Letra nga limbo
11 MARS 2016
Si të dilet nga
kriza në pesë hapa
-1-
Duket
se përplasjet politike do të vazhdojnë në vend për shumë kohë. Siç dhe kam
shkruar më parë, palët nuk do të zgjohen një ditë e të vendosin për dorëzim.
Zgjedhja e presidentit, përkatësisht moszgjedhja e tij, ishte gjithsesi një
dritare e mirë për të përfunduar përplasjen në mënyrë tërësisht kushtetuese dhe
pa krijim të precedentit që shumëkush i frikohet shumë. Moszgjedhja e tij pra,
do ta dërgonte vendin në zgjedhje, nga ku, përfundimisht të gabuarit (cilët do
qofshin ata) do të merrnin trajtim qytetar – me votë. Zgjedhja e tij ndërsa, rehatoj
veçse një njeri, por mbajti peng fatin e një vendi të tërë. Tash, sado të
arsyeshme të duken thirrjet për ndërprerje të përplasjeve, veçanërisht ato thirrje
për ndërprerje të gazit lotsjellës, them se të njëjtat mbesin megjithatë të pa bëshme.
Dorëzimi i pritur nga palët pra, nuk do
të jetë i pranueshëm për asnjërën anë. Ato tanimë janë futur thellë në qëndrimet
e veta sa që largimi nga to do të perceptohet si dobësi politike, si gabim, si
humbje.
Në
anën tjetër, zërat ndërkombëtarë kanë filluar të japin shenjat e para të një ndërmjetësimi
e përafrimi eventual; së paku të hapjes së një dere të re. Propozimi publik i
ambasadores gjermane në vend rreth krijimit të një komisioni ndërmjetësues, bën
një nisje të mirë. E sa më të shpeshta që do të bëhen këto zëra, aq më shumë
reagime pozitive nga të gjitha palët do të marrin. Sepse, thënë të drejtën,
pakkush me pak mend në kokë mund të pranojë situatën e tanishme si të
leverdishme për vete e edhe më pak për vendin. Shumëkush, ndërsa, është në
pritje dëshpëruese për ndërmjetësim e dalje nga përplasja e zënë keq.
Në
këtë shkrim, do të provoj ti shtroj e rrumbullakojë disa pika që përbëjnë
diskutimin ndërmjetësues që veçse është formësuar vend. Natyrisht se oferta të
tilla ishin dhënë shpeshherë. Dhe ishin refuzuar po aq. Refuzimi, për fatin tonë
të keq, nuk bëhej mbi parimet e marrëveshjeve, që jepnin megjithatë një rrugë të
drejtë për të gjithë, por për parimin e bërësve të tyre. Përderisa ofruesit e
zgjidhjeve mbesin vendorë, fatkeqësisht secila zgjidhje cilado e çfarëdo qoftë
ajo, do të refuzohet me mostrajtim.
-2-
Pra,
pavarësisht produktit final, palët duhet të ndërmjetësohen për të folur në mes
veti. Për këtë ndërmjetësim, është i domosdoshëm formimi i një trupi
ndërmjetësues. Sipas parashikimit kushtetues, në një Kosovë normale, kjo pozitë
ndërmjetësuese do t’i takonte njeriut të unitetit – vet Presidentit. Por ja që
Presidenti në ardhje, jo që nuk është figurë unifikuese, porse është përçarëse.
Është burim i gjithë përplasjeve në vend. Nëse asgjë tjetër, ai do të duhej të
shihej si pjesë e palëve që duhet ndërmjetësuar, jo si ndërmjetësues vet.
Zgjedhja e tij në një pozitë unifikuese ka djegur një institucion kushtetues me
peshë. Së këndejmi, ndërtimi i një komisioni referues, si zëvendësim i institucionit
të Presidentit që s’vlenë për ndërmjetësim më, mbetet hap i parë. Palët, në këtë
hap, do të duhej të caktonin një ekip me individë dhe përfaqësues (vendorë e
ndërkombëtarë) të pranueshëm për të gjithë. Mandati i dhënë, me marrëveshje
politike për këtë ekip pra, do të duhej të zgjaste deri në arritjen e një
marrëveshjeje të re politike, përfundimtare, e që prodhon rezultate të daljes
nga kriza.
Hapi
i dytë, dhe më i rëndësishmi, është përcaktimi i produktit përfundimtar e
kryesor – atij të zgjedhjeve. Këtu, palët do të mund të diskutonin për disa parahapa
që i paraprijnë zgjedhjeve. I pari, dhe më i rëndësishmi, mbetet inicimi i
reformës zgjedhore; pa të cilën, asnjë proces zgjedhor nuk ka kuptim. Pjesë e
reformës zgjedhore në Kosovë, do të duhej të ishte edhe Komisioni i Venecias, i
njohur dhe me përvojë të mjaftueshme në hartimin e ligjeve e reformave zgjedhore.
Në pakon e reformës do të duhej të adresoheshin në veçanti problemet me listat
zgjedhore (votuesit fiktiv), me zonat elektorale, e me praktikat e precedentëve
të krijuar nga interpretimet e çuditshme kushtetuese që përbëjnë pengesë
serioze për zgjedhjet e ardhshme (përfshirë dhe rastin e shumicës parlamentare).
Pjesë e diskutimeve do të mund të ishte edhe zgjedhja e Presidentit me votë të drejtpërdrejtë.
Ndryshimet do të inkorporoheshin në Kushtetutë; e data e zgjedhjeve të reja, do
të përcaktohej tek pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi këtë
reformë.
Hapi
i tretë do të ishte nisja e trajtimit të problemeve që kanë nisur gjithë këtë
përplasje. Në këtë vijë, palët do të pajtoheshin për formimin e një komision i
ri për vlerësimin e procesit të demarkacionit me Malin e Zi. Komisioni do të
mund madje, për rritje të kredibilitetit, të udhëhiqej edhe nga një i deleguar
i opozitës. Pjesë përbërëse e tij natyrisht se do të ishin edhe ekspertët më të
mirë vendorë e ndërkombëtarë që palët mendojnë t’i angazhojnë. Vendimet përfundimtare
të Komisionit të ri, përfundimisht, do të ishin përjashtuese të vendimeve paraprake.
Hapi
i katërt do të ishte respektimi në plotni i rekomandimit dhe vendimit të Gjykatës
Kushtetuese mbi natyrën e Asociacionit. Për këtë, palët do të ndërtonin një
ekip të përbashkët implementues, nga ku do të derivonte edhe formimi i vet
Asociacionit. Vendimet e reja mbi natyrën e Asociacionit të merreshin me konsensus.
Drafti përfundimtar i statusit do të dërgohej në Kushtetuese për verifikim.
Dhe
e fundit, hapi i pestë, nga tash e tutje, dialogu me Serbinë do të zhvillohej
edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve opozitarë; me një ekip të ri uniteti pra.
Vendimet do të merreshin me pajtueshmëri të të gjithë pjesëmarrësve në dialog.
Për secilin vendim, natyrisht, do të duhej të merrej paraprakisht miratimi
parlamentar.
No comments:
Post a Comment