendore.
Tek Aeroporti, sipas marrëveshjes së
PPP-së, autoriteti kontraktues – Qeveria e Kosovës pra – duhej të formonte
“Njësinë për Mneaxhim të Porjektit” (NJMP) që së paku njëherë në muaj të
inspektojnë librat, planet, regjistrimet financiare dhe dokumentet tjera me
qëllim të implementimit të projektit. Fatkeqësisht – dhe për habinë më të madhe
– NJMP nuk është themeluar dhe nuk ka funksionuar asnjëherë siç është paraparë
me kontratë. Në vend të saj, mbikëqyrjen e implementimit të kontratës e kanë
bërë vet zyrtarët ekzistues të Njësisë për PPP – një konflikt i pastër i
interesit. Përtej konfliktit të interesit, ku kontratëdhënësi mbikëqyrë
kontratëmarrësin, dhe për më tepër edhe procesin e iniciuar nga vetja, Njësia
për PPP ka marrë detyrat mbikëqyrëse pa pasur kapacitet të nevojshëm për
mbikëqyrjen e kontratës dhe me personel jo të dedikuar profesionalisht.
Tek PTK, politizimi i skajshëm i
strukturave drejtuese në PTK-së, ka bërë të pamundur një monitorim të
mirëfilltë të performancës së PTK-së nga institucionet e Kosovës. Që nga
shpallja e pavarësisë së vendit, kur PTK-ja kalon në pronësi publike me
Qeverinë e Kosovës aksionarin e vetëm të saj, në krye të strukturave drejtuese
kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të vendosur anëtarë aktiv të partive politike.
Ky politizim në fakt ka pamundësuar funksionimin e mekanizimit të
llogaridhënies edhe përkundër që ndërmarrja ka pësuar rënie të vazhdueshme në
të hyra nga viti 2007. Në anën tjetër, Njësia për Politika dhe Monitorim të
Ndërmarrjeve Publike, asnjëherë nuk ka ushtruar monitorim cilësor mbi
ndërmarrjet publike, e veçmas të PTK-së, kryesisht për shkak të mungesës
profesionale të resurseve njerëzore, por edhe për shkak të numrit të vogël të
të punësuarve aty.
-6-
Emëruesi
i pestë dhe i fundit i përbashkët i katër investimeve, është papërgjegjësia
korporative e investitorëve. Tek autostrada, kompania
fituese, përkundër kontraktimit të 1.5 miliardë eurove, ka bërë shumë pak, për
të mos thënë fare, në drejtim të përgjegjësisë sociale – përkatësisht
përgjegjësisë korporative. Për dallim nga shumë korporata serioze – në Kosovë
dhe më shumë – “Bechtel-Enka” nuk ka bërë as edhe një investim social në
rrethin e punimeve. Kompania
“Bechtel-Enka” është sjellë gjithashtu, në mënyrë të papërgjegjshme edhe ndaj
kompanive vendore të angazhuara në projektet e rrugëve. Në mungesë të
alternativave për negocim, ato janë detyruar të ulin çmimet nën çmimet e tregut
dhe nën çdo nivel të arsyeshmërisë financiare. Sipas studimeve në fjalë, punëtorët
e “Bechtel-Enka” detyrohen të punojnë punë të rënda fizike nga 12 orë në ditë,
ndërsa një orë pune u paguhet vetëm 1.35 euro. Kushtet e rënda e të
padinjitetshme të punëtorëve, janë konfirmuar edhe nga Bashkimi Sindikatave të
Punëtorëve të Kosovës (BSPK).
Një
fushë tjetër kontraverze që shpërfaqet pas koncesionimit të ANP-së, përfshinë
praktikat e procesit të prokurimit, i cili, pas koncesionimit, është mbështetur
kryesisht në negocim individual e jo në procese të hapura e transparente. Deri
më sot, koncesioneri nuk ka bërë asnjëherë shpallje për kërkim të shërbimeve.
Sipas legjislacionit në fuqi, KEDS, edhe
pse është një ndërmarrje në pronësi private, obligohet që të veproj në
përputhje me Ligjin për Prokurim Publik (Nr. 04/L-042) të Kosovës për shkak se
ofron shërbime publike dhe operon në një treg të rregulluar. Përderisa nuk
ekziston një mbikëqyrje adekuate e kontratës se privatizimit, entiteti privat
thjeshtë bën edhe injorimin/anashkalimin e Ligjit për Prokurim Publik.
Përderisa KEDS operon në një treg të rregulluar si furnizues publik, është
qenësorë që të sigurohet zbatimi i një standardi të tillë të transparencës që
si burim ka dispozitat ligjore dhe jo hapjen vullnetare të ndërmarrjes. Papërgjegjësi
korporative mbetet edhe moslëshimi i kuponave fiskalë – një rast i paprecedent
në Kosovë e gjithandej në rajon.
Duke
mos u bazuar në asnjë dokument strategjik apo plan të biznesit, më 2008, dhe
përgjatë dy viteve në vijim, në PTK u punësuan më shumë se 820 individë.
Raporte të ndryshme të mediave kishin vënë në pah punësimet politike e
partiake. Krahas punësimit të paplanifikuar dhe të panevojshëm, strukturat
drejtuese në PTK, më 2010, kishin rritur pragun e pagave bazë për veten e tyre,
dhe gjatë viteve 2009-2012, kishin ofruar benefite të ndryshme në formë të
bonuseve dhe honorarëve. Sipas raportit të auditimit të Zyrës së Auditorit të
Përgjithshëm (ZAP), të vitit 2014, PTK-ja, nuk ka arritur asnjëherë që të
vendosë kritere të matshme në deklaratat e kompensimit përmes të cilave do të
bëhej vlerësimi i performancës mbi bazën e të cilave do të përfitohej e drejta
në bonuse.