Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 MARS 2016
Mbi mendësinë e
bërjes së gjërave jo pse duhet por pse na thonë
-1-
Gjykata
e Tenderëve, siç i thonë ndryshe Organit Shqyrtues të Prokurimit në Kosovë,
ishte vënë për një kohë të gjatë si kriter i domosdoshëm në procesin e
liberalizimit të vizave. Kriteri, natyrisht dhe fatkeqësisht, nuk ishte vënë
nga një qeverisje e vullnetit të mirë e bërjes mirë, por nga një detyrim; nga
një zor pra. Zori evropian, për fatin tonë të keq pra, mbetet mekanizmi i vetëm
korrektues i anomalive të gërditshme që prodhohen këndej. Pa këtë zor, politikës
kosovare nuk do t’i binte ndërmend të merrej asnjëherë as me tenderët e as me
Gjykatën e Tenderëve. Sepse për politikën kosovare, nuk asgjë të keqe që shkon
me këtë gjykatë e as me tenderët e dhënë nga ajo. Për politikën kosovare, kjo
gjykatë e trajtimit të secilës euro publike të dhënë nëpërmjet tenderëve, duhet
të mbetet pjesë e pazareve partiake dhe ndarjes së pozitave në mes ndarësve të
pushtetit. Ani pse e definuar dhe presupozuar si profesionale dhe neutrale, e
njëjta domosdo do të trajtohet si mjet shërbyes i partive.
Në
të njëjtën logjikë ishin trajtuar dhe bordet e ndërmarrjeve e agjencive të
pavarura. U deshtë intervenim i evropianëve, në formë të shkruar e shprehur
qartësisht disa herë, që politizimi i këtyre agjencive, nga ish të kandiduar për
partitë në pushtet, të cilësohet si i gabuar dhe i papranueshëm. Dhe do të
duhet një zor tjetër evropian, kurdo që të na vjen, që politika kosovare të
ndryshojë qëndrim – për diçka të ndaluar specifikisht me ligj.
Për
t’u kthyer mbrapa tek tenderët, mospajtimi i palëve në pushtet, prodhoj një
seancë të dështuar, në të cilën pozita nuk aprovon e kalon emrat e ardhur nga
vet ajo. Një paradoks i tillë të jep dy elemente trajtuese. I pari, se ka një funksionim
të përçuditshëm të partnerëve në koalicion, sa që s’mund të koordinojnë as
votimin e emrave që i prodhojnë vet. Dhe e dyta, se kapja e institucioneve
publike edhe atëherë kur rrezikon një proces kaq të rëndësishëm evropian për
vendin, mbetet prioritare për shumëkë në pushtet. Për aq sa mërziten, Kosova
mund të shkojë në dreq të mallkuar po nuk u bë tenderimi siç e mendojnë këta.
-2-
Në
fillim të këtij viti, kisha shkruar për domosdoshmërinë e punës hiperaktive për
të përmbushur kriteret e mbetura që ishin shpallur të përmbushura kaherë.
Madje, për ironinë më të madhe, kur lajmi për mos përmbushjen e tyre kishte dalë
në Bruksel, këndej ishte premtuar se “kriteret do të ripërmbusherin përsëri”. Të
jepej përshtypja se ato ishin mbushur një herë – por tash do të ri-mbusheshin sërish
– ec e bjeri në fije kësaj. Rimbushja e kritereve të mbushura; këso
interpretimi veç të tanët mund të bëjnë.
Natyrisht
se kriteret nuk ishin përmbushur. Nuk ishte përmbushur pra – ndër të tjerash –
reformimi i Gjykatës së Tenderëve. Dhe i njëjti nuk u bë as këtë herë.
Kosovarët, vendosën të testojnë zorin evropian; të shohin pra sa serioz është i
tilli, para se të ndërmarrin një hap kaq të rëndësishëm për ta. Testimi i këtij
zori, do të bëhej në vizitën e komisionit faktmbledhës të BE-së.
E
sa për të qenë shumë të qartë, edhe sikur sot të vijë rekomandimi pozitiv për lëvizje
të lirë në Kosovë, do të duhen plot shtatë deri në dhjetë muaj ratifikim e
pajtim nëpër qeveritë evropiane. Thënë këtë, viti 2016, në secilën rrethanë të
mundshme, është vështirë i pritshëm, për të mos thënë fare, si vit i lëvizjes
së lirë për në Evropë.
-3-
Një
zor tjetër evropian kishte shtyrë dy Odat Ekonomike të Kosovës e Serbisë që t’i
shkruajnë Brukselit. Ishte zori i shërbimit e keq perceptimit të nënshtrimit, natyrisht
i dalur nga ne. Për habinë më të madhe të secilit, Oda Ekonomike e Kosovës
kishte kërkuar nga Oda Ekonomike e Serbisë, që t’i bashkëngjitej në letrën që
kjo e jona kishte vendosur t’i dërgonte zyrtarëve të lartë në Bruksel,
përkatësisht përfaqësues së lartë të BE-së për punë të jashtme, Mogherinit, dhe
Komisionierit për Zgjerim Hahn.
Letra
nuk kishte të bënte për pabarazinë trajtuese që Serbia i bën Kosovës, por
fliste për kërkim ndërmarrjen e hapave evropianë që parandalojnë “rrënimin e një
partneriteti tregtarë në mes të dy vendeve”, që rrezikohej nga rrokullisja e kamionëve.
Natyrisht, se letra ishte pranuar me dy duar nga pala serbe; ishin zënë madje
dhe në habi. Kush do ta priste në fund të ditës, një dhuratë të tillë – madje në
kohë zgjedhjesh atje.
Shumë
mirë që Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Serbisë, i kane shkruar Brukselit
ankesë të përbashkët për rrokullisjen e kamionëve. Qenkan brengosur për
partneritetin e ndërsjellë - siç e do rendi i partnerëve. Por, meqë u paska
mbetur aq shumë te partneriteti e te rendi, si nuk u kujtuan këto kurrë,
veçanërisht kjo e jona, t'i shkruaj ndonjëherë Brukselit që Serbia nuk i njeh
Kosovës as targat e automjeteve e as pasaportat, dy parakushte thelbësore për
tregti e lëvizje? Siç s'i shkruan asnjëherë se përkundër nënshkrimit të
marrëveshjes për tregti të lirë, obligim evropian, Serbia ndalon, kthen e
refuzon secilën dërgesë kosovare për atje; ani pse i shet këndej tre-katërqind
milionë euro në vjet?
Një
nënshtrim i tillë, i mjerë e i turpshëm, i panevojshëm, e përfundimisht dhe i
padrejtë, që s’flet kurrë për padrejtësitë evidente të bëra ndaj nesh, por i
trumbeton elementet terciare deri në Bruksel, tregon edhe vetëdijen nënshtruese
të kosovarëve edhe ndaj regjionit por edhe ndaj të huajve. Në vend se një kanal
i tillë komunikimi, të përdoret pandërprerë, siç e përdorë pala tjetër për ne
vend e pa vend, këta të tanët bëjnë të kundërtën. Sikur në të njëjtën letër të
kërkohej edhe heqja e barrierave unilaterale të Serbisë në tregti, të kërkohej
njohja e certifikatave të Kosovës, i dokumenteve të udhëtimit, i targave e
pasaportave – e i gjithçka tjetër në Evropë – ndoshta dhe do të bënte kuptim
ankesa për intervenim e “rregullim” të një partneriteti të prishur. Por nuk u
tha asnjëra. Ky akt është aq absurd sa që tejkalon secilin kapacitet gjykues
serioz. Është absurd dhe joserioz.
-4-
Përfundimisht,
elemente si këto, tregojnë se këndej gjërat janë prishur keq. Është instaluar
pra një mendësi e re, e dobët dhe e ligë, tash e sa vjet, që nuk lejon as
mendimin e dinjitetshëm, e edhe më pak, shfrytëzimin e proceseve e rrugëve më
të mëdha për interes nacional e republikan. Zori evropian, në një ambient të
mirëqenë, as që do të duhej të ekzistonte. Por le të themi se ambient të
mirëqenë këndej nuk mund të bëjmë për disa kohë. Atëherë, i njëjti do të duhej
të përdorej jo vetëm si domosdoshmëri e lëvizjes përpara, por edhe si mekanizëm
i thyerjes së klaneve mafioze e kriminale në vend. Ku ka mundësi më të mirë e
përkrahje më të madhe se sa procesi evropian dhe percepcioni qytetar mbi të.
Është dhuratë e lehtë për secilin tabor udhëheqësish që do njëmend përparimin e
vendit.
Pra
ka një mendësi të ligë këndej. Dhe kjo mendësi më nuk është formë vetëm e
veprimit politik të atyre që gjenden në pushtet, por është standard i mire
themeluar i secilit që ka pak të drejtë në një vendim; siç na thotë dhe
trajtimi absurd i tregtisë Kosovë-Serbi këtë herë. Pa zhbërjen e një mendësie
të tillë, pa nisjen e një zinxhiri të ri mendimi, ky vend kurrë s’ka për t’u
ngritur në këmbë.
No comments:
Post a Comment