Monday, 28 March 2016

SHËNDETI PARA RRUGËVE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 MARS 2016

Vetëm 20 kilometra autostradë më pak, me kosto 12 milionë euro për kilometër, do të mjaftonin për të nisur mbarë e vënë në binar përkujdesin shëndetësor në vend.



-1-

Javë më parë kisha shkruar për “Shërimin e shëndetësisë”, në përpjekje për të trajtuar një nga problemet më thelbësore të shoqërisë kosovare tash e shtatëmbëdhjetë vjet. Thelbësore jo vetëm për shkak të natyrës së saj – e që në thelb përbën më të rëndësishmen e secilit qytetar këndej; por edhe për shkak të derexhesë në të cilën ky sektor është lënë përgjatë gjithë kësaj kohe.

Këtë javë, shëndetësia u kthye sërish si problem. U kthye si problem i ikjes së kosovarëve – këtë herë rastisi të jetë familjar i Kryeministrit – për në vendet perëndimore në kërkim të shërimit që nuk e gjënë këndej.

Ikja për qëllime shëndetësore, ç’është e vërteta, nuk është fare risi këndej. Sipas një studimi e ankete të publikuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur vitin që shkoj, rreth 13% e kosovarëve që lëshuan vendin në dy valët e shkuara e bënin atë për qëllime shëndetësore; pra për kërkim trajtim të shërimit jashtë. Përkthyer pra në numra, përafërsisht 13 deri në 15 mijë kosovarë kanë lëshuar Kosovën përgjatë dy viteve të shkuara në kërkim të përkujdesit shëndetësor më të mirë jashtë.

Përveç ikjes, sipas vlerësimeve të ndryshme në vend, nga 70 deri në 100 milionë euro, çdo vjet, kosovarët i dërgojnë në spitalet rajonale – përkatësisht në ato të Shkupit, Beogradit e Stambollit. Trajtimet e kërkuara nisin nga më të thjeshtat – pra kontrollet rutinore – deri tek intervenimet e përkujdesjet më të shtrenjta.

-2-

Ikja e kërkimi për përkujdes jashtë pra nuk bën një risi në vend. Sepse, secili që ka pasur një përvojë minimale më përkujdes shëndetësor në vend, krahasuar hiç më larg se me rajon, ka vërejtur një diskrepancë të theksuar trajtuese. Kjo diskrepancë është shtrirë edhe në sjellje të kujdestarëve por edhe në kushtet e trajtimit.

Natyrisht, se si me çdo disiplinë tjetër, edhe në shëndetësi, ngecjet e vendit tonë janë evidente. Pra, të njëjtat ngecje i kemi edhe në ekonomi, edhe në biznes, edhe në edukim, edhe në teknologji, edhe në medie – rrjedhimisht edhe në shëndetësi. Diferenca është, megjithatë, se po pate një defekt në, le të themi infrastrukturë, dëmi mbetet më pak i rëndësishëm. Po pate një defekt në shëndetësi, dëmi është njerëzor.

Pra për dallim nga vendet e tjera, tek ne, shëndetësisë i është dhënë shumë më pak rëndësi. Sektori publik është trajtuar si i parëndësishëm – deri vonë madje ministrat u jepeshin partnerëve më të vegjël të koalicionit; ndërsa sektori privat nuk ka shpërthyer asnjëherë. Si kthim, kosovarët në hall, janë detyruar të trajtohen në kushtet më të rënda të mundshme; aspak të denja për përmbushjen e të drejtave minimale humane. Çfarë mund të pritet kur në shumë qendra trajtuese as penj e shiringa nuk kishte?

Por pavarësisht problemeve të shumta, zgjidhjen e shoh në trajtimin e sektorit  në rindërtimin dhe funksionimin e tij sipas modelit biznesor. Jo si model korporativ e privatizues – siç e trajtojnë shpesh analfabetët e fushës që janë të zëshëm për protesta koti sindikaliste por kurrë për ngritje të kualitetit e punës aty – por si model funksionimi organizativ e kompenzues biznesor. Në fund të ditës, modele të tilla funksionimi janë implementuar gjithandej në botën perëndimore. Në vijim, do të provoj të shpjegojë konform hapësirës së një kolumne principet e tij.

