Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 MARS 2016
Vetëm 20
kilometra autostradë më pak, me kosto 12 milionë euro për kilometër, do të
mjaftonin për të nisur mbarë e vënë në binar përkujdesin shëndetësor në vend.
-1-
Javë
më parë kisha shkruar për “Shërimin e shëndetësisë”, në përpjekje për të
trajtuar një nga problemet më thelbësore të shoqërisë kosovare tash e shtatëmbëdhjetë
vjet. Thelbësore jo vetëm për shkak të natyrës së saj – e që në thelb përbën më
të rëndësishmen e secilit qytetar këndej; por edhe për shkak të derexhesë në të
cilën ky sektor është lënë përgjatë gjithë kësaj kohe.
Këtë
javë, shëndetësia u kthye sërish si problem. U kthye si problem i ikjes së
kosovarëve – këtë herë rastisi të jetë familjar i Kryeministrit – për në vendet
perëndimore në kërkim të shërimit që nuk e gjënë këndej.
Ikja
për qëllime shëndetësore, ç’është e vërteta, nuk është fare risi këndej. Sipas
një studimi e ankete të publikuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur
vitin që shkoj, rreth 13% e kosovarëve që lëshuan vendin në dy valët e shkuara
e bënin atë për qëllime shëndetësore; pra për kërkim trajtim të shërimit jashtë.
Përkthyer pra në numra, përafërsisht 13 deri në 15 mijë kosovarë kanë lëshuar
Kosovën përgjatë dy viteve të shkuara në kërkim të përkujdesit shëndetësor më të
mirë jashtë.
Përveç
ikjes, sipas vlerësimeve të ndryshme në vend, nga 70 deri në 100 milionë euro,
çdo vjet, kosovarët i dërgojnë në spitalet rajonale – përkatësisht në ato të
Shkupit, Beogradit e Stambollit. Trajtimet e kërkuara nisin nga më të thjeshtat
– pra kontrollet rutinore – deri tek intervenimet e përkujdesjet më të
shtrenjta.
-2-
Ikja
e kërkimi për përkujdes jashtë pra nuk bën një risi në vend. Sepse, secili që
ka pasur një përvojë minimale më përkujdes shëndetësor në vend, krahasuar hiç më
larg se me rajon, ka vërejtur një diskrepancë të theksuar trajtuese. Kjo
diskrepancë është shtrirë edhe në sjellje të kujdestarëve por edhe në kushtet e
trajtimit.
Natyrisht,
se si me çdo disiplinë tjetër, edhe në shëndetësi, ngecjet e vendit tonë janë
evidente. Pra, të njëjtat ngecje i kemi edhe në ekonomi, edhe në biznes, edhe në
edukim, edhe në teknologji, edhe në medie – rrjedhimisht edhe në shëndetësi. Diferenca
është, megjithatë, se po pate një defekt në, le të themi infrastrukturë, dëmi
mbetet më pak i rëndësishëm. Po pate një defekt në shëndetësi, dëmi është njerëzor.
Pra
për dallim nga vendet e tjera, tek ne, shëndetësisë i është dhënë shumë më pak
rëndësi. Sektori publik është trajtuar si i parëndësishëm – deri vonë madje
ministrat u jepeshin partnerëve më të vegjël të koalicionit; ndërsa sektori
privat nuk ka shpërthyer asnjëherë. Si kthim, kosovarët në hall, janë detyruar
të trajtohen në kushtet më të rënda të mundshme; aspak të denja për përmbushjen
e të drejtave minimale humane. Çfarë mund të pritet kur në shumë qendra
trajtuese as penj e shiringa nuk kishte?
Por
pavarësisht problemeve të shumta, zgjidhjen e shoh në trajtimin e sektorit në rindërtimin dhe funksionimin e tij sipas modelit
biznesor. Jo si model korporativ e privatizues – siç e trajtojnë shpesh
analfabetët e fushës që janë të zëshëm për protesta koti sindikaliste por kurrë
për ngritje të kualitetit e punës aty – por si model funksionimi organizativ e
kompenzues biznesor. Në fund të ditës, modele të tilla funksionimi janë
implementuar gjithandej në botën perëndimore. Në vijim, do të provoj të shpjegojë
konform hapësirës së një kolumne principet e tij.
-3-
Nën
trajtimin e modelit biznesor, shpërfaqen dy probleme me sektorin në fjalë. I
pari, dhe më i rëndësishmi mbetet financimi. Pra, për të rindërtuar e mbajtur
mirë përkujdesin shëndetësor, duhen mjete të vazhdueshme e të qëndrueshme që e
sigurojnë këtë. Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e rralla në botë që nuk ka
një sistem të kontributeve shëndetësore. Të punësuarit e vetëpunësuarit nuk kontribuojnë
pra siç kontribuojnë – le të themi – në sistem pensional. Dhe, pa themelimin e
një fondi të tillë shëndetësor, ky sektor do të shpenzojë para nga buxheti e
kurrë s’do të jetë në gjendje të përmirësojë – së paku jo për këtë gjeneratë –
as kushtet fizike e as sjelljet humane të akterëve në fjalë.
Për
themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, vlerësimet e para kërkonin një
kontribut fillestar nga 250 deri në 300 milionë. Kaq do të duhej pra që të
niste mbledhja e fondeve nga kontribuuesit më pas. Mbledhja nënkupton inicim
fillestar – një lloj kapitali themeltar – nga qeveria. Pas themelimit, do të
nisej mbledhja e kontributeve mujore, të rregullta pra, nga 3 deri në 5% të të
ardhurave të kosovarëve.
Arsyetimet
e deritanishme, paradoksalisht, theksonin mungesën e mjeteve për këtë kapital
fillestarë. Them paradoksalisht sepse Kosova dhe qeveritë e saj – të gjitha njëra
pas tjetrës – kanë qenë të gatshëm të gjejnë mjete për trajtim të secilës fushë
tjetër, por asnjëherë të shëndetësisë. Për ta marrë një shembull të thjeshtë,
nga buxheti i vendit çdo vit ndahen 70 milionë euro për shëndetësi, por plot
210 milionë euro për rrugë. Pra shteti ynë ka vendosur të bëjë rrugë të super
të mira për vetura, e spitale mosvet për vete. E vetëm 20 kilometra autostradë
më pak, me kosto 12 milionë euro për kilometër, do të mjaftonin për të nisur
mbarë e vënë në binar përkujdesin shëndetësor në vend.
Mjetet
fillestare kanë mund të gjinden lirisht edhe me kursime të tjera. Për shembull,
në vend të ngritjes së pagave, që ishin bërë 70 milion në vitin 2014, do të
mund të ofrohej përkujdesi shëndetësor. Për vetëm tre vite shtyrje do të
mblidheshin fondet. Në xhepin e kosovarëve do të ishte njëjtë si ofrimi i
parave të gatshme, si ofrimi i një mbështetje esenciale.
Kursimet
të tjera mund të bëheshin gjithandej. Tek financimi i televizionit publik, që
na merr nga 10 milionë euro secilin vjet, e tash madje kërkon ta rritë atë deri
në 20 milionë kontribut në vit. Nga sistemi i ambasadave, strehuese të
familjarëve e akrabave – me nga 15-20 milionë kosto vjetore. Nga shkurtimi i
mëditjeve, prej 200 eurove për një shëtitje turistiko-diplomatike në Shqipëri.
Nga ndalimi i drekave, darkave, xhipave e “iphonëve” më të ri; nga shkurtimet
ministrore të Qeverisë më të madhe në rajon, me përplot zëvendësministra,
këshilltarë, shoferë e asistentë badihavgjinjë.
Po
dhe mos të dilnin asnjëra, Kosova ka plot 600 milionë euro para të
privatizimit. Ku ka më mirë se përdorimi i tyre për shëndet të kosovarëve. E
nëse dhe ato do të ishin të pamundura për zhbllokim, pse të mos merrej një
kredi. Ne kemi marrë borxh për gjëra koti; pse nuk e kemi bërë një gjë të tillë
për më të çmueshmen tonë – vet jetën?
-4-
Financimi
është një problem. Problemi i dytë, më vështirë i zgjidhshëm, mbetet ndërlidhja
e ofruesve të shërbimeve shëndetësore me fondin e sigurimeve shëndetësore. Sepse
ofrues, kur diçka mbulohet falas (pas kontribuimeve natyrisht) mund të jetë
edhe një operator publik por edhe një operator privat. Kjo ndërlidhje është e
vështirë, por siç dëshmon përkujdesi falas britanik e ai amerikan, nuk është e
pamundur.
Për
ta thjeshtëzuar konceptin; në momentin e parë që ne ndërtojmë një fond
shëndetësor, dhe në momentin e parë që ky fond përcakton kostot e shërbimeve
dhe mbulueshmërinë e tyre, do të krijohet një hapësirë e re për futjen e
konkurrencës në mes të ofruesve të shërbyesve; në mes të atyre privat dhe
publik.; dhe me këtë, edhe krijohet një treg i ri i rregulluar. Vet përcaktimi
i çmimeve nënkupton pra rregullim.
Natyrisht
konkurrenca do të jetë më e theksuar në përkujdesjet më pak të komplikuara; por
mbi të gjitha, do të nxiste investime enorme në sektorin privat shëndetësor si
konkurrues i atij publik. Dhe, nëse përkujdesi për një trajtim është i mbuluar,
falas pra nga fondi i sigurimeve, për kosovarin mbetet e parëndësishme se ku do
ta pranojë atë përkujdes, në spital publik apo privat. Ta zgjedhë atë vetë ai.
Të shkojë pra ku trajtohet më mirë.
E
shkuarja ku trajtohet më mirë, pra futja e konkurrencës për shërbimeve falas
pra, do të vinte në presion dhe ofruesit publik për ndryshim të qasjes. Sepse,
në fund të ditës, të ardhurat e tyre do të varej ekskluzivisht nga performanca
e tyre. Le të sillen më pas si të duan me trajtuesit që u vinë.
Për
të bërë një gjë të tillë të mundshme, do të duhej një riorganizmi i qendrave
ofruese të trajtimit publik. Pra do të duhej zbërthimi i një trupi të madh në
copëza të vogla, të vetëmenaxhueshme e prej aty edhe të vetëqëndrueshme. Në
krye të secilit trup do të kishte drejtues jo domosdo profesionistë, por
menaxherë të zot që dinë si të udhëhiqet një qendër e si trajtohet një pacient
– në këtë rast një klient. Mbi të gjitha, do të duhej një reformë në staf
profesionist deh adminsitrativ, për ti bërë këto qendra rrjedhimisht moderne
dhe të qëndrueshme.
Rruga e përkujdesit shëndetësor nuk është fare e lehtë. Është përkundrazi, jashtëzakonisht e vështirë. Por nuk është e pamundur. Modelet e suksesit janë gjithandej në botë. Princip kryesor në riorganizmin tonë duhet të jetë sigurimi i financimit (e një gjë e tillë bëhet vetëm nëpërmjet themelimit të fondit shëndetësor) dhe mbulueshmëria e pjesës më të madhe të shërbimeve – për të gjithë. Fondi natyrisht se vetvetiu nuk do t’i mbulojë të gjitha problemet. Sepse përveç parave do të duhet më shumë resurse humane, më shumë teknologji, më shumë objekte. Të gjitha do të mbesin probleme evidente. Fondi dhe riorganizimi ama, do të nisin zgjidhjen e problemit të shëndetësisë.
Rruga e përkujdesit shëndetësor nuk është fare e lehtë. Është përkundrazi, jashtëzakonisht e vështirë. Por nuk është e pamundur. Modelet e suksesit janë gjithandej në botë. Princip kryesor në riorganizmin tonë duhet të jetë sigurimi i financimit (e një gjë e tillë bëhet vetëm nëpërmjet themelimit të fondit shëndetësor) dhe mbulueshmëria e pjesës më të madhe të shërbimeve – për të gjithë. Fondi natyrisht se vetvetiu nuk do t’i mbulojë të gjitha problemet. Sepse përveç parave do të duhet më shumë resurse humane, më shumë teknologji, më shumë objekte. Të gjitha do të mbesin probleme evidente. Fondi dhe riorganizimi ama, do të nisin zgjidhjen e problemit të shëndetësisë.
No comments:
Post a Comment