-3-

Nën trajtimin e modelit biznesor, shpërfaqen dy probleme me sektorin në fjalë. I pari, dhe më i rëndësishmi mbetet financimi. Pra, për të rindërtuar e mbajtur mirë përkujdesin shëndetësor, duhen mjete të vazhdueshme e të qëndrueshme që e sigurojnë këtë. Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e rralla në botë që nuk ka një sistem të kontributeve shëndetësore. Të punësuarit e vetëpunësuarit nuk kontribuojnë pra siç kontribuojnë – le të themi – në sistem pensional. Dhe, pa themelimin e një fondi të tillë shëndetësor, ky sektor do të shpenzojë para nga buxheti e kurrë s’do të jetë në gjendje të përmirësojë – së paku jo për këtë gjeneratë – as kushtet fizike e as sjelljet humane të akterëve në fjalë.

Për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, vlerësimet e para kërkonin një kontribut fillestar nga 250 deri në 300 milionë. Kaq do të duhej pra që të niste mbledhja e fondeve nga kontribuuesit më pas. Mbledhja nënkupton inicim fillestar – një lloj kapitali themeltar – nga qeveria. Pas themelimit, do të nisej mbledhja e kontributeve mujore, të rregullta pra, nga 3 deri në 5% të të ardhurave të kosovarëve.

Arsyetimet e deritanishme, paradoksalisht, theksonin mungesën e mjeteve për këtë kapital fillestarë. Them paradoksalisht sepse Kosova dhe qeveritë e saj – të gjitha njëra pas tjetrës – kanë qenë të gatshëm të gjejnë mjete për trajtim të secilës fushë tjetër, por asnjëherë të shëndetësisë. Për ta marrë një shembull të thjeshtë, nga buxheti i vendit çdo vit ndahen 70 milionë euro për shëndetësi, por plot 210 milionë euro për rrugë. Pra shteti ynë ka vendosur të bëjë rrugë të super të mira për vetura, e spitale mosvet për vete. E vetëm 20 kilometra autostradë më pak, me kosto 12 milionë euro për kilometër, do të mjaftonin për të nisur mbarë e vënë në binar përkujdesin shëndetësor në vend.

Mjetet fillestare kanë mund të gjinden lirisht edhe me kursime të tjera. Për shembull, në vend të ngritjes së pagave, që ishin bërë 70 milion në vitin 2014, do të mund të ofrohej përkujdesi shëndetësor. Për vetëm tre vite shtyrje do të mblidheshin fondet. Në xhepin e kosovarëve do të ishte njëjtë si ofrimi i parave të gatshme, si ofrimi i një mbështetje esenciale.

Kursimet të tjera mund të bëheshin gjithandej. Tek financimi i televizionit publik, që na merr nga 10 milionë euro secilin vjet, e tash madje kërkon ta rritë atë deri në 20 milionë kontribut në vit. Nga sistemi i ambasadave, strehuese të familjarëve e akrabave – me nga 15-20 milionë kosto vjetore. Nga shkurtimi i mëditjeve, prej 200 eurove për një shëtitje turistiko-diplomatike në Shqipëri. Nga ndalimi i drekave, darkave, xhipave e “iphonëve” më të ri; nga shkurtimet ministrore të Qeverisë më të madhe në rajon, me përplot zëvendësministra, këshilltarë, shoferë e asistentë badihavgjinjë.

Po dhe mos të dilnin asnjëra, Kosova ka plot 600 milionë euro para të privatizimit. Ku ka më mirë se përdorimi i tyre për shëndet të kosovarëve. E nëse dhe ato do të ishin të pamundura për zhbllokim, pse të mos merrej një kredi. Ne kemi marrë borxh për gjëra koti; pse nuk e kemi bërë një gjë të tillë për më të çmueshmen tonë – vet jetën?

-4-

Financimi është një problem. Problemi i dytë, më vështirë i zgjidhshëm, mbetet ndërlidhja e ofruesve të shërbimeve shëndetësore me fondin e sigurimeve shëndetësore. Sepse ofrues, kur diçka mbulohet falas (pas kontribuimeve natyrisht) mund të jetë edhe një operator publik por edhe një operator privat. Kjo ndërlidhje është e vështirë, por siç dëshmon përkujdesi falas britanik e ai amerikan, nuk është e pamundur.

Për ta thjeshtëzuar konceptin; në momentin e parë që ne ndërtojmë një fond shëndetësor, dhe në momentin e parë që ky fond përcakton kostot e shërbimeve dhe mbulueshmërinë e tyre, do të krijohet një hapësirë e re për futjen e konkurrencës në mes të ofruesve të shërbyesve; në mes të atyre privat dhe publik.; dhe me këtë, edhe krijohet një treg i ri i rregulluar. Vet përcaktimi i çmimeve nënkupton pra rregullim.

Natyrisht konkurrenca do të jetë më e theksuar në përkujdesjet më pak të komplikuara; por mbi të gjitha, do të nxiste investime enorme në sektorin privat shëndetësor si konkurrues i atij publik. Dhe, nëse përkujdesi për një trajtim është i mbuluar, falas pra nga fondi i sigurimeve, për kosovarin mbetet e parëndësishme se ku do ta pranojë atë përkujdes, në spital publik apo privat. Ta zgjedhë atë vetë ai. Të shkojë pra ku trajtohet më mirë.

E shkuarja ku trajtohet më mirë, pra futja e konkurrencës për shërbimeve falas pra, do të vinte në presion dhe ofruesit publik për ndryshim të qasjes. Sepse, në fund të ditës, të ardhurat e tyre do të varej ekskluzivisht nga performanca e tyre. Le të sillen më pas si të duan me trajtuesit që u vinë.

Për të bërë një gjë të tillë të mundshme, do të duhej një riorganizmi i qendrave ofruese të trajtimit publik. Pra do të duhej zbërthimi i një trupi të madh në copëza të vogla, të vetëmenaxhueshme e prej aty edhe të vetëqëndrueshme. Në krye të secilit trup do të kishte drejtues jo domosdo profesionistë, por menaxherë të zot që dinë si të udhëhiqet një qendër e si trajtohet një pacient – në këtë rast një klient. Mbi të gjitha, do të duhej një reformë në staf profesionist deh adminsitrativ, për ti bërë këto qendra rrjedhimisht moderne dhe të qëndrueshme.

Rruga e përkujdesit shëndetësor nuk është fare e lehtë. Është përkundrazi, jashtëzakonisht e vështirë. Por nuk është  e pamundur. Modelet e suksesit janë gjithandej në botë. Princip kryesor në riorganizmin tonë duhet të jetë sigurimi i financimit (e një gjë e tillë bëhet vetëm nëpërmjet themelimit të fondit shëndetësor) dhe mbulueshmëria e pjesës më të madhe të shërbimeve – për të gjithë. Fondi natyrisht se vetvetiu nuk do t’i mbulojë të gjitha problemet. Sepse përveç parave do të duhet më shumë resurse humane, më shumë teknologji, më shumë objekte. Të gjitha do të mbesin probleme evidente. Fondi dhe riorganizimi ama, do të nisin zgjidhjen e problemit të shëndetësisë.


Monday, 21 March 2016

ZORI EVROPIAN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 MARS 2016

Mbi mendësinë e bërjes së gjërave jo pse duhet por pse na thonë


-1-

Gjykata e Tenderëve, siç i thonë ndryshe Organit Shqyrtues të Prokurimit në Kosovë, ishte vënë për një kohë të gjatë si kriter i domosdoshëm në procesin e liberalizimit të vizave. Kriteri, natyrisht dhe fatkeqësisht, nuk ishte vënë nga një qeverisje e vullnetit të mirë e bërjes mirë, por nga një detyrim; nga një zor pra. Zori evropian, për fatin tonë të keq pra, mbetet mekanizmi i vetëm korrektues i anomalive të gërditshme që prodhohen këndej. Pa këtë zor, politikës kosovare nuk do t’i binte ndërmend të merrej asnjëherë as me tenderët e as me Gjykatën e Tenderëve. Sepse për politikën kosovare, nuk asgjë të keqe që shkon me këtë gjykatë e as me tenderët e dhënë nga ajo. Për politikën kosovare, kjo gjykatë e trajtimit të secilës euro publike të dhënë nëpërmjet tenderëve, duhet të mbetet pjesë e pazareve partiake dhe ndarjes së pozitave në mes ndarësve të pushtetit. Ani pse e definuar dhe presupozuar si profesionale dhe neutrale, e njëjta domosdo do të trajtohet si mjet shërbyes i partive.

Në të njëjtën logjikë ishin trajtuar dhe bordet e ndërmarrjeve e agjencive të pavarura. U deshtë intervenim i evropianëve, në formë të shkruar e shprehur qartësisht disa herë, që politizimi i këtyre agjencive, nga ish të kandiduar për partitë në pushtet, të cilësohet si i gabuar dhe i papranueshëm. Dhe do të duhet një zor tjetër evropian, kurdo që të na vjen, që politika kosovare të ndryshojë qëndrim – për diçka të ndaluar specifikisht me ligj.

Për t’u kthyer mbrapa tek tenderët, mospajtimi i palëve në pushtet, prodhoj një seancë të dështuar, në të cilën pozita nuk aprovon e kalon emrat e ardhur nga vet ajo. Një paradoks i tillë të jep dy elemente trajtuese. I pari, se ka një funksionim të përçuditshëm të partnerëve në koalicion, sa që s’mund të koordinojnë as votimin e emrave që i prodhojnë vet. Dhe e dyta, se kapja e institucioneve publike edhe atëherë kur rrezikon një proces kaq të rëndësishëm evropian për vendin, mbetet prioritare për shumëkë në pushtet. Për aq sa mërziten, Kosova mund të shkojë në dreq të mallkuar po nuk u bë tenderimi siç e mendojnë këta.

-2-

Në fillim të këtij viti, kisha shkruar për domosdoshmërinë e punës hiperaktive për të përmbushur kriteret e mbetura që ishin shpallur të përmbushura kaherë. Madje, për ironinë më të madhe, kur lajmi për mos përmbushjen e tyre kishte dalë në Bruksel, këndej ishte premtuar se “kriteret do të ripërmbusherin përsëri”. Të jepej përshtypja se ato ishin mbushur një herë – por tash do të ri-mbusheshin sërish – ec e bjeri në fije kësaj. Rimbushja e kritereve të mbushura; këso interpretimi veç të tanët mund të bëjnë.

Natyrisht se kriteret nuk ishin përmbushur. Nuk ishte përmbushur pra – ndër të tjerash – reformimi i Gjykatës së Tenderëve. Dhe i njëjti nuk u bë as këtë herë. Kosovarët, vendosën të testojnë zorin evropian; të shohin pra sa serioz është i tilli, para se të ndërmarrin një hap kaq të rëndësishëm për ta. Testimi i këtij zori, do të bëhej në vizitën e komisionit faktmbledhës të BE-së.

E sa për të qenë shumë të qartë, edhe sikur sot të vijë rekomandimi pozitiv për lëvizje të lirë në Kosovë, do të duhen plot shtatë deri në dhjetë muaj ratifikim e pajtim nëpër qeveritë evropiane. Thënë këtë, viti 2016, në secilën rrethanë të mundshme, është vështirë i pritshëm, për të mos thënë fare, si vit i lëvizjes së lirë për në Evropë.

-3-

Një zor tjetër evropian kishte shtyrë dy Odat Ekonomike të Kosovës e Serbisë që t’i shkruajnë Brukselit. Ishte zori i shërbimit e keq perceptimit të nënshtrimit, natyrisht i dalur nga ne. Për habinë më të madhe të secilit, Oda Ekonomike e Kosovës kishte kërkuar nga Oda Ekonomike e Serbisë, që t’i bashkëngjitej në letrën që kjo e jona kishte vendosur t’i dërgonte zyrtarëve të lartë në Bruksel, përkatësisht përfaqësues së lartë të BE-së për punë të jashtme, Mogherinit, dhe Komisionierit për Zgjerim Hahn.

Letra nuk kishte të bënte për pabarazinë trajtuese që Serbia i bën Kosovës, por fliste për kërkim ndërmarrjen e hapave evropianë që parandalojnë “rrënimin e një partneriteti tregtarë në mes të dy vendeve”, që rrezikohej nga rrokullisja e kamionëve. Natyrisht, se letra ishte pranuar me dy duar nga pala serbe; ishin zënë madje dhe në habi. Kush do ta priste në fund të ditës, një dhuratë të tillë – madje në kohë zgjedhjesh atje.

Shumë mirë që Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Serbisë, i kane shkruar Brukselit ankesë të përbashkët për rrokullisjen e kamionëve. Qenkan brengosur për partneritetin e ndërsjellë - siç e do rendi i partnerëve. Por, meqë u paska mbetur aq shumë te partneriteti e te rendi, si nuk u kujtuan këto kurrë, veçanërisht kjo e jona, t'i shkruaj ndonjëherë Brukselit që Serbia nuk i njeh Kosovës as targat e automjeteve e as pasaportat, dy parakushte thelbësore për tregti e lëvizje? Siç s'i shkruan asnjëherë se përkundër nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë, obligim evropian, Serbia ndalon, kthen e refuzon secilën dërgesë kosovare për atje; ani pse i shet këndej tre-katërqind milionë euro në vjet?

Një nënshtrim i tillë, i mjerë e i turpshëm, i panevojshëm, e përfundimisht dhe i padrejtë, që s’flet kurrë për padrejtësitë evidente të bëra ndaj nesh, por i trumbeton elementet terciare deri në Bruksel, tregon edhe vetëdijen nënshtruese të kosovarëve edhe ndaj regjionit por edhe ndaj të huajve. Në vend se një kanal i tillë komunikimi, të përdoret pandërprerë, siç e përdorë pala tjetër për ne vend e pa vend, këta të tanët bëjnë të kundërtën. Sikur në të njëjtën letër të kërkohej edhe heqja e barrierave unilaterale të Serbisë në tregti, të kërkohej njohja e certifikatave të Kosovës, i dokumenteve të udhëtimit, i targave e pasaportave – e i gjithçka tjetër në Evropë – ndoshta dhe do të bënte kuptim ankesa për intervenim e “rregullim” të një partneriteti të prishur. Por nuk u tha asnjëra. Ky akt është aq absurd sa që tejkalon secilin kapacitet gjykues serioz. Është absurd dhe joserioz.

-4-

Përfundimisht, elemente si këto, tregojnë se këndej gjërat janë prishur keq. Është instaluar pra një mendësi e re, e dobët dhe e ligë, tash e sa vjet, që nuk lejon as mendimin e dinjitetshëm, e edhe më pak, shfrytëzimin e proceseve e rrugëve më të mëdha për interes nacional e republikan. Zori evropian, në një ambient të mirëqenë, as që do të duhej të ekzistonte. Por le të themi se ambient të mirëqenë këndej nuk mund të bëjmë për disa kohë. Atëherë, i njëjti do të duhej të përdorej jo vetëm si domosdoshmëri e lëvizjes përpara, por edhe si mekanizëm i thyerjes së klaneve mafioze e kriminale në vend. Ku ka mundësi më të mirë e përkrahje më të madhe se sa procesi evropian dhe percepcioni qytetar mbi të. Është dhuratë e lehtë për secilin tabor udhëheqësish që do njëmend përparimin e vendit.

Pra ka një mendësi të ligë këndej. Dhe kjo mendësi më nuk është formë vetëm e veprimit politik të atyre që gjenden në pushtet, por është standard i mire themeluar i secilit që ka pak të drejtë në një vendim; siç na thotë dhe trajtimi absurd i tregtisë Kosovë-Serbi këtë herë. Pa zhbërjen e një mendësie të tillë, pa nisjen e një zinxhiri të ri mendimi, ky vend kurrë s’ka për t’u ngritur në këmbë.


Monday, 14 March 2016

NJË NARRACION MBI RRUGËDALJEN

Letra nga limbo
11 MARS 2016

Si të dilet nga kriza në pesë hapa


-1-

Duket se përplasjet politike do të vazhdojnë në vend për shumë kohë. Siç dhe kam shkruar më parë, palët nuk do të zgjohen një ditë e të vendosin për dorëzim. Zgjedhja e presidentit, përkatësisht moszgjedhja e tij, ishte gjithsesi një dritare e mirë për të përfunduar përplasjen në mënyrë tërësisht kushtetuese dhe pa krijim të precedentit që shumëkush i frikohet shumë. Moszgjedhja e tij pra, do ta dërgonte vendin në zgjedhje, nga ku, përfundimisht të gabuarit (cilët do qofshin ata) do të merrnin trajtim qytetar – me votë. Zgjedhja e tij ndërsa, rehatoj veçse një njeri, por mbajti peng fatin e një vendi të tërë. Tash, sado të arsyeshme të duken thirrjet për ndërprerje të përplasjeve, veçanërisht ato thirrje për ndërprerje të gazit lotsjellës, them se të njëjtat mbesin megjithatë të pa bëshme.  Dorëzimi i pritur nga palët pra, nuk do të jetë i pranueshëm për asnjërën anë. Ato tanimë janë futur thellë në qëndrimet e veta sa që largimi nga to do të perceptohet si dobësi politike, si gabim, si humbje.

Në anën tjetër, zërat ndërkombëtarë kanë filluar të japin shenjat e para të një ndërmjetësimi e përafrimi eventual; së paku të hapjes së një dere të re. Propozimi publik i ambasadores gjermane në vend rreth krijimit të një komisioni ndërmjetësues, bën një nisje të mirë. E sa më të shpeshta që do të bëhen këto zëra, aq më shumë reagime pozitive nga të gjitha palët do të marrin. Sepse, thënë të drejtën, pakkush me pak mend në kokë mund të pranojë situatën e tanishme si të leverdishme për vete e edhe më pak për vendin. Shumëkush, ndërsa, është në pritje dëshpëruese për ndërmjetësim e dalje nga përplasja e zënë keq.

Në këtë shkrim, do të provoj ti shtroj e rrumbullakojë disa pika që përbëjnë diskutimin ndërmjetësues që veçse është formësuar vend. Natyrisht se oferta të tilla ishin dhënë shpeshherë. Dhe ishin refuzuar po aq. Refuzimi, për fatin tonë të keq, nuk bëhej mbi parimet e marrëveshjeve, që jepnin megjithatë një rrugë të drejtë për të gjithë, por për parimin e bërësve të tyre. Përderisa ofruesit e zgjidhjeve mbesin vendorë, fatkeqësisht secila zgjidhje cilado e çfarëdo qoftë ajo, do të refuzohet me mostrajtim.

-2-

Pra, pavarësisht produktit final, palët duhet të ndërmjetësohen për të folur në mes veti. Për këtë ndërmjetësim, është i domosdoshëm formimi i një trupi ndërmjetësues. Sipas parashikimit kushtetues, në një Kosovë normale, kjo pozitë ndërmjetësuese do t’i takonte njeriut të unitetit – vet Presidentit. Por ja që Presidenti në ardhje, jo që nuk është figurë unifikuese, porse është përçarëse. Është burim i gjithë përplasjeve në vend. Nëse asgjë tjetër, ai do të duhej të shihej si pjesë e palëve që duhet ndërmjetësuar, jo si ndërmjetësues vet. Zgjedhja e tij në një pozitë unifikuese ka djegur një institucion kushtetues me peshë. Së këndejmi, ndërtimi i një komisioni referues, si zëvendësim i institucionit të Presidentit që s’vlenë për ndërmjetësim më, mbetet hap i parë. Palët, në këtë hap, do të duhej të caktonin një ekip me individë dhe përfaqësues (vendorë e ndërkombëtarë) të pranueshëm për të gjithë. Mandati i dhënë, me marrëveshje politike për këtë ekip pra, do të duhej të zgjaste deri në arritjen e një marrëveshjeje të re politike, përfundimtare, e që prodhon rezultate të daljes nga kriza.

Hapi i dytë, dhe më i rëndësishmi, është përcaktimi i produktit përfundimtar e kryesor – atij të zgjedhjeve. Këtu, palët do të mund të diskutonin për disa parahapa që i paraprijnë zgjedhjeve. I pari, dhe më i rëndësishmi, mbetet inicimi i reformës zgjedhore; pa të cilën, asnjë proces zgjedhor nuk ka kuptim. Pjesë e reformës zgjedhore në Kosovë, do të duhej të ishte edhe Komisioni i Venecias, i njohur dhe me përvojë të mjaftueshme në hartimin e ligjeve e reformave zgjedhore. Në pakon e reformës do të duhej të adresoheshin në veçanti problemet me listat zgjedhore (votuesit fiktiv), me zonat elektorale, e me praktikat e precedentëve të krijuar nga interpretimet e çuditshme kushtetuese që përbëjnë pengesë serioze për zgjedhjet e ardhshme (përfshirë dhe rastin e shumicës parlamentare). Pjesë e diskutimeve do të mund të ishte edhe zgjedhja e Presidentit me votë të drejtpërdrejtë. Ndryshimet do të inkorporoheshin në Kushtetutë; e data e zgjedhjeve të reja, do të përcaktohej tek pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi këtë reformë.

Hapi i tretë do të ishte nisja e trajtimit të problemeve që kanë nisur gjithë këtë përplasje. Në këtë vijë, palët do të pajtoheshin për formimin e një komision i ri për vlerësimin e procesit të demarkacionit me Malin e Zi. Komisioni do të mund madje, për rritje të kredibilitetit, të udhëhiqej edhe nga një i deleguar i opozitës. Pjesë përbërëse e tij natyrisht se do të ishin edhe ekspertët më të mirë vendorë e ndërkombëtarë që palët mendojnë t’i angazhojnë. Vendimet përfundimtare të Komisionit të ri, përfundimisht, do të ishin përjashtuese të vendimeve paraprake.

Hapi i katërt do të ishte respektimi në plotni i rekomandimit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi natyrën e Asociacionit. Për këtë, palët do të ndërtonin një ekip të përbashkët implementues, nga ku do të derivonte edhe formimi i vet Asociacionit. Vendimet e reja mbi natyrën e Asociacionit të merreshin me konsensus. Drafti përfundimtar i statusit do të dërgohej në Kushtetuese për verifikim.

Dhe e fundit, hapi i pestë, nga tash e tutje, dialogu me Serbinë do të zhvillohej edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve opozitarë; me një ekip të ri uniteti pra. Vendimet do të merreshin me pajtueshmëri të të gjithë pjesëmarrësve në dialog. Për secilin vendim, natyrisht, do të duhej të merrej paraprakisht miratimi parlamentar.

Monday, 7 March 2016

MBI SHFAQJET TONA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 MARS 2016

Këtë herë kur perdet të hapen e aktorët të ngrihen me të vërteta ndaj tjerëve, shumë mite do të bien. Me ta do të bie dhe paprekshmëria e të fortëve të cilët për plot 17 vjet gjithë kontributin e dhënë e kanë në rikujtimin e një sakrifice të bërë në luftë.


-1-

Kosova tashmë ka një President, por nuk e ka një që i përfaqëson njëmend shumicën e qytetarëve të saj. Nuk i gëzon as votuesit e kundërshtarëve të deri djeshëm të tij, as votuesit e opozitës, e hiç se hiç votuesit e minoriteteve. Zgjedhja e të riut, madje, nuk gëzoj as votuesit që i pati në Parlament. Të njëjtit që kishin thirrur ditë e natë për refuzim votimi, e votuan. E thanë se ishte zgjedhje e domosdoshme; por nuk ju gëzuan zgjedhjes së tij. Kaq mjafton për të kuptuar trishtimin në të cilin kanë futur vendin vet votuesit e tij. Për trishtimin që kanë futur veten do të flasin qytetarët natyrisht.

Por u gëzuan pjesëtarët e partisë së Presidentit të ri; festuan votuesit e tij; pak më pak se një e treta e Kosovës. Disa festues madje, u kapën dhe me festë revoleje, hiq më larg se në zyrat qendrore të partisë së Presidentit të ri; në mes të Prishtinës; sa për të simbolizuar më së miri ndoshta gjithë rrethin që e karakterizon atë – plumba e anarki, të gjithë së bashku mbi ligj. Një javë pas ngjarjes së filmuar, prokuroria e vendit nuk guxoj e vazhdon të mos guxojë të hap rast ende. Janë bërë të gjithë njëjtë. Të topitur. Të topitur gjithsesi ndaj të fortëve.

Në fund të ditës, rezultati ishte ky. Një zgjedhje e rezervuar për pozitë uniteti, ju dha dikujt që ka mbyllur përfundimisht gjasat për unitet në vend. Mos të harrojmë, Presidentja në ikje mund të mos kishte qenë faktor uniteti në vend; por nuk ishte as faktor përçarës. I riu, përveç se nuk është unifikues, është përçarës sa s’bëhet më. Dhe është mu përçarja pse, Kosova është futur në një relacion të pazgjidhshëm nga tash e tutje. Nëse në vend kishte deri dje në derë tek e cila një pjesë e partive megjithatë mund të trokisnin, siç edhe kishin trokitur më parë, tashmë me të riun ajo derë është mbyllur për plot pesë vjet.

-2-

Përderisa Kosova ishte mbytur në gaz e molotov – dhe dëshpërim natën e zgjedhjes – një ecje tjetër kosovare kishte bërë nam nëpër botë këtë javë. Filmi “Shok”, i nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar” kishte rikthyer Kosovën në ballinat e medieve më të famshme ndërkombëtare.

Ky rikthim, përveç se ishte freski e lajmeve që Kosova së fundi prodhon, e që të jemi të sinqertë janë lajme të frikshme, përbën gjithashtu edhe diplomacinë më të shëndoshë që vendi ynë mund të krijojë. Pra, nëpërmjet një ngjarje me vëmendje enrome nëpër botë, Kosova, artistët kosovarë pra, kishin arritur të poentonin me temën më të rëndësishme të mundshme – me përpjekjet e kosovarëve për mbijetesë. Ky poentim bëhet i rëndësishëm veçanërisht në kohën që, për pjesën më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare – kryesisht asaj evropiane – Serbia nuk kërkohet të mbahet përgjegjëse për të bërat e shtatëmbëdhjetë viteve më parë. Madje, përkundrazi, nëpërmjet një propagande të sofistikuar e insistuese ani pse me të pavërteta plot, ata kanë arritur dhe të barazojnë e transformojnë vrasësit në viktimë e viktimat në vrasës. Filmi “Shok” thyen këtë propagandë në formën më të mirë të mundshme.

Por, përtej shërbimit nacional që filmi i bën vendit tonë të ri, ai jep edhe një shpresë të re për të rinjtë e të rejat kosovare që vendin e tyre e kanë parë pak ose fare si vend të mundësive e sukseseve. Arritjet pra, artisitike, sportive e biznesore, qenkan të mundshme të lindin edhe në Kosovë. Për këtë kemi filmin “Shok”, kemi Majlindën, kemi Duan e kemi “Gjirafën” – një biznes vendor që po bën së fundmi nam. Është e vërtetë gjithsesi, se si në pak vende të tjera, ky vend u jep qytetarëve të vet një mijë e një probleme, nga mw tw çuditshmet madje; por njëkohësisht, është po aq e vërtetë se i njëjti mund të prodhojë talentë, kampionë e superbiznesmenë. Them të shikojmë më shumë nga e dyta, pa harruar domosdoshmërinë e largimit të të parëve.

-3-

E të parët kanë punë më të mençura këto ditë. Kanë punë me marrjen rreth ngjarjeve të para 17 viteve. Këtë javë, ish-komandantët e ish-luftëtarët më me nam të UÇK-së, filluan të akuzojnë njëri tjetrin për vrasje, prita e tradhti – madje duke përfshirë dhe figurat e e emrat e njerëzve e protagonistëve më me nam në vend.

Një përplasje si kjo bën vetëm fillimin e shpalosjeve të anëve të zeza nga lufta e fundit. E anë të zeza natyrisht se ka mjaft. Dhe do të mbetet fakt, i garantuar madje, se sa më shumë që i afrohemi Gjykatës Speciale, aq më të shpeshta dhe aq më të trishtueshme kanë për të qenë akuzat, tregimet e në fund dhe faket të ngjarjeve në fjalë.

Kosova kam përshtypjen se ka kaluar mjaftueshëm vite, plot 17 vjet pra, për të kapërcyer mostrajtimin e këtyre temave. Nëse të njëjtat do të hapeshin, le të themi, dy vite pas përfundimit të luftës, gjërat do të shiheshin me sy më emotiv, më emocional pra, e me plot reagime e kërcënime. Këto të fundit ndonëse nuk i përjashtoj hiç të ndodhin tani, them se i shoh si të izoluara dhe vetëm rreth protagonistëve. Qytetarët ndërsa, tash kur kanë kaluar plot 17 vjet, do të jenë më të hapur e më kritik – më kërkues gjithsesi – në gjetjen e të vërtetave nga lufta e fundit.

Këtë herë kur perdet të hapen e aktorët të ngrihen me të vërteta ndaj tjerëve, shumë mite do të bien. Me ta do të bie dhe paprekshmëria e të fortëve të cilët për plot 17 vjet gjithë kontributin e dhënë e kanë në rikujtimin e një sakrifice të bërë në luftë. Kosova nuk do të bëhet njëmend kurrë përderisa nuk lirohet nga të tillët që janë në gjendje të flasin pandërprerë për histori, e as edhe një fjalë ta thonë për të nesërmen